Revised Common Lectionary (Complementary)
14 "Njeriu i lindur nga një grua jeton pak ditë dhe është plot shqetësime.
2 Mbin si një lule, pastaj pritet; ikën me vrap si një hije dhe nuk e ka të gjatë.
3 Mbi një qenie të tillë ti i mban sytë të hapur, dhe më bën që të dal në gjyq bashkë me ty.
4 Kush mund të nxjerrë një gjë të pastër nga një gjë e papastër? Askush.
5 Sepse ditët e saj janë të caktuara, numri i muajve të saj varet nga ti, dhe ti i ke vendosur kufij që nuk mund t’i kapërcejë.
6 Hiqe shikimin nga ai dhe lëre të qetë, deri sa të mbarojë ditën e tij si një argat.
7 Të paktën për drurin ka shpresë; në rast se pritet, rritet përsëri dhe vazhdon të mugullojë.
8 Edhe sikur rrënjët e tij të plaken nën tokë dhe trungu i tij të vdesë nën dhe,
9 me të ndjerë ujin, mugullon përsëri dhe lëshon degë si një bimë.
10 Njeriu përkundrazi vdes dhe mbetet i shtrirë për dhe; kur është duke nxjerrë frymën e fundit, ku është, pra?
11 Mund të mungojnë ujërat në det dhe një lumë të meket dhe të thahet,
12 por njeriu që dergjet nuk ngrihet më; sa të mos ketë më qiej, nuk do të zgjohet dhe nuk do të çohet më nga gjumi i tij.
13 Ah sikur të doje të më fshihje në Sheol, të më mbaje të fshehur sa të kalonte zemërimi yt, të më caktoje një afat dhe të më kujtoje!
14 Në qoftë se njeriu vdes, a mund të kthehet përsëri në jetë? Do të prisja çdo ditë të shërbimit tim të rëndë, deri sa të arrinte ora e ndryshimit tim.
3 Unë jam njeriu që pa hidhërimin nën thuprën e tërbimit të tij.
2 Ai më ka udhëhequr dhe më ka bërë të eci nëpër terr dhe jo në dritë.
3 Po, kundër meje ai ka kthyer disa herë dorën e tij tërë ditën.
4 Ai ka konsumuar mishin tim dhe lëkurën time, ka coptuar kockat e mia.
5 Ka ndërtuar fortesa kundër meje, më ka rrethuar me hidhërim dhe me ankth.
6 Ka bërë që unë të banoj në vende plot errësirë, ashtu si të vdekurit prej shumë kohe.
7 Më ka ndërtuar një mur rreth e qark, me qëllim që unë të mos dal; e ka bërë të rëndë zinxhirin tim.
8 Edhe kur bërtas dhe kërkoj ndihmë me zë të lartë, ai nuk pranon të dëgjojë lutjen time.
9 Ai i ka mbyllur rrugët e mia me gurë të prerë, i ka bërë shtigjet e mia plot me prita.
19 Kujtohu për pikëllimin dhe për endjen time, për pelinin dhe hidhërimin.
20 Shpirti im kujtohet gjithnjë për këtë dhe është i rrëzuar brenda meje.
21 Këtë dua ta sjell në mëndje dhe prandaj dua të shpresoj.
22 Éshtë një hir i Zotit që nuk jemi shkatërruar plotësisht, sepse mëshirat e tij nuk janë mbaruar plotësisht.
23 Përtëriten çdo mëngjes; e madhe është besnikeria jote.
24 "Zoti është pjesa ime," thotë shpirti im, "prandaj do të kem shpresë tek ai.
31 Gjeta strehë te ti, o Zot; bëj që unë të mos ngatërrohem kurrë; çliromë për drejtësinë tënde.
2 Ma vër veshin, nxito të më çlirosh; bëhu për mua një kështjellë e fortë dhe një vend i fortifikuar që të më shpëtosh.
3 Sepse ti je kështjella ime dhe kalaja ime; për hir të emrit tënd më udhëhiq dhe tregomë udhën.
4 Nxirrmë jashtë rrjetës që më kanë ngritur fshehurazi, sepse ti je kështjella ime.
15 Ditët e mia janë në dorën tëndë; çliromë nga duart e armiqve të mi dhe të atyre që më përndjekin.
16 Bëj që të shkelqejë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd; shpëtomë për hir të mirësisë sate.
4 Sepse duke qenë se Krishti ka vuajtur për ne në mish, armatosuni edhe ju me të njëjtin mendim, sepse ai që ka vuajtur në mish pushoi së mëkatuari,
2 për të jetuar kohën që mbetet në mish jo më në pasionet e njerëzve, por sipas vullnetit të Perëndisë.
3 Sepse për ne është e mjaftueshme koha e jetës që shkuam për të kënaqur gjërat e dëshiruara nga johebrenjtë, kur ecnim në shthurje, në pasione, në dehje, në teprime, në të ngrëna e në të pira dhe në idhujtari të neveritshme.
4 Prandaj u duket çudi që ju nuk rendni me ta në po ato teprime shthurjeje dhe flasin keq për ju.
5 Ata do të japin llogari para atij që është gati të gjykojë të gjallë e të vdekur.
6 Për këtë në fakt, ungjilli u është predikuar edhe të vdekurve, që ata të gjykohen në mish sipas njerëzve, por të jetojnë në frymë sipas Perëndisë.
7 Tashmë fundi i të gjithave u afrua; jini, pra, të përkorë dhe rrini zgjuar për t’iu kushtuar lutjeve.
8 dhe të keni para së gjithash një dashuri të madhe për njeri tjetrin, sepse “dashuria do të mbulojë një shumicë mëkatesh.”
57 Edhe si u ngrys, erdhi një njeri i pasur nga Arimatea, me emër Jozef, i cili ishte edhe vet dishepull i Jezusit.
58 Ai shkoi te Pilati dhe i kërkoi trupin e Jezusit. Atëherë Pilati dha urdhër që t’ia dorëzonin trupin.
59 Dhe Jozefi, mbasi e mori trupin, e mbështolli me një pëlhurë të pastër,
60 dhe e vendosi në varrin e vet të ri, që ai kishte hapur në shkëmb; pastaj rrokullisi një gur të madh në hyrje të varrit dhe u largua.
61 Dhe Maria Magdalena dhe Maria tjetër rrinin aty, ulur përballë varrit.
62 Dhe të nesërmen, që ishte mbas ditës së Përgatitjes, krerët e priftërinjve dhe farisenjtë u mblodhën te Pilati,
63 duke thënë: “Zot, na ra në mend se ai mashtruesi, sa ishte gjallë, tha: "Pas tri ditësh unë do të ringjallem".
64 Prandaj urdhëro që varri të ruhet mirë deri në ditën e tretë, se mos vijnë dishepujt e tij natën e ta vjedhin trupin dhe pastaj t’i thonë popullit: "U ringjall së vdekuri"; kështu mashtrimi i fundit do të ishte më i keq se i pari.”
65 Por Pilati u tha atyre: “Rojen e keni; shkoni dhe e siguroni varrin, si t’ju duket më mirë.”
66 Dhe ata, pra, shkuan dhe e siguruan varrin dhe, përveç rojës, vulosën gurin.
38 Pas këtyre gjërave, Jozefi nga Arimatea, që ishte dishepull i Jezusit, por fshehtas nga druajtja e Judenjve, i kërkoi Pilatit që mund ta merrte trupin e Jezusit; dhe Pilati i dha leje. Atëherë ai erdhi dhe e mori trupin e Jezusit.
39 Por erdhi dhe Nikodemi, i cili më përpara kishte vajtur te Jezusi natën, duke sjellë një përzierje prej mirre dhe aloe, prej rreth njëqind librash.
40 Ata, pra, e morën trupin e Jezusit dhe e mbështollën në pëlhura liri me erëra të këndëshme, sipas zakonit të varrimit që ndiqnin Judenjtë.
41 Por në atë vend ku ai u kryqëzua ishte një kopsht, dhe në kopsht një varr i ri, në të cilën ende nuk ishte vënë askush.
42 Aty, pra, për shkak të Përgatitjes së Judenjve, e vunë Jezusin, sepse varri ishte afër.