Old/New Testament
4 Kur Sanballati dëgjoi që ne po rindërtonim muret, u zemërua, u revoltua thellë dhe filloi të tallet me Judejtë,
2 dhe u tha përpara vëllezërve të tij dhe ushtarëve të Samarisë: "Çfarë po bëjnë këta Judej matufë? Do të fortifikohen? Do të ofrojnë flijime? A do të mbarojnë brenda një dite? Mos vallë do të ringjallin gurët e konsumuar nga zjarri i togjeve të rrënojave?".
3 Tobiahu, Amoniti, që i rrinte pranë, tha: "Le të ndërtojnë! Por në rast se një dhelpër hipën sipër, do ta rrëzojë murin e tyre prej guri!".
4 Dëgjo, o Perëndia ynë, sepse na përçmojnë! Bëj që të bjerë mbi kokën e tyre fyerja e tyre dhe braktisi në përbuzje në një vend robërie!
5 Mos e mbulo paudhësinë e tyre dhe mos lejo që mëkati i tyre të fshihet para teje, sepse kanë provokuar zemërimin tënd para ndërtuesve".
6 Ne, pra, i rindërtuam muret që u bashkuan deri në gjysmën e lartësisë së tyre; populli e kishte marrë me zemër punën.
7 Por kur Sanballati, Tobiahu, Arabët, Amonitët dhe Asdodejtë mësuan që riparimi i mureve të Jeruzalemit po përparonte dhe të çarat kishin filluar të mbylleshin, ata u zemëruan shumë,
8 dhe të gjithë së bashku komplotuan për të ardhur në Jeruzalem dhe për të krijuar trazira në të.
9 Por ne iu lutëm Perëndisë tonë dhe për shkak të tyre vumë roje natë e ditë kundër tyre.
10 Por ata të Judës thonin: "Forcat e mbartësve të peshave vijnë duke u pakësuar dhe gërmadhat janë aq të shumta sa nuk do të arrijmë të ndërtojmë muret!
11 Përveç kësaj kundërshtarët tanë thonin: "Ata nuk do të dinë dhe nuk do të shohin asgjë, deri sa ne do të sulemi në mes të tyre dhe do t’i vrasim; kështu do të bëjmë që të ndërpriten punimet".
12 Por kur Judejtë që banonin pranë tyre erdhën dhjetë herë rrjesht për të na thënë: "Ngado që të ktheheni, do të na sulen".
13 Unë vendosa njerëz të armatosur në vendet më të ulta prapa mureve; e vendosa popullin sipas familjeve, me shpatat e tyre, shtizat e tyre dhe harqet e tyre.
14 Mbasi e shqyrtova situatën u ngrita dhe u thashë parisë, gjyqtarëve dhe pjesës tjetër të popullit: "Mos kini frikë nga ata! Kujtoni Zotin e madh dhe të tmerrshëm dhe luftoni për vëllezërit tuaj, për bijtë dhe bijat tuaja, për bashkëshortet tuaja dhe për shtëpitë tuaja!".
15 Kur armiqtë tanë mësuan që ne ishim të informuar mbi këtë gjë dhe që Perëndia e kishte bërë të dështonte plani i tyre, ne të gjithë u kthyem tek muret, secili në punën e tij.
16 Qysh prej asaj dite, gjysma e shërbëtorëve të mi merrej me punët, ndërsa gjysma tjetër kishte rrokur shtizat, mburojat, harqet dhe kishte veshur parzmoret; komandantët qëndronin prapa tërë shtëpisë së Judës.
17 Por ata që ndërtonin muret dhe ata që mbartnin o ngarkonin peshat, me një dorë merreshin me punimet dhe me dorën tjetër mbanin armën e tyre.
18 Tërë ndërtuesit, duke punuar, mbanin secili shpatën e ngjeshur në ijet, ndërsa borizani rrinte pranë meje.
19 Atëherë unë u thashë parisë, zyrtarëve dhe pjesës tjetër të popullit: Puna është e madhe dhe e shtrirë, dhe ne jemi të shpërndarë mbi muret, largg njeri tjetrit.
20 Kudo që të dëgjoni tingullin e borisë, atje mblidhuni pranë nesh; Perëndia ynë do të luftojë për ne".
21 Kështu e vazhdonim punën, ndërsa gjysma e njerëzve kishte rrokur shtizën që në agim e deri sa dilnin yjet.
22 Në të njëjtën kohë i thashë gjithashtu popullit: "Secili nga ju të rrijë me shërbëtorin e tij brenda Jeruzalemit, për të na ruajtur natën dhe për të punuar pastaj ditën".
23 Kështu as unë, as vëllezërit e mi, as shërbëtorët e mi, as njerëzit e rojes që më ndiqnin, nuk i hiqnim rrobat; por secili kishte armën e tij me ujë.
5 Ndërkaq u ngrit një ankesë e madhe prej popullit dhe bashkëshorteve të tyre kundër Judejve, vëllezërve të tyre.
2 Disa thonin: "Ne, bijtë tanë dhe bijat tona jemi shumë; prandaj të gjejmë grurë që të mund të hamë dhe të jetojmë!".
3 Të tjerë thonin: "Kemi hipotekuar arat tona, vreshtat tona dhe shtëpitë tona për të blerë grurë gjatë zisë!".
4 Disa të tjerë akoma thonin: "Kemi marrë para hua për të paguar haraçin e mbretit mbi arat tona dhe vreshtat tona.
5 Ndonëse mishi ynë është si mishi i vëllezërve tanë dhe bijtë tanë janë si bijtë e tyre, në realitet jemi të detyruar t’i kthejmë në skllevër bijtë tanë dhe bijat tona; disa nga bijat tona janë katandisur që tani në skllavëri dhe nuk kemi asnjë mundësi t’i shpengojmë, sepse arat tona dhe vreshtat tona janë në dorë të të tjerëve".
6 Kur dëgjova ankimet e tyre dhe këto fjalë, u indinjova shumë.
7 Mbasi u mendova mirë për këtë gjë, qortova parinë dhe gjyqtarët dhe u thashë atyre: "Secili prej jush kërkon një kamatë prej fajdexhiu nga vëllai i vet". Kështu mblodha kundër tyre një asamble të madhe
8 dhe u thashë: "Simbas mundësive tona ne kemi shpenguar vëllezërit tanë Judej që u ishin shitur kombeve; por tani a do t’i shisnit vëllezërit tuaj, apo duhet që ata të na shiten neve?". Atëherë ata heshtën me qenë se nuk gjenin fjalë për të thënë.
9 Dhe unë shtova: "Ajo që po bëni nuk është e mirë. A nuk duhet përkundrazi të ecni duke pasur frikë nga Perëndia ynë për të shmangur dëmin nga kombet që i kemi armiq?
10 Edhe unë, vëllezërit e mi dhe shërbëtorët e mi u kemi dhënë hua para dhe grurë. Ju lutem, të mos kërkojmë më kamatë për këtë!
11 Ua ktheni që sot arat e tyre, vreshtat e tyre, ullishtat e tyre dhe shtëpitë e tyre, dhe të njëqindtën pjesë të parave, të grurit, të verës dhe të vajit që u keni kërkuar".
12 Ata u përgjigjën: "Do t’i kthejmë dhe nuk do të kërkojmë më asgjë prej tyre; do të veprojmë ashtu si thua ti". Atëherë thirra priftërinjtë dhe i vura të betohen përpara atyre se do të vepronin sipas këtij premtimi.
13 Shkunda pastaj palën e rrobave të mia dhe thashë: "Kështu Perëndia ta shkundë nga shtëpia e tij dhe nga pasuria e tij cilindo që nuk do ta mbajë këtë premtim! Kështu të shkundet dhe të zbrazet ai nga të gjitha!". Atëherë tërë asambleja tha: "Amen!," dhe lavdëruan Zotin. Populli veproi sipas atij premtimi.
14 Përveç kësaj qysh prej ditës që u caktova të jem qeveritar i tyre në vendin e Judës, nga viti i njëzetë deri në vitin e tridhjetedytë të mbretit Artakserks, gjatë dymbëdhjetë vjetëve, unë dhe vëllezërit e mi nuk hëngrëm ushqimin e caktuar nga qeveritari.
15 Ndërsa qeveritarët e mëparshëm që më kishin paraprirë e kishin rënduar popullin duke marrë bukë dhe verë, dhe përveç kësaj dyzet sikla argjendi. Madje edhe shërbëtorët e tyre silleshin si zotër me popullin, por unë nuk veprova kështu, sepse kisha frikë nga Perëndia.
16 Përkundrazi i hyra me të madhe punës së riparimit të këtyre mureve dhe nuk kemi bërë asnjë blerje toke; përveç kësaj tërë shërbëtorët e mi u mblodhën atje për të punuar.
17 Kisha gjithashtu në mencën time njëqind e pesëdhjetë Judej dhe zyrtarë, përveç atyre që vinin nga kombet fqinje.
18 Çdo ditë përgatitej një ka dhe gjashtë krerë të zgjedhur që merreshin nga kopeja; për mua gatuheshin edhe zogj, dhe çdo dhjetë ditë bëhej furnizimi me lloj lloj vere me shumicë; por me gjithë këtë, nuk e kam kërkuar kurë kuotën e qeveritarit, sepse mbi këtë popull rëndonte tashmë shërbimi.
19 Më kujto, o Perëndia im, për tërë të mirat që i kam bërë këtij populli.
6 Kur Sanballati, Tobiahu dhe Geshem Arabi dhe armiqtë tanë të tjerë mësuan që unë kisha rindërtuar muret dhe që nuk kishte mbetur asnjë e çarë në to (megjithëse atëherë nuk i kisha vënë akoma kanatet e portave),
2 Sanballati dhe Geshemi më çuan për të thënë: "Eja dhe takohemi bashkë me një nga fshatrat e luginës së Onos". Por ata mendonin të ma punonin.
3 Kështu unë u dërgova atyre lajmëtarë për t’u thënë: "Jam duke bërë një punë të madhe dhe nuk mund të zbres. Pse duhet ta ndërpresim punën, kur unë po e lë për të zbritur tek ju?".
4 Plot katër herë ata më çuan njerëz për të thënë të njëjtën gjë, dhe unë u përgjigja në të njëjtën mënyrë.
5 Atëherë Sanballati më dërgoi shërbëtorin e tij që të më thotë po atë gjë për të pestën herë me një letër të hapur në dorë,
6 në të cilën ishte shkruar: "Éshtë përhapur fjala midis kombeve, dhe Gashmu e pohon këtë, që ti dhe Judejtë po kurdisni një rebelim; prandaj, sipas këtyre zërave, ti po rindërton muret, për t’u bërë mbreti i tyre,
7 dhe ke caktuar madje profetë për të bërë shpalljen tënde në Jeruzalem, duke thënë: "Ka një mbret në Judë!". Tani, këto gjëra do t’i njoftohen mbretit. Prandaj eja dhe të këshillohemi bashkë".
8 Por unë i çova për të thënë: "Punët nuk janë ashtu si thua ti, por ti i shpik në mendjen tënde".
9 Tërë këta njerëz në fakt donin të na trembnin dhe thonin: "Duart e tyre do ta lënë punën që do të mbetet e papërfunduar". Prandaj tani, o Perëndi, forco duart e mia!
10 Atëherë unë shkova në shtëpinë e Shemajahut, birit të Delajahut, që ishte bir i Mehetabeelit, që ishte mbyllur aty brenda; ai më tha: "Takohemi bashkë në shtëpinë e Perëndisë, brenda tempullit, dhe mbyllim portat e tempullit, sepse do të vinë të të vrasin; ata do të vijnë natën të të vrasin".
11 Por unë u përgjigja: "A mundet një njeri si unë të marrë arratinë? A mundet një njeri si unë të hyjë në tempull për të shpëtuar jetën? Jo, unë nuk do të hyj".
12 Kuptova pastaj që Perëndia nuk e kishte dërguar, por kishte shqiptuar atë profeci kundër meje, sepse Tobiahu dhe Sanbalati e kishin paguar.
13 Ishte paguar pikërisht për këtë: për të më trembur dhe për të më shtyrë të veproj në atë mënyrë dhe të mëkatoj, dhe kështu të më dilte një nam i keq dhe të mbulohesha me turp.
14 O Perëndia im, kujtoje Tobiahun dhe Sanbalatin, për këto vepra të tyre, si edhe profeteshën Noadiah dhe profetët e tjerë që kanë kërkuar të më trembin!
15 Muret u përfunduan ditën e njëzetepestë të muajit Elul, brenda pesëdhjetë e dy ditëve.
16 Kur tërë armiqtë tanë e mësuan këtë gjë dhe tërë kombet që na rrethonin e panë, e ndjenë veten shumë të dëshpëruar, sepse e kuptuan që kjo vepër ishte kryer me ndihmën e Perëndisë tonë.
17 Në ato ditë edhe paria e Judës i dërgonte shpesh letra Tobiahut dhe merrte letra prej Tobiahut.
18 Shumë në Judë ishin në fakt të lidhur me të me anë të betimit, sepse ai ishte dhëndër i Shekanijahut, birit të Arahut, dhe biri i tij Jehohanan ishte martuar me bijën e Meshulamit, birit të Berekiahut.
19 Edhe në praninë time ata flisnin mirë për të dhe ia njoftonin fjalët e mia. Dhe Tobiahu dërgonte letra për të më trembur.
7 Kur muret përfunduan dhe unë vura në vend portat, dhe derëtarët, këngëtarët dhe Levitët u caktuan në funksionet e tyre,
2 komandën e Jeruzalemit ia dhashë Hananit, vëllait tim, dhe Hananiahut, qeveritarit të fortesës, sepse ishte njeri besnik dhe kishte frikë nga Perëndia më tepër se shumë të tjerë.
3 Dhe u thashë atyre: "Portat e Jeruzalemit nuk duhet të hapen deri sa të fillojë të djegë dielli; dhe ndërsa rojet janë akoma në vendroje, portat të mbahen të mbyllura dhe me shufra. Të vendosen roje nga banorët e Jeruzalemit, disa në vendin e tyre mbi muret dhe të tjerë përpara shtëpisë së tyre".
4 Qyteti ishte i madh dhe i gjerë, por brenda tij kishte pak njerëz dhe nuk ndërtoheshin shtëpi.
5 Atëherë Perëndia im më vuri në zemër detyrën të mbledh parinë, gjyqtarët dhe popullin, për t’i regjistruar sipas gjenealogjive të tyre. Dhe gjeta regjistrin gjenealogjik të atyre që ishin kthyer nga mërgimi herën e parë dhe në të gjeta të shkruar:
6 Këta janë ata të krahinës që u kthyen nga robëria, ata që Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë, kishte internuar dhe që ishin kthyer në Jeruzalem dhe në Judë, secili në qytetin e tij.
7 Këta janë ata që u kthyen me Zorobabelin, Jeshuan, Nehemian, Azarian, Raamiahun, Nahamanin, Mardokeon, Bilshanin, Misperethin, Bigvain, Nehumin dhe Banaahun. Numri i njerëzve të popullit të Izraelit:
8 bijtë e Paroshit, dy mijë e njëqind shtatëdhjetë e dy veta.
9 Bijtë e Shefatiahut, treqind e shtatëdhjetë e dy veta.
10 Bijtë e Arahut, gjashtëqind e pesëdhjetë e dy veta.
11 Bijtë e Pahath-Moabit, bijtë e Jeshuas dhe të Joabit, dy mijë e tetëqind e tetëmbëdhjetë veta.
12 Bijtë e Elamit, një mijë e dyqind e pesëdhjetë e katër veta.
13 Bijtë e Zatujit, tetëqind e dyzet e pesë veta.
14 Bijtë e Zakait, shtatëqind e gjashtëdhjetë veta.
15 Bijtë e Binuit, gjashtëqind e dyzet e tetë veta.
16 Bijtë e Bebait, gjashtëqind e njëzet e tetë veta.
17 Bijtë e Azgadit, dy mijë e treqind e njëzet e dy veta.
18 Bijtë e Adonikamit, gjashtëqind e gjashtëdhjetë e shtatë veta.
19 Bijtë e Bigvait, dy mijë e gjashtëdhjetë e shtatë veta.
20 Bijtë e Adinit, gjashtëqind e pesëdhjetë e pesë veta.
21 Bijtë e Aterit, nga familja e Ezekias, nëntëdhjetë e tetë veta.
22 Bijtë e Hashumit, treqind e njëzet e tetë veta.
23 Bijtë e Bezait, treqind e njëzet e katër veta.
24 Bijtë e Harifit, njëqind e dymbëdhjetë veta.
25 Bijtë e Gabaonit, nëntëdhjetë e pesë veta.
26 Burrat e Betlemit dhe të Netofahut, njëqind e tetëdhjetë e tetë veta.
27 Burrat e Anathothit, njëqind e njëzet e tetë veta.
28 Burrat e Beth-Azmavethit, dyzet e dy veta.
29 Burrat e Kirjath-Jearimit, të Kefirahut dhe të Beerothit, shtatëqind e dyzet e tre veta.
30 Burrat e Ramahut dhe të Gebës, gjashtëqind e njëzet e një veta.
31 Burrat e Mikmasit, njëqind e njëzet e dy veta.
32 Burrat e Bethelit dhe të Ait, njëqind e njëzet e tre veta.
33 Burrat e një Nebos tjetër, pesëdhjetë e dy veta.
34 Bijtë e një Elami tjetër, një mijë e dyqind e pesëdhjetë e katër veta.
35 Bijtë e Harimit, treqind e njëzet veta.
36 Bijtë e Jerikos, treqind e dyzet e pesë veta.
37 Bijtë e Lodit, të Hadidit dhe të Onos, shtatëqind e njëzet e një veta.
38 Bijtë e Senaahut, tre mijë e nëntëqind e tridhjetë veta.
39 Priftërinjtë: bijtë e Jedajahut, nga shtëpia e Jeshuas, nëntëqind e gjashtëdhjetë e tre veta.
40 Bijtë e Imerit, një mijë e pesëdhjetë e dy veta.
41 Bijtë e Pashurit, një mijë e dyqind e dyzet e shtatë veta.
42 Bijtë e Harimit, një mijë e shtatëmbëdhjetë veta.
43 Levitët: bijtë e Jeshuas, nga familja e Kadmielit, bijtë e Hodevahut, shtatëdhjetë e katër veta.
44 Këngëtarët: bijtë e Asafit, njëqind e dyzet e tetë veta.
45 Derëtarët: bijtë e Shalumit, bijtë e Aterit, bijtë e Talmonit, bijtë e Akubit, bijtë e Hatitas, bijtë e Shobait, njëqind e tridhjetë e tetë veta.
46 Nethinejtë: bijtë e Tsihas, bijtë e Hasufas, bijtë e Taboathit,
47 bijtë e Keros, bijtë e Sias, bijtë e Padonit,
48 bijtë e Lebanas, bijtë e Hagabas, bijtë e Salmait,
49 bijtë e Hananit, bijtë e Gidelit, bijtë e Gaharit,
50 bijtë e Reajahut, bijtë e Retsinit, bijtë e Nekodës,
51 bijtë e Gazamit, bijtë e Uzas, bijtë e Paseahut,
52 bijtë e Besait, bijtë e Meunimit, bijtë e Nefishesimit,
53 bijtë e Bakbukut, bijtë e Hakufas, bijtë e Harhurit,
54 bijtë e Bazlithit, bijtë e Mehidas, bijtë e Harshas,
55 bijtë e Barkos, bijtë e Siseras, bijtë e Tamahut,
56 bijtë e Netsiahut, bijtë e Hatifas.
57 Bijtë e shërbëtorëve të Salomonit: bijtë e Sotait, bijtë e Soferethit, bijtë e Peridas,
58 bijtë e Jaalas, bijtë e Darkonit, bijtë e Gidelit,
59 bijtë e Shefatiahut, bijtë e Hatilit, bijtë e Pokerethit nga Tsebaimi, bijtë e Amonit.
60 Shuma e Nethinejve dhe bijve të shërbëtorëve të Salomonit, treqind e nëntëdhjetë e dy veta.
61 Këta janë ata që u kthyen nga Tel-Melahu, nga Tel-Harsha, nga Kerubi, nga Adoni dhe nga Imeri, dhe që nuk qenë në gjendje të përcaktonin shtëpinë e tyre atërore ose pasardhjen e tyre, për të vërtetuar që i përkisnin Izraelit;
62 bijtë e Delajahut, bijtë e Tobiahut, bijtë e Nekodas, gjashtëqind e dyzet e dy veta.
63 Midis priftërinjve: bijtë e Habajahut, bijtë e Kotsit, bijtë e Barzilait; i cili ishte martuar me një nga bijat e Barzijlait, Galaaditit, dhe mori emrin e tyre.
64 Këta kërkuan listat e tyre midis atyre që ishin regjistruar në gjenealogjitë, por nuk i gjetën; prandaj u përjashtuan nga priftëria si të papastër;
65 qeveritari i urdhëroi që të mos hanin gjëra shumë të shenjta deri sa të paraqitej një prift me Urimin dhe me Thumimin.
66 E tërë asambleja kishte gjithsej dyzet e dy mijë e treqind e gjashtëdhjetë veta,
67 përveç shërbëtorëve të tyre dhe shërbëtoreve të tyre, që ishin shtatë mijë e treqind e tridhjetë e shtatë veta. Kishin gjithashtu dyqind e dyzet e pesë këngëtarë dhe këngëtare.
68 Kishin shtatëqind e tridhjetë e gjashtë kuaj, dyqind e dyzet e pesë mushka,
69 katërqind e tridhjetë e pesë deve dhe gjashtë mijë e shtatëqind e njëzet gomarë.
70 Disa të parë të shtëpive atërore bënë dhurata për punën e ndërtimit. Qeveritari i dha thesarit një mijë darikë ari, pesëdhjetë kupa, pesëqind e tridhjetë rroba priftërinjsh.
71 Disa të parë të shtëpive atërore i dhanë thesarit për punën e ndërtimit njëzet mijë darikë ari dhe dy mijë mina argjendi.
72 Pjesa tjetër e popullit dha njëzet mijë darikë ari, dy mijë mina argjendi dhe gjashtëdhjetë e shtatë rroba priftërinjsh.
73 Kështu priftërinjtë, Levitët, derëtarët, këngëtarët, disa nga populli, Nethinejtë dhe tërë Izraelitët u vendosën në qytetet e tyre. Kur arriti muaji i shtatë, bijtë e Izraelit ishin në qytetet e tyre.
22 Burra të Izraelit, dëgjoni këto fjalë: Jezusi Nazareas, njeriu i dëftuar nga Perëndia ndër ju me vepra të fuqishme, me mrekulli dhe shenja që Perëndia bëri ndër ju me anë të ti tij, siç edhe vet e dini,
23 ai, pra, sipas këshillit të caktuar dhe të paranjohur të Perëndisë, ju dorëzua juve dhe ju e zutë dhe, me duart e të padrejtëve, e gozhduat në kryq dhe e vratë.
24 Por Perëndia e ka ringjallur, pasi e zgjidhi nga ankthet e vdekjes, sepse nuk ishte e mundur që vdekja ta mbante atë.
25 Në fakt Davidi thotë për të: "E pata vazhdimisht Zotin para meje, sepse ai është në të djathtën time, që unë të mos hiqem.
26 Për këtë u gëzua zemra ime dhe ngazëlloi gjuha ime, dhe edhe mishi im do të qëndrojë në shpresë.
27 Sepse ti nuk do ta lësh shpirtin tim në Hades dhe nuk do të lejosh që i Shenjti yt të shohë kalbjen.
28 Ti më ke bërë të njoh udhët e jetës, ti do të më mbushësh me gëzim në praninë tënde".
29 Vëllezër, mund të thuhet haptas për Davidin patriark që ai vdiq dhe u varros; dhe varri i tij është ndër ne deri ditën e sotme.
30 Ai, pra, duke qenë profet, e dinte se Perëndia i kishte premtuar me betim se nga fryti i belit të tij, sipas mishit, do të ngjallet Krishti për t’u ulur mbi fronin e tij;
31 dhe, duke parashikuar këtë, foli për ringjalljen e Krishtit, duke thënë se shpirti i tij nuk do të lihej në Hades dhe se mishi i tij nuk do të shihte kalbjen.
32 Këtë Jezus, Perëndia e ka ringjallur; dhe për këtë të gjithë ne jemi dëshmitarë!
33 Ai, pra, duke qenë i ngritur në të djathtë të Perëndisë dhe duke marrë nga Ati premtimin e Frymës së Shenjtë, ka përhapur atë që ju tani shihni dhe dëgjoni.
34 Sepse Davidi nuk është ngritur në qiell, madje ai vetë thotë: "Zoti i ka thënë Zotit tim: Ulu në të djathtën time,
35 derisa unë t’i vë armiqtë e tu si stol të këmbëve të tua!".
36 Ta dijë, pra, me siguri, gjithë shtëpia e Izraelit se atë Jezus që ju e keni kryqëzuar, Perëndia e ka bërë Zot e Krisht.”
37 Kur ata i dëgjuan këto gjëra, u pikëlluan në zemër dhe pyetën Pjetrin dhe apostujt: “Vëllezër, ç’duhet të bëjmë?.”
38 Atëherë Pjetri u tha atyre: “Pendohuni dhe secili nga ju le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit për faljen e mëkateve, dhe ju do të merrni dhuratën e Frymës së Shenjtë.
39 Sepse premtimi është për ju dhe për bijtë tuaj dhe për gjithë ata që janë larg, për ata që Zoti, Perëndia ynë, do t’i thërrasë.”
40 Dhe me shumë fjalë të tjera u përbetohej dhe i nxiste, duke thënë: “Shpëtoni veten nga ky brez i çoroditur!.”
41 Dhe ata që e pranuan fjalën e tij me gëzim, u pagëzuan; atë ditë u shtuan rreth tre mijë veta.
42 Ata ishin ngulmues në zbatimin e mësimit të apostujve, në bashkësi, në thyerjen e bukës dhe në lutje.
43 Dhe të gjithëve u kishte hyrë druajtja; dhe shumë shenja e mrekulli bëheshin nga dora e apostujve.
44 Por gjithë ata që besonin rrinin bashkë dhe çdo gjë e kishin të përbashkët.
45 Dhe i shisnin pronat e pasuritë dhe ua ndanin të gjithëve, sipas nevojës së çdonjërit.
46 Dhe ngulmonin me një mendje të vetme çdo ditë në tempull dhe, duke e thyer bukën nga shtëpia në shtëpi, merrnin ushqimin me gëzim dhe me thjeshtësi zemre,
47 duke lavdëruar Perëndinë dhe duke gëzuar simpatinë e gjithë popullit. Dhe Zoti i shtonte kishës çdo ditë ata që ishin shpëtuar.