Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
2 i Samuelit 5:1-5

Atëherë tërë fiset e Izraelit erdhën te Davidi në Hebron dhe i thanë: "Ne jemi kocka dhe mishi yt.

Edhe në të kaluarën, kur Sauli mbretëronte mbi ne, ishe ti që udhëhiqje dhe e çoje në rrugë të drejtë Izraelin. Zoti të ka thënë: "Ti do të ushqesh popullin tim, Izraelin, ti do të jesh princ që do të sundojë mbi Izraelin"".

Kështu tërë pleqtë e Izraelit erdhën te mbreti në Hebron dhe mbreti David lidhi një aleancë me ta në Hebron para Zotit, dhe ata e vajosën Davidin mbret të Izraelit.

Davidi ishte tridhjetë vjeç kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi dyzet vjet.

Në Hebron mbretëroi shtatë vjet e gjashtë muaj mbi Judën; dhe në Jeruzalem mbretëroi tridhjetë e tre vjet mbi gjithë Izraelin dhe Judën.

2 i Samuelit 5:9-10

Kështu Davidi u vendos në qytetin e fortifikuar dhe e quajti Qyteti i Davidit. Pastaj Davidi filloi të ndërtojë rreth e qark duke nisur nga Milo dhe në drejtim të pjesës së brëndshme.

10 Davidi bëhej gjithnjë më i madh Dhezoti, Perëndia i ushtrive, ishte me të.

Psalmet 48

48 I madh është Zoti dhe meriton të lëvdohet në kulm në qytetin e Perëndisë tonë, në malin e tij të shenjtë.

I bukur për nga lartësia e tij, gëzimi i gjithë dheut është mali i Sionit, nga ana e veriut, qyteti i Mbretit të madh.

Në pallatet e tij Perëndia u bë i njohur si një kala e papushtueshme.

Ja, mbretërit ishin mbledhur dhe shikonin përpara bashkarisht,

por sa e panë, mbetën të shushatur dhe ikën të tmerruar.

Atje i zunë drithmat dhe si të prerat e lindjes,

në të njëjtën mënyrë si era e lindjes që i bën copë-copë anijet e Tarshishit.

Siç e kishim dëgjuar, ashtu pamë në qytetin e Zotit disa ushtri, në qytetin e Perëndisë tonë; Perëndia do ta bëjë të qëndrueshëm përjetë.

Në tempullin tënd, o Perëndi, ne kemi rënë në mendime mbi mirësinë tënde.

10 Ashtu si emri yt, o Perëndi, kështu lëvdimi yt arrin deri në skajet e tokës; dora jote e djathtë është tërë drejtësi.

11 Le të gëzohet mali Sion, le të ngazëllojnë vajzat e Judës për gjykimet e tua.

12 I bini rrotull Sionit, vizitojeni, numëroni kullat e tij,

13 këqyrni fortesat e tij, admironi pallatet e tij, me qëllim që të mund t’ia tregoni brezave që do të vijnë.

14 Sepse ky Perëndi është Perëndia ynë në përjetësi, përjetë, gjithnjë; ai do të jetë udhëheqësi ynë deri në vdekje.

2 e Korintasve 12:2-10

Unë njoh një njeri në Krishtin, i cili, para katërmbëdhjetë vjetësh (a ishte në trup, a ishte jashtë trupit, nuk e di; Perëndia e di), u rrëmbye gjer në të tretin qiell.

Dhe e di se ai njeri (a me trupin ose pa trupin, nuk e di, Perëndia e di),

u rrëmbye në parajsë dhe dëgjoi fjalë të patregueshme, që nuk është e lejuar të thuhen nga njeri.

Për atë njeri unë do të krenohem, por nuk do të krenohem për veten time, veç se për dobësitë e mia.

Edhe sikur të doja të krenohesha, nuk do të isha i marrë, sepse do të flisja të vërtetën; por nuk e bëj këtë, se mos ndonjë më çmon më tepër nga ajo që më sheh, a më tepër nga ajo që dëgjon nga unë.

Dhe, që të mos më rritet mendja për shkak të jashtëzakonshmërisë së zbulesave, m’u dha një gjëmb në mish, një engjëll i Satanit, për të më rënë me grushta, që të mos mbahem me të madh.

Lidhur me këtë iu luta tri herë Zotit që ta largonte nga unë.

Por ai më tha: “Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi.” Prandaj me kënaqësi të madhe do të krenohem më tepër për dobësitë e mia, që fuqia e Krishtit të rrijë tek unë.

10 Prandaj unë kënaqem në dobësi, në fyerje, në nevoja, në përndjekje, në ngushtica për shkak të Krishtit, sepse, kur jam i dobët, atëherë jam i fortë.

Marku 6:1-13

Pastaj doli prej andej dhe erdhi në vendlindjen e tij, dhe dishepujt e vet e ndiqnin.

Dhe kur erdhi e shtuna, filloi t’i mësojë në sinagogë. Dhe shumë, kur e dëgjonin, habiteshin dhe thoshnin: “Nga i vijnë këtij këto? Vallë ç’dituri është kjo që i është dhënë? Dhe si kryhen këto vepra të mëdha nëpërmjet dorës së tij?

A s’është ky zdrukthëtar i biri Marisë, vëllai i Jakobit, i Joses, i Judës dhe i Simonit? Dhe nuk janë këtu midis nesh motrat e tij?.” Dhe skandalizoheshin për shkak të tij.

Por Jezusi u tha atyre: “Asnjë profet s’është i përbuzur përveç në vendlindjen e tij, në farefisin e vet dhe në shtëpinë e vet.”

Dhe nuk mundi të kryejë aty asnjë vepër të pushtetshme, përveçse shëroi disa të lëngatë, duke vënë mbi ta duart.

Dhe çuditej për mosbesimin e tyre; dhe dilte nëpër fshatra përreth e i mësonte.

Pastaj ai i thirri te vetja të dymbëdhjetët dhe filloi t’i dërgojë dy nga dy; dhe u dha pushtet mbi frymët e ndyra.

Dhe i urdhëroi të mos marrin asgjë tjetër udhës, përveç një shkop vetëm: as trasta, as bukë, as denar në brez;

dhe të mbathin vetëm sandalet e të mos veshin dy palë tunika.

10 U tha akoma: “Kudo që të hyni në një shtëpi, rrini aty derisa të largoheni nga ai vend.

11 Në qoftë se disa nuk ju presin dhe nuk ju dëgjojnë, kur të largoheni që andej, shkundni pluhurin nga këmbët tuaja si dëshmi kundër tyre. Në të vërtetë ju them se ditën e gjyqit Sodoma dhe Gomorra do të trajtohen me më shumë tolerancë se sa ai qytet.”

12 Kështu ata shkuan dhe u predikonin njerëzve që të pendoheshin;

13 dhe dëbonin shumë demonë dhe vajosnin me vaj shumë të lëngatë dhe i shëronin.