Revised Common Lectionary (Complementary)
77 Zëri im lartohet te Perëndia dhe unë bërtas; zëri im lartohet te Perëndia dhe ai ka për të më dëgjuar.
2 Ditën e fatkeqësisë sime kërkova Zotin; gjatë natës dora ime mbeti e nderur pa u lodhur dhe shpirti im nuk pranoi të ngushëllohet.
3 Më kujtohet Perëndia dhe rrënkoj; vajtoj dhe fryma ime dobësohet. (Sela)
4 Ti m’i mban të hapura qepallat; jam aq i turbulluar sa nuk mund të flas.
5 Sjell ndërmënd përsëri ditët e lashta, vitet e kohëve të shkuara.
6 Gjatë natës më kthehet në mendje kënga ime, mendoj thellë në zemrën time dhe fryma ime bën kërkime.
7 A do të më hedhë poshtë për gjithnjë Zoti? E nuk do të më pëlqejë më kurrë?
8 Dhe mirësia e tij ka marrë fund për gjithnjë dhe falja e tij ka munguar për brezat e ardhshme?
9 Vallë Perëndia e ka harruar mëshirën dhe në zemërimin e tij u ka dhënë fund dhembshurive të tij? (Sela)
10 Unë kam thënë: "Shkaku i hidhërimit tim është se dora e djathtë e Shumë të Lartit ka ndryshuar".
11 Do t’i kujtoj veprat e Zotit; po, do të kujtoj mrekullitë e tua të kohëve të kaluara,
12 do të mendohem thellë për gjithë veprat e tua dhe do të kem parasysh bëmat e tua.
13 O Perëndi, jeta jote është e shenjtë; cili Perëndi është i madh si Perëndia?
14 Ti je Perëndia që kryen mrekulli; ti ke bërë të njihet forca jote midis popujve.
15 Me krahun tënd ke shpenguar popullin tënd, bijtë e Jakobit dhe të Jozefit. (Sela)
16 Ujërat të panë, o Perëndi, ujërat të panë dhe u trëmbën; edhe humnerat u drithtuan.
17 Retë derdhën përmbytje uji, qiejtë gjëmuan dhe shigjetat e tua vepruan.
18 Gjëmimi i bubullimës sate ishte në vorbullën, vetëtimat ndriçuan botën dhe toka u tund dhe u drodh.
19 Ti e hape rrugën tënde në mes të detit, shtegun tënd në mes të ujërave të mëdha, dhe gjurmët e tua nuk u njohën.
20 Ti e udhëheq popullin tënd si një kope me dorën e Moisiut dhe të Aaronit.
4 Atëherë Elifazi nga Temani u përgjigj dhe tha:
2 "A do të të bezdiste ndokush në rast se do të provonte të të fliste? Por kush mund t’i ndalë fjalët?
3 Ja ti ke mësuar shumë prej tyre dhe ua ke fortësuar duart e lodhura;
4 fjalët e tua u kanë dhënë zemër të lëkundurve dhe kanë forcuar gjunjët që gjunjëzohen.
5 Por tani që e keqja të zuri ty, nuk je në gjendje të veprosh; të ka goditur ty, dhe ti e ke humbur fare.
6 Mëshira jote a nuk është vallë besimi yt, dhe ndershmëria e sjelljes sate, shpresa jote?
7 Mbaje mend: cili i pafajmë është zhdukur vallë, dhe a janë shkatërruar vallë njerëzit e ndershëm?
8 Ashtu siç e kam parë unë vetë, ata që lërojnë paudhësinë dhe mbjellin mjerimin, vjelin frytet e tyre.
9 Me frymën e Perëndisë ata vdesin, era e zemërimit të tij i tret ata.
10 Vrumbullima e luanit, zëri i luanit të egër dhe dhëmbët e luanëve të vegjël janë thyer.
11 Luani vdes për mungesë gjahu dhe të vegjlit e luaneshës shpërndahen.
12 Një fjalë më ka ardhur fshehurazi dhe veshi im ka zënë pëshpëritjen e saj.
13 Midis mendimeve të vizioneve të natës, kur një gjumë i rëndë bie mbi njerëzit,
14 më pushtoi një llahtari e madhe dhe një rrëqethje që bëri të dridhen gjithë kockat e mia.
15 Një frymë më kaloi përpara, dhe m’u ngritën përpjetë qimet e trupit.
16 Ai u ndal, por nuk munda ta dalloj pamjen e tij; një figurë më rrinte para syve; kishte heshtje, pastaj dëgjova një zë që thoshte:
17 "A mund të jetë një i vdekshëm më i drejtë se Perëndia? A mund të jetë një njeri më i pastër se Krijuesi i tij?
18 Ja, ai nuk u zë besë as shërbëtorëve të tij, dhe gjen madje të meta edhe tek engjëjt e tij;
19 aq më tepër tek ata që banojnë në shtëpi prej argjile, themelet e të cilave janë në pluhur, dhe shtypen si një tenjë.
20 Nga mëngjesi deri në mbrëmje shkatërrohen; zhduken për fare, dhe asnjeri nuk i vë re.
21 Litarin e çadrës së tyre vallë a nuk ua këpusin? Ata vdesin, por pa dituri"".
2 Ai ju dha jetë edhe juve, që ishit të vdekur në faje dhe në mëkate,
2 në të cilat keni ecur dikur, sipas ecjës së kësaj bote, sipas prijësit të pushtetit të erës, sipas frymës që vepron tani në bijtë e mosbindjes,
3 ndërmjet të cilëve edhe ne dikur jetuam në lakmitë e mishit tonë duke i plotësuar dëshirat e mishit dhe të mendjes, dhe ishim prej natyre bij të zemërimit, ashtu si edhe të tjerët.
4 Por Perëndia, që është i pasur në mëshirë, për shkak të dashurisë së tij të madhe me të cilën na deshi,
5 edhe atëherë kur ishim të vdekur në faje, na dha jetë me Krishtin (ju jeni të shpëtuar me anë të hirit),
6 edhe na ringjalli me të, dhe me të na vuri të rrimë në vendet qiellore në Krishtin Jezus,
7 për të treguar në epokat që do të vijnë pasurinë e pamasë të hirit të tij, me anë të mirësisë ndaj nesh në Krishtin Jezus.
8 Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë,
9 jo nga vepra, që të mos mburret askush.
10 Ne në fakt jemi vepra e tij, e krijuar në Krishtin Jezus për veprat e mira që Perëndia përgatiti që më parë, që ne të ecim në to.