Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 113

113 Aleluja. Lëvdoni, o shërbëtorë të Zotit, lëvdoni emrin e Zotit.

Qoftë i bekuar emri i Zotit tani dhe përjetë.

Nga lindja e diellit deri në perëndim të tij u lëvdoftë emri i Zotit.

Zoti shkëlqen mbi tërë kombet, lavdia e tij ndodhet përmbi qiejtë.

Kush i përngjan Zotit, Perëndisë tonë, që banon në vende shumë të larta,

kush ulet për të parë gjërat që ndodhen në qiejtë dhe mbi tokë?

Ai e ngre të mjerin nga pluhuri dhe nevojtarin nga plehrat,

për ta bërë të ulet me princat, me princat e popullit të tij.

Ai bën që gruaja shterpe të banojë në familje, si nënë e lumtur e fëmijëve. Aleluja.

Zanafilla 24:28-42

28 Dhe vajza vrapoi për t’i treguar këto gjëra në shtëpinë e nënës së saj.

29 Por Rebeka kishte një vëlla të quajtur Labano. Dhe Labano doli me vrap jashtë drejt burimit te ai njeri.

30 Sa pa unazën në hundë dhe byzylykët në kyçet e dorës të së motrës dhe dëgjoi fjalët që Rebeka, motra e tij, thoshte: "Kështu më foli ai njeri," iu afrua këtij njeriu, dhe ja që u gjet pranë deveve, afër burimit.

31 Dhe tha: "Hyrë, i bekuar nga Zoti! Pse rri jashtë? Unë kam përgatitur shtëpinë dhe një vend për devetë".

32 Njeriu hyri në shtëpi, dhe Labano shkarkoi devetë, u dha kashtë dhe forazh deveve dhe solli ujë që të lante këmbët ai dhe njerëzit që ishin bashkë me të.

33 Pastaj i vunë përpara për të ngrënë, por ai tha: "Nuk do të ha deri sa të plotësoj porosinë që më kanë dhënë". Tjetri tha: "Fol".

34 Atëherë ai tha: "Unë jam një shërbëtor i Abrahamit.

35 Zoti e ka bekuar shumë zotërinë tim, që është bërë i madh; i ka dhënë dele dhe qe, argjend dhe flori, shërbyes dhe shërbyese, deve dhe gomarë.

36 Por Sara, gruaja e zotërisë tim, i ka lindur në pleqërinë e saj një djalë zotërisë tim, i cili i ka dhënë atij gjithçka zotëron.

37 Dhe zotëria im më vuri të betohem duke thënë: "Nuk do të marrësh grua për djalin tim nga bijtë e Kanaanejve, në vendin ku banoj;

38 por do të shkosh në shtëpinë e babait tim dhe tek afëria ime dhe aty do të marrësh një grua për birin tim".

39 Atëherë unë i thashë zotërisë tim: "Ndofta gruaja nuk do të dojë të më ndjekë".

40 Por ai u përgjegj: "Zoti, para të cilit kam ecur, do të dërgojë engjëllin e tij bashkë me ty dhe do ta bëj të mbarë udhëtimin tënd, dhe ti do të marrësh për birin tim një grua nga farefisi im dhe nga shtëpia e babait tim.

41 Do të lirohesh nga betimi që më ke bërë kur të shkosh tek afëria ime; dhe po të jetë se nuk duan të ta japin, do të lirohesh nga betimi që më ke bërë".

42 Sot kam arritur te burimi dhe thashë: "O Zot, Perëndia i zotërisë tim Abraham, në rast se të pëlqen kështu, të lutem bëje të mbarë udhëtimin që kam filluar;

Luka 4:16-30

16 Pastaj erdhi në Nazaret, ku ishte rritur, dhe si e kishte zakon ditën e shtunë, hyri në sinagogë dhe u ngrit për të lexuar.

17 I dhanë në dorë librin e profetit Isaia; e hapi dhe gjeti vendin ku ishte shkruar:

18 “Fryma e Zotit është mbi mua, sepse ai më vajosi për të ungjillizuar të varfërit; ai më dërgoi për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer, për të shpallur çlirimin e të burgosurve dhe kthimin e të parit të verbërve, për të çliruar përsëri të shtypurit,

19 dhe për të predikuar vitin e pranueshëm të Zotit.”

20 Pastaj, si e mbylli librin dhe ia dha shërbyesit, u ul; dhe sytë e të gjithëve në sinagogë u drejtuan mbi të.

21 Atëherë ai nisi të thotë: “Sot ky Shkrim u përmbush në veshët tuaja.”

22 Dhe të gjithë jepnin dëshmi dhe mrekulloheshin për fjalët e hirit që dilnin nga goja e tij, dhe thoshnin: “Po ky, a nuk është biri i Jozefit?.”

23 Dhe ai u tha atyre: “Me siguri ju do të më përmendni fjalën e urtë: Mjek, shëro veten tëndee"; të gjitha ato që dëgjuam se u bënë në Kapernaum, bëji edhe këtu në atdheun tënd.”

24 Por ai tha: “Në të vërtetë po ju them se asnjë profet nuk mirëpritet në atdheun e vet.

25 Në të vërtetë po ju them se në kohën e Elias, kur qielli u mbyll për tre vjet e gjashtë muaj dhe u bë një uri e madhe në gjithë vendin, ishin shumë të veja në Izrael;

26 e megjithatë tek asnjëra nga ato nuk u dërgua Elia, përveç se te një grua e ve në Sareptë të Sidonit.

27 Dhe në kohën e profetit Elize kishte shumë lebrozë në Izrael; megjithatë asnjë prej tyre nuk u pastrua, përveç Naamanit Sirian.”

28 Kur i dëgjuan këto fjalë, të gjithë ata që ishin në sinagogë u zemëruan shumë.

29 Dhe u ngritën, e dëbuan nga qyteti dhe e çuan deri në buzë të majës së malit, mbi të cilin ishte ndërtuar qyteti i tyre, për ta hedhur poshtë.

30 Por ai, duke kaluar përmes tyre, u largua.