Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
20 Gjeta Davidin, shërbëtorin tim, dhe e vajosa me vajin tim të shenjtë.
21 Dora ime do ta përkrahë me vendosmëri dhe krahu im do ta forcojë.
22 Armiku nuk do ta shtypë dhe i ligu nuk do ta pikëllojë.
23 Do të asgjesoj para tij armiqtë e tij dhe do të godas ata që e urrejnë.
24 Besnikëria ime dhe mirësia ime do të jenë me të, dhe me emrin tim do të bëhet i fuqishëm.
25 Do ta shtrij dorën e tij mbi detin dhe dorën e djathtë të tij mbi lumenjtë.
26 Ai do të kërkojë ndihmën time, duke thënë: "Ti je Ati im, Perëndia im dhe Kështjella ime e shpëtimit".
27 Do ta bëj gjithashtu të parëlindurin tim, më të shkëlqyerin ndër mbretërit e dheut.
28 Do të përdor mirësi ndaj tij përjetë, dhe besëlidhja ime me të do të mbetet e qëndrueshme.
29 Do t’i bëj gjithashtu pasardhësit e tij të përjetshem dhe fronin e tij si ditët e qiejve.
30 Në rast se bijtë e tij braktisin ligjin tim dhe nuk ecin, sipas urdhërimeve të mia,
31 në rast se shkelin statutet e mia dhe nuk respektojnë urdhërimet e mia,
32 unë do ta dënoj shkeljen e tyre me shufër dhe paudhësinë e tyre me të rrahura,
33 por nuk do ta heq mirësinë time prej tij dhe nuk do të lë që besnikëria ime të jetë e mangët.
34 Nuk do të shkel besëlidhjen time dhe nuk do t’i ndryshoj fjalët që kanë dalë nga goja ime.
35 Jam betuar një herë për shenjtërinë time dhe nuk do ta gënjej Davidin;
36 pasardhësit e tij do të jenë përjetë dhe froni i tij do të jetë si dielli para meje,
37 do të jenë të qëndrueshëm si hëna, dhe dëshmitari në qiell është besnik". (Sela)
14 Hirami, mbret i Tiros, i dërgoi Davidit lajmëtarë, dru kedri, muratorë, dhe marangozë për t’i ndërtuar një shtëpi.
2 Atëherë Davidi e pranoi që Zoti e kishte vendosur mbret të Izraelit, sepse mbretëria e tij qe lavdëruar shumë për shkak të popullit të tij, Izraelit.
16 Ndërsa Pali po i priste në Athinë, po i ziente fryma përbrenda, kur pa qytetin plot me idhuj.
17 Ai, pra, po diskutonte në sinagogë me Judenjtët dhe me njerëz të përshpirtshëm dhe çdo ditë në sheshin e tregut me ata që takonte.
18 Diskutonin me të edhe disa filozofë epikurianë dhe stoikë. Disa thoshnin: “Vallë ç’do të thotë ky llafazan.” Dhe të tjerë thoshnin: “Ai duket se është një kasnec i perëndivë të huaja,” sepse u shpall atyre Jezusin dhe ringjalljen.
19 Dhe e zunë dhe e çuan në Areopag, duke thënë: “A mund ta marrim vesh ç’është kjo doktrinë e re për të cilën ti flet?
20 Sepse ti sjell disa gjëra të huaja në veshët tanë, prandaj duam të dimë ç’kuptim kanë ato.
21 Atëherë gjithë Athinasit dhe të huajt që banonin atje nuk e kalonin kohën më mirë sesa duke folur ose duke dëgjuar ndonjë fjalë të re.
22 Atëherë Pali, duke qëndruar në këmbë në mes të Areopagut, tha: “O burra athinas, unë shoh se në të gjitha gjërat ju jeni shumë fetarë.”
23 Sepse, duke ecur e duke vënë re objektet e kultit tuaj, gjeta edhe një altar mbi të cilin është shkruar: "PERÉNDISÉ SÉ PANJOHUR". Atë, pra, që ju e adhuroni pa e njohur, unë po jua shpall.
24 Perëndia që bëri botën dhe të gjitha gjërat që janë në të, duke qenë Zot i qiellit dhe i tokës, nuk banon në tempuj të bërë nga duart e njeriut,
25 dhe as shërbehet nga duart e njerëzve, sikur të kishte nevojë për ndonjë gjë, sepse ai u jep të gjithëve jetë, hukatje dhe çdo gjë;
26 dhe ai ka bërë nga një gjak i vetëm të gjitha racat e njerëzve, që të banojnë në mbarë faqen e dheut, dhe caktoi kohërat me radhë dhe caqet e banimit të tyre,
27 që të kërkojnë Zotin, mbase mund ta gjejnë duke prekur, ndonëse ai nuk është larg nga secili prej nesh.
28 Sepse në të ne jetojmë, lëvizim dhe jemi, sikurse kanë thënë edhe disa nga poetët tuaj: "Sepse jemi edhe ne pasardhës të tij".
29 Duke qenë, pra, se ne jemi pasardhës të Perëndisë, nuk duhet të mendojmë që natyra e perëndishme është e ngjashme me arin ose me argjendin, ose me gurin ose me një vepër arti të latuar dhe të shpikur nga njeriu.
30 Perëndia, pra, duke kaluar përmbi kohërat e padijes, i urdhëron të gjithë njerëzit dhe kudo që të pendohen.
31 Sepse ai ka caktuar një ditë në të cilën do të gjykojë me drejtësi botën me anë të atij njeriu të cilin ai e ka caktuar; dhe për këtë u ka dhënë të gjithëve një provë të sigurt, duke e ringjallur prej të vdekurit.”