Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
7 Ja ç’më bëri të shoh: Zoti rrinte drejt mbi një mur të ndërtuar me plumbçe dhe me një plumbçe në dorë.
8 Zoti më tha: "Amos, çfarë shikon?". Unë iu përgjigja: "Një plumbçe". Atëherë Zoti tha: "Ja, unë po vendos një plumbçe në mes të popullit tim të Izraelit; nuk do ta fal më gjatë.
9 Vendet e larta të Isakut do të prishen dhe shenjtëroret e Izraelit do të shkatërrohen; unë do të ngrihem me shpatë kundër shtëpisë së Jeroboamit".
10 Atëherë Amatsiahu, prifti i Bethelit, i çoi fjalë Jeroboamit, mbretit të Izraelit: "Amosi komploton kundër teje në mes të shtëpisë së Izraelit; vendi nuk është në gjendje të durojë tërë fjalët e tij.
11 Në fakt Amosi ka thënë kështu: "Jeroboami do të vdesë nga shpata dhe Izraeli do të internohet me siguri larg vendit të tij"".
12 Amatsiahu i tha Amosit: "Shikues, shko, ik në vendin e Judës; atje ke për të ngrënë bukë dhe atje do të profetizosh;
13 por mos profetizo më në Bethel, sepse është shenjtërorja e mbretit dhe selia mbretërore".
14 Atëherë Amosi u përgjigj dhe i tha Amatsiahut: "Unë nuk isha profet as bir profeti, por isha bari dhe rrisja fiq egjipti.
15 Zoti më mori pas kopesë dhe Zoti më tha: "Shko, profetizoi popullit tim të Izraelit".
16 Prandaj tani dëgjo fjalën e Zotit: Ti po thua: "Mos profetizo kundër Izraelit dhe mos fol më kundër shtëpisë së Isakut".
17 Prandaj kështu flet Zoti: "Gruaja jote do të kurvërohet në qytet, bijtë dhe bijat e tu do të vriten nga shpata dhe vendi yt do të ndahet me litar; ti do të vdesësh në tokë të papastër dhe Izraeli patjetër do të internohet larg vendit të tij"".
82 Perëndia rri në kuvendin e Perëndisë, ai gjykon në mes të perëndive.
2 Deri kur do të gjykoni padrejtësisht dhe do të mbani anët e të pabesëve? (Sela)
3 Mbroni të dobëtin dhe jetimin, sigurojini drejtësi të vuajturit dhe të varfërit.
4 Çlironi të mjerin dhe nevojtarin; shpëtojeni nga dora e të pabesit.
5 Ata nuk dinë asgjë dhe nuk kuptojnë asgjë, dhe ecin në terr; të gjitha themelet e tokës po luajnë.
6 Unë kam thënë: "Ju jeni perëndi, jeni të gjithë bijtë e Shumë të Lartit.
7 Megjithatë ju do të vdisni si njerëzit e tjerë dhe do të bini si çdo i fuqishëm tjetër".
8 Çohu, o Perëndi, gjyko tokën, sepse ti do të trashëgosh tërë kombet.
1 Pali, apostulli i Jezu Krishtit me anë të vullnetit të Perëndisë, dhe vëllai Timote,
2 shenjtorëve dhe vëllezërve besimtarë në Krishtin, që janë në Kolos: hir dhe paqe mbi ju nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht.
3 E falenderojmë Perëndinë dhe Atin e Zotit tonë Jezu Krisht, duke u lutur vazhdimisht për ju,
4 sepse morëm vesh për besimin tuaj në Jezu Krishtin dhe për dashurinë tuaj ndaj gjithë shenjtorëve,
5 për shkak të shpresës që ruhet për ju në qiejt, për të cilën keni dëgjuar në fjalët e së vërtetës së ungjillit,
6 që arriti te ju, sikurse edhe në gjithë botën, dhe po jep fryt e rritet, sikurse edhe ndër ju, nga dita që dëgjuat dhe njohët hirin e Perëndisë në të vërtetë,
7 sikurse edhe e mësuat nga Epafrai, shoku ynë i dashur në shërbesë, i cili është një shërbëtor besnik i Krishtit për ju,
8 dhe që na ka treguar dashurinë tuaj të madhe në Frymën.
9 Prandaj edhe ne, nga dita që e dëgjuam këtë, nuk pushojmë të lutemi për ju dhe të kërkojmë që të mbusheni me njohjen e vullnetit të tij me çdo urtësi dhe mënçuri frymërore,
10 që të ecni në mënyrë të denjë për Zotin, që t’i pëlqeni atij në çdo gjë, duke sjellë fryt në çdo vepër të mirë dhe duke u rritur në njohjen e Perëndisë,
11 duke u forcuar me çdo fuqi, pas pushtetit të lavdisë së tij, për çdo ngulm e durim, me gëzim,
12 duke e falënderuar Perëndinë At, që na bëri të denjë të kemi pjesë trashëgimin e shenjtorëve në dritë.
13 Ai na nxori nga pushteti i errësirës dhe na çoi në mbretërinë e Birit të tij të dashur,
14 në të cilën ne kemi shpengimin me anë të gjakut të tij dhe faljen e mëkateve.
25 Atëherë ja, një doktor i ligjit u ngrit që ta vinte në provë dhe i tha: “Mësues, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme?.”
26 Dhe ai tha: “Çfarë është shkruar në ligj? Si e lexon?.”
27 Ai duke u përgjigjur tha: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë forcën tënde dhe me gjithë mendjen tënde, edhe të afërmin tënd porsi vetveten.”
28 Jezusi i tha: “U përgjigje drejti; vepro kështu dhe do të rrosh.”
29 Por ai, duke dashur të justifikonte veten, i tha Jezusit: “Po kush është i afërmi im?.”
30 Atëherë Jezusi u përgjigj dhe tha: “Një burr zbriste nga Jeruzalemi për në Jeriko dhe ra në duart e kusarëve, të cilët, mbasi e zhveshën dhe e bënë gjithë plagë, u larguan dhe e lanë gati të vdekur.
31 Rastësisht një prift po zbriste nëpër të njëjtën rrugë dhe, mbasi e pa atë burrë, vazhdoi tutje, në anën tjetër.
32 Po ashtu edhe një levit, kur arriti aty, erdhi dhe e pa dhe vazhdoi tutje, në anën tjetër.
33 Por një Samaritan, që po udhëtonte, i kaloi afër, e pa dhe kishte dhembshuri.
34 Dhe mbasi iu afrua, ia lidhi plagët duke ia larë me vaj dhe me verë; pastaj e vuri mbi kafshën e vet, e çoi në një han dhe u kujdesua për të.
35 Dhe të nesërmen, para se të niset, nxori dy denarë dhe ia dha hanxhiut duke i thënë: "Kujdesu për të dhe ç’të shpenzosh më shumë, do të të jap kur të kthehem".
36 Cili nga këta të tre, pra, të duket se qe i afërmi i atij që ra në duart e kusarëve?.”
37 Dhe ai tha: “Ai që u tregua i mëshirshëm ndaj tij.” Atëherë Jezusi i tha: “Shko dhe bëj kështu edhe ti.”