Old/New Testament
21 Pastaj Jozafati pushoi bashkë me etërit e tij dhe e varrosën me ta në qytetin e Davidit. Në vendin e tij mbretëroi i biri, Jehorami.
2 Ai kishte vëllezër, bij të Jozafatit: Azariahun, Jehielin, Zakarian, Azariahun, Mikaelin dhe Shefatiahun; tërë këta ishin bij të Jozafatit, mbretit të Izraelit.
3 I ati u bëri atyre dhurata të mëdha prej argjendi, ari dhe sende të çmueshme, bashkë me qytete të fortifikuara në Judë, por ia dha mbretërinë Jehoramit, sepse ishte i parëlinduri.
4 Por kur Jehorami shtiu në dorë mbretërinë e atit të tij dhe u përforcua, vrau me shpatë tërë vëllezërit e tij dhe disa krerë të Izraelit.
5 Jehorami ishte tridhjetë e dy vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi tetë vjet në Jeruzalem.
6 Ai ndoqi rrugën e mbretërve të Izraelit ashtu si kishte bërë shtëpia e Ashabit, sepse gruaja e tij ishte një bijë e Ashabit, dhe bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit.
7 Megjithatë Zoti nuk deshi ta shkatërrojë shtëpinë e Davidit, për shkak të besëlidhjes që kishte bërë me Davidin dhe sepse i kishte premtuar t’i jepte atij dhe bijve të tij një llambë përgjithmonë.
8 Gjatë ditëve të mbretërisë së tij, Edomi ngriti krye kundër pushtetit të Judës dhe zgjodhi një mbret.
9 Atëherë Jehorami u nis me komandantët e tij dhe me të gjitha qerret e tij; u ngrit, pra, natën dhe i mundi Edomitët, që e kishin rrethuar atë dhe komandantët e qerreve të tij.
10 Kështu Edomi nuk iu nënshtrua pushtetit të Judës deri ditën e sotme. Në atë kohë edhe Libnahu ngriti krye kundër pushtetit të tij, sepse Jehorami kishte braktisur Zotin, Perëndinë e etërve të tij.
11 Edhe Jehorami ndërtoi vende të larta në malet e Judës, i shtyu banorët e Jeruzalemit në rrugën e kurvërimit dhe largoi Judën.
12 Atëherë i erdhi një shkrim nga profeti Elia, në të cilën thuhej: Kështu i thotë Zoti, Perëndia i Davditi, atit tënd: "Meqë nuk ke ndjekur rrugët e Jozafatit, atit tënd, dhe rrugët e Asas, mbretit të Judës,
13 por ke ndjekur rrugët e mbretërve të Izraelit dhe ke shtyrë në rrugën e kurvërimit Judën dhe banorët e Jeruzalemit, ashtu si ka vepruar shtëpia e Ashabit, dhe ke vrarë vëllezërit e tu, vetë familjen e atit tënd, që ishin më të mirë se ti,
14 ja, Zoti do të godasë me një fatkeqësi të madhe popullin tënd, fëmijët e tu, bashkëshortet e tua dhe gjithçka që ti zotëron;
15 ti vetë do të goditesh nga sëmundje shumë të rënda, nga një sëmundje e zorrëve që do të të nxjerrë çdo ditë pak e nga pak zorrët"".
16 Përveç kësaj Zoti zgjoi kundër Jehoramit frymën e Filistejve dhe të Arabëve, që banojnë pranë Etiopasve;
17 dhe këta dolën kundër Judës, e pushtuan dhe morën me vete tërë pasuritë që gjetën në pallatin mbretëror, duke përfshirë bijtë dhe gratë e tij; kështu nuk i mbeti asnjë bir përveç Jehoahazit, më i vogli prej bijve të tij.
18 Mbas tërë kësaj Zoti e goditi në zorrët me një sëmundje të pashërueshme.
19 Kështu, me kalimin e kohës, në fund të vitit të dytë, nga shkaku i sëmundjes, zorrët i dolën jashtë dhe vdiq duke hequr mundime të tmerrshme. Populli i tij nuk dogji parfume për nder të tij, ashtu si kishte bërë për etërit e tij.
20 Ai ishte tridhjetë e dy vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi tetë vjet në Jeruzalem. Iku pa lënë keqardhje; e varrosën në qytetin e Davidit, por jo në varret e mbretërve.
22 Banorët e Jezrualemit shpallën mbret birin e tij më të vogël Ashaziahun, në vend të tij, sepse tërë bijtë më të mëdhenj ishin vrarë nga banda që kishte hyrë në kamp bashkë me Arabët. Kështu mbretëroi Ashaziahu, bir i Jehoramit, mbret i Judës.
2 Ashaziahu ishte dyzet e dy vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi një vit në Jeruzalem. E ëma quhej Athaliah; ishte bij e Omrit.
3 Edhe ai ndoqi rrugët e ndjekura nga shtëpia e Ashabit, sepse e ëma e këshillonte të vepronte në mënyrë të paudhë.
4 Prandaj ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, ashtu si vepronin ata të shtëpisë së Ashabit, sepse mbas vdekjes së atit të tij këta qenë, për shkatërrimin e tij, këshilltarët e tij.
5 Duke ndjekur këshillën e tyre, ai shkoi me Jehoramin, birin e Ashabit, mbretit të Izraelit të luftojë kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë, në Ramoth të Galaadit; dhe Sirët e plagosën Jehoramin.
6 Kështu ai u kthye në Jezreel për të mjekuar plagët që kishte marrë në Ramah, duke luftuar kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë. Ashaziahu, bir i Jehoramit, mbret i Judës, zbriti për të parë Jehoramin, birin e Ashabit, në Jezreel, sepse ky ishte i sëmurë.
7 Vizita që i bëri Ashaziahu Jehoramit ishte vendosur nga Perëndia për shkatërrimin e tij. Kur arriti në të vërtetë, ai doli me Jehoramin kundër Jehut, birit të Nimshit, që Zoti kishte vajosur për të shfarosur shtëpinë e Ashabit.
8 Ndodhi që, ndërsa Jehu vendoste drejtësi në shtëpinë e Ashabit, u takua me krerët e Judës dhe me bijtë e vëllezërve të Ashaziahut që ishin në shërbim të Ashaziahut dhe i vrau.
9 Urdhëroi gjithashtu ta kërkojnë Ashaziahun dhe e kapën (ai ishte fshehur në Samari); e çuan pastaj tek Jehu që e vrau. Pastaj e varrosën, sepse thonin: "Éshtë bir i Jozafatit, që e kërkonte Zotin me gjithë zemër". Kështu në shtëpinë e Ashaziahut nuk mbeti më njeri në gjendje të mbretërojë.
10 Kur Athaliah, nëna e Ashaziahut, pa që i biri kishte vdekur, u ngrit dhe vrau tërë pasardhësit mbretërorë të shtëpisë së Judës.
11 Por Jehoshabeath, bija e mbretit mori Joasin, birin e Ashaziahut, e mori tinëz midis bijve të mbretit që ishin vrarë dhe e vendosi bashkë me tajën në dhomën e saj. Kështu Jehoshabeath, bija e mbretit Jehoram, bashkëshortja e priftit Jehojada (ishte motra e Ashaziahut), e fshehu nga Athialiahu që nuk e vrau.
12 Kështu mbeti i fshehur me ta në shtëpinë e Perëndisë gjashtë vjet, ndërsa Athaliah mbretëronte mbi vendin.
14 “Zemra juaj mos u trondittë; besoni në Perëndi dhe besoni edhe në mua!
2 Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa; përndryshe do t’ju thoja. Unë po shkoj t’ju përgatis një vend.
3 Dhe kur të shkoj e t’ju përgatis vendin, do të kthehem dhe do t’ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju.
4 Ju e dini se ku po shkoj dhe e njihni edhe udhën.”
5 Thomai i tha: “Zot, ne nuk e dimë se ku po shkon; pra, si mund ta njohim udhën?”
6 Jezusi i tha: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje.
7 Po të më kishit njohur, do të kishit njohur edhe Atin tim; qysh tani e njihni dhe e keni parë.”
8 Filipi i tha: “Zot, na e trego Atin, dhe na mjafton.”
9 Jezusi i tha: “Ka kaq kohë që unë jam me ju dhe ti nuk më ke njohur akoma, o Filip? Kush më ka parë mua, ka parë Atin; Si vallë po thua: "Na e trego Atin?".
10 A nuk beson se unë jam në Atin dhe se Ati është në mua? Fjalët që po ju them, nuk i them nga vetja. Ati që qëndron në mua, është ai që i bën veprat.
11 Më besoni se unë jam në Atin dhe se Ati është në mua; në mos, më besoni për shkak të vet veprave.
12 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: kush beson në mua do të bëjë edhe ai veprat që bëj unë; madje do të bëjë edhe më të mëdha se këto, sepse unë po shkoj tek Ati.
13 Dhe çfarëdo të kërkoni në emrin tim, do ta bëj, që Ati të përlëvdohet në Birin.
14 Në qoftë se do të kërkoni diçka në emrin tim, unë do ta bëj.”
15 “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia.
16 Dhe unë do t’i lutem Atit dhe ai do t’ju japë një Ngushëllues tjetër, që do të qëndrojë përgjithmonë me ju,
17 Frymën e së Vërtetës, që bota nuk mund ta marrë, sepse nuk e sheh dhe nuk e njeh; por ju e njihni, sepse qëndron me ju dhe do të jetë në ju.
18 Nuk do t’ju lë bonjakë, do të kthehem te ju.
19 Edhe pak kohë dhe bota nuk do të më shohë më, por ju do të më shihni; sepse unë jetoj, edhe ju do të jetoni.
20 Atë ditë do të mësoni se unë jam në Atin tim, dhe se ju jeni në mua dhe unë në ju.
21 Kush ka urdhërimet e mia dhe i zbaton, është ai që më do; dhe kush më do mua, Ati im do ta dojë; dhe unë do ta dua dhe do t’i dëftehem atij.”
22 Juda, jo Iskarioti, i tha: “Zot, si vallë do të na dëftehesh neve dhe jo botës?.”
23 Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Nëse ndokush më do, do ta zbatojë fjalën time; edhe Ati im do ta dojë dhe ne do të vijmë tek ai dhe do të bëjmë banesën tek ai.
24 Kush nuk më do, nuk i zbaton fjalët e mia; dhe fjala që po dëgjoni nuk është imja, por e Atit që më ka dërguar.
25 Ju kam thënë këto gjëra, ndërkaq jam me ju;
26 por Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t’ju mësojë çdo gjë dhe do t’ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë.
27 Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë.
28 Ju keni dëgjuar që ju thashë: "Unë po shkoj dhe do të kthehem te ju". Po të më donit, do të gëzoheshit sepse unë thashë: "Po shkoj tek Ati"; sepse Ati është më i madh se unë.
29 Dhe jua kam thënë tani, para se të ndodhë, që, kur të ndodhë, të besoni.
30 Nuk do të flas më gjatë me ju, sepse po vjen princi i kësaj bote dhe ai nuk ka asgjë në mua;
31 por kjo ndodh që bota ta njohë se unë e dua Atin dhe se bëj ashtu siç Ati më ka urdhëruar. Çohuni, ikim prej këndej!.”