Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 52

52 Pse mburresh me të keqen, o njeri i fuqishëm? Mirësia e Perëndisë është e përjetshme.

Gjuha jote shkakton rrënim; ajo është si një brisk i mprehur, o veprues mashtrimesh.

Ty të pëlqen e keqja ndaj së mirës, gënjeshtra më tepër se e folura drejt. (Sela)

Ty të pëlqen çdo fjalë shkatërrimi, o gjuhë hileqare.

Prandaj Perëndia do të të shkatërrojë për gjithnjë; ai do të të kapë, do të të heqë nga çadra jote dhe do të të shkulë nga toka e të gjallëve. (Sela)

Të drejtët do ta shohin, do të kenë frikë dhe do ta përqeshin atë, duke thënë:

"Ky është njeriu që nuk e kishte bërë Perëndinë kështjellë të tij; por kishte besim në bollëkun e pasurive të tij dhe bëhej i fortë nga ligësia e tij".

Por unë jam si një dru ulliri që gjelbëron në shtëpinë e Perëndisë; kam besim gjithnjë në mirësinë e Perëndisë.

Do të të kremtoj gjithnjë për sa ke bërë, dhe në prani të shenjtorëve të tu do të kem shpresë të patundur në emrin tënd, sepse ai është i mirë.

Amosi 5:18-27

18 Mjerë ju që dëshironi ditën e Zotit! Çfarë do të jetë vallë për ju dita e Zotit? Do të jetë një ditë terri dhe jo drite.

19 Do të jetë ashtu si dikush që fugon para një luani dhe ndesh një ujk; ose hyn në shtëpi, e mbështet dorën mbi mur dhe një gjarpër e kafshon.

20 Dita e Zotit a nuk është vallë terr dhe jo dritë, errësirë e madhe dhe pa asnjë shkëlqim?

21 Unë i urrej, i përçmoj festat tuaja, nuk ndiej asnjë gëzim në mbledhjet tuaja solemne.

22 Edhe sikur të më ofroni olokaustet tuaja dhe blatimet tuaja ushqimore, unë nuk do t’i pëlqej as do të shikoj me favor flijimet e falendërimit të kafshëve të majme.

23 Largo nga unë zhurmën e këngëve të tua, sepse nuk dua të dëgjoj muzikën e harpave të tua.

24 Por le të rrjedhë e drejta si uji dhe drejtësia si një burim i përhershëm uji.

25 O shtëpi e Izraelit, më keni ofruar vallë flijime dhe blatime ushqimore në shkretëtrë për dyzet vjet me radhë?

26 Ju keni mbartur gjithashtu Sikuthin, mbretin tuaj, dhe Kiunin, figurat tuaja, yllin e perëndive tuaja, që i keni bërë vetë.

27 Prandaj unë do të bëj që të shkoni në robëri matanë Damaskut," thotë Zoti, emri i të cilit është Perëndia i ushtrive.

Efesianëve 3:14-21

14 Për këtë arsye unë po i ul gjunjët e mi përpara Atit të Zotit tonë Jezu Krisht,

15 nga i cili merr emër çdo familje në qiejt dhe mbi tokë,

16 që t’ju japë, sipas pasurisë së lavdisë së vet, të forcoheni me fuqi nëpërmjet Frymës të tij në njeriun e përbrendshëm,

17 që Krishti të banojë në zemrat tuaja me anë të besimit,

18 që, të rrënjosur dhe të themeluar në dashuri, të mund të kuptoni me të gjithë shenjtorët cila është gjërësia, gjatësia, thellësia dhe lartësia,

19 dhe ta njihni dashurinë e Krishtit që tejkalon çdo njohuri, që të mbusheni me tërë plotësinë e Perëndisë.

20 Tani atij që, sipas fuqisë që vepron në ne, mund të bëjë jashtë mase më tepër nga sa kërkojmë ose mendojmë,

21 atij i qoftë lavdia në kishën në Krishtin Jezus për të gjitha brezat, në jetë të jetëve. Amen.