Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
39 Unë thoja: "Do të kujdesem për sjelljen time që të mos kryej mëkate me gjuhën time; do t’i vë një fre gojës sime, sa kohë që i pabesi rri para meje".
2 Kam qëndruar i heshtur dhe i qetë, i jam përmbajtur pikërisht së mirës, dhe dhembja ime është ashpërsuar.
3 Zemra më digjte përbrenda; ndërsa mendohesha, një zjarr u ndez; atëherë fola me gjuhën time:
4 "O Zot, bëmë të njohur fundin tim dhe cila është masa e ditëve të mia; vepro në mënyrë që unë të di sa i brishtë jam.
5 Ja, ti i ke pakësuar ditët e mia aq sa është e gjatë një pëllëmbë, dhe zgjatja e jetës sime është si asgjë para teje; po, çdo njeri në gjendjen e tij më të mirë nuk është veçse avull. (Sela)
6 Po, njeriu sillet rreth e qark si një hije; po më kot lodhen të gjithë dhe grumbullojnë pasuri pa ditur kush do t’i mbledhë!
7 Por tani, o Zot, çfarë pres? Shpresa ime është te ti.
8 Çliromë nga të gjitha fajet e mia; bëj që të mos jem objekt i talljes nga njeriu pa mend.
9 Do të qëndroj në heshtje, nuk kam për të hapur gojën, sepse ti je ai që vepron.
10 Largo nga unë fshikullin tënd; unë po marr fund nën goditjet e dorës sate.
11 Ti e korrigjon njeriun duke dënuar mëkatin e tij dhe konsumon si një krimb atë që për të është e çmuar. Po, çdo njeri nuk është veçse kotësi. (Sela)
12 O Zot, dëgjo lutjen time dhe vëri veshin britmës sime; mos u trego i shurdhër ndaj lotëve të mi, sepse para teje unë jam një i huaj dhe një shtegtar si të gjithë etërit e mi.
13 Hiqe shikimin tënd nga unë, me qëllim që unë të marr përsëri fuqi para se të iki dhe të mos jem më".
17 Moisiu, pra, i dërgoi për të vëzhguar vendin e Kanaanit dhe u tha atyre: "Ngjituni që këtej në Negev dhe pastaj në krahinën malore,
18 për të parë si është vendi, në qoftë se populli që banon aty është i fortë apo i dobët, i pakët në numër apo i shumtë;
19 si është vendi ku banon, i mirë apo i keq, si janë qytetet në të cilat jeton, a ka kampe ose vende të fortifikuara;
20 dhe si është toka, pjellore apo e varfër, në rast se ka pemë ose jo. Bëhuni trima dhe sillni frytet nga ky vend". Ishte koha kur kishte filluar të piqej rrushi.
21 Ata u ngjitën, pra, dhe vëzhguan vendin e Tsinit deri në Rehob, duke hyrë në të nga ana e Hamathit.
22 U ngjitën përmes Negevit dhe shkuan deri në Hebron, ku ishin Ahimani, Sheshai dhe Talmai, pasardhës të Anakut. (Hebronin e kishin ndërtuar shtatë vjet para Tsoanit në Egjipt).
23 Arritën pastaj deri në luginën e Eshkolit, ku prenë një degë me një vile rrushi, që e mbanin që të dy me një purtekë; dhe morën gjithashtu shegë dhe fiq.
24 Ky vend u quajt lugina e Eshkolit, për shkak të viles së rrushit që bijtë e Izraelit prenë aty.
25 Mbas dyzet ditësh ata u kthyen nga vëzhgimi i vendit,
26 dhe shkuan të takojnë Moisiun, Aaronin dhe tërë asamblenë e bijve të Izraelit në shkretëtirën e Paranit, në Kadesh; para tyre dhe tërë asamblesë paraqitën një raport dhe u treguan pemët e vendit.
27 Kështu para tij raportuan duke thënë: "Ne arritëm në vendin ku na dërgove; aty rrjedh me të vërtetë qumësht dhe mjaltë, dhe këto janë pemët e tij.
18 Atëherë ai tha: “Kujt i përngjan mbretëria e Perëndisë, me se ta krahasoj?
19 I ngjan kokrrës së sinapit, që një njeri e mori dhe e hodhi në kopshtin e vet; pastaj u rrit dhe u bë një pemë e madhe, dhe zogjtë e qiellit erdhën e kërkuan strehë në degët e saj.”
20 Pastaj tha përsëri: “Me se ta krahasoj mbretërinë e Perëndisë?
21 Ajo i ngjan majasë që e merr një grua dhe e përzien me tri masa mielli deri sa të mbruhet i gjithë.”