Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 105:1-15

105 Kremtoni Zotin, lutjuni për ndihmë emrit të tij, bëni të njohura veprat e tij midis popujve.

Këndojini atij, këndojini lavde atij, mendoni thellë tërë mrekullitë e tij.

Mburruni me emrin e tij të shenjtë; le të kënaqet zemra e tërë atyre që kërkojnë Zotin.

Kërkoni Zotin dhe forcën e tij; kërkoni vazhdimisht fytyrën e tij.

Mbani mend çuditë që ai ka bërë, mrekullitë dhe gjykimet e gojës së tij,

ju, o pasardhës së Abrahamit, shërbëtorit të tij, o bij të Jakobit, të zgjedhur të tij.

Ai është Zoti, Perëndia ynë; gjykimet e tij janë mbi gjithë tokën.

Ai mban mend përjetë besëlidhjen e tij dhe për një mijë breza fjalën e komanduar prej tij,

besëlidhjen që lidhi me Abrahamin dhe betimin që i bëri Isakut,

10 që i konfirmoi Jakobit si statut të tij dhe Izraelit si një besëlidhje të përjetshme,

11 duke thënë: "Unë do të të jap vendin e Kanaanit si pjesë e trashëgimisë suaj,"

12 kur nuk ishin veçse një numër i vogël, shumë të pakët dhe të huaj në vend,

13 dhe shkonin nga një komb te tjetri, nga një mbretëri te një popull tjetër.

14 Ai nuk lejoi që t’i shtypte njeri; përkundrazi ndëshkoi disa mbretër për hir të tyre,

15 dhe tha: "Mos prekni të vajosurit e mi dhe mos bëni asnjë të keqe profetëve të mi".

Psalmet 105:16-41

16 Pastaj solli zinë e bukës në vend dhe shkatërroi çdo burim ushqimesh.

17 Dërgoi para tyre një njeri, Jozefin, që u shit si skllav.

18 I shtrënguan këmbët me pranga dhe u rëndua me zinxhirë hekuri.

19 Fjala e Zotit e vuri në provë, deri sa u plotësua ajo që kishte thënë.

20 Atëherë mbreti dërgoi ta zgjidhnin, sunduesi i popujve dërgoi ta çlironin,

21 dhe e bëri zot të shtëpisë së tij dhe qeveritar mbi të gjitha pasuritë e tij,

22 për t’i lidhur princat e tij me gjykimin e tij dhe për t’u mësuar pleqve të tij diturinë.

23 Edhe Izraeli erdhi në Egjipt dhe Jakobi qëndroi për ca kohë në vendin e Kamit.

24 Dhe Perëndia e shumëzoi shumë popullin e tij dhe e bëri më të fuqishëm se armiqtë e tij.

25 Pastaj ndryshoi zemrën e tyre, me qëllim që të urrenin popullin e tij dhe të kurdisnin mashtrime kundër shërbëtorëve të tij.

26 Atëherë ai dërgoi Moisiun, shërbëtorin e tij, dhe Aaronin që ai kishte zgjedhur.

27 Ata kryen midis tyre mrekullitë e urdhëruara prej tij dhe bënë çudira në tokën e Kamit.

28 Dërgoi terrin dhe e bëri vendin të binte në errësirë, dhe ata nuk kundërshtuan fjalën e tij.

29 I ndryshoi ujërat e tij në gjak dhe bëri që të ngordhnin peshqit e tij.

30 Vendi i tyre u mbush me bretkosa të cilat hynë deri në dhomat e mbretërve të tyre.

31 Me fjalën e tij erdhën një shumicë e madhe insektesh dhe mushkonjash në të gjithë territorin e tyre.

32 U dërgoi breshër në vend të shiut dhe flakë zjarri në vendin e tyre;

33 goditi edhe vreshtat e tyre dhe drurët e fikut, shkatërroi drurët e territorit të tyre.

34 Ai foli, dhe erdhën karkaleca dhe vemje në numër të madh,

35 që përpinë tërë bimësinë e vendit të tyre dhe hëngrën frytin e tokës së tyre.

36 Ai goditi edhe të gjithë të parëlindurit në vendin e tyre, prodhimet e para në tërë fuqinë e tyre;

37 dhe e nxori popullin e tij me argjend dhe me ar, dhe nuk pati asnjeri ndër fiset e tij që të tronditej.

38 Egjiptasit u gëzuan nga ikja e tyre, sepse tmerri i Izraelit kishte rënë mbi ta.

39 Ai shpalosi një re për t’i mbuluar dhe ndezi një zjarr për t’i ndriçuar natën.

40 Me kërkesën e tyre ai solli shkurtat dhe i ngopi me bukën e qiellit.

41 Çau shkëmbin dhe dolën prej tij ujëra; këto rridhnin në shketëtirë si një lumë.

Psalmet 105:42

42 Sepse atij iu kujtua premtimi i shenjtë që i kishte bërë Abrahamit, shërbëtorit të tij;

Eksodi 33:1-6

33 Zoti i tha Moisiut: "Shko, ngjitu që këtej, ti së bashku me popullin që nxore nga vendi i Egjiptit, drejt vendit, që u premtova me betim Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, duke u thënë: "Unë do t’ua jap pasardhësve të tu".

Unë do të dërgoj një Engjëll para teje dhe do t’i dëboj Kananejtë, Amorejtë, Hitejtë, Perezejtë, Hivejtë dhe Jebusejtë.

Ngjitu drejt vendit ku rrjedh qumësht dhe mjaltë, sepse unë do të ngjitem bashkë me ty, sepse je një popull me qafë të fortë, dhe nuk dua të të shfaros rrugës".

Kur populli dëgjoi këto fjalë të kobshme, ndjeu një hidhërim të thellë, dhe askush nuk vuri stolitë e tij.

Në fakt Zoti i kishte thënë Moisiut: "U thuaj bijve të Izraelit: "Ju jeni një popull me qafë të fortë; në qoftë se unë do të ngjitesha edhe për një çast të vetëm në mesin tënd, do të të konsumoja! Prandaj tani hiqi stolitë e tua dhe kështu unë do të di çfarë duhet të bëj me ty"".

Kështu bijtë e Izraelit i hoqën stolitë e tyre, që nga nisja e tyre nga mali Horeb e tutje.

Romakëve 4:1-12

Çfarë do të themi, pra, në lidhje me atë që ati ynë Abrahami, ka përfituar sipas mishit?

Sepse nëse Abrahami ishte shfajësuar nëpërmjet veprave, ai ka përse të lëvdohet; ndërsa përpara Perëndisë ai nuk ka asgjë për t’u lëvduar.

Në fakt, çfarë thotë Shkrimi? “Por Abrahami i besoi Perëndisë dhe kjo iu numërua për drejtësi.”

Edhe atij që vepron, shpërblimi nuk i konsiderohet si hir por si borxh;

ndërsa atij që nuk vepron, por beson në atë që shfajëson të paudhin, besimi i tij i numërohet për drejtësi.

Sikurse Davidi shpall lumturinë e njeriut të cilit Perëndia numëron drejtësi pa vepra, duke thënë:

“Lum ata të cilëve u janë falur paudhësitë dhe të cilëve mëkatet u janë mbuluar.

Lum njeriu të cilit Zoti nuk do t’ia numërojë mëkatin.”

Por kjo lumturi a vlen vetëm për të rrethprerët, apo edhe për të parrethprerët? Sepse ne themi se besimi iu numërua Abrahamit si drejtësi.

10 Në ç’mënyrë, pra, iu numërua? Kur ai ishte i rrethprerë apo i parrethprerë? Jo ndërsa ishte i rrethprerë, por kur ishte i parrethprerë.

11 Pastaj mori shenjën e rrethprerjes, si vulë të drejtësisë për besimin që kishte patur kur ishte akoma i parrethprerë, me qëllim që të ishte ati i gjithë atyre që besojnë edhe se janë të parrethprerë, me qëllim që edhe atyre t’u numërohet drejtësia,

12 dhe të ishte atë i të rrethprerëve të vërtetë, pra i atyre që jo vetëm janë të rrethprerë, por që ndjekin edhe gjurmët e besimit të atit tonë Abrahamit, që ai pati ndërsa ishte i parrethprerë.