Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
17 O Zot, dëgjo një çështje të drejtë, dëgjo me vëmendej britmën time, dëgjo lutjen time, që nuk vjen nga buzë mashtruese.
2 Ardhtë mbrojtja ime nga prania jote; sytë e tu pafshin atë që është e drejtë.
3 Ti e ke hetuar zemrën time, e ke vizituar natën; më ke vënë në provë dhe nuk ke gjetur asgjë; kam vendosur të mos mëkatoj me gojën time.
4 Përsa u përket veprave të njerëzve, për fjalën e buzëve të tua, jam ruajtur nga rrugët e njerëzve të furishëm.
5 Hapat e mia kanë qëndruar të sigurt në shtigjet e tua dhe këmbët e mia nuk janë lëkundur.
6 Unë të drejtohem ty, o Perëndi, sepse ti m’i plotëson, zgjat veshët e tu ndaj meje, dëgjo fjalët e mia.
7 Tregomë mirësinë tënde të mrekullueshme, ti, që me të djathtën tënde i shpëton nga kundërshtarët e tyre ata që gjejnë strehë pranë teje.
8 Më ruaj si beben e syrit; më mbulo, nën hijen e krahëve të tu,
9 nga të pabesët që më shtypin dhe nga armiqtë për vdekje që më rrethojnë.
10 Zemrat e tyre janë fortësuar, goja e tyre flet me arrogancë.
11 Tani në kanë rrethuar, ndjekin hapat tona; na ngulin sytë e tyre për të na rrëzuar.
12 Armiku im i përngjan një luani që digjet nga dëshira që të shqyejë, dhe të një luani të vogël që rri në pritë në vënde të fshehta.
13 Çohu, o Zot, përballoje, rrëzoje; çliro shpirtin tim nga i pabesi me shpatën tënde.
14 O Zot, më çliro me dorën tënde nga njerëzit, nga njerëzit e kësaj bote që bën pjesë në këtë jetë, dhe barkun e të cilëve ti e mbush me thesaret e tua të fshehta; bijtë e tyre ngopen dhe u lënë fëmijëve të tyre ato që mbetet nga pasuritë e tyre.
15 Sa për mua, për hir të drejtësisë do të shoh fytyrën tënde; do të ngopem nga prania jote kur të zgjohem.
3 Pastaj më bëri të shoh kryepriftin Jozue, që qëndronte drejt përpara engjëllit të Zotit, dhe Satanai që rrinte në të djathtën e tij për ta akuzuar.
2 Zoti i tha Satanait: "Të qortoftë ashpër Zoti, o Satana! Po, Zoti që ka zgjedhur Jeruzalemin, të qortoftë ashpër! A nuk është vallë ky një urë zjarri e shkëputur nga zjarri?".
3 Jozueu ishte veshur me rroba të papastra dhe qëndronte drejt përpara engjëllit,
4 i cili nisi t’u thotë atyre që ishin përpara tij: "Ia hiqni nga trupi ato rroba të papastra!". Pastaj i tha atij: "Shiko, kam zhdukur prej teje paudhësinë tënde dhe do të të bëj të veshësh rroba të shkëlqyera".
5 Unë, pra, thashë: "Le të vënë mbi kokën e tij një çallmë të pastër". Kështu ata i vunë mbi kokë një çallmë të pastër dhe e vunë të veshë rroba, ndërsa Engjëlli i Zotit ishte i pranishëm aty.
6 Dhe Engjëlli i Zotit e paralajmëroi solemnisht Jozueun duke thënë:
7 "Kështu thotë Zoti i ushtrive: Në qoftë se do të ecësh në rrugët e mia dhe do të respektosh ligjin tim, edhe ti do të kesh drejtimin e shtëpisë sime dhe do të ruash oborret e mia, dhe unë do të të lejoj të hysh lirisht midis këtyre që rrijnë këtu.
8 Dëgjo, pra, o Jozue, kryeprift, ti dhe shokët e tu që ulen përpara teje, sepse ata janë njerëz që japin paralajmërime. Ja, unë po të sjell këtu shërbëtorin tim, Filizin.
9 Ja guri që kam vënë përpara Jozueut: mbi këtë gur të vetëm ka shtatë sy; ja, unë do të gdhend mbishkrimin e tij," thotë Zoti i ushtrive, "dhe do ta heq paudhësinë e këtij vendi në një ditë të vetme.
10 Në atë ditë," thotë Zoti i ushtrive, "secili nga ju do të ftojë fqinjin e vet nën hardhinë e tij dhe nën fikun e tij".
4 Sepse, në qoftë se Perëndia nuk i kurseu ëngjëjt që mëkatuan, por i hodhi në tartar të lidhur me pranga terri që të ruhen për gjyq;
5 dhe nuk kurseu botën e lashtë, por shpëtoi bashkë me shtatë të tjerë Noeun, predikues të drejtësisë, kur solli përmbytjen mbi botën e të pabesëve,
6 edhe dënoi me shkatërrim qytetet e Sodomës dhe të Gomorës, duke i bërë hi, dhe i bëri shëmbull për ata që në të ardhmen do të jetonin pabesisht,
7 dhe e liroi të drejtin Lot, që helmohej nga sjellja imorale e këtyre të çoroditurve
8 (sepse ky i drejtë banonte në mes tyre e mundonte për ditë shpirtin e tij të drejtë duke shikuar dhe duke dëgjuar veprat e tyre të poshtra),
9 Zoti di t’i shpëtojë nga tundimi të perëndishmit dhe t’i ruajë të padrejtët që të ndëshkohen ditën e gjyqit,
10 sidomos ata që shkojnë pas mishit në lakminë e fëlliqësisë dhe e përbuzin pushtetin. Ata janë të paturpshëm, arrogant dhe nuk druajnë të blasfemojnë dinjitetet;
11 ndërsa engjëjt, që janë më të lartë për nga forca e nga fuqia, nuk sjellin kundër atyre gjykime fyese përpara Zotit.
12 Por këta, si shtazë pa mend, të lindura nga natyra që të kapen dhe të shkatërrohen, flasin keq për gjërat që nuk i dinë dhe do të asgjësohen në prishjen e tyre, duke marrë kështu shpërblimin e paudhësisë së tyre.
13 Ata e konsiderojnë kënaqësi ta çojnë ditën ndër qejfe; janë njolla dhe fëlliqësi, dhe lëshohen pas mashtrimeve të tyre, kur marrin pjesë në gostitë tuaja.
14 Sytë i kanë plot me kurorëshkelje dhe nuk pushojnë së mëkatuari; mashtrojnë shpirtrat e paqëndrueshëm, kanë zemër të stërvitur në lakmime, dhe janë bij mallkimi.
15 Ata, pasi e lanë udhën e drejtë, devijuan duke ndjekur udhën e Balaamit, birit të Beorit, i cili e deshi pagën e paudhësisë,
16 por u qortua për shkeljen e tij: një kafshë barre pa gojë, duke folur me zë njeriu, e ndaloi marrëzinë e profetit.
17 Këta janë burime pa ujë, re që shtyhen nga furtuna, të cilëve u rezervohet errësira e territ përjetë.
18 Sepse duke mbajtur ligjërata jashtë mase të fryra dhe të kota bëjnë për vete, me anë të pasioneve të mishit dhe të paturpësisë, ata që me të vërtetë kishin shpëtuar nga ata që jetojnë në gabim;
19 ndërsa u premtojnë atyre liri, ata vetë janë skllevër të prishjes, sepse një bëhet skllav i atij që e mundi.
20 Sepse ata që shpëtuan nga ndyrësitë e botës me anë të njohjes së Zotit dhe Shpëtimtarit Jezu Krisht, nëse përsëri ngatërrohen nga këto dhe munden, gjendja e tyre e fundit është më e keqe se e para.
21 Sepse do të qe më mirë për ta të mos e kishin njohur udhën e drejtësisë, se sa, pasi e njohën, t’ia kthejnë shpinën urdhërimit të shenjtë që u qe dhënë.