Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
83 O Perëndi, mos rri në heshtje! Mos mbyll gojën, mos rri i qetë, o Perëndi!
2 Sepse, ja, armiqtë e tu po ziejnë dhe ata që të urrejnë ngrenë kokën.
3 Thurrin gracka kundër popullit tënd dhe bëjnë komplote kundër atyre që ti mbron.
4 Ata thonë: "Ejani t’i shkatërrojmë si komb, emri i Izraelit të mos kujtohet më".
5 Sepse kanë komplotuar së bashku me një mendje dhe kanë lidhur një besëlidhje kundër teje.
6 Çadrat e Edomit dhe Ismaelitët, Moabi dhe Hagarenët,
7 Gebali, Amoni dhe Amaleku, Filistia me banorët e Tiros;
8 dhe Asiria është bashkuar me ta për të ndihmuar bijtë e Lotit. (Sela)
9 Vepro me ta ashtu si bëre me Madianin, me Siseran dhe me Jabinin pranë përroit të Kishonit,
10 të cilët u shkatërruan në Endor dhe u bënë si pleh për tokën.
11 Bëj që krerët e tyre të jenë si Orebi dhe Zeebi, dhe tërë princat e tyre si Zebahu dhe Tsalmuna,
12 sepse ata thanë: "Të shtiem në dorë kullotat e Perëndisë".
13 O Perëndia im, bëji njëlloj si pluhuri i vorbullës, si kashta në mëshirë të erës.
14 Ashtu si zjarri djeg pyllin dhe flaka gllabëron malet,
15 kështu ndiqi me furtunën tënde dhe trëmbi me uraganin tënd.
16 Mbulo fytyrat e tyre me turp, me qëllim që të kërkojnë emrin tënd, o Zot.
17 U turpërofshin dhe u tmerrofshin përjetë, u ngatërrofshin dhe vdekshin;
18 dhe ta dijnë se ti vetëm, që quhesh Zoti, je Shumë i Larti mbi gjithë dheun.
31 Edhe Galaaditi Barzilaj zbriti nga Rogelimi dhe kaloi Jordanin bashkë me mbretin, për ta shoqëruar matanë Jordanit.
32 Barzilaj ishte shumë i vjetër, tetëdhjetë vjeç; ai e kishte furnizuar me ushqime mbretin kur ky ndodhej në Mahanaim, sepse ishte shumë i pasur.
33 Mbreti i tha Barzialit: "Eja me mua matanë lumit dhe unë do të kujdesem për ushqimin tënd pranë meje në Jeruzalem".
34 Por Barzilaj iu përgjigj mbretit: "Sa vjet jetë më kanë mbetur akoma që unë të shkoj me mbretin në Jeruzalem?
35 Tani unë jam tetëdhjetë vjeç; a mund të dalloj akoma atë që është e mirë nga ajo që është e keqe? A mund ta shijojë akoma shërbëtori yt atë që ha o atë që pi? A mund të dëgjojë unë akoma zërin e këngëtarëve dhe të këngëtareve. Pse shërbëtori yt duhet t’i bëhet barrë mbretit, zotërisë tim?
36 Shërbëtori yt do të shkojë me mbretin matanë Jordanit për një copë rrugë; po pse mbreti duhet të ma lajë me një shpërblim të tillë?
37 Por lëre shërbëtorin tënd të kthehet prapa dhe që unë të mund të vdes në qytetin tim pranë varrit të atit tim dhe të nënës sime! Por ja shërbëtori yt Kimham; le të vijë ai me mbretin, zotërinë tim, dhe bëj për të atë që do të të pëlqej".
38 Mbreti u përgjigj: "Kimhami do të vijë me mua dhe unë do të bëj për të atë që do të të pëlqejë ty; po, unë do të bëj për ty të gjitha ato që më kërkon".
39 Kështu tërë populli kaloi Jordanin dhe e kaloi edhe mbreti. Pastaj mbreti e puthi Barzilain dhe e bekoi, dhe ai u kthye në shtëpinë e vet.
40 Mbreti vazhdoi rrugën në drejtim të Gilgalit, i shoqëruar nga Kimhami. Tërë populli i Judës e përcolli mbretin dhe kështu bëri edhe gjysma e popullit të Izraelit.
41 Atëherë tërë Izraelitët erdhën te mbreti dhe i thanë: "Pse vëllezërit tanë, njerëzit e Judës, të kanë marrë fshehurazi dhe kanë bërë të kalojnë Jordanin mbreti, familja e tij dhe të gjithë njerëzit e Davidit?".
42 Tërë njerëzit e Judës iu përgjigjën njerëzve të Izraelit: "Sepse mbreti është fisi ynë i afërt. Pse zemëroheni për këtë? Mos kemi ngrënë, vallë me shpenzimet e mbretit, ose na ka dhënë ndonjëherë dhurata?".
43 Por njerëzit e Izraelit iu përgjigjën njerëzve të Judës, duke thënë: Ne na takojnë dhjetë pjesë të mbretit, prandaj Davidi është më tepër yni see sa juaji; për çfarë arësye na keni përçmuar? Nuk kemi qenë ne të parët që propozuam kthimin e mbretit tonë?". Por fjala e njerëzve të Judës ishte më e ashpër se ajo e njerëzve të Izraelit.
10 Dhe të gjithë ata që themelohen mbi veprat e ligjit janë nën mallkim, sepse është shkruar: “I mallkuar është kushdo që nuk qëndron në të gjitha ato që shkruhen në librin e ligjit për t’i praktikuar.”
11 Sepse me anë të ligjit askush nuk shfajësohet përpara Perëndisë, sepse: “I drejti do të rrojë me anë të besimit.”
12 Dhe ligji nuk është nga besimi, por “njeriu që do t’i bëjë ato, do të rrojë me anë të tyre.”
13 Krishti na shpengoi nga mallkimi i ligjit, sepse u bë mallkim për ne (duke qenë se është shkruar: “I mallkuar është kushdo që varet në dru”),
14 që bekimi i Abrahamit t’u vijë johebrenjve me anë të Jezu Krishtit, që ne të marrim premtimin e Frymës me anë të besimit.