Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 66-67

66 Lëshoni klithma gëzimi Perëndisë, ju të gjithë banorë të tokës;

i këndoni himne lavdisë së emrit të tij; bëjeni zulmëmadh lëvdimin e tij.

I thoni Perëndisë: "Sa të tmerrshme janë veprat e tua! Për shkak të madhështisë së fuqisë sate armiqtë e tu do të të nënshtrohen ty.

Tërë toka do të të adhurojë dhe do të këndojë për ty, do të këndojë lëvdimet e emrit tënd. (Sela)

Ejani dhe admironi atë që Perëndia ka bërë; ai është i tmerrshëm në veprat tij për bijtë e njerëzve.

Ai e ndryshoi detin në tokë të thatë; populli i tij e kaloi lumin me këmbë të thata; le të gëzohemi, pra, bashkë me të.

Me fuqinë e tij ai mbretëron në përjetësi; sytë e tij këqyrin kombet. Mos lejoni që rebelët të ngrenë krye. (Sela)

Ju o popuj, bekoni Perëndinë tonë; dhe shpallni me zë të lartë lëvdimin e tij.

Ai na mban gjallë dhe nuk lejon që këmbët tona të pengohen.

10 Sepse ti na ke vënë në provë, o Perëndi, na ke pastruar ashtu si pastrohet argjendi.

11 Na ke bërë të biem në rrjetë, ke vënë një barrë të rëndë mbi kurrizet tona.

12 Ke bërë që njerëzit të ecin me kalë mbi kokën tonë; kemi kaluar nëpër zjarr dhe nëpër ujë, por ti na ke nxjerrë jashtë në një vend të freskët.

13 Unë do të hyj në shtëpinë tënde me olokauste; do të plotësoj zotimet e mia,

14 që buzët e mia kanë formuluar dhe që goja ime ka shqiptuar kur kaloja fatkeqësi.

15 Do të të ofroj olokauste kafshësh të majme, me erën e këndshme të deshve; do të flijoj qe dhe cjep. (Sela)

16 Ejani dhe dëgjoni, ju të gjithë që i trëmbeni Perëndisë, dhe unë do t’ju tregoj atë që ai bëri për shpirtin tim.

17 I thirra atij me gojën time dhe e përlëvdova me gjuhën time.

18 Po të kisha ruajtur të keqen në zemrën time, Zoti nuk do të më kishte dëgjuar.

19 Por Perëndia më dëgjoi dhe i kushtoi kujdes zërit të lutjes sime.

20 Qoftë i bekuar Perëndia, që nuk e hodhi poshtë lutjen time dhe nuk më mohoi mirësinë e tij.

67 Perëndia pastë mëshirë për ne dhe na bekoftë; Perëndia e bëftë fytyrën e tij të shkëlqejë mbi ne, (Sela)

me qëllim që mbi tokë të njihet rruga jote dhe shpëtimi yt midis gjithë kombeve.

Popujt do të të kremtojnë, o Perëndi, të gjithë popujt do të të kremtojnë.

Kombet do të gëzohen dhe do të ngazëllojnë, sepse ti do t’i gjykosh drejt popujt dhe do t’i udhëheqësh kombet mbi tokë. (Sela)

Le të të lëvdojnë popujt, o Perëndi, le të të lëvdojnë tërë popujt.

Toka do të prodhojë frytin e vet; Perëndia, Perëndia ynë, do të na bekojë.

Perëndia do të na bekojë dhe tërë skajet e tokës do ta kenë frikë.

Psalmet 19

19 Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij.

Një ditë i flet ditës tjetër dhe një natë ia tregon tjetrës.

Nuk kanë gojë, as fjalë; zëri i tyre nuk dëgjohet;

por harmonia e tyre përhapet mbi gjithë dheun dhe mesazhi i tyre arrin deri në skajin e botës; në qiejtë Perëndia ka vënë një çadër për diellin;

dhe ai është si një dhëndër që del nga dhoma e tij e martesës; ngazëllon si një trim që përshkon rrugën e tij.

Ai del nga një skaj i qiejve dhe rrotullimi e tij arrin deri në skajin tjetër; asgjë nuk mund t’i fshihet nxehtësisë së tij.

Ligji i Zotit është i përsosur, ai e përtërin shpirtin; dëshmia e Zotit është e vërtetë dhe e bën të ditur njeriun e thjeshtë.

Porositë e Zotit janë të drejta dhe e gëzojnë zemrën; urdhërimet e Zotit janë te pastra dhe ndriçojnë sytë.

Frika e Zotit është e pastër, mbetet përjetë; gjykimet e Zotit janë të vërteta, të gjitha janë të drejta;

10 janë më të dëshirueshme se ari, po, më tepër se shumë ari i kulluar; janë më të ëmbla se mjalti, nga ai që del nga hojet.

11 Edhe shërbëtori yt mëson prej tyre; ke një shpërblim të madh duke i parë.

12 Kush i njeh gabimet e tij? Pastromë nga ato që nuk i shoh.

13 Përveç kësaj ruaje shërbëtorin tënd nga mëkatet e vullnetit, dhe bëj që ato të mos më sundojnë mua; atëherë unë do të jem i ndershëm dhe i pastër nga shkelje të mëdha.

14 U miratofshin para teje fjalët e gojës sime dhe përsiatjet e zemrës sime, o Zot, kështjella ime dhe shpëtimtari im.

Psalmet 46

46 Perëndia është për ne një streh dhe një forcë, një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi.

Prandaj ne nuk do të kemi frikë edhe sikur toka të luajë dhe malet të hidhen në mes të detit,

dhe ujërat e tij të tërbohen dhe të shkumojnë, dhe malet të dridhen në fryerjen e tij. (Sela)

Éshtë një lumë brigjet e të cilit mbushin me gëzim qytetin e Perëndisë, vendin e shenjtë ku banon shumë i Larti.

Perëndia është në mes të tij, ai nuk do të luajë nga vendi; Perëndia do ta ndihmojë në dritat e para të mëngjesit.

Kombet do të ziejnë, mbretëritë do të tronditen; ai dërgoi jashtë zërin e tij, toka u shkri.

Zoti i ushtrive është me ne; Perëndia i Jakobit është streha jonë. (Sela)

Ejani dhe admironi veprat e Zotit, që ka bërë mrekulli mbi tokë.

Ai bën që të pushojnë luftërat deri në skajet e tokës; ai prish harqet dhe thyen shtizat, dhe djeg qerret me zjarr.

10 Ndaluni dhe pranoni që jam Perëndi; do të ngrihem lart midis kombeve, do të ngrihem lart mbi tokë.

11 Zoti i ushtrive është me ne; Perëndia i Jakobit është streha jonë. (Sela)

Habakuku 1:1-2

Profecia që pati në vegim profeti Habakuk.

Deri kur, o Zot, do të bërtas dhe ti nuk do të më dëgjosh? Unë këlthas: Dhunë!,," por ti nuk jep shpëtim.

Përse më bën të shikoj paudhësinë dhe më bën të shoh çoroditjen? Përpara meje qëndron grabitja dhe dhuna, ka grindje dhe përçarja po shtohet.

Prandaj ligji nuk ka forcë dhe drejtësia nuk ia del të fitojë, sepse i pabesi e mashtron të drejtin dhe drejtësia shtrëmbërohet.

"Shikoni midis kombeve dhe këqyrni, do të mbeteni të habitur dhe të shastisur, sepse unë do të kryej në ditët tuaja një vepër, që ju nuk do ta besonit edhe sikur t’jua tregonin.

Sepse ja, unë do t’i nxis Kaldeasit, komb mizor dhe i furishëm, që përshkon dheun në gjerësinë e tij për të shtënë në dorë banesa jo të vetat.

Éshtë i tmerrshëm, i llahtarshëm; gjykimi i tij dhe dinjiteti i tij dalin nga ai vetë.

Kuajt e tij janë më të shpejtë se leopardët, më të egër se ujqërit e mbrëmjes. Kalorësit e tyre përhapen kudo, kalorësit e tyre vijnë nga larg, fluturojnë si shqiponja që sulet mbi gjahun për ta gllabëruar.

Vijnë të gjithë për të bërë dhunë, fytyrat e tyre shtyhen përpara dhe grumbullojnë robër si rëra.

10 Ai tallet me mbretërit dhe princat janë për të objekt talljeje; përqesh çfarëdo fortese, sepse mbledh pak dhe, dhe e pushton.

11 Pastaj përparon shpejt si era, kalon tutje dhe e bën veten fajtor, duke ia atribuar këtë forcë të tij perëndisë së vet".

12 A nuk je që nga fillimet, o Zot, Perëndia im, i shenjti im? Ne nuk do të vdesim, o Zot, sepse ti e ke caktuar për të bërë drejtësi dhe e ke caktuar, o Shkëmb, për të ndëshkuar.

13 Ti i ke sytë tepër të pastër për të parë të keqen dhe nuk e shikon dot paudhësinë. Pse rri dhe shikon ata që veprojnë me hile, dhe hesht kur i ligu gllabëron atë që është më i drejtë se ai?

14 Pse i bën njerëzit si peshqit e detit dhe si rrëshqanorët, që nuk kanë zot?

15 Ai i zë të gjithë me grep, i zë me rrjetën e tij dhe i mbledh me rrjetën e tij të peshkimit; pastaj kënaqet dhe ngazëllon.

16 Prandaj i bën flijime rrjetës së tij dhe djeg temjan për rrjetën e tij, sepse me to pjesa e tij është e madhe dhe ushqimi i tij i bollshëm.

17 A do të vazhdojë ai, pra, të zbrazë rrjetën e tij dhe të masakrojë kombet pa mëshirë?

Unë do të rri në vendrojën time, do të zë vend mbi kullë dhe do t’i hap sytë për të parë atë që do të më thotë dhe çfarë do të duhet t’i përgjigjem lidhur me ankesën e bërë.

Filipianëve 3:13-4:1

13 Vëllezër, sa për vete, nuk mendoj se e kam zënë, por bëj këtë: duke harruar ato që kam lënë pas dhe duke u prirur drejt atyre që kam përpara,

14 po rend drejt synimit, drejt çmimit të thirrjes së lartme të Perëndisë në Krishtin Jezus.

15 Pra, të gjithë ne që jemi të përsosur, le të kemi këto mendime; dhe në qoftë se ju mendoni ndryshe për ndonjë gjë, Perëndia do t’jua zbulojë edhe këtë.

16 Por në pikën ku kemi arritur, le të ecim sipas së njëjtës rregull me të njejtën mendje.

17 Bëhuni imituesit e mi, vëllezër, dhe vëreni ata që ecin kështu, sipas shëmbullin që keni në ne.

18 Sepse shumë nga ata, për të cilët ju kam folur shpesh, edhe tani po jua them duke qarë, ecin si armiq të kryqit të Krishtit,

19 dhe fundi i tyre është humbje, perëndia i tyre është barku dhe lavdia e tyre është në turp të tyre; ata mendojnë vetëm për gjërat tokësorë.

20 Sepse qytetëria jonë është në qiejt, prej nga edhe presim Shpëtimtarin, Zotin Jezu Krisht,

21 i cili do ta transformojë trupin tonë të përunjur, që të bëhet i ngjashëm me trupin e tij të lavdishëm, sipas fuqisë së tij që t’i nënshtrojë ndaj vetes të gjitha gjërat.

Prandaj, o vëllezër të dashur dhe fort të dëshiruar, gëzimi dhe kurora ime, qëndroni kështu në Zotin, o shumë të dashur.

Mateu 23:13-24

13 Por mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse mbyllni mbretërinë e qiejve para njerëzve; sepse as ju nuk hyni, as nuk i lini të hyjnë ata që janë për të hyrë.

14 Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse gllabëroni shtëpitë e të vejave dhe për sy e faqe bëni lutje të gjata; për këtë arsye ju do të pësoni një dënim më të rreptë.

15 Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse përshkoni detin dhe dheun për të bërë prozelitë, dhe kur ndokush bëhet i tillë, e bëni bir të Gehenas dhe dy herë më të keq se ju!

16 Mjerë ju, udhëheqës të verbër, që thoni: "Në qoftë se dikush betohet për tempullin, kjo s’është gjë; por në qoftë se betohet për arin e tempullit, është i detyruar".

17 Të marrë dhe të verbër! Sepse cili është më i madh: ari apo tempulli që e shenjtëron arin?

18 Dhe në qoftë se dikush betohet për altarin, s’është gjë; por ne qoftë se betohet për ofertën që është mbi të, është i detyruar".

19 Të marrë dhe të verbër! Sepse cila është më e madhe, oferta apo altari që e shenjtëron ofertën?

20 Ai, pra, që betohet për altarin, betohet për të dhe për çdo gjë që është përmbi të!

21 Ai që betohet për tempullin, betohet për të dhe për atë që banon atje.

22 Dhe ai që betohet për qiellin, betohet për fronin e Perëndisë dhe për atë që është ulur mbi të.

23 Mjerë ju, skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse ju llogaritni të dhjetën e mëndrës, të koprës dhe të barit të gjumit, dhe lini pas dore gjërat më të rëndësishme të ligjit: gjyqin, mëshirën dhe besimin; këto gjëra duhet t’i praktikoni pa i lënë pas dore të tjerat.

24 Udhëheqës të verbër, që sitni mushkonjën dhe kapërdini devenë!