Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 105

105 Kremtoni Zotin, lutjuni për ndihmë emrit të tij, bëni të njohura veprat e tij midis popujve.

Këndojini atij, këndojini lavde atij, mendoni thellë tërë mrekullitë e tij.

Mburruni me emrin e tij të shenjtë; le të kënaqet zemra e tërë atyre që kërkojnë Zotin.

Kërkoni Zotin dhe forcën e tij; kërkoni vazhdimisht fytyrën e tij.

Mbani mend çuditë që ai ka bërë, mrekullitë dhe gjykimet e gojës së tij,

ju, o pasardhës së Abrahamit, shërbëtorit të tij, o bij të Jakobit, të zgjedhur të tij.

Ai është Zoti, Perëndia ynë; gjykimet e tij janë mbi gjithë tokën.

Ai mban mend përjetë besëlidhjen e tij dhe për një mijë breza fjalën e komanduar prej tij,

besëlidhjen që lidhi me Abrahamin dhe betimin që i bëri Isakut,

10 që i konfirmoi Jakobit si statut të tij dhe Izraelit si një besëlidhje të përjetshme,

11 duke thënë: "Unë do të të jap vendin e Kanaanit si pjesë e trashëgimisë suaj,"

12 kur nuk ishin veçse një numër i vogël, shumë të pakët dhe të huaj në vend,

13 dhe shkonin nga një komb te tjetri, nga një mbretëri te një popull tjetër.

14 Ai nuk lejoi që t’i shtypte njeri; përkundrazi ndëshkoi disa mbretër për hir të tyre,

15 dhe tha: "Mos prekni të vajosurit e mi dhe mos bëni asnjë të keqe profetëve të mi".

16 Pastaj solli zinë e bukës në vend dhe shkatërroi çdo burim ushqimesh.

17 Dërgoi para tyre një njeri, Jozefin, që u shit si skllav.

18 I shtrënguan këmbët me pranga dhe u rëndua me zinxhirë hekuri.

19 Fjala e Zotit e vuri në provë, deri sa u plotësua ajo që kishte thënë.

20 Atëherë mbreti dërgoi ta zgjidhnin, sunduesi i popujve dërgoi ta çlironin,

21 dhe e bëri zot të shtëpisë së tij dhe qeveritar mbi të gjitha pasuritë e tij,

22 për t’i lidhur princat e tij me gjykimin e tij dhe për t’u mësuar pleqve të tij diturinë.

23 Edhe Izraeli erdhi në Egjipt dhe Jakobi qëndroi për ca kohë në vendin e Kamit.

24 Dhe Perëndia e shumëzoi shumë popullin e tij dhe e bëri më të fuqishëm se armiqtë e tij.

25 Pastaj ndryshoi zemrën e tyre, me qëllim që të urrenin popullin e tij dhe të kurdisnin mashtrime kundër shërbëtorëve të tij.

26 Atëherë ai dërgoi Moisiun, shërbëtorin e tij, dhe Aaronin që ai kishte zgjedhur.

27 Ata kryen midis tyre mrekullitë e urdhëruara prej tij dhe bënë çudira në tokën e Kamit.

28 Dërgoi terrin dhe e bëri vendin të binte në errësirë, dhe ata nuk kundërshtuan fjalën e tij.

29 I ndryshoi ujërat e tij në gjak dhe bëri që të ngordhnin peshqit e tij.

30 Vendi i tyre u mbush me bretkosa të cilat hynë deri në dhomat e mbretërve të tyre.

31 Me fjalën e tij erdhën një shumicë e madhe insektesh dhe mushkonjash në të gjithë territorin e tyre.

32 U dërgoi breshër në vend të shiut dhe flakë zjarri në vendin e tyre;

33 goditi edhe vreshtat e tyre dhe drurët e fikut, shkatërroi drurët e territorit të tyre.

34 Ai foli, dhe erdhën karkaleca dhe vemje në numër të madh,

35 që përpinë tërë bimësinë e vendit të tyre dhe hëngrën frytin e tokës së tyre.

36 Ai goditi edhe të gjithë të parëlindurit në vendin e tyre, prodhimet e para në tërë fuqinë e tyre;

37 dhe e nxori popullin e tij me argjend dhe me ar, dhe nuk pati asnjeri ndër fiset e tij që të tronditej.

38 Egjiptasit u gëzuan nga ikja e tyre, sepse tmerri i Izraelit kishte rënë mbi ta.

39 Ai shpalosi një re për t’i mbuluar dhe ndezi një zjarr për t’i ndriçuar natën.

40 Me kërkesën e tyre ai solli shkurtat dhe i ngopi me bukën e qiellit.

41 Çau shkëmbin dhe dolën prej tij ujëra; këto rridhnin në shketëtirë si një lumë.

42 Sepse atij iu kujtua premtimi i shenjtë që i kishte bërë Abrahamit, shërbëtorit të tij;

43 pastaj nxori popullin e tij me gëzim dhe njerëzit e tij të zgjedhur me britma gëzimi,

44 dhe u dha atyre vendet e kombeve, dhe ata trashëguan frytin e mundit të popujve,

45 me qëllim që të respektonin statutet e tij dhe t’u bindeshin ligjeve të tij. Aleluja.

Malakia 2:1-16

"Dhe tani ky urdhërim është për ju, o priftërinj.

Në qoftë se nuk dëgjoni, po të mos keni në zemër t’i jepni lavdi emrit tim," thotë Zoti i ushtrive, "do të dërgoj mbi ju mallkimin dhe do të mallkoj bekimet tuaja; po, tashmë i kam mallkuar, sepse nuk e keni futur këtë gjë në zemër.

Ja, unë do ta shaj farën tuaj, do të hedh jashtëqitje mbi fytyrat tuaja, jashtëqitjet e festave tuaja solemne, dhe ju do t’ju marrin bashkë me to.

Atëherë do të pranoni që unë ju kam dërguar këtë urdhërim, me qëllim që besëlidhja ime me Levin të mund të vazhdojë," thotë Zoti i ushtrive.

"Besëlidhja ime me të ishte një besëlidhje jete dhe paqeje, që unë ia dhashë që të ketë frikë prej meje; dhe ai më pati frikë dhe u tmerrua para emrit tim.

Ligji i së vërtetës ishte në gojën e tij dhe asnjë çoroditje nuk gjindej mbi buzët e tij; ai ecte bashkë me mua në paqe e në ndershmëri dhe shpëtoi shumë njerëz nga paudhësia.

Sepse buzët e priftit duhet të ruajnë diturinë dhe nga goja e tij secili duhet të kërkojë ligjin, sepse ai është lajmëtari i Zotit të ushtrive.

Përkundrazi ju jeni larguar nga rruga, keni bërë që shumë njerëz të pengohen te ligji, keni dhunuar besëlidhjen e Levit," thotë Zoti i ushtrive.

"Për këtë arsye ju kam bërë të përbuzshëm dhe të neveritshëm përpara gjithë popullit, sepse nuk keni respektuar rrugët e mia dhe keni qenë të njëanshëm në zbatimin e ligjit".

10 A nuk kemi të gjithë të njëjtin Atë? A nuk na ka krijuar i njëjti Perëndi? Pse, pra, veprojmë me pabesi me njeri tjetrin, duke përdhosur besëlidhjen e etërve tanë?

11 Juda ka vepruar me pabesi dhe një veprim i neveritshëm është kryer në Izrael dhe në Jeruzalem, sepse Juda ka përdhosur vendin e shenjtë të Zotit, që ai e do dhe është martuar me bijën e një perëndie të huaj.

12 Zoti do të shfarosë nga çadrat e Jakobit atë që vepron në këtë mënyrë, atë që përgjon, atë që përgjigjet dhe atë që i ofron një blatim Zotit të ushtrive.

13 Ju po bëni edhe këtë veprim tjetër: e mbuloni altarin e Zotit me lot, me të qara dhe vajtime, sepse nuk e shikon më me favor ofertën tuaj dhe nuk e pranon më me kënaqësi nga duart tuaja.

14 Megjithatë ju thoni: "Përse?" Sepse Zoti është dëshmitar midis teje dhe bashkëshortes së rinisë sate, ndaj së cilës je sjellë me pabesi, ndonëse ajo është shoqja jote dhe bashkëshorte e besëlidhjes sate.

15 Por a nuk i bëri Perëndia një qenie të vetme dhe megjithatë fryma qëndroi në të? Po pse vallë një qënie të vetme? Sepse ai kërkonte një prejardhje nga Perëndia. Tregoni, pra, kujdes për frymën tuaj dhe askush të mos sillet me pabesi me bashkëshorten e rinisë së vet.

16 Sepse Zoti, Perëndia i Izraelit, thotë se ai e urren divorcin dhe atë që e mbulon me dhunë rroben e vet," thotë Zoti i ushtrive. Tregoni, pra, kujdes për frymën tuaj dhe mos u sillni me pabesi.

Jakobit 4:13-5:6

13 Dhe tani, ju që thoni: “Sot ose nesër do të shkojmë në atë qytet, dhe do të rrijmë atje një vit, do të tregtojmë dhe do të fitojmë,”

14 ndërsa nuk dini për të nesërmen. Sepse ç’është jeta? Éshtë avull që duket për pak, dhe pastaj humbet.

15 Në vend që të thoni: “Në dashtë Zoti dhe në paçim jetë, ne do të bëjmë këtë ose atë gjë.”

16 Ju, përkundrazi, mburreni në arrogancën tuaj; çdo mburrje e tillë është e keqe.

17 Ai, pra, që di të bëjë të mirë edhe nuk e bën, bën mëkat.

Dhe tani ju, o pasanikë: qani dhe vajtoni për të këqijat që do t’ju zënë!

Pasuria juaj u kalb dhe rrobat tuaja i brejti tenja.

Ari dhe argjendi juaj u ndryshkën, dhe ndryshku i tyre do të jetë një dëshmi kundër jush dhe do t’ju përpijë mishërat si zjarr; keni mbledhur thesare në ditët e fundit.

Ja, paga që u keni ngrënë puntorëve që ju korrën arat, po këlthet; dhe klithmat e atyre që korrën, arritën në vesh të Zotit të ushtrive.

Jetuat mbi tokë ndër qejfe dhe shkapërderdhje; i ushqyet zemrat tuaja si për ditë të të therurit.

Dënuat dhe vratë të drejtin: ai nuk ju kundërshtoi.

Luka 17:20-37

20 Tani kur u pyet nga farisenjtë se kur do të vinte mbretëria e Perëndisë, ai u përgjigj atyre dhe tha: “Mbretëria e Perëndisë nuk vjen në mënyrë të dukshme;

21 dhe as nuk do të mund të thuhet: "Ja, këtu," ose: "Ja, atje"; sepse ja, mbretëria e Perëndisë është përbrenda jush.”

22 Pastaj u tha dishepujve të vet: “Do të vijnë ditë kur ju do të dëshironi të shihni një nga ditët e Birit të njeriut, por nuk do ta shihni.

23 Dhe do t’ju thonë: "Ja, është këtu" ose: "Ja, është atje," por ju mos shkoni dhe mos i ndiqni.

24 Sepse ashtu si rrufeja, që vetëtin nga njëri skaj i qiellit te tjetri e ndriçon, kështu do të jetë edhe Biri i njeriut në ditën e tij.

25 Por më parë i duhet të vuajë shumë dhe të hidhet poshtë nga ky brez.

26 Dhe, ashtu siç ndodhi në kohën e Noes, ashtu do të ndodhë edhe në ditët e Birit të njeriut.

27 Njerëzit hanin, pinin, martonin dhe martoheshin, deri ditën kur Noeu hyri në arkë; dhe erdhi përmbytja dhe i zhduku të gjithë.

28 Po kështu ndodhi në kohën e Lotit: njerëzit hanin, pinin, blinin, shitnin, mbillnin dhe ndërtonin;

29 por ditën kur Loti doli nga Sodoma, ra shi zjarri e squfuri nga qielli dhe i zhduku të gjithë.

30 Kështu do të jetë edhe atë ditë kur Biri i njeriut do të shfaqet.

31 Në atë ditë, ai që ndodhet mbi çatinë e shtëpisë të mos zbresë në shtëpi për të marrë gjërat e tij; e po kështu ai që ndodhet në ara, të mos kthehet prapa.

32 Kujtoni gruan e Lotit.

33 Ai që do të kërkojë të shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do ta humbasë, do ta shpëtojë.

34 Unë po ju them: atë natë dy veta do të jenë në një shtrat; njëri do të merret dhe tjetri do të lihet.

35 Dy gra do të bluajnë bashkë; njëra do të merret e tjetra do të lihet.

36 Dy burra do të jenë në ara: njëri do të merret e tjetri do të lihet.”

37 Atëherë dishepujt u përgjigjën dhe thanë: “Ku, o Zot?” Dhe ai u tha atyre: “Ku të jetë trupi, atje do të mblidhen shqiponjat.”