Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
117 Lëvdoni Zotin, ju gjithë kombet! Kremtojini, ju gjithë popujt!
2 Sepse e madhe është dhemshuria e tij ndaj nesh, dhe besnikëria e Zotit vazhdon përjetë. Aleluja.
30 Fjala që iu drejtua Jeremias nga ana e Zotit, duke thënë:
2 "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: Shkruaj në një libër tërë fjalët që të kam thënë.
3 Sepse ja, ditët po vijnë, thotë Zoti, gjatë të cilave do të kthej nga robëria popullin tim të Izraelit dhe të Judës, dhe do t’i kthej në vendin që u dhashë etërve të tyre, dhe ata do ta zotërojnë".
4 Këto janë fjalët që Zoti shqiptoi për Izraelin dhe Judën:
5 "Kështu thotë Zoti: Ne kemi dëgjuar një britmë tmerri, frike dhe jo paqeje.
6 Informohuni dhe shikoni në se një mashkull mund të lindë. Pse, pra, i shoh të gjithë meshkujt me duart mbi ijet e tyre ashtu si një grua që është duke lindur? Pse tërë fytyrat janë bërë të zbehta?
7 Medet, sepse ajo ditë është e madhe; nuk pati kurrë ndonjë të ngjashme me të; do të jetë një kohë ankthi për Jakobin, por ai do të shpëtojë prej tij.
8 Atë ditë do të ndodhë," thotë Zoti i ushtrive, "që unë do të thyej zgjedhën e tij nga qafa jote dhe do t’i këpus verigat e tua; të huajt nuk do të të bëjnë më skllav të tyre.
9 Por ata të Izraelit do t’i shërbejnë Zotit, Perëndisë së tyre, dhe Davidit, mbretit të tyre, që unë do të ngjall për ta.
10 Ti, pra, o shërbëtori im Jakob, mos ki frikë," thotë Zoti; "mos u tremb, o Izrael, sepse, ja, unë do të të shpëtoj nga vendi i largët dhe pasardhësit e tu nga vendi i robërisë së tyre. Jakobi do të kthehet, do të prehet, do të jetë i qetë dhe askush nuk do ta trembë më.
11 Sepse unë jam me ty," thotë Zoti, "që të të shpëtoj. Unë do të shfaros tërë kombet në mes të të cilëve të kam shpërndarë, por megjithatë nuk do të të shfaros ty, por do të të ndëshkoj me drejtësi dhe nuk do të të lë krejt të pandëshkuar".
12 Kështu thotë Zoti: "E keqja jote është e pashërueshme, plaga jote është e rëndë.
13 Askush nuk e mbron çështjen tënde; kështu nuk ka asnjë mjekim për plagën tënde dhe asnjë shërim për ty.
14 Tërë dashnorët e tu të kanë harruar dhe nuk kujdesen më për ty, sepse të kam qëlluar me një goditje prej armiku, me një ndëshkim të një njeriu mizor, për madhësinë e paudhësisë sate, për morinë e mëkateve të tua.
15 Pse bërtet për shkak të së keqes sate? Dhembja jote është e pashërueshme. Unë të bëra këto gjëra për madhësinë e paudhësisë sate, për morinë e mëkateve të tua.
16 Por tërë ata që të gllabërojnë do t’i gllabërojnë, tërë armiqtë e tu, të gjithë, do të shkojnë në robëri; ata që të plaçkitin do të plaçkiten dhe grabitësit e tu do t’i lë të grabiten nga të tjerë.
17 Po, unë do të të jap përsëri shëndet dhe do të të shëroj plagët e tua," thotë Zoti, "Sepse të quajnë "e dëbuara," duke thënë: "Ky është Sioni për të cilin askush nuk kujdeset"".
5 Dhe ai që rrinte mbi fron tha: “Ja, unë i bëj të gjitha gjërat të reja.” Dhe më tha: “Shkruaj, sepse këto fjalë janë të vërteta dhe besnike.”
6 Edhe më tha: “U bë! Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi! Atij që ka etje unë do t’i jap si dhuratë nga burimi i ujit të jetës.
7 Kush fiton do t’i trashëgojë të gjitha gjërat; dhe do të jem për të Perëndi dhe ai do të jetë për mua bir.
8 Kurse për frikacakët dhe të pabesët, dhe të neveritshmit dhe vrasësit, dhe kurvëruesit, dhe magjistarët, dhe idhujtarët, dhe gjithë gënjeshtarët, pjesa e tyre do të jetë në liqenin që digjet me zjarr dhe squfur, që është vdekja e dytë.”
9 Pastaj erdhi drejt meje një nga të shtatë engjëjt që kishin të shtatë kupat plot me shtatë plagët e fundit, dhe foli me mua, duke thënë: “Eja, do të të tregoj nusen, gruan e Qengjit.”
10 Dhe më çoi në Frymë mbi një mal të madh dhe të lartë, dhe më tregoi qytetin e madh, Jeruzalemin e shenjtë, që zbriste nga qielli, nga Perëndia,
11 duke pasur lavdinë e Perëndisë. Dhe shkëlqimi i saj i ngjante me një gur shumë të çmuar, si gur diaspri kristalor.
12 Ai kishte një mur të madh dhe të lartë me dymbëdhjetë porta, dhe te portat dymbëdhjetë engjëj, dhe emra të shkruar mbi to, të cilat janë emrat e të dymbëdhjetë fiseve të bijve të Izraelit.
13 Nga lindja ishin tri porta, nga veriu tri porta, nga jugu tri porta dhe nga perëndimi tri porta.
14 Dhe muri i qytetit kishte dymbëdhjetë themele dhe mbi to ishin emrat e dymbëdhjetë apostujve të Qengjit.
15 Dhe ai që fliste me mua kishte një kallam ari, për të matur qytetin, dyert e tij dhe murin e tij.
16 Dhe qyteti kishte formë katërkëndësh, dhe gjatësia e tij është sa gjerësia; ai e mati qytetin me kallamin deri në dymbëdhjetë mijë stade; gjatësia, gjërësia dhe lartësia e tij janë të barabartë.
17 Mati edhe murin, që ishte njëqind e dyzet e katër kubitë, me matje njeriu, domethënë engjëllit.
18 Muri ishte bërë ishte prej diaspri; dhe qyteti ishte prej ari të kulluar, i ngjashëm me kristal transparent.
19 Themelet e murit të qytetit ishin stolisur me gjithfarë gurësh të çmuar; themeli i parë ishte prej diaspri, i dyti prej safiri, i treti prej kalcedoni, i katërti prej smeraldi,
20 i pesti prej sardoniku, i gjashti prej sardi, i shtati prej krizoliti, i teti prej berili, i nënti prej topazi, i dhjeti prej krizopazi, i njëmbëdhjeti prej hiacinti, i dymbëdhjeti prej ametisti.
21 Dhe të dymbëdhjetë portat ishin dymbëdhjetë margaritarë, secila portë ishte bërë prej një margaritari të vetëm, edhe sheshi i qytetit ishte prej ari të kulluar, si kristal i transparent.
22 Dhe nuk pashë asnjë tempull në të; sepse Zoti Perëndi i plotfuqishëm dhe Qengji janë tempulli i tij.
23 Dhe qyteti nuk ka nevojë për diell, as për hënë që të ndriçojnë në të, sepse lavdia e Perëndisë e ndriçon atë, dhe llamba e tij është Qengji.
24 Dhe kombet e të shpëtuarve do të ecin në dritën e tij; dhe mbretërit e dheut do të sjellin lavdinë dhe nderin e tyre në të.
25 Dhe portat e tij nuk do të mbyllen asnjëherë gjatë ditës, sepse nuk do të ketë asnjëherë natë.
26 Edhe në të do të sjellin lavdinë dhe nderin e kombeve.
27 Edhe nuk do të hyjë asgjë e papastër dhe askush që kryen neveri e gënjeshtër, por vetëm ata që janë të shkruar në librin e jetës të Qengjit.