Revised Common Lectionary (Complementary)
25 Te ti, o Zot, e lartoj shpirtin tim.
2 O Perëndia im, kam besim te ti; bëj që të mos mbetem i zhgënjyer dhe që armiqtë e mi të mos triumfojnë mbi mua.
3 Po, bëj që asnjë nga ata që kanë besim te ti të mos zhgënjehet; u turpërofshin ata që sillen pabesisht pa shkak.
4 O Zot, më trego rrugët e tua, më mëso shtigjet e tua.
5 Më udhëhiq në të vërtetën tënde dhe më mëso, sepse ti je Perëndia i shpëtimit tim; unë shpresoj shumë te ti gjatë gjithë ditës.
6 Kujto, o Zot, mëshirën tënde dhe miresinë tënde, sepse janë të përhershme.
7 Mos i kujto mëkatet e rinisë sime, as shkeljet e mia; por në dashamirësinë tënde më kujto, o Zot, për hir të mirësisë sate.
8 Zoti është i mirë dhe i drejtë, prandaj ai do t’u mësojë rrugën mëkatarëve.
9 Ai do të udhëheqë njerëzit zemërbutë në drejtësi dhe do t’u mësojë të përulurve rrugën e tij.
10 Të gjitha rrugët e Zotit janë mirësi dhe vërtetësi për ata që respektojnë besëlidhjen e tij dhe porositë e tij.
32 Lum ai të cilit i kanë falur shkeljen, ai të cilit i kanë mbuluar mëkatin!
2 Lum ai njeri të cilin Zoti nuk e padit për paudhësi dhe në frymën e të cilit nuk ka vend mashtrimi.
3 Ndërsa po heshtja, kockat e mia treteshin midis rënkimeve që kisha tërë ditën.
4 Sepse ditë e natë dora jote rëndonte mbi mua, fuqia ime i përngjante thatësisë së verës. (Sela)
5 Para teje pranova mëkatin tim, nuk e fsheha paudhësinë time. Thashë: "Do t’ia rrëfej shkeljet e mia Zotit," dhe ti e ke falur paudhësinë e mëkatit tim. (Sela)
6 Prandaj çdo njeri i përshpirtshëm do të të thërrase në kohën që mund të gjendesh; edhe sikur ujërat e mëdha të vërshojnë, ato nuk do të arrijnë deri tek ai.
7 Ti je vendi im i strehimit, ti do të më ruash nga fatkeqësia, ti do të më rrethosh me këngë çlirimi. (Sela)
8 Unë do të të edukoj dhe do të të mësoj rrugën, nëpër të cilën duhet të ecësh; unë do të të këshilloj dhe do ta mbaj syrin tim mbi ty.
9 Mos u bëni si kali dhe si mushka që nuk kanë mend, goja e të cilëve duhet të mbahet me fre dhe me kapistër, përndryshe nuk të afrohen.
10 Të shumta janë dhembjet e të pabesit, por ai që ka besim tek Zoti do të rrethohet nga mirësia e tij.
11 Gëzohuni tek Zoti dhe ngazëlloni, o njerëz të drejtë; lëshoni britma gëzimi, ju të gjithë, o njerëz me zemër të drejtë.
2 Dhe ja, iu paraqit një paralitik i shtrirë në vig; dhe Jezusi, kur pa besimin që kishin ata, i tha paralitikut: “Merr zemër, o bir, mëkatet e tua të janë falur!”
3 Atëherë disa skribë thanë me vete: “Ky po blasfemon!.”
4 Por Jezusi, duke njohur mendimet e tyre, tha: “Pse mendoni gjëra të mbrapështa në zemrat tuaja?
5 Në fakt, ç’është më e lehtë, të thuash: "Mëkatet e tua të janë falur," apo: "Çohu dhe ec"?
6 Tani, që ta dini se Biri i njeriut ka autoritet në tokë të falë mëkatet: Çohu (i tha paralitikut), merr vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde.”
7 Dhe ai u çua dhe shkoi në shtëpinë e vet.
8 Turmat, kur e panë këtë, u çuditën dhe lëvdonin Perëndinë, që u kishte dhënë pushtet të tillë njerëzve.
9 Pastaj Jezusi, duke shkuar tutje, pa një burrë që rrinte në doganë, i quajtur Mate, dhe i tha: “Ndiqmë!.” Dhe ai u çua dhe e ndoqi.
10 Dhe ndodhi që, kur Jezusi u ul në tryezë në shtëpi, erdhën shumë tagrambledhës dhe mëkatarë dhe u ulën në tryezë bashkë me të dhe me dishepujt e tij.
11 Farisenjtë, kur e panë këtë, u thanë dishepujve të tij: “Pse Mësuesi juaj ha bukë me tagrambledhësit dhe me mëkatarët?.”
12 Jezusi, mbasi i dëgjoi, u tha atyre: “Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët.
13 Tani shkoni dhe mësoni ç’do të thotë: "Unë dua mëshirë dhe jo flijime". Sepse unë nuk erdha për të thirrur në pendim të drejtët, por mëkatarët.”