Revised Common Lectionary (Complementary)
17 Kur Abrami u bë nëntëdhjetë e nëntë vjeç, Zoti i doli përpara dhe i tha: Unë jam Perëndia i plotfuqishëm; ec në praninë time dhe qëndro i ndershëm;;
2 dhe unë do të caktoj besëlidhjen time midis meje dhe teje dhe do të të shumoj fort".
3 Atëherë Abrami përuli fytyrën në tokë dhe Perëndia i foli, duke i thënë:
4 "Sa për mua, ja unë po bëj një besëlidhje me ty; ti do të bëhesh babai i një shumice kombesh.
5 Dhe nuk do të quhesh më Abram, por emri yt do të jetë Abraham, sepse unë të bëj babanë e një shumice kombesh.
6 Do të të bëj shumë frytdhënës. Pastaj do të bëj prej teje kombe dhe prej teje kanë për të dalë mbretër.
7 Dhe do të caktoj besëlidhjen time midis meje dhe teje, si dhe me pasardhësit e tu, nga një brez në një brez tjetër; kjo do të jetë një besëlidhje e përjetshme, me të cilën unë do të marr përsipër të jem Perëndia yt dhe i pasardhësve të tu mbas teje.
15 Pastaj Perëndia i tha Abrahamit: "Përsa i përket Sarajt, gruas sate, mos e quaj më Saraj, por emri i saj do të jetë Sara.
16 Dhe unë do ta bekoj dhe do të bëj që ajo të të japë edhe një bir; po, unë do ta bekoj dhe prej saj do të lindin kombe; mbretër popujsh do të dalin prej saj".
23 Ju që keni frikë nga Zoti, lëvdojeni; dhe ju të gjithë, pasardhës të Jakobit, përlëvdojeni; dhe ju të gjithë, o fis i Izraelit, kini frikë nga ai.
24 Sepse ai nuk ka përçmuar as nuk ka hedhur poshtë vuajtjen e të pikëlluarit, dhe nuk i ka fshehur fytyrën e tij; por kur i ka klithur atij, ai e ka kënaqur.
25 Shkaku i lëvdimit tim në kuvendin e madh je ti; unë do t’i plotësoj zotimet e mia në prani të të gjithë atyre që kanë frikë nga ti.
26 Nevojtarët do të hanë dhe do të ngopen; ata që kërkojnë Zotin do ta lëvdojnë; zemra juaj do të jetojë përjetë.
27 Të gjitha skajet e tokës do ta mbajnë mend Zotin dhe do të kthehen tek ai; dhe të gjitha familjet e kombeve do të adhurojnë përpara teje.
28 Sepse Zotit i përket mbretëria dhe ai sundon mbi kombet.
29 Gjithë të pasurit e dheut do të hanë dhe do të të adhurojnë; të gjithë ata që zbresin në pluhur dhe që nuk arrijnë të mbahen gjallë do të përkulen para teje.
30 Pasardhësit do t’i shërbejnë; do t’i flitet për Zotin brezit të ardhshëm.
31 Ata do të vijnë dhe do t’i shpallin drejtësinë e tij një populli që nuk ka lindur akoma, dhe që ai vetë e ka krijuar.
13 Në fakt premtimi për të qenë trashëgimtar i botës nuk iu bë Abrahamit dhe pasardhësve të tij nëpërmjet ligjit, por nëpërmjet drejtësisë së besimit.
14 Sepse nëse janë trashëgimtarë ata që janë të ligjit, besimi bëhet i kotë dhe premtimi anulohet,
15 sepse ligji prodhon zemërimin; në fakt atje ku nuk ka ligj, nuk ka as shkelje.
16 Prandaj trashëgimia është nëpërmjet besimit; në këtë mënyrë ajo është nëpërmjet hirit, me qëllim që premtimi të jetë i siguruar për të gjithë pasardhësit, jo vetëm për atë që është nga ligji, por edhe për atë që vjen nga besimi i Abrahamit, i cili
17 (siç është shkruar: “Unë të kam caktuar atin e shumë kombeve”), është ati i të gjithë neve para Perëndisë që ai besoi, i cili i jep jetë të vdekurve dhe thërret gjërat që nuk janë sikur të ishin.
18 Ai, duke shpresuar kundër çdo shprese, besoi për t’u bërë ati i shumë kombeve sipas asaj që i ishte thënë: “Kështu do të jetë pasardhja jotë.”
19 Dhe, duke mos qenë aspak i dobët në besim, nuk i kushtoi kujdes trupit të tij, i bërë tashmë si i vdekur (ishte pothuaj njëqind vjeç) as barkut të vdekur të Sarës.
20 Madje as nuk dyshoi nga mosbesimi në lidhje me premtimin e Perëndisë, por u përforcua në besim duke i dhënë lavdi Perëndisë,
21 plotësisht i bindur se atë që ai kishte premtuar ishte edhe i fuqishëm ta bënte.
22 Prandaj edhe kjo iu numërua atij për drejtësi.
23 E po nuk u shkrua vetëm për të, që kjo i ishte numëruar,
24 por edhe për ne, të cilëve do të na numërohet, neve që besojmë në atë që ka ringjallur prej të vdekurve Jezusin, Zotin tonë,
25 i cili u dha për shkak të fyerjeve tona dhe u ringjall për justifikimin tonë.
31 Pastaj nisi t’u mësojë atyre se Birit të njeriut i duhet të vuajë shumë gjëra, do të hidhet poshtë nga pleqtë, nga krerët e priftërinjve dhe nga skribët; se do të vritet dhe pas tri ditësh do të ringjallet.
32 Dhe ai i tha këto gjëra haptas. Atëherë Pjetri e mori mënjanë dhe filloi ta qortojë.
33 Por ai u kthye, shikoi dishepujt e vet dhe e qortoi Pjetrin, duke thënë: “Largohu nga unë, Satana, se ti nuk ke shqisën për gjërat e Perëndisë, por për gjërat e njerëzve!.”
34 Pastaj e thirri pranë vetes turmën me dishepujt e vet dhe iu tha: “Kushdo që don të vijë pas meje, të mohojë vetveten, të marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë,
35 sepse ai që don të shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do të humbasë jetën e vet për hirin tim e për ungjillin, do të shpëtojë.
36 Ç’dobi do të ketë njeriu të fitojë gjithë botën, nëse më pas do të humbë shpirtin e vet?
37 Ose çfarë mund të japë njeriu në shkëmbim të shpirtit të vet?
38 Sepse kujtdo që do t’i vijë turp për mua dhe për fjalët e mia në mes të këtij brezi kurorëshkelës dhe mëkatar, për atë do t’i vijë turp edhe Birit të njeriut, kur të arrijë në lavdinë e Atit të vet, me engjëjt e shenjtë.”
2 Mbas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin dhe i çoi në vetmi, vetëm ata, mbi një mal të lartë; dhe u shpërfytyrua përpara tyre.
3 Dhe rrobat e tij u bënë të shndritshme dhe krejt të bardha, si bora, më të bardha nga sa nuk mund t’i zbardhojë asnjë rrobalarës mbi tokë.
4 Dhe atyre iu shfaqën Elia me Moisiun, që po bisedonin me Jezusin.
5 Atëherë Pjetri e mori fjalën dhe i tha Jezusit: “Mësues, për ne është mirë të jemi këtu; bëjmë, pra, tri çadra: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elian!.”
6 Në fakt ai nuk dinte çfarë thoshte, sepse ata ishin të trembur.
7 Pastaj erdhi një re dhe i mbuloi me hijen e vet; dhe nga reja doli një zë që tha: “Ky është Biri im i dashur; dëgjojeni!.”
8 Dhe menjëherë ata shikuan rreth e qark, por nuk panë më asnjëri, përveçse Jezusi fill i vetëm me ta.
9 Tani kur po zbrisnin nga mali, Jezusi i urdhëroi të mos i tregojnë askujt gjërat që kishin parë, derisa i Biri i njeriut të ringjallej prej së vdekuri.