Revised Common Lectionary (Complementary)
118 Kremtojeni Zotin sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
2 Po, Izraeli le të thotë tani: "Dhemshuria e tij vazhdon përjetë".
14 Zoti është forca ime dhe kënga ime, ai ka qenë shpëtimi im.
15 Një britmë gëzimi dhe fitoreje jehon në çadrat e të drejtëve; dora e djathtë e Zotit bën çudi.
16 E djathta e Zotit u ngrit; e djathta e Zotit bën çudi.
17 Unë nuk do të vdes, por do të jetoj dhe do të tregoj veprat e Zotit.
18 Zoti më ka ndëshkuar rëndë, por nuk më ka lënë në dorë të vdekjes.
19 Më hapni portat e drejtësisë; unë do të hyj dhe do të kremtoj Zotin.
20 Kjo është porta e Zotit, të drejtët do të kalojnë nëpër të.
21 Unë do të të kremtoj, sepse më je përgjigjur dhe ke qenë shpëtimi im.
22 Guri, që ndërtuesit kishin hedhur, u bë guri i qoshes.
23 Kjo është vepër e Zotit, dhe është një gjë e mrekullueshme në sytë tona.
24 Kjo është dita që Zoti ka bërë; le të gëzohemi dhe të ngazëllojmë në të.
3 Mbi shtratin tim gjatë natës kërkova atë që dashuron zemra ime, e kërkova, por nuk e gjeta.
2 Tani do të ngrihem dhe do të shkoj rrotull nëpër qytet, nëpër rrugët dhe nëpër sheshet do të kërkoj atë që do zemra ime. E kërkova, por nuk e gjeta.
3 Rojet që sillen nëpër qytet më takuan. I pyeta ata: "A e patë atë që do zemra ime?".
4 Sapo i kalova, gjeta atë që do zemra ime. E shtrëngova fort dhe nuk kam ndërmend ta braktis deri sa ta çoj në shtëpinë e nënes sime dhe në dhomën e asaj që më ka ngjizur.
5 Ju përgjërohem, o bija të Jeruzalemit, për gazelat dhe sutat e fushave, mos e ngacmoni dhe mos e zgjoni dashurin time deri sa kështu t’i pëlqejë.
6 Kush është ajo që vjen nga shkretëtira, si kollona tymi, e parfumuar me mirrë dhe temjan dhe me lloj-lloj pluhurash aromatikë të tregëtarëve?
7 Ja shtrati i Salomonit, rreth të cilit qëndrojnë gjashtëdhjetë njerëz guximtarë, trima të Izraelit.
8 Të gjithë përdorin shpatën, janë të rrahur në çështjen e luftës; secili mban shpatën në ijë për tmerret e natës.
9 Mbreti Salomon i ka bërë vetes një lektizë me dru Libani.
10 I ka bërë kolonat e saj prej argjendi, shpinzën e saj prej ari, ndenjësen prej purpuri; pjesa e brendëshme e saj është qendisur me dashuri nga bijat e Jeruzalemit.
11 Dilni, bija të Sionit, soditni mbretin Salomon me kurorën me të cilën e ka kurorëzuar e ëma, ditën e dasmës së tij, ditën e gëzimit të zemrës së tij.
16 Si kaloi e shtuna, Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Jakobit, dhe Salomeja blenë aroma për të shkuar të vajosin Jezusin.
2 Në mëngjesin e ditës së parë të javës, shumë herët, ato erdhën te varri, kur po lindte dielli.
3 Dhe thonin në mes tyre: “Kush do të na rrokullisë gurin nga hyrja e varrit?.”
4 Por, kur ngritën sytë, panë se guri ishte rrokullisur, megjithëse ishte shumë i madh.
5 Hynë, pra, në varr dhe panë një djalosh që ishte ulur në të djathtë, të veshur me të bardha, dhe mbetën të trembura.
6 Dhe ai u tha atyre: “Mos u trembni! Ju kërkoni Jezusin Nazareas që ka qenë kryqëzuar; ai u ringjall, nuk është këtu; ja vendi ku e kishin vënë.
7 Por shkoni dhe u thoni dishepujve të tij dhe Pjetrit se ai po ju pararend në Galile; atje do ta shihni, ashtu siç ju pati thënë.”
8 Dhe ato dolën shpejt dhe ikën nga va-rri, sepse i zuri tmerri dhe habia; dhe nuk i thanë asgjë kurrkujt, sepse kishin frikë.