Book of Common Prayer
93 Zoti mbretëron; ai është veshur me madhështi; Zoti është mbuluar me mantel, është ngjeshur me forca. Po, bota është e qëndrueshme nuk do të tundet kurrë.
2 Froni yt është nga përjetësia i qëndrueshëm; ti je i tillë nga përjetësia.
3 Lumenjtë kanë ngritur, o Zot, lumenjtë kanë ngritur zërin e tyre; lumenjtë kanë ngritur valët e tyre plot zhurmë;
4 por Zoti në vëndet shumë të larta është më i fuqishëm së zërat e ujërave të mëdha, më i fuqishëm se baticat e detit.
5 Statutet e tua janë jashtëzakonisht të qëndrueshme. Shenjtëria i shkon shtëpisë sate, o Zot, përjetë.
96 Këndojini Zotit një këngë të re, këndojini Zotit, o banorë të të gjithë tokës!
2 Këndojini Zotit, bekoni emin e tij; lajmëroni çdo ditë shpëtimin e tij.
3 Shpallni lavdinë e tij midis kombeve dhe mekullitë e tij midis tërë popujve.
4 Sepse Zoti është i madh dhe i denjë për lëvdimin më të lartë; nga ai duhet të kemi frikë përmbi gjithë perënditë e tjera.
5 Sepse gjithë perënditë e kombeve janë idhuj, por Zoti ka bërë qiejtë.
6 Shkëlqimi dhe madhështia janë para tij, forca dhe bukuria janë në shenjtëroren e tij.
7 Jepini Zotit, o familje të popujve, jepini Zotit lavdi dhe forcë.
8 Jepini Zotit lavdinë që i takon emrit të tij, çojini oferta dhe ejani në oborret e tij.
9 Bini përmbys përpara Zotit në shkëlqimin e shenjtërisë së tij, dridhuni para tij, o banorë të të gjithë tokës.
10 U thoni gjithë kombeve: "Zoti mbretëron; bota është vendosur mirë dhe nuk do të luajë nga vendi; ai do t’i gjykojë popujt me drejtësi".
11 Le të gëzohen qiejtë dhe të gëzohet toka; le të zhurmojë deti dhe gjithçka gjindet në të.
12 Le të ngazëllohet fusha dhe gjithçka gjindet në të. Atëherë tërë drurët e pyllit do të lëshojnë britma gëzimi përpara Zotit,
13 sepse ai vjen, vjen për të gjykuar tokën. Ai do ta gjykojë botën me drejtësi dhe popujt në besnikërinë e tij.
34 Unë do ta bekoj Zotin në çdo kohë; lëvdimi i tij do të jetë gjithnjë në gojën time.
2 Shpirti im do të krenohet me Zotin; njerëzit e përulur do ta dëgjojnë dhe do të gëzohen.
3 Lartojeni Zotin bashkë me mua, dhe të lëvdojnë të gjithë emrin e tij.
4 Unë e kërkova Zotin, dhe ai m’u përgjigj dhe më çliroi nga të gjitha tmerret e mia.
5 Ata e shikuan atë dhe u ndriçuan, dhe fytyrat e tyre nuk u turpëruan.
6 Ky i pikëlluar klithi dhe Zoti e plotësoi, e shpëtoi nga të gjitha fatkeqësitë e tij.
7 Engjëlli i Zotit zë vend rreth atyre që kanë frikë prej tij dhe i çliron.
8 Provojeni dhe shihni sa i mirë është Zoti; lum ai njeri që gjen strehë tek ai.
9 Kini frikë nga Zoti, ju shenjtorë të tij, sepse asgjë nuk u mungon atyre që kanë frikë prej tij.
10 Luanët e vegjël vuajnë nga mungesa e madhe dhe nga uria, por atyre që kërkojnë Zotin nuk u mungon asgjë.
11 Ejani, o bij, dëgjomëni; unë do t’ju mësoj frikën e Zotit.
12 Cili është ai njeri që dëshiron jetën dhe do ditë të gjata për të parë të mirën?
13 Mbaje gjuhën tënde larg së keqes dhe buzët e tua të mos thonë gënjeshtra.
14 Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën, kërko paqen dhe siguroje.
15 Sytë e Zotit janë mbi të drejtët dhe veshët e tij janë të vëmendshëm të kapin britmën e tyre.
16 Fytyra e Zotit është kundër atyre që sillen keq, për të çrrënjosur kujtimin e tyre nga faqja e dheut.
17 Të drejtët bërtasin dhe Zoti i dëgjon dhe i çliron nga të gjitha fatkeqësitë e tyre.
18 Zoti qëndron afër atyre që e kanë zemrën të thyer dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërmuar.
19 Të shumta janë vuajtjet e njeriut të drejtë, por Zoti e çliron nga të gjitha.
20 Ai i ruan tërë kockat e tij, dhe asnjë prej tyre nuk copëtohet.
21 Ligësia do të vrasë të keqin, dhe ata që urrejnë të drejtin do të shkatërrohen.
22 Zoti shpengon jetën e shërbëtorëve të tij, dhe asnjë nga ata që gjejnë strehë te ai nuk do të shkatërrohet.
14 Kërkoni dashurinë dhe lypni me zemër të zjarrtë dhuntitë frymërore, por sidomos që të mund të profetizoni,
2 sepse ai që flet një gjuhë tjetër nuk u flet njerëzve, por Perëndisë; sepse askush nuk e kupton, por ai në frymë flet mistere.
3 Kurse ai që profetizon, u flet njerëzve për ndërtim, për nxitje e përdëllim.
4 Ai që flet një gjuhë tjetër ndërton veten e tij, por ai që profetizon, ndërton kishën.
5 Unë dua që të gjithë ju të flisnit gjuhëra, por më tepër të profetizonit, sepse ai që profetizon është më i madh nga ai që flet gjuhëra, veçse në interpretoftë, që të marrë ndërtim kisha.
6 Dhe tani, o vëllezër, po të vija e t’ju flisja në gjuhë, ç’dobi do të kishit, po të mos ju flisja me anë të zbulesës, a me njohuri, a me profeci, a me mësim?
7 Edhe gjërat që nuk kanë shpirt dhe nxjerrin zë, fyelli ose qestja, po të mos japin zë të dallueshëm, si do të njihet të rënit e fyellit ose e qestes?
8 Sepse, po të japë buria një tingull të panjohur, kush do të përgatitet për betejë?
9 Kështu edhe ju, në qoftë se me gjuhën tuaj nuk flisni fjalë të kuptueshme, si do të kuptohet çfarë u tha? Sepse do të flisnit në erë.
10 Ka nuk e di se sa lloje zërash në botë, dhe asnjë prej tyre nuk është pa kuptim.
11 Pra, në qoftë se unë nuk e marr vesh kuptimin e zërit, do të jem si një i huaj për atë që flet, dhe ai që flet do të jetë një i huaj për mua.
12 Kështu edhe ju, mbasi doni fort të keni dhunti frymërore, kërkoni që t’i keni të bollshme për ndërtimin e kishës.
20 “Mbretëria e qiejve i ngjan, pra, një zot shtëpie, që doli herët në mëngjes për të pajtuar me mëditje punëtorë për vreshtin e vet.
2 Mbasi ra në ujdi me punëtorët për një denar në ditë, i dërgoi në vreshtin e vet.
3 Pastaj doli rreth orës së tretë dhe pa të tjerë që rrinin në shesh, të papunë.
4 Dhe u tha atyre: "Shkoni edhe ju në vresht dhe unë do t’ju jap sa është e drejtë". Dhe ata shkuan.
5 Doli përsëri rreth orës së gjashtë dhe orës së nëntë dhe bëri po ashtu.
6 Kur doli përsëri rreth orës njëmbëdhjetë, gjeti disa të tjerë, të papunë, dhe u tha: "Përse rrini gjithë ditën këtu pa bërë asgjë?".
7 Ata i thanë: "Sepse askush nuk na ka marrë me mëditje". Ai u tha atyre: Shkoni edhe ju në vresht dhe do të merrni aq sa është e drejtëë".
8 Kur erdhi mbrëmja, i zoti i vreshtit i tha kujdestarit të vet: "Thirri punëtorët dhe jepu mëditjen e tyre, duke filluar nga ata të fundit e deri te të parët".
9 Dhe kur erdhën ata të orës njëmbëdhjetë, morën nga një denar secili.
10 Kur erdhën të parët, menduan se do të merrnin më shumë, por edhe ata morën nga një denar secili.
11 Duke e marrë, murmurisnin kundër zotit të shtëpisë,
12 duke thënë: "Këta të fundit punuan vetëm një orë, dhe ti i trajtove si ne që hoqëm barrën dhe vapën e ditës".
13 Por ai duke u përgjigjur i tha njerit prej tyre: "Mik, unë nuk po të ha hakun; a nuk re në ujdi me mua për një denar?
14 Merr atë që të takon ty dhe shko; por unë dua t’i jap këtij të fundit aq sa ty.
15 A nuk më lejohet të bëj me timen ç’të dua? Apo bëhesh sylig, sepse unë jam i mirë?".
16 Kështu të fundit do të jenë të parët dhe të parët të fundit, sepse shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur.”