Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 52

52 Pse mburresh me të keqen, o njeri i fuqishëm? Mirësia e Perëndisë është e përjetshme.

Gjuha jote shkakton rrënim; ajo është si një brisk i mprehur, o veprues mashtrimesh.

Ty të pëlqen e keqja ndaj së mirës, gënjeshtra më tepër se e folura drejt. (Sela)

Ty të pëlqen çdo fjalë shkatërrimi, o gjuhë hileqare.

Prandaj Perëndia do të të shkatërrojë për gjithnjë; ai do të të kapë, do të të heqë nga çadra jote dhe do të të shkulë nga toka e të gjallëve. (Sela)

Të drejtët do ta shohin, do të kenë frikë dhe do ta përqeshin atë, duke thënë:

"Ky është njeriu që nuk e kishte bërë Perëndinë kështjellë të tij; por kishte besim në bollëkun e pasurive të tij dhe bëhej i fortë nga ligësia e tij".

Por unë jam si një dru ulliri që gjelbëron në shtëpinë e Perëndisë; kam besim gjithnjë në mirësinë e Perëndisë.

Do të të kremtoj gjithnjë për sa ke bërë, dhe në prani të shenjtorëve të tu do të kem shpresë të patundur në emrin tënd, sepse ai është i mirë.

Amosi 6

Mjerë ata që jetojnë në bollëk në Sion dhe që e ndjejnë veten të sigurt në malin e Samarias, njerëz të parisë të ballit të kombeve, ku po shkon shtëpia e Izraelit.

Kaloni në Kalneh dhe shikoni, që andej shkoni në Hamathin e madh, pastaj zbrisni në Gathin e Filistejve. A janë vallë ato më të mira nga këto mbretëri ose territori i tyre është më i madh nga ai juaji?

Ju doni të largoni ditën e keqe, por e afroni selinë e dhunës.

Mjerë ata që rrinë shtrirë mbi shtretër prej fildishi, që shtrihen mbi divanet e tyre dhe hanë qengjat e kopesë dhe viçat që merren nga stalla.

Këndojnë me tingullin e harpës dhe ashtu si Davidi shpikin për vete vegla muzikore;

pinë verë në kupa të gjëra dhe lyhen me vajrat më të mira, por nuk trishtohen për shkatërrimin e Jozefit.

Prandaj do të shkojnë në robëri në krye të të internuarve dhe ata që shtrihen mbi divanet në banketet do të hiqen.

Zoti, Zoti, është betuar për veten e tij, thotë Zoti, Perëndia i ushtrive: "Unë nuk e shoh dot me sy madhështinë e Jakobit dhe i urrej pallatet e tij; prandaj do t’ia jap armikut në dorë qytetin me tërë ato që përmban".

Dhe do të ndodhë që, po të lënë dhjetë burra në një shtëpi, do të vdesin edhe ata.

10 Kur një i afërt do të vijë me atë që djeg kufomat për t’i marrë trupat dhe për t’i nxjerrë jashtë shtëpisë, do t’i thotë atij që ndodhet brenda në shtëpi: "A ka të tjerë me ty?". Tjetri do të përgjigjet: "Jo". Dhe i pari do të thotë: "Hesht, sepse nuk duhet të përmendet emri i Zotit".

11 Sepse ja, Zoti urdhëron dhe e katandis shtëpinë e madhe në bajgë dhe të voglën në copëza.

12 Vallë, a rendin kuajt mbi shkëmbinjtë ose a lërohen ata me qe? Por ju e ktheni të drejtën në helm dhe frytin e drejtësisë në hidhërim,

13 ju, që gëzoheni për Lo-debarin, ju që thoni: "A nuk e kemi marrë për vete Karnaimin me forcën tonë?".

14 "Sepse ja, o shtëpia e Izraelit," thotë Zoti, Perëndia i ushtrive, "unë do të ngre kundër jush një komb, që do t’ju shtypë nga hyrja e Hamathit deri të përroi i Arabahut".

Luka 8:4-10

Si u mblodh një turmë e madhe dhe i erdhën njerëz nga çdo qytet, Jezusi tha në shëmbëlltyrë:

“Një mbjellës doli të mbjellë farën e vet; dhe, ndërsa po mbillte, një pjesë ra gjatë rrugës, u shkel dhe zogjtë e qiellit e hëngrën.

Një pjesë tjetër ra në gurishte dhe, sapo mbiu, u tha për mungesë vlage.

Një pjesë tjetër ra ndër ferra; ferrat u rritën bashkë me të dhe ia zunë frymën.

Kurse një pjesë ra në tokë të mirë, mbiu dhe dha fryt njëqindfish.” Si i tha këto gjëra, thirri: “Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!.”

Atëherë dishepujt e vet e pyetën çfarë kuptimi kishte ajo shëmbëlltyrë.

10 Dhe ai tha: “Juve ju është dhënë të njihni misteret e mbretërisë së Perëndisë; por të tjerëve me anë të shëmbëlltyrave, që ata, duke shikuar të mos shohin dhe, duke dëgjuar të mos kuptojnë.