Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
63 O Perëndi, ti je Perëndia im, unë të kërkoj në mëngjes; shpirti im është i etur për ty; ty të dëshiron mishi im në tokë të thatë dhe të djegur, pa ujë.
2 Kështu të admirova në shenjtërore, duke soditur forcën tënde dhe lavdinë tënde.
3 Me qenë se mirësia jote vlen më tepër se jeta, buzët e mia do të të lëvdojnë.
4 Kështu do të të bekoj deri sa të jetoj dhe në emrin tënd do të ngre duart e mia.
5 Shpirti im do të ngopet si të kishte ngrënë palcë dhe dhjamë, dhe goja ime do të të lëvdojë me buzë të gëzuara.
6 Të kujtoj në shtratin tim, të mendoj kur rri zgjuar natën.
7 Duke qenë se ti ke qenë ndihma ime, unë këndoj tërë gëzim në hijen e krahëve të tu.
8 Shpirti im mbahet ngushtë te ti; dora jote e djathtë më mban.
9 Por ata që kërkojnë jetën time për ta shkatërruar, do të zbresin në pjesët më të ulta të tokës.
10 Ata do t’i dorëzohen pushtetit të shpatës dhe do të bëhen pre e çakejve.
11 Por mbreti do të gëzohet te Perëndia; kushdo që betohet për të do të përlëvdohet, sepse goja e gënjeshtrave do të detyrohet të mbyllet.
15 Rrëzoi gjithashtu altarin që ishte në Bethel dhe vendin e lartë të ndërtuar nga Jeroboami, bir i Nebatit që e kishte bërë Izraelin të mëkatonte; e dogji vendin e lartë sa e bëri pluhur; dogji edhe Asherahun.
16 Ndërsa Josia po kthehej, pa varrezat që ishin atje mbi mal; atëherë ai dërgoi njerëz që të merrnin kockat nga varrezat dhe i dogji mbi altar, duke e ndotur, sipas fjalës të Zotit, të shqiptuar nga njeriu i Perëndisë, që kishte paralajmëruar këto gjëra.
17 Pastaj tha: "Çfarë momumenti është ai që po shoh?". Njerëzit e qytetit iu përgjigjën: "Éshtë varri i njeriut të Perëndisë që erdhi nga Juda dhe që shpalli kundër altarit të Bethelit këto gjëra që ti ke bërë".
18 Ai tha: "Lëreni; asnjeri të mos prekë kockat e tij!". Kështu ata i lanë kockat e tij së bashkë me kockat e profetit që kishte ardhur nga Samaria.
19 Josia hoqi gjithashtu tërë tempujt e vendeve të larta që ishin në qytetin e Samarisë dhe që mbretërit e Izraelit kishin ndërtuar për të nxitur zemërimin e Zotit. Ai u bëri pikërisht atë që kishte bërë në Bethel.
20 Flijoi mbi altarët tërë priftërinjtë e vendeve të larta që ishin aty dhe dogji aty kocka njerëzore. Pastaj u kthye në Jeruzalem.
21 Mbreti i dha tërë popullit këtë urdhër: "Kremtoni Pashkën për nder të Zotit, Perëndisë tuaj, ashtu siç është shkruar në këtë libër të besëlidhjes".
22 Me siguri një Pashkë e tillë nuk ishte kremtuar kështu nga koha e gjyqtarëve që e kishin qeverisur Izraelin, dhe as në tërë kohën e mbretërve të Izraelit dhe të mbretërve të Judës.
23 Por në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretit Josia kjo Pashkë u kremtua për nder të Zotit në Jeruzalem.
24 Josia eliminoi edhe mediumët dhe magjistarët, hyjnitë familjare dhe idhujt, si dhe të gjitha shkeljet e neveritshme që shiheshin në vendin e Judës dhe në Jeruzalem, për të zbatuar në praktikë fjalët e ligjit, të shkruara në librin që prifti Hilkiah kishte gjetur në shtëpinë e Zotit.
25 Para tij nuk pati asnjë mbret që, si ai, t’i ishte kthyer Zotit me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me gjithë forcën, sipas tërë ligjit të Moisiut; as pas tij nuk ka dalë ndonjë si ai.
11 Dhe m’u dha një kallam që i ngjante një shufre. Dhe engjëlli duke qëndruar në këmbë tha: “Çohu dhe mat tempullin e Perëndisë, altarin dhe ata që adhurojnë atje,
2 dhe oborrin që është jashtë tempullit lëre dhe mos e mat, sepse u është dhënë johebrenjve; dhe ata do ta shkelin qytetin e shenjtë për dyzet e dy muaj.
3 Dhe unë do t’u jap të dy dëshmitarëve të mi për të profetizuar, dhe ata do të profetizojnë një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë, të veshur me thasë.
4 Këta janë të dy drurët e ullirit dhe të dy shandanët që rrijnë përpara Perëndisë së dheut.
5 Dhe, nëse ndokush dëshiron t’u bëjë keq atyre, nga goja e tyre del zjarr dhe i gllabëron armiqtë e tyre; dhe kushdo që dëshëron t’u bëjë keq atyre, në këtë mënyrë duhet vrarë.
6 Ata kanë pushtet të mbyllin qiellin, që të mos bjerë shi në ditët e profecisë së tyre; ata kanë edhe pushtet mbi ujërat t’i kthejnë në gjak dhe për të goditur dheun me çdo plagë, sa herë të duan.
7 Dhe kur ta kryejnë dëshminë e tyre, bisha që ngjitet nga humnera do të bëjë luftë kundër tyre, edhe do t’i mundë ata, dhe do t’i vrasë.
8 Dhe kufomat e tyre do të dergjen në sheshin e qytetit të madh, i cili frymërisht quhet Sodomë dhe Egjipt, ku është kryqëzuar edhe Zoti ynë.
9 Dhe njerëz nga popuj, dhe fise, dhe gjuhë, dhe kombe do të shohin kufomat e tyre për tri ditë e gjysmë, dhe nuk do të lënë që kufomat e tyre të shtihen në varr.
10 Dhe banorët e dheut do të ngazëllojnë për ata dhe do të bëjnë festë; dhe do t’i dërgojnë njeri tjetrit dhurata, sepse këta dy profetë i munduan ata që banojnë mbi dhe.”
11 Por mbas tri ditë e gjysmë, fryma e jetës që buron nga Perëndia hyri në ta; edhe qëndruan në këmbët e tyre, dhe një tmerr e madh ra mbi ata që i shikonin.
12 Edhe dëgjuan një zë të madh nga qielli duke u thënë atyre: “Ngjituni këtu lart.” Dhe u ngjitën në qiell në një re; dhe armiqtë e tyre i panë.
13 Dhe në atë orë ra një tërmet i madh, dhe e dhjeta pjesë e qytetit u rrëzua, dhe në tërmet u vranë shtatë mijë njerëz; dhe të tjerët u tmerruan dhe i dhanë lavdi Perëndisë së qiellit.
14 Mjerimi i dytë kaloi, por ja, mjerimi i tretë do vijë së shpejti.