Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
23 Këto janë fjalët e fundit të Davidit. Kështu thotë Davidi, bir i Isait, kështu thotë njeriu që u ngrit lart, i vajosuri i Perëndisë së Jakobit, këngëtari i ëmbël i Izraelit:
2 "Fryma e Zotit ka folur nëpërmjet meje dhe fjala e tij ka qenë mbi buzët e mia.
3 Perëndia i Izraelit ka folur, Kalaja e Izraelit më ka thënë: "Ai që mbretëron me drejtësi mbi njerëzit, ai që mbretëron në frikën e Perëndisë,
4 është si drita e mëngjesit në të dalë të diellit, në një mëngjes pa re, ashtu si shkëlqimi mbas shiut, që bën të mbijë bari i njomë nga dheu".
5 A nuk është vallë kështu shtëpia ime përpara Perëndisë? Sepse ai ka lidhur me mua një besëlidhje të përjetshme që parashikon çdo gjë dhe që është e sigurt. A nuk do të bëjë ai të lulëzojë shpëtimi im i plotë dhe të gjitha ato që unë dëshiroj?
6 Njerëzit e kobshëm do të hidhen tej të gjithë si gjembat, sepse nuk mund të kapen me duar.
7 Kush i prek duhet të armatoset me një hekur ose me shkopin e një ushte; ato digjen plotësisht në vend me zjarr".
132 Mbaje mend, o Zot, Davidin dhe të gjitha mundimet e tij,
2 ashtu si ai iu betua Zotit dhe lidhi kusht me të Fuqishmin e Jakobit, duke thënë:
3 "Nuk do të hyj në çadrën e shtëpisë sime, nuk do të hipi mbi shtratin tim;
4 nuk do t’i jap gjumë syve të mi as pushim qepallave të mia,
5 deri sa të kem gjetur një vend për Zotin, një banesë për të Fuqishmin e Jakobit".
6 Ja, dëgjuam të flitet për të në Efratah, e gjetëm në fushat e Jaarit.
7 Le të shkojmë në banesën e tij, le ta adhurojmë përpara fronit të këmbëve të tij.
8 Çohu, o Zot, dhe eja në vendin ku pushon ti dhe arka e forcës sate.
9 Priftërinjtë e tu le të vishen me drejtësi, dhe le të këndojnë nga gëzimi shenjtorët e tu.
10 Për hir të Davidit, shërbëtorit tënd, mos e dëbo fytyrën e të vajosurit tënd.
11 Zoti iu betua Davidit në të vërtetë dhe nuk do të ndryshojë: "Unë do të vë mbi fronin tënd një fryt të të përbrendëshmëve të tua.
12 Në rast se bijtë e tu do të respektojnë besëlidhjen time dhe porositë e mia, që unë do t’u mësojë atyre, edhe bijtë e tyre do të ulen përjetë mbi fronin tënd".
13 Duke qenë se Zoti e ka zgjedhur Sionin, ai e ka dashur atë për banesën e tij:
14 "Ky është vendi im i pushimit përjetë; këtu do të banoj, sepse e kam dashur.
15 Do të bekoj fort zahiretë e tij, do t’i ngop me bukë të varfërit e tij;
16 do t’i vedh priftërinjtë e tij me shpëtim, do të ngazëllojnë shenjtorët e tij me britma gëzimi.
17 Këtu do ta rris fuqinë e Davidit dhe do t’i jap një llambë të vajosurit tim.
18 Do t’i mbuloj me turp armiqtë e tij, por mbi të do të lulëzojë kurora e tij".
4 Gjoni, shtatë kishave që janë në Azi: hir për ju dhe paqe nga ana e atij që është dhe që ishte dhe që do të vijë; edhe nga të shtatë frymërat që janë përpara fronit të tij,
5 dhe nga Jezu Krishti, dëshmitari besnik, i parëlinduri prej së vdekurish dhe Princ i mbretërve të dheut.
6 Atij që na deshi dhe na lau nga mëkatet tona në gjakun e tij, dhe na bëri mbretër dhe priftër për Perëndinë dhe Atin e tij, atij i qoftë lavdi dhe pushtet në shekuj të shekujve. Amen.
7 Ja, ai vjen me retë dhe çdo sy do ta shohë, edhe ata që e tejshpuan; dhe të gjitha fiset e dheut do të vajtojnë për të. Po, amen.
8 “Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi,” thotë Zoti “që është dhe që ishte dhe që vjen, i Plotfuqishmi.”
33 Atëherë Pilati hyri përsëri në pretorium, e thirri Jezusin dhe i tha: “A je ti mbreti i Judenjve?.”
34 Jezusi iu përgjigj: “E thua ti nga vetja, apo ta kanë thënë të tjerë për mua?.”
35 Pilati iu përgjigj: “Jam unë vallë Jude? Kombi yt dhe krerët e priftërinjve të dorëzuan tek unë; çfarë ke bërë?.”
36 Jezusi u përgjigj: “Mbretëria ime nuk është e kësaj bote; po të ishte mbretëria ime e kësaj bote, shërbëtorët e mi do të luftonin që të mos u dorëzohesha Judenjve; porse tani mbretëria ime nuk është prej këtej.”
37 Atëherë Pilati i tha: “Ti, pra, qenke mbret?.” Jezusi u përgjigj: “Ti thua se unë jam mbret; për këtë unë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë; që të dëshmoj për të vërtetën; kush është për të vërtetën, e dëgjon zërin tim.”