Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
61 O Perëndi, dëgjo britmën time; dëgjo me vëmendje lutjen time.
2 Nga skaji i tokës unë të bërtas ty, ndërsa zemra ime po shkrihet; më ço në shkëmbin që është më i lartë se unë,
3 sepse ti ke qenë një strehë për mua dhe një kështjellë e fortifikuar para armikut.
4 Unë do të banoj në çadrën tënde për gjithnjë, do të kërkoj strehë në hijen e krahëve të tu. (Sela)
5 Sepse ti, o Perëndi, ke plotësuar kërkesat e mia, më ke dhënë trashëgiminë e atyre që kanë frikë nga emri yt.
6 Ti do t’i shtosh ditë të tjera jetës së mbretit; vitet e tij vazhdofshin për shumë breza.
7 Ai do të qëndrojë për gjithnjë në prani të Perëndisë; jepi urdhër mirësisë dhe së vërtetës ta ruajnë.
8 Kështu do t’i këndoj përjetë lavde emrit tënd dhe do t’i plotësoj zotimet e mia ditë për ditë.
9 Davidi tha: "A ka mbetur akoma ndonjë nga shtëpia e Saulit, ndaj të cilit mund të sillem mirë për hir të Jonathanit?".
2 Kishte një shërbëtor në shtëpinë e Saulit, që quhej Tsiba, dhe atë e çuan te Davidi. Mbreti i tha: "Ti je Tsiba?". Ai u përgjigj: "Jam shërbëtori yt".
3 Pastaj mbreti pyeti: "A ka njeri tjetër të shtëpisë së Saulit, të cilit mund t’i kushtoj mirësinë e Perëndisë?". Tsiba iu përgjigj mbretit: "Éshtë akoma një djalë i Jonatanit, që është sakat nga këmbët".
4 Mbreti i tha: "Ku është?". Tsiba iu përgjigj mbretit: "Éshtë në shtëpinë e Makirit, birit të Amielit, në Lodebar".
5 Atëherë mbreti David dërgoi ta marrë nga shtëpia e Makirit, birit të Amielit, në Lodebar.
6 Kështu Mefiboshethi, bir i Jonatanit, bir i Saulit erdhi te Davidi, ra përmbys me fytyrën për tokë. Davidi i tha: "Mefibosheth!". Ai u përgjigj: ja shërbëtori yt!!".
7 Davidi i tha: "Mos ki frikë, sepse kam ndër mend të sillem mirë me ty për dashurinë që kisha për Jonatanin, atin tënd; do të të kthej tërë tokat e Saulit, të parit tënd, dhe ti do të hash gjithnjë në tryezën time".
8 Mefiboshethi ra përmbys dhe tha: "Ç’është shërbëtori yt, që ti të përfillësh një qen të ngordhur si unë?".
9 Atëherë mbreti thirri Tsiban, shërbëtorin e Saulit, dhe i tha: "Tërë ato që i përkisnin Saulit dhe tërë shtëpisë së tij, po ia jap birit të zotërisë tënd.
10 Kështu, pra, bashkë me bijtë dhe shërbëtorët e tu, do të punosh tokën për të dhe do të mbledhësh prodhimet e saj, me qëllim që i biri i zotërisë tënd të ketë bukë për të ngrënë; por Mefiboshethi, bir i zotërisë tënd do të hajë gjithnjë në tryezën time". Tsiba kishte pesëmbëdhjetë bij dhe njëzet shërbëtorë.
11 Tsiba i tha mbretit: "Shërbëtori yt do të bëjë të gjitha ato që mbreti, zotëria im, i urdhëron shërbëtorit të tij". Kështu Mefiboshethi hante në tryezën e Davidit si një nga bijtë e mbretit.
12 Mefiboshethi kishte një djalë të vogël që quhej Mika; dhe tërë ata që rrinin në shtëpinë e Tsibas ishin shërbëtorë të Mefiboshethit.
13 Mefiboshethi banonte në Jeruzalem, sepse hante gjithnjë në tryezën e mbretit. Ishte sakat nga të dy këmbët.
15 Pastaj të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët i afroheshin për ta dëgjuar.
2 Dhe farisenjtë dhe skribët murmuritnin duke thënë: “Ky i pranon mëkatarët dhe ha bashkë me ta.”
3 Atëherë ai u tha këtë shëmbëlltyrë:
4 “Cili njeri prej jush, që ka njëqind dele dhe një prej tyre t’i humbasë, nuk i lë të nëntëdhjetë e nëntat në shkretirë dhe nuk shkon pas asaj që humbi deri sa ta gjejë?
5 Dhe, kur e gjen, e merr mbi supe gjithë gaz;
6 dhe, kur arrin në shtëpi, i thërret miqtë dhe fqinjët dhe u thotë: Gëzohuni bashkë me mua, sepse e gjeta delen time që më kishte humbur..
7 Dhe unë po ju them se po kështu në qiell do të ketë më shumë gëzim për një mëkatar të vetëm që pendohet, sesa për nëntëdhjetë e nëntë të drejtët, që nuk kanë nevojë të pendohen.