Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 118:1-2

118 Kremtojeni Zotin sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

Po, Izraeli le të thotë tani: "Dhemshuria e tij vazhdon përjetë".

Psalmet 118:19-29

19 Më hapni portat e drejtësisë; unë do të hyj dhe do të kremtoj Zotin.

20 Kjo është porta e Zotit, të drejtët do të kalojnë nëpër të.

21 Unë do të të kremtoj, sepse më je përgjigjur dhe ke qenë shpëtimi im.

22 Guri, që ndërtuesit kishin hedhur, u bë guri i qoshes.

23 Kjo është vepër e Zotit, dhe është një gjë e mrekullueshme në sytë tona.

24 Kjo është dita që Zoti ka bërë; le të gëzohemi dhe të ngazëllojmë në të.

25 O Zot, na ndihmo tani; o Zot, bëj që tani të kemi mbarësi.

26 I bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit; ne ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.

27 Zoti është Perëndia dhe ka bërë që mbi ne të shkëlqejë drita e tij; lidheni viktimën e flijimit në brirët e altarit.

28 Ti je Perëndia im, unë do të të kremtoj; ti je Perëndia im, unë do të të përlëvdoj.

29 Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

Jeremia 33:10-16

10 Kështu thotë Zoti: "Në këtë vend për të cilin ju thoni: "Éshtë një shkreti, që nuk ka më as njerëz as kafshë," në qytetet e Judës dhe nëpër rrugët e Jeruzalemit që janë të shkreta, që nuk ka më as njerëz as kafshë, do të dëgjohen akoma

11 britma gëzimi dhe britma hareje, zëri i dhëndrit dhe zëri i nuses, zëri i atyre që thonë: "Kremtoni Zotin e ushtrive, sepse Zoti është i mirë, sepse mirësia e tij zgjat përjetë," dhe të atyre që sjellin oferta falënderimi në shtëpinë e Zotit. Sepse unë do të bëj që të kthehen të mërguarit në vend dhe do t’i vendos përsëri si më parë," thotë Zoti.

12 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Në këtë vend që është një shkreti, ku s’ka më njeri a kafshë, dhe në të gjitha qytetet e tij do të këtë akoma banesa të barinjve ku do të pushojnë kopetë e tyre.

13 Në qytetet e krahinës malore, në qytetet e fushës, në qytetet e Negevit, në vendin e Benianimit, në rrethinat e Jeruzalemit dhe në qytetet e Judës, dhentë do të kalojnë akoma nga dora e atij që i numëron," thotë Zoti.

14 "Ja, do të vijnë ditët," thotë Zoti, "gjatë të cilave unë do të realizoj fjalën e mirë që kam shqiptuar për shtëpinë e Izraelit dhe për shtëpinë e Judës.

15 Në ato ditë dhe në atë kohë do të bëj që të mbijë për Davidin një filiz drejtësie, që do të ushtrojë gjykimin dhe drejtësinë në vend.

16 Ato ditë Juda do të shpëtohet dhe Jeruzalemi do të banojë i sigurt. Ky do të jetë emri me të cilin do të thirret: "Zoti, drejtësia jonë"".

Marku 10:32-34

32 Ata ishin në udhëtim për t’u ngjitur në Jeruzalem, dhe Jezusi i paraprinte. Dhe ata ishin të tronditur dhe e ndiqnin me ndrojtje. Dhe ai i mblodhi përsëri të dymbëdhjetët mënjanë dhe nisi t’u thotë çfarë do t’i ndodhte:

33 “Ja, ne po ngjitemi në Jeruzalem dhe Biri i njeriut do t’u dorëzohet krerëve të priftërinjve dhe skribëve; dhe ata do ta dënojnë me vdekje dhe do ta dorëzojnë në duar të paganëve,

34 të cilët do ta tallin, do ta fshikullojnë, do ta pështyjnë dhe do ta vrasin, por ai, ditën e tretë, do të ringjallet.”

Marku 10:46-52

46 Kështu arritën në Jeriko. Kur ai po dilte nga Jeriko me dishepujt e tij dhe me një turmë të madhe, biri i Timoteut, Bartimeu i verbër, ishte ulur gjatë rrugës dhe lypte.

47 Kur dëgjoi se ai që po kalonte ishte Jezusi Nazareas, filloi të bërtasë dhe të thotë: “Jezus, Bir i Davidit, ki mëshirë për mua!.”

48 Shumë e qortonin që të heshte, por ai bërtiste edhe më fort: “Bir i Davidit, ki mëshirë për mua!.”

49 Dhe Jezusi qëndroi dhe urdhëroi që ta thërrasin. Ata e thirrën, pra, të verbërin duke i thënë: “Merr zemër, çohu, ai po të thërret!.”

50 Atëherë ai hodhi tej rrobën e tij, u ngrit dhe erdhi te Jezusi.

51 Dhe Jezusi mori fjalën dhe i tha: “Çfarë do që unë të të bëj?.” I verbëri i tha: “Rabboni, që të më kthehet të parit!.”

52 Dhe Jezusi i tha: “Shko, besimi yt të shëroi.” Dhe në çast atij iu kthye të parit dhe nisi të ndjekë Jezusin në udhë.