Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
24 Zotit i përket toka dhe të gjitha gjërat që janë mbi të, bota dhe banorët e saj.
2 Sepse ai e ka themeluar mbi detet dhe e ka vendosur mbi lumenjtë.
3 Kush do t’i ngjitet malit të Zotit? Kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?
4 Njeriu i pafajshëm nga duart dhe i pastër nga zemra, që nuk e ngre shpirtin për t’u dukur dhe nuk betohet në mënyrë të rreme.
5 Ai do të marrë bekimet e Zotit dhe drejtësinë nga Perëndia e shpëtimit të tij.
6 I tillë është brezi i atyre që e kërkojnë, që kërkojnë fytyrën tënde, o Perëndi e Jakobit. (Sela)
7 O ju porta, çoni kokat tuaja; dhe ju, porta të përjetshme, hapuni krejt dhe Mbreti i lavdisë do të hyjë.
8 Kush është ky Mbret i lavdisë? Éshtë Zoti i fortë dhe i fuqishëm, Zoti i fortë në betejë.
9 O porta, çoni kokat tuaja; hapuni krejt, o porta të përjetshme, dhe Mbreti i lavdisë do të hyjë.
10 Kush është ky Mbret i lavdisë? Éshtë Zoti i ushtrive; ai është Mbreti i lavdisë. (Sela)
37 Pastaj Betsaleeli bëri arkën prej druri të akacies, ajo ishte e gjatë dy kubitë e gjysmë, e gjerë një kubit dhe e lartë një kubit e gjysmë.
2 E veshi me ar safi nga brenda dhe nga jashtë, dhe i bëri një kurorë që i vinte rrotull.
3 Shkriu për këtë qëllim katër unaza prej ari dhe i vuri në katër këmbët e saj: dy unaza nga njëra anë dhe dy unaza nga ana tjetër.
4 Bëri edhe disa shtiza me dru akacieje dhe i veshi me ar.
5 Pastaj i kaloi shtizat nëpër unazat, që ishin anëve të arkës dhe që shërbenin për ta mbartur atë.
6 Bëri edhe një pajtues prej ari safi, të gjatë dy kubitë e gjysmë dhe të gjerë një kubit e gjysmë.
7 Bëri edhe dy kerubinë prej ari; këto u punuan me çekiç në të dy skajet e pajtuesit:
8 një kerubin në njërin skaj dhe një kerubin në skajin tjetër; kerubinët i bëri njësh me pajtuesin në të dy skajet e tij.
9 Kerubinët i kishin krahët e hapura lart, në mënyrë që të mbulonin pajtuesin me krahët e tyre; ishin kthyer njëri ndaj tjetrit, ndërsa fytyrat e kerubinëve ishin kthyer nga pajtuesi.
10 Bëri edhe tryezën me dru të akacies me gjatësi dy kubitë, gjerësi një kubit dhe një lartësi një kubit e gjysmë.
11 E veshi me ar safi dhe i bëri rreth e rrotull një kurorë prej ari.
12 Dhe i bëri rreth e qark një buzë të lartë sa pëllëmba e dorës dhe rreth e rrotull kësaj buze bëri një kurorë prej ari.
13 Dhe për këtë qëllim derdhi katër unaza ari dhe i vuri unazat në të katër qoshet, që janë në katër këmbët e tryezës.
14 Unazat ishin afër buzës për të kaluar nëpër to shtizat e caktuara për të mbartur tryezën.
15 I bëri shtizat me dru të akacies dhe i veshi me ar; ato do të shërbenin për ta mbartur tryezën.
16 I bëri edhe orenditë që do të viheshin mbi tryezë prej ari safi: pjatat e tij, gotat e tij, filxhanët e tij, kupat e tij me të cilët bëhen libacionet.
2 Ngulmoni në të lutur, duke ndenjur zgjuar në të me falendërim.
3 Dhe duke u lutur në të njëtën kohë edhe për ne, që Perëndia të hapë edhe për ne derën e fjalës, për të shpallur misterin e Krishtit, për shkakun e të cili jam edhe i burgosur,
4 në mënyrë që ta bëj të njohur, duke e folur siç duhet.
5 Ecni me urti ndaj të jashtmëve duke shfrytëzuar kohën.
6 Të folurit tuaj të jetë gjithnjë me hir, i ndrequr me kripë, që të dini si duhet t’i përgjigjeni gjithsecilit.
7 Tikiku, vëllai i dashur, dhe shërbenjës besnik, dhe shoku im i shërbimit në Zotin, do t’jua tregojë gjithçka lidhur me mua;
8 unë e dërgova te ju pikërisht për këtë arsye, që të njoh situatën tuaj dhe të ngushëllojë zemrat tuaja,
9 bashkë me Onesimin, vëlla besnik dhe i dashur, që është nga tuajt; ata do t’ju tregojnë juve të gjitha gjërat e këtushme.
10 Aristarku, i burgosur me mua, ju përshëndet bashkë me Markun, kushëririn e Barnabës (për të cilin keni marrë mësimin, po të vijë te ju, ta mirëprisni),
11 dhe Jezusi, i quajtur Just, të cilët vijnë nga rrethprerja; këta janë të vetmit bashkëpunëtorë në veprën e mbretërisë së Perëndisë, të cilët qenë për mua ngushullim.
12 Epafrai, që është nga tuajt dhe shërbëtor i Krishtit, ju përshëndet; ai lufton gjithnjë për ju në lutje, që ju të qëndroni të përsosur dhe të përkryer në gjithë vullnetin e Perëndisë.
13 Në fakt unë dëshmoj për të se ai ka zell të madh për ju, për ata që janë në Laodice dhe për ata që janë në Hierapolis.
14 I dashur Lluka, mjeku, dhe Dema ju përshëndesin.
15 U bëni të fala vëllezërve që janë në Laodice, Ninfës dhe kishës që është në shtëpinë e tij.
16 Dhe, mbasi të jetë lexuar kjo letër ndër ju, bëni që të lexohet edhe në kishën e Laodikasve; dhe ju gjithashtu lexoni atë të Laodices.
17 Dhe i thoni Arkipit: “Ki kujdes shërbesën që more në Zotin, që ta plotësosh.”
18 Përshëndetja është shkruar me dorën time, nga unë, Pali. Kujtoni prangat e mia. Hiri qoftë me ju. Amen.