Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
1 i Mbretërve 21:1-10

21 Mbas këtyre ngjarjeve, ndodhi që Nabothi i Jezreelit kishte një vresht në Jezreel, afër pallatit të Ashabit, mbretit të Samarisë.

Kështu Ashabi i foli Nabothit dhe i tha: "Më jep vreshtin që ta bëj kopsht perimesh, sepse ndodhet afër shtëpisë sime. Në këmbim do të jap një vresht më të mirë ose, po të të pëlqejë më tepër, barasvlerën në të holla".

Por Nabothi iu përgjigj Ashabit: "Të më ruajë Zoti të të lë trashëgiminë e etërve të mi!".

Prandaj Ashabi u kthye në shtëpi i trishtuar dhe i zemëruar për përgjigjen që Nabothi i Jezreelit i kishte dhënë: "Nuk do të jap trashëgiminë e etërve të mi!". Ra mbi shtratin e tij, ktheu kokën mënjanë dhe nuk deshi të hante.

Atëherë Jezebeli, bashkëshortja e tij, iu afrua dhe i tha: "Pse e ke frymën kaq të trishtuar dhe nuk ha?".

Ai iu përgjigj: "Sepse fola me Nabothin e Jezreelit dhe i thashë: "Më jep me para vreshtin tënd ose, po të të pëlqejë më shumë, të të jap një vresht tjetër si këmbim". Por ai m’u përgjigj: "Nuk do të të jap vreshtin tim!"".

Atëherë gruaja e tij Jezebel i tha: "A nuk je ti që mbretëron tani mbi Izrael? Çohu, ha dhe zemra jote të gëzohet; vreshtin e Nabothit në Jezreel do të ta jap unë".

Kështu ajo shkroi disa letra në emër të Ashabit, i vulosi me vulën e këtij dhe ua dërgoi pleqve dhe parisë që banonin në po atë qytet me Nabothin.

Në letrat ajo shkruante kështu: "Shpallni agjërimin dhe e ulni Nabothin në rreshtin e parë përpara popullit;

10 i vini përballë dy njerëez të poshtër që të deponojnë kundër tij, duke thënë: "Ti ke blasfemuar Perëndinë dhe mbretin"; pastaj çojeni jashtë, goditeni me gurë dhe kështu të vdesë".

1 i Mbretërve 21:11-14

11 Njerëzit e qytetit të Nabothit, pleqtë dhe paria që banonin në qytetin e tij vepruan ashtu si Jezebeli kishte dërguar t’u thoshte, siç ishte shkruar në letrat që u kishte drejtuar.

12 Shpallën agjerimin dhe e ulën Nabothin përpara popullit.

13 Pastaj erdhën dy njerëz të poshtër që u ulën përballë tij; dhe këta dy të poshtër deponuan kundër Nabothit përpara popullit, duke thënë: "Nabothi ka mallkuar Perëndinë dhe mbretin". Pastaj e çuan jashtë qytetit dhe e vranë me gurë; kështu ai vdiq.

14 Pas kësaj i çuan fjalë Jezebelit: "Nabothi u vra me gurë dhe vdiq".

1 i Mbretërve 21:15-21

15 Kur Jezebeli mësoi që Nabothi ishte vrarë me gurë dhe kishte vdekur, i tha Ashabit: "Çohu dhe shtjere në dorë vreshtin e Nabothit në Jezreel, që ai nuk pranoi të të japë me para, sepse Nabothi nuk jeton më, por ka vdekur".

16 Me të dëgjuar Ashabi që Nabothi kishte vdekur, u ngrit dhe u nis për të shtënë në dorë vreshtin e Nabothit në Jezreel.

17 Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Elias, Tishbitit, me këto fjalë, duke i thënë:

18 "Çohu dhe dil para Ashabit, mbretit të Izraelit, që banon në Samari; Ja, ai është në vreshtin e Nabothit, ku ka shkuar për ta shtënë në dorë.

19 Do t’i flasësh kështu: Kështu thotë Zoti: "Në fillim vrave një njeri dhe pastaj i rrëmbeve pronën". Pastaj t’i thuash: Kështu thotë Zoti: "Po në atë vend ku qentë kanë lëpirë gjakun e Nabothit, ata kanë për të lëpirë edhe gjakun tënd"".

20 Ashabi i tha Elias: "Më gjete pra, o armiku im?". Elia u përgjigj: "Po, të gjeta, sepse je shitur për të bërë atë që është e keqe në sytë e Zotit.

21 Ja, unë do të sjell mbi ty fatkeqësinë, do t’i zhduk tërë pasardhësit e tu dhe do të shfaros nga shtëpia e Ashabit çdo mashkull, skllav apo i lirë në Izrael.

Psalmet 5:1-8

Vëru veshin fjalëve të mia, o Zot; dëgjo me vëmendje ankimin tim.

Dëgjo zërin e britmës sime, o mbreti im dhe Perëndia im, sepse ty të drejtoj lutjen time.

O Zot, ti në mëngjes dëgjon zërin tim; në mëngjes do ta lartoj drejt teje lutjen time dhe do të pres,

sepse ti nuk je një Perëndi që kënaqet në pabesinë; te ti nuk mund të zërë vend e keqja.

Ata që lëvdojnë vetveten, nuk do të mund të qëndrojnë para syve të tua; ti i urren të gjithë ata që kryejnë padrejtësi.

Ti do të zhdukësh gjithë ata që thonë gënjeshtra; Zoti urren njerëzit gjakatarë dhe mashtrues.

Por unë, për shkak të mirësisë sate të madhe, do të hyj në shtëpinë tënde dhe do të adhuroj me frikë të madhe, duke u drejtuar në tempullin tënd të shenjtë.

O Zot, më udhëhiq për drejtësinë tënde, për shkak të armiqve të mi; bëje të drejtë para meje rrugën tënde,

Galatasve 2:15-21

15 Ne, që jemi Judenj nga lindja dhe jo mëkatarë në mes johebrenjsh,

16 duke ditur se njeriu nuk shfajësohet me anë të veprave të ligjit, por me anë të besimit në Jezu Krishtin, besuam edhe ne në Jezu Krishtin, që të shfajësoheshim me anë të besimit në Krishtin dhe jo me anë të veprave të ligjit, sepse asnjë mish nuk do të shfajësohet me anë të veprave të ligjit.

17 Dhe, në qoftë se duke kërkuar të shfajësohemi në Krishtin, u gjetëm edhe ne mëkatarë, mos vallë Krishti qënka shërbenjës i mëkatit. Kurrsesi jo!

18 Sepse, në qoftë se unë ndërtoj përsëri ato gjërat që prisha, unë bëhem vetë shkelës,

19 sepse përmes ligjit, vdiqa për ligjin, që unë të rroj për Perëndinë.

20 Unë u kryqëzova bashkë me Krishtin dhe nuk rroj më unë, po Krishti rron në mua; dhe ajo jetë që tani jetoj në mish, e jetoj në besimin e Birit të Perëndisë, që më deshi dhe dha veten për mua.

21 Unë nuk e hedh poshtë hirin e Perëndisë sepse, në qoftë se drejtësia vjen me anë të ligjit, atëherë Krishti ka vdekur më kot.

Luka 7:36-8:3

36 Një nga farisenjtë e ftoi atë të hajë bashkë me të; dhe ai hyri në shtëpinë e fariseut dhe u ul në tryezë.

37 Dhe ja, një grua nga ai qytet, që ishte një mëkatare, kur mori vesh se ai ishte në tryezën e shtëpisë së një fariseu, solli një enë alabastri plot me vaj erëkëndshëm.

38 Dhe, duke qëndruar prapa te këmbët e tij dhe duke qarë, filloi t’ia lajë me lot këmbët dhe t’ia fshijë me flokët e kokës së saj; dhe t’ia puthte e t’ia vajoste me vaj erëkëndshëm.

39 Kur e pa këtë gjë, fariseu që e kishte ftuar, tha me vete: “Nëse ky do të ishte një profet, do ta dinte çfarë lloj njeriu është gruaja që po e prek, sepse ajo është një mëkatare.

40 Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, i tha: “Simon, kam diçka për të të thënë.” Dhe ai tha: “Fol, Mësues.”

41 Dhe Jezusi i tha: “Një huadhënës kishte dy huamarrës; njëri i kishte borxh pesëqind denarë dhe tjetri pesëdhjetë.

42 Meqë ata nuk kishin të paguanin, ai ua fali borxhin të dyve. Sipas teje, cili nga ata do ta dojë më shumë?.”

43 Dhe Simoni, duke u përgjigjur, tha: “Ma do mendja, ai, të cilit i fali më shumë.” Dhe Jezusi i tha: “Gjykove drejt.”

44 Pastaj, si u suall nga gruaja, i tha Simonit: “A e sheh këtë grua? Unë hyra në shtëpinë tënde dhe ti nuk më dhe ujë për të larë këmbët; ajo, përkundrazi, m’i lau këmbët me lot dhe m’i fshiu me flokët e kresë.

45 Ti nuk më dhe as edhe një puthje; por ajo, qysh se hyra, nuk pushoi së puthuri këmbët e mia.

46 Ti nuk ma vajose kokën me vaj; kurse ajo m’i vajosi këmbët me vaj erëkëndshëm.

47 Prandaj unë po të them se mëkatet e saj të shumta i janë falur, sepse ka dashur shumë; por kujt i falen pak, do pak.”

48 Pastaj i tha asaj: “Mëkatet e tua të janë falur.”

49 Atëherë ata që ishin në tryezë bashkë me të filluan të thonin me vete: “Po kush qenka ky që po falka edhe mëkatet?.”

50 Por Jezusi i tha asaj gruaje: “Besimi yt të shpëtoi; shko në paqe!.”

Dhe pas kësaj ndodhi që ai shkonte nëpër qytete dhe nëpër fshatra, duke predikuar dhe duke shpallur lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë; me të ishin të dymbëdhjetët,

dhe disa gra, të cilat i kishte shëruar nga shpirtërat e këqij dhe nga sëmundjet: Maria, e quajtur Magdalenë, prej së cilët pati dëbuar shtatë demonë,

Joana, gruaja e Kuzës, administratorit të Herodit, Suzana dhe shumë të tjera të cilat e ndihmonin atë me pasuritë e tyre.