Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
20 Gjeta Davidin, shërbëtorin tim, dhe e vajosa me vajin tim të shenjtë.
21 Dora ime do ta përkrahë me vendosmëri dhe krahu im do ta forcojë.
22 Armiku nuk do ta shtypë dhe i ligu nuk do ta pikëllojë.
23 Do të asgjesoj para tij armiqtë e tij dhe do të godas ata që e urrejnë.
24 Besnikëria ime dhe mirësia ime do të jenë me të, dhe me emrin tim do të bëhet i fuqishëm.
25 Do ta shtrij dorën e tij mbi detin dhe dorën e djathtë të tij mbi lumenjtë.
26 Ai do të kërkojë ndihmën time, duke thënë: "Ti je Ati im, Perëndia im dhe Kështjella ime e shpëtimit".
27 Do ta bëj gjithashtu të parëlindurin tim, më të shkëlqyerin ndër mbretërit e dheut.
28 Do të përdor mirësi ndaj tij përjetë, dhe besëlidhja ime me të do të mbetet e qëndrueshme.
29 Do t’i bëj gjithashtu pasardhësit e tij të përjetshem dhe fronin e tij si ditët e qiejve.
30 Në rast se bijtë e tij braktisin ligjin tim dhe nuk ecin, sipas urdhërimeve të mia,
31 në rast se shkelin statutet e mia dhe nuk respektojnë urdhërimet e mia,
32 unë do ta dënoj shkeljen e tyre me shufër dhe paudhësinë e tyre me të rrahura,
33 por nuk do ta heq mirësinë time prej tij dhe nuk do të lë që besnikëria ime të jetë e mangët.
34 Nuk do të shkel besëlidhjen time dhe nuk do t’i ndryshoj fjalët që kanë dalë nga goja ime.
35 Jam betuar një herë për shenjtërinë time dhe nuk do ta gënjej Davidin;
36 pasardhësit e tij do të jenë përjetë dhe froni i tij do të jetë si dielli para meje,
37 do të jenë të qëndrueshëm si hëna, dhe dëshmitari në qiell është besnik". (Sela)
15 Tre nga të treqind kapedanët zbritën te shkëmbi drejt Davidit, në shpellën e Adulamit, ndërsa ushtria e Filistejve kishte fushuar në luginën e Refaimit.
16 Davidi ndodhej atëherë në kala, kurse në Betlem kishte një garnizon Filistejsh.
17 Davidi pati një dëshirë të madhe dhe tha: "Ah, sikur dikush të më jepte të pija ujë nga pusi i Betlemit që është pranë portës!".
18 Kështu këta të tre çanë nëpër kampin e Filistejve dhe mbushën ujë nga pusi i Betlemit që ndodhej te porta; pastaj e morën dhe ia çuan Davidit. Por Davidi nuk desh ta pinte, por e derdhi si libacion përpara Zotit,
19 duke thënë: "Të më ruajë Perëndia nga kryerja e një gjëje të tillë! A mund ta pij unë gjakun e këtyre njerëzve, që kanë rrezikuar jetën e tyre? Sepse e kanë sjellë duke rrezikuar jetën e tyre". Dhe nuk deshi ta pinte. Kështu vepruan këta tre trima.
15 Ai është shëmbëllesa e Perëndisë së padukshëm, i parëlinduri i çdo krijese,
16 sepse në të u krijuan të gjitha gjërat, ato që janë në qiejt dhe ato mbi dhe, gjërat që duken dhe ato që nuk duken: frone, zotërime, principata dhe pushtete; të gjitha gjërat janë krijuar me anë të tij dhe në lidhje me të.
17 Ai është përpara çdo gjëje dhe të gjitha gjërat qëndrojnë në të.
18 Ai vetë është kreu i trupit, pra i kishës; ai është fillimi, i parëlinduri nga të vdekurit, përderisa të ketë parësinë në çdo gjë,
19 sepse Atit i pëlqeu që në të të banojë e gjithë plotësia,
20 dhe, duke bërë paqen me anë të gjakut të kryqit të tij, duke fituar pas, me anë të tij, të gjitha gjërat, si ato që janë mbi dhe si dhe ato që janë në qiejt.
21 Dhe ju vetë, që dikur ishit të huaj dhe armiq në mendje me veprat tuaja të këqija,
22 tani ju paqtoi në trupin e mishit të tij, me anë të vdekjes, që t’ju nxjerrë juve përpara vetes së tij shenjtorë, faqebardhë dhe të pafajshëm,
23 në qoftë se qëndroni në besim me themel dhe të patundur, dhe të mos luani nga shpresa e ungjillit që ju keni dëgjuar dhe që i është predikuar çdo krijese që është nën qiell; të cilit unë, Pali, iu bëra shërbenjës.