Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
21 O Zot, mbreti do të gëzohet me forcën tënde dhe do të ngazëllojë për shpëtimin tënd!
2 Ti ia plotësove dëshirën e zemrës së tij dhe nuk hodhe poshtë kërkesën e buzëve të tij. (Sela)
3 Sepse ti i dole para me bekime begatie, i vure mbi kokë një kurorë prej ari shumë të kulluar.
4 Ai të kishte kërkuar jetë dhe ti i dhe ditë të gjata në përjetësi.
5 E madhe është lavdia e tij për shpëtimin tënd; ti i dhe madhështi dhe lavdi,
6 sepse ti e bën shumë të bekuar përjetë, e mbush me gëzim në praninë tënde.
7 Duke qenë se mbreti ka besim te Zoti dhe në mirësinë e Shumë të Lartit, ai nuk do të hiqet kurrë.
8 Dora jote do të arrijë tërë armiqtë e tu, dora jote e djathtë do të veprojë kundër atyre që të urrejnë.
9 Ti do t’i bësh si një furrë të zjarrtë kur do të dukesh i zemëruar; në zemërimin e tij Zoti do t’i hedhë në humnerë dhe zjarri do t’i përpijë.
10 Ti do të zhdukësh frytin e tyre nga toka dhe pasardhësit e tyre midis bijve të njerëzve,
11 sepse kanë kurdisur të keqen kundër teje dhe kanë përgatitur plane të këqija, por nuk do t’ia dalin.
12 Sepse ti do të bësh që ata të kthejnë kurrizin dhe do të drejtosh shigjetat e harkut tënd kundër fytyrës së tyre.
13 Çohu, o Zot, me forcën tënde; ne do të këndojmë dhe do të kremtojmë lëvdimet e fuqisë sate.
5 Atëherë tërë fiset e Izraelit erdhën te Davidi në Hebron dhe i thanë: "Ne jemi kocka dhe mishi yt.
2 Edhe në të kaluarën, kur Sauli mbretëronte mbi ne, ishe ti që udhëhiqje dhe e çoje në rrugë të drejtë Izraelin. Zoti të ka thënë: "Ti do të ushqesh popullin tim, Izraelin, ti do të jesh princ që do të sundojë mbi Izraelin"".
3 Kështu tërë pleqtë e Izraelit erdhën te mbreti në Hebron dhe mbreti David lidhi një aleancë me ta në Hebron para Zotit, dhe ata e vajosën Davidin mbret të Izraelit.
4 Davidi ishte tridhjetë vjeç kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi dyzet vjet.
5 Në Hebron mbretëroi shtatë vjet e gjashtë muaj mbi Judën; dhe në Jeruzalem mbretëroi tridhjetë e tre vjet mbi gjithë Izraelin dhe Judën.
6 Mbreti me njerëzit e tij u nis në drejtim të Jeruzalemit kundër Jebusejve, që banonin në atë vend. Këta i thanë Davidit: Nuk do të hysh këtu, sepse të verbërit dhe çalamanët do të të sprapsin!," duke dashur të thonë: "Davidi nuk ka për të hyrë kurrë këtu".
7 Por Davidi e pushtoi qytetin e fortifikuar të Sionit (që është qyteti i Davidit).
8 Davidi tha atë ditë: "Kushdo që i mund Jebusejtë, të arrijë deri në kanal dhe t’i zmprapsë çalamanët dhe të verbërit që i urren Davidi". Prandaj thonë: "I verbri dhe çalamani nuk do të hyjnë në Shtëpi".
9 Kështu Davidi u vendos në qytetin e fortifikuar dhe e quajti Qyteti i Davidit. Pastaj Davidi filloi të ndërtojë rreth e qark duke nisur nga Milo dhe në drejtim të pjesës së brëndshme.
10 Davidi bëhej gjithnjë më i madh Dhezoti, Perëndia i ushtrive, ishte me të.
16 Po e them përsëri: Askush të mos mendojë se jam i marrë; në mos, më pranoni edhe si të marrë, që edhe unë të mburrem pakëz.
17 Atë që po them në mburrjen e guximit tim, nuk po e them sipas Zotit, por në marrëzi.
18 Duke qenë se shumë vetë mburren sipas mishit, edhe unë do të mburrem.
19 Sepse ju që jeni të ditur, i duroni lehtë të marrët.
20 Sepse tashmë ju duroni, nëse dikush ju robëron, nëse dikush ju gllabëron, nëse dikush ju grabit, nëse dikush krenohet, nëse dikush ju godet në fytyrë.
21 Flas për turpin tim, sikurse ne të ishim të dobët; megjithatë në çdo gjë që dikush guxon, po flas si i marrë, marr guxim edhe unë.
22 Janë ata Hebrenj? Jam edhe unë! Janë ata Izraelitë? Jam edhe unë! janë ata pasardhës të Abrahamit? Jam edhe unë.
23 Janë ata shërbëtorë të Krishtit? Po flas si i pamend, unë jam edhe më tepër si këta; në mundime më tepër, në goditje më tepër, në burgje më tepër dhe shpesh në rrezik për vdekje.
24 Nga Judenjtë mora pesë herë nga dyzetë kamxhike pa një.
25 Tri herë më rrahën me shkopinj, një herë më qëlluan me gurë, tri herë m’u mbyt anija në det, kalova një ditë e një natë në humnerë.
26 Në udhëtime të shpeshta në rreziqe lumenjsh, në rreziqe kusarësh, në rrezik nga ana e bashkëtdhetarëve, rreziqe nga ana johebrenjve, rreziqe në qytet, rreziqe në shkretëtirë, rreziqe në det, rreziqe midis vëllezërve të rremë,
27 në lodhje e në mundim, në netët pa gjumë, në uri e në etje, shpesh herë në agjërime, në të ftohtë dhe në të zhveshur.
28 Përveç këtyre gjërave të jashtme, ajo që më mundon çdo ditë është kujdesja për të gjitha kishat.
29 Kush është i dobët, që të mos jem edhe unë? Kush është skandalizuar dhe unë të mos përvëlohem?
30 Në qoftë se duhet të mburrem, unë do të mburrem me ato që kanë të bëjnë me dobësinë time.
31 Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, që është i bekuar përjetë, e di se unë nuk gënjej.
32 Në Damask, qeveritari i mbretit Areta e ruante qytetin e Damaskasve për të më zënë,
33 por nga një dritare më ulën përgjatë murit me një shportë, dhe shpëtova nga duart e tij.