Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Luka 1:68-79

68 Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, sepse e ka vizituar dhe e kreu çlirimin e popullit të vet;

69 dhe na ngriti një shpëtim të pushtetshëm në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,

70 ashtu si ai e kishte deklaruar nëpërmjet gojës së profetëve të tij të shenjtë që nga kohët e lashta, që ne të shpëtojmë

71 prej armiqve tanë dhe prej dorës së gjithë atyre që na urrejnë,

72 për të treguar mëshirë tek etërit tanë e për t’u kujtuar për besëlidhjen e tij të shenjtë,

73 betimin që i bëri Abrahamit, atit tonë,

74 për të na lejuar që, pasi të çlirohemi nga duart e armiqve tanë, të mund t’i shërbejmë pa frikë,

75 në shenjtëri e në drejtësi përpara atij, të gjitha ditët e jetës sonë.

76 Dhe ti, o fëmijë i vogël, do të quhesh profet nga Shumë i Larti, sepse ti do të shkosh përpara fytyrës së Zotit për të përgatitur udhët e tij,

77 për t’i dhënë popullit të tij njohjen e shpëtimit, në faljen e mëkateve të tyre;

78 për hir të thellësisë së mëshirës së Perëndisë sonë, për të cilën agimi nga lart na ka vizituar,

79 për të ndriçuar ata që dergjeshin në errësirë dhe në hijen e vdekjes, për të udhëhequr hapat tona në udhën e paqes.”

Jeremia 22:1-17

22 Kështu thotë Zoti: "Zbrit në shtëpinë e mbretit të Judës dhe aty shqipto këto fjalë,

duke thënë: Dëgjo fjalën e Zotit, o mbret i Judës, që rri ulur mbi fronin e Davidit, ti, shërbëtorët e tu dhe populli yt, që hyni nëpër këto porta.

Kështu thotë Zoti: Veproni me ndershmëri dhe drejtësi, çlirojeni atë që e kanë vjedhur nga dora e shtypësit, mos i bini më qafë dhe mos ushtroni dhunë kundër të huajit, jetimit dhe gruas së ve dhe mos derdhni gjak të pafajmë në këtë vend.

Sepse, po t’u përmbahemi tërësisht këtyre fjalëve, atëherë mbretërit e ulur mbi fronin e Davidit do të hyjnë nëpër portat e kësaj shtëpie, të hipur mbi qerre dhe mbi kuaj, ata vetë, shërbëtorët e tyre dhe populli i tyre.

Por në rast se nuk do të dëgjoni këto fjalë, unë betohem për veten time," thotë Zoti, "që kjo shtëpi do të shkretohet".

Sepse kështu thotë Zoti për shtëpinë e mbretit të Judës: "Ti ishe për mua si Galaadi, si maja e Libanit. Por unë do të të katandis me siguri në një vend të shkretë, në një qytet pa banorë.

Po përgatis kundër teje shkatërrues, secili me armët e tij; ata do të rrëzojnë kedrat e tu më të mirë dhe do t’i hedhin në zjarr.

Shumë kombe do të kalojnë pranë këtij qyteti dhe do t’i thonë njëri tjetrit: "Pse Zoti e ka trajtuar kështu këtë qytet të madh?".

Dhe do të përgjigjen: "Sepse e kanë braktisur besëlidhjen me Zotin, Perëndinë e tyre, dhe kanë rënë përmbys para perëndive të tjera dhe u kanë shërbyer".

10 Mos qani për të vdekurin, mos mbani zi për të, por qani me hidhërim të madh për atë që niset, sepse nuk do të kthehet më dhe nuk e ka për të parë më vendin ku ka lindur.

11 Sepse kështu thotë Zoti për Shalumin, birin e Josias, mbret i Judës, që mbretëron në vend të Josias atit të tij dhe që ka dalë nga ky vend: "Ai nuk do të kthehet më,

12 por do të vdesë në vendin ku e kanë çuar në robëri dhe nuk ka për ta parë më këtë vend".

13 Mjerë ai që e ndërton shtëpinë e tij pa drejtësi dhe dhomat e saj të sipërme me paanësi, që e vë tjetrin të punojë për asgjë dhe nuk ia shpërblen punën e tij,

14 dhe thotë: "Do të ndërtoj një shtëpi të madhe me dhoma të sipërme të gjëra," dhe hap në të dritare, e vesh me dru kedri dhe e lyen me të kuq.

15 "Mendon vallë se je mbret, sepse je i rrethuar nga kedra? Ati yt nuk hante dhe pinte? Por vepronte me ndershmëri e drejtësi dhe gjithshka i shkonte mbarë.

16 Ai mbronte çështjen e të varfrit dhe të nevojtarit dhe gjithshka i shkonte mbarë. A nuk do të thotë kjo të më njohësh mua?," thotë Zoti.

17 "Por sytë e tu dhe zemra jote nuk shikojnë veçse fitimin tënd të padrejtë, të derdhin gjak të pafajmë dhe të kryejnë shtypje dhe dhunë".

1 Pjetrit 1:3-9

Qoftë bekuar Perëndia edhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, i cili me anë të mëshirës së tij të madhe na rilindi për një shpresë të gjallë me anë të ringjalljes së Jezu Krishtit prej së vdekurish,

për një trashëgim të paprishshëm, të panjollë dhe të pafishkur, që është ruajtur në qiejt për ju,

që nga fuqia e Perëndisë me anë të besimit jeni të ruajtur, për shpëtimin gati për t’u zbuluar në kohët e fundit.

Për këtë gëzohuni, ndonëse, në qoftë se duhet, për pak kohë, tani duhet të trishtoheni nga prova të ndryshme,

që prova e besimit tuaj, që është shumë më i çmuar nga ari që prishet, edhe pse provohet me zjarr, të dalë për lëvdim, nder e lavdi në zbulesën e Jezu Krishtit,

të cilin, megjithëse ju nuk e keni parë, e doni, duke besuar në të, megithëse tani nuk e shihni, dhe ngazëllohuni nga një hare e patregueshme dhe e lavdishme,

duke arritur përmbushjen e besimit tuaj, shpëtimin e shpirtrave.