Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
75 Ne të lëvdojmë, o Perëndi, ne të lëvdojmë, sepse emri yt na është i afërt; njeriu tregon mrekullitë e tua.
2 Kur do të vijë koha e caktuar, unë do të gjykoj me drejtësi.
3 Toka dhe tërë banorët e saj shkrihen, por unë i bëj të qëndrueshme shtyllat e saj. (Sela)
4 U kam thënë fodullëve: "Mos u mburrni!," dhe të pabesëve: "Mos u bëni hundëpërpjetë!
5 Mos e ngrini lart kokën, mos flisni me qafë të fortë".
6 Sepse lëvdimi nuk vjen as nga lindja, as nga perëndimi, as edhe nga shkretëtira.
7 Sepse Perëndia është ai që gjykon; ai ul njerin dhe ngre tjetrin.
8 Sepse Zoti ka në dorë një kupë vere që shkumon dhe plot me erëza, që ai e zbraz. Me siguri tërë të pabesët e dheut do ta kullojnë dhe do të pinë deri llumin.
9 Por unë do të shpall përjetë dhe do t’i këndoj lavde Perëndisë të Jakobit.
10 Dhe do të dërrmoj tërë fuqinë e të pabesëve, por fuqia e të drejtëve do të përlëvdohet.
4 Një grua, bashkëshortja e një dishepulli të profetëve, i thirri Eliseut duke i thënë: "Shërbëtori yt, burri im, vdiq, dhe ti e di që shërbëtori yt kishte frikë nga Zoti; tani huadhënësi ka ardhur për të marrë dy bijtë e mi, për t’i bërë skllevër të tij".
2 Eliseu i tha: "Ç’duhet të bëj për ty? Më thuaj, çfarë ke në shtëpi?". Ajo u përgjigj: Shërbëtorja jote nuk ka asgjë në shtëpi përveç një ene të vogël me vaj".
3 Atëherë ai i tha: "Shko dhe kërko hua nga gjithë fqinjët e tu disa enë boshe; dhe mos u kërko pak.
4 Kur të kthehesh, mbyll portën prapa teje dhe bijve të tu, pastaj derdh vajin në tërë enët, duke vënë mënjanë ato që do të mbushen".
5 Ajo u largua prej tij dhe mbylli portën pas vetes dhe të bijve; këta i sillnin enët dhe ajo derdhte vajin në to.
6 Kur enët u mbushën, ajo i tha të birit: "Sillmë edhe një enë". Por ai iu përgjigj: "Nuk ka më enë". Dhe vaji u ndal.
7 Atëherë ajo shkoi t’ia njoftojë ngjarjen njeriut të Perëndisë, që i tha: Shko të shesësh vajin dhe paguaj borxhin tënd; me atë që do teprojë, ke përr të jetuar ti dhe bijtë e tu".
16 Ja, unë po ju dërgoj si dele në mes të ujqërve; jini, pra, të mënçur si gjarpërinjtë dhe të pastër si pëllumbat.
17 Por ruhuni nga njerëzit, sepse do t’ju zvarrisin përpara sinedrave të tyre dhe do t’ju fshikullojnë në sinagogat e tyre.
18 Dhe do t’ju çojnë përpara guvernatorëve dhe përpara mbretërve për shkakun tim, për të dëshmuar para tyre dhe para johebrenjve.
19 Dhe, kur t’ju dorëzojnë në duart e tyre, mos u shqetësoni se çfarë dhe si do të flisni; sepse në atë çast do t’ju jepet se çfarë duhet të thoni;
20 sepse nuk do të jeni ju që do të flisni, por Fryma e Atit tuaj që do të flasë në ju.
21 Tani vëllai do të dorëzojë vëllanë në vdekje dhe ati të birin; dhe bijtë do të çohen kundër prindërve dhe do t’i vrasin.
22 Dhe të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim; por ai që do të qëndrojë deri në fund, do të shpëtojë.
23 Por kur do t’ju përndjekin në një qytet, ikni në një tjetër, sepse në të vërtetë ju them se nuk do të përfundoni së përshkuari qytetet e Izraelit, para se të vijë Biri i njeriut.
24 Dishepulli nuk del mbi mësuesin, as shërbëtori mbi zotin e tij.
25 I mjafton dishepullit të bëhet si mësuesi i tij dhe shërbëtorit të bëhet si zotëria e tij. Në se të zotin e shtëpisë e quajtën Beelzebub, aq më tepër do t’i quajnë ashtu ata të shtëpisë së tij!