Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
76 Perëndia njihet mirë në Judë, emri i tij është i madh në Izrael.
2 Tabernakulli i tij është në Salem dhe ai banon në Sion.
3 Këtu ai ka copëtuar shigjetat e zjarrta të harkut, mburojën dhe shpatën e luftës. (Sela)
4 Ti dukesh i lavdishëm dhe i fuqishëm mbi malet e presë.
5 Trimat i kanë zhveshur, i ka zënë gjumi, dhe asnjë prej atyre trimave nuk ka mundur të përdorë duart e tij.
6 Mbas qortimit tënd, o Perëndia i Jakobit, qerret dhe kuajt mbetën të shushatur.
7 Nga ti, pikërisht nga ti, duhet të kenë frikë; dhe kush mund të rezistojë para teje kur zemërohesh?
8 Ti ke bërë që të dëgjohet nga qielli vendimi yt, tokën e zuri frika dhe heshti,
9 kur Perëndia u ngrit për të gjykuar, për të çliruar tërë nevojtarët e tokës. (Sela)
10 Edhe zemërimi i njerëzve do të shndrrohet në lavdi për ty, dhe ti do të rrethohesh me vetë mbeturinat e zemërimi të tyre.
11 Bëjini zotime Zotit, Perëndisë tuaj, dhe plotësojini; tërë ata që rinë rreth tij t’i çojnë dhurata të Tmerrshmit.
12 Ai u heq frymën qeveritarëve, nga ai druhen mbretërit e tokës.
66 Kështu thotë Zoti: "Qielli është froni im dhe toka është mbështetësja e këmbëve të mia. Ku është, pra, shtëpia që mund të më ndërtoni dhe ku është vendi i çlodhjes sime?
2 Tërë këto gjëra i ka bërë dora ime dhe të gjitha kanë ardhur në ekzistencë, thotë Zoti. Mbi kë, pra, do të kthej shikimin tim? Mbi atë që është i përulur, ka frymë të penduar dhe dridhet nga fjala ime.
3 Kush flijon një ka është si të vriste një njeri, kush flijon një qengj është si t’i thyente qafën një qeni, kush paraqet një blatim ushqimor është si të ofronte gjak derri, kush djeg temjan është si të bekonte një idhull. Ashtu si këta kanë zgjedhur rrugët e tyre dhe shpirti i tyre kënaqet në veprimet e tyre të neveritshme,
4 kështu edhe unë do të zgjedh fatkeqësinë e tyre dhe do të bëj që të bjerë mbi ta ajo të cilën ata druajnë; sepse, kur thirra, askush nuk u përgjigj, kur fola, ata nuk më dëgjuan; përkundrazi bënë atë që është e keqe në sytë e mi dhe parapëlqyen atë që nuk më pëlqen mua.
5 Dëgjoni fjalën e Zotit, ju që dridheni nga fjala e tij. Vëllezërit tuaj, që ju urrejnë dhe ju dëbojnë për shkak të emrit tim, kanë thënë: "Le të tregojë Zoti lavdinë e tij me qëllim që ne të mund të shohim gëzimin tuaj". Por ata do të jenë të shushatur".
6 Një zë, një zhurmë del nga qyteti, një zë vjen nga tempulli; është zëri i Zotit që u jep hakun armiqve të tij.
7 Para se të provojë dhembjet e pjelljes, ajo ka pjellë; para se t’i vinin dhembjet, ajo lindi një mashkull.
8 Kush vallë ka dëgjuar një gjë të tillë, kush vallë ka parë gjëra si këto? A lind vallë një vend brenda një dite të vetme apo një komb vjen vallë në dritë brenda një çasti? Por Sioni, me të ndjerë dhembjet, lindi fëmijët e saj.
9 "Do të çoj vallë në çastin e lindjes pa e bërë të pjellë?," thotë Zoti. Unë që bëj të lindin a do ta mbyllja vallë barkun e nënës?,," thotë Perëndia yt.
10 Gëzohuni me Jeruzalemin dhe ngazëlloni me të, ju të gjithë që e doni. Gëzohuni me të madhe me të, ju të gjithë që mbani zi për të,
11 me qëllim që të pini qumësht dhe të ngopeni në gjirin e përdëllimeve të tij, me qëllim që të pini me bollëk dhe të kënaqeni me mbushullimin e lavdisë së tij.
12 Sepse kështu thotë Zoti: "Ja, unë do të bëj që paqja t’i arrijë si një lumë dhe pasuria e kombeve si një përrua që vërshon, dhe ju do të pini qumësht, do t’ju mbajnë në ijët e tij dhe do t’ju përkëdhelin mbi gjunjët e tij.
13 Ashtu si një nënë e gëzon fëmijën e saj, kështu unë do t’ju gëzoj dhe do të ngushëlloheni në Jeruzalem.
23 Gjithçka më lejohet, por jo gjithçka është dobishme; gjithçka më lejohet, por jo çdo gjë ndërton.
24 Askush të mos kërkojë interesin e vet, por atë të tjetrit.
25 Hani çdo gjë që shitet te kasapi, pa bërë pyetje për shkak të ndërgjegjes,
26 sepse “toka është e Zotit dhe gjithçka që ajo përmban.”
27 Dhe në qoftë se ndonjë jobesimtar ju fton dhe ju doni të shkoni, hani çdo gjë që t’u vihet përpara, pa bërë pyetje për shkak të ndërgjegjes.
28 Por në qoftë se dikush ju thotë: “Kjo është nga flijim idhujsh,” mos hani, për atë që ju paralajmëroi dhe për shkak të ndërgjegjes, sepse “toka është e Zotit dhe gjithçka që ajo përmban.”
29 Dhe them ndërgjegje, por jo tënden, por të tjetrit. Sepse përse të gjykohet liria ime nga ndërgjegja e një tjetri?
30 Në qoftë se unë marr pjesë me falenderim, pse të shahem për atë gjë, për të cilin falenderoj?
31 Pra, nëse hani, nëse pini, nëse bëni ndonjë gjë tjetër, të gjitha t’i bëni për lavdinë e Perëndisë.
32 Mos u bëni shkak skandali as për Judenj, as për Grekë, as për kishën e Perëndisë;
33 sikurse edhe unë vetë përpiqem t’u pëlqej të gjithëve në çdo gjë, nuk kërkoj përfitimin tim, por të të shumtëve, që të shpëtohen.
11 Më imitoni mua, ashtu si unë jam imitues i Krishtit.