Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Old/New Testament

Each day includes a passage from both the Old Testament and New Testament.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Esdra 9-10

Mbasi përfunduan këto gjëra, krerët erdhën tek unë, duke thënë: "Populli i Izraelit, priftërinjtë dhe Levitët nuk janë ndarë nga popujt e këtyre vendeve, për gjërat e neveritshme të Kananejve, të Hitejve, të Perezejve, të Gebusejve, të Amonitëve, të Moabitëve, të Egjiptasve dhe të Amorejve.

Në fakt ata kanë marrë si bashkëshorte disa nga bijat e tyre për vete dhe për bijtë e tyre, duke përzier kështu fisin e shenjtë me popujt e këtyre vendeve. Mjerisht gjyqtarët kanë qenë të parët që e kryen këtë mëkat".

Kur dëgjova këtë gjë, grisa rrobat dhe mantelin, shkula flokët e kokës dhe mjekrën, dhe u ula i shtangur.

Atëherë tërë ata që dridheshin nga fjalët e Perëndisë të Izraelit u mblodhën rreth meje për shkak të mëkatit të atyre që ishin kthyer nga robëria; dhe unë mbeta i ulur dhe i shtangur deri në blatimin e mbrëmjes.

Në blatimin e mbrëmjes u ngrita nga agjerimi, me rrobat dhe mantelin të grisur; pastaj rashë në gjunjë dhe shtriva duart nga Zoti, Perëndia im,

dhe thashë: "O Perëndia im, unë jam i pështjelluar dhe më vjen turp të ngre fytyrën time ndaj teje, o Perëndia im, sepse paudhësitë tona janë shumëzuar deri mbi kokën tonë, dhe faji ynë ka arritur deri në qiell.

Nga ditët e etërve tanë deri në ditën e sotme kemi qenë shumë fajtorë, dhe për shkak të paudhësive tona ne, mbretërit tanë dhe priftërinjtë tanë u lamë në duart e mbretërve të kombeve të huaja, nën kanosjen e shpatës, të internimit, të plaçkitjes dhe të turpit, ashtu si po ndodh tani.

Por tani Zoti, Perëndia ynë, na ka dhënë hir për një çast të shkurtër, duke na lënë një mbetje dhe duke na dhënë një strehë në vendin e tij të shenjtë, dhe kështu Perëndia ynë i ka ndriçuar sytë tanë dhe na ka dhënë një rizgjim të vogël në skllavërinë tonë.

Në të vërtetë ne ishim skllevër, megjithatë Perëndia ynë nuk na braktisi në skllavërinë tonë, por na siguroi mirëdashjen e mbretërve të Persisë, duke na rizgjuar për të ngritur përsëri shtëpinë e Perëndisë tonë, duke restauruar rrënojat e saj dhe për të na dhënë një mur mbrojtjeje në Judë dhe Jeruzalem.

10 Por tani, o Perëndia ynë, çfarë do të themi pas kësaj? Sepse i kemi braktisur urdhërimet e tua,

11 që na kishe urdhëruar me anë të shërbëtorëve të tu, profetëve, duke thënë: "Vendi në të cilin po hyni për ta shtënë në dorë është një vend i papastër për shkak të papastërtisë së popujve të këtyre vendeve, për shkak të gjërave të neveritshme me të cilat e kanë mbushur fund e krye me ndotjet e tyre.

12 Prandaj tani mos u jepni bijat tuaja bijve të tyre dhe mos merrni bijat e tyre për bijtë tuaj; mos kërkoni kurrë begatinë e tyre, as mirëqënien e tyre, sepse kështu do të bëheni të fortë, do të hani prodhimet më të mira të vendit dhe do t’ua lini atë në trashëgimi bijve tuaj përjetë".

13 Por mbas gjithë asaj që na ra mbi krye për shkak të veprimeve tona të këqija dhe të fajeve tona të mëdha, duke qenë se ti, o Perëndia ynë, na dënove më pak nga sa e meritonin fajet tona dhe na le një pikë si kjo,

14 a do të kthehemi përsëri të shkelim urdhërimet e tua dhe të bashkohemi me martesë me popujt që kryejnë këto gjëra të neveritshme? A nuk do të zemëroheshe kundër nesh deri sa të shkatërroje pa lënë asnjë të mbetur ose të shpëtuar?

15 O Zot, Perëndia i Izraelit, ti je i drejtë, prandaj ne kemi mbetur sot, një mbetje njerëzish që kanë shpëtuar. Ja ku jemi para teje me fajin tonë, megjithëse për shkak të tij asnjë nuk mund të qëndrojë para teje!".

10 Ndërsa Ezdra lutej dhe bënte këtë rrëfim, duke qarë dhe duke rënë përmbys përpara shtëpisë së Perëndisë, rreth tij u mblodh një mori e madhe nga Izraeli: burra, gra, dhe fëmijë; dhe populli qante me të madhe.

Atëherë Shekaniahu, bir i Jehielit, një nga bijtë e Elamit, filloi t’i thotë Ezdras: "Ne kemi mëkatuar kundër Perëndisë tonë, duke u martuar me gra të huaja që i kemi marrë nga popujt e këtij vendi; megjithëkëtë mbetet ende një shpresë për Izraelin.

Prandaj të bëjmë një besëlidhje me Perëndinë tonë, t’i kthejmë tërë këto gra dhe bijtë që kanë lindur prej tyre, sipas këshillës së Perëndisë dhe të atyre që dridhen përpara urdhërit të Perëndisë tonë. Dhe të veprohet sipas ligjit.

Çohu sepse kjo të përket ty; ne do të jemi me ty. Merr guxim dhe vepro!".

Atëherë Ezdra u ngrit dhe i vuri të betohen krerët e priftërinjve, Levitët dhe tërë Izraelin se do të vepronin ashtu siç ishte thënë. Dhe ata u betuan.

Pastaj Ezdra u ngrit përpara shtëpisë së Perëndisë dhe shkoi në dhomën e Jehohananit, birit të Eliashibit. Sa qëndroi aty, ai nuk hëngri bukë as piu ujë, sepse mbante zi për mëkatin e atyre që ishin kthyer nga robëria.

Edhe u bë një shpallje në Judë dhe në Jeruzalem për të gjithë të kthyerit nga robëria, me qëllim që të mblidheshin në Jeruzalem;

në rast se dikush nuk do të vinte brenda tri ditëve sipas këshillës së krerëve dhe të pleqve, tërë pasuritë e tij do të konfiskoheshin dhe ai vetë do të përjashtohej nga asambleja e të kthyerve nga robëria.

Kështu gjithë burrat e Judës dhe të Beniaminit u mblodhën në Jeruzalem brenda tri ditëve. Ishte dita e njëzet e muajit të nëntë. Tërë populli zuri vend në sheshin e shtëpisë së Perëndisë, duke u dridhur nga shkaku i kësaj gjëje dhe nga shiu i fortë.

10 Atëherë prifti Ezdra u ngrit dhe u tha atyre: "Ju keni mëkatuar duke u martuar me gra të huaja dhe kështu e keni shtuar fajin e Izraelit.

11 Por tani rrëfehuni te Zoti, Perëndia i etërve tuaj, dhe bëni vullnetin e tij, duke u ndarë nga popujt e këtij vendi dhe nga gratë e huaja!".

12 Atëherë tërë asambleja u përgjigj dhe tha me zë të lartë: "Po, duhet të bëjmë ashtu siç thua ti!

13 Por populli është i madh në numër dhe është stina e shirave të mëdha; nuk është, pra, i mundur qëndrimi jashtë. Nuk është me siguri puna e një dite ose dy ditëve, sepse jemi të shumtë që kemi mëkatuar në këtë çështje.

14 Të mbeten këtu, pra, krerët tanë në vend të tërë asamblesë dhe të gjithë ata që në qytetet tona janë martuar me gra të huaja të vijnë në kohë të caktuara bashkë me pleqtë dhe me gjyqtarët e çdo qyteti, deri sa të largohet prej nesh zemërimi i zjarrtë i Perëndisë tonë për shkak të kësaj gjëje.

15 Vetëm Jonathani, bir i Asahelit, dhe Jaziahu, bir i Tikvahut, e kundërshtuan këtë propozim, të përkrahur nga Meshulami dhe nga Leviti Shabethai.

16 Kështu të kthyerit nga robëria vepruan siç ishte thënë dhe u zgjodhën prifti Ezdra dhe disa kryefamiljarë sipas shtëpive të tyre patriarkale, të tërë të caktuar me emër; ata filluan mbledhjet ditën e parë të muajit të dhjetë për të shqyrtuar rastet e ndryshme.

17 Ditën e parë të muajit të parë përfunduan tërë rastet e burrave që ishin martuar me gra të huaja.

18 Midis bijve të priftërinjve që ishin martuar me gra të huaja figuronin: nga bijtë e Jeshuas, biri i Jotsadakut, dhe midis vëllezërve të tij: Maasejahu, Eliezeri, Jaribi dhe Gedaliahu.

19 Ata u zotuan t’i ndanin gratë e tyre; pastaj, për shkak të fajit të tyre, secili paraqiti një dash për të shlyer mëkatin e tij.

20 Nga bijtë e Imerit: Hanani dhe Zebadiahu.

21 Nga bijtë e Harimit: Maasejahu, Elia, Shemajahu, Jehieli dhe Uziahu.

22 Nga bijtë e Pashurit: Elioenai, Maasejahu, Ishmaeli, Nethaneeli, Jozabadi dhe Elasahu.

23 Nga Levitët: Jozabadi, Shimei, Kelajahu, domethënë Kelita, Pethajahu, Juda dhe Eliezeri.

24 Nga këngëtarët: Eliashibi. Nga derëtarët: Shallumi, Telemi dhe Uri.

25 Midis Izraelitëve: bijtë e Paroshit: Ramiahu, Iziahu, Malkiahu, Mijamini, Eleazari, Malkiahu dhe Benajahu.

26 Nga bijtë e Elamit: Mataniahu, Zakaria, Jehieli, Abdi, Jeremothi dhe Elia.

27 Nga bijtë e Zatuit: Elioenai, Eliashibi, Mataniahu, Jeremothi, Zabadi dhe Aziza.

28 Nga bijtë e Bebait: Jehohanani, Hananiahu, Zabai dhe Athlai.

29 Nga bijtë e Banit: Meshulami, Maluku, Adajahu, Jashubi, Sheali dhe Ramothi.

30 Nga bijtë e Pahath-Moabit: Adnai, Kelali, Benajahu, Maasejahu, Mataniahu, Betsaleeli, Binui dhe Manasi.

31 Nga bijtë e Harimit: Eliezeri, Ishshijahu, Malkiahu, Shemajahu, Simeoni,

32 Beniamini, Malluku dhe Shemariahu.

33 Nga bijtë e Hashumit: Matenai, Matatahu, Zabadi, Elifeleti, Jeremai, Manasi dhe Shimei.

34 Nga bijtë e Banit: Maadai, Amrami, Ueli,

35 Benajahu, Bedejahu, Keluhi,

36 Vaniahu, Meremothi, Eliashibi,

37 Mataniahu, Matenai, Jaasai,

38 Bani, Binui, Shimei,

39 Shelemiahu, Nathani, Adajahu,

40 Maknadbai, Shashai, Sharai,

41 Azareli, Shelemiahu, Shemariahu,

42 Shalumi, Amariahu dhe Jozefi.

43 Nga bijtë e Nebos: Jeijeli, Matithiahu, Zabadi, Zebina, Jadai, Joeli dhe Benajahu.

44 Tërë këta ishin martuar me gra të huaja; dhe disa nga këta kishin pasur fëmijë nga këto gra.

Veprat e Apostujve 1

Tregimin e parë e bëra, o Teofil, mbi të gjitha gjërat që Jezusi nisi të bëjë dhe të mësojë,

deri në ditën në të cilën u muarr në qiell, pasi u kishte dhënë urdhërime nëpërmjet Frymës së Shenjtë apostujve që ai kishte zgjedhur.

Atyre, pasi pati vuajtur, iu paraqit i ngjallur me shumë prova bindëse, duke u parë prej tyre për dyzet ditë dhe duke folur për gjërat e mbretërisë së Perëndisë.

Dhe, duke u gjendur bashkë me ta, i urdhëroi ata që të mos largoheshin nga Jeruzalemi, por të prisnin premtimin e Atit: “Që, tha ai, e keni dëgjuar nga unë,

sepse Gjoni pagëzoi me ujë, por ju do të pagëzoheni me Frymën e Shenjtë, mbas jo shumë ditësh.”

Kështu ata që ishin mbledhur bashkë e pyetën, duke thënë: “Zot, a do ta rivendosësh në këtë kohë mbretërinë e Izraelit?.”

Por ai u tha atyre: “Nuk ju takon juve të dini kohët dhe momentet e përshtatshme, që ka përcaktuar Ati me autoritetin e vet.

Ju do të merrni fuqi kur Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ju dhe do të bëheni dëshmitarët e mi në Jeruzalem dhe në gjithë Judenë, në Samari dhe deri në skajin e dheut.”

Mbasi i tha këto gjëra, ndërsa ata po e vështronin, u ngrit lart; dhe një re e përfshiu dhe ua hoqi prej syve të tyre.

10 Dhe, si ata po i mbanin sytë e ngulitur në qiell, ndërsa ai po largohej, ja dy burra në rroba të bardha iu paraqitën atyre,

11 dhe thanë: “Burra Galileas, pse qëndroni e shikoni drejt qiellit? Ky Jezus, që u është marrë në qiell nga mesi juaj, do të kthehet në të njëjtën mënyrë, me të cilën e keni parë të shkojë në qiell.”

12 Atëherë ata u kthyen në Jeruzalem, nga mali që quhet i Ullinjve, që është afër Jeruzalemit sa një ecje e së shtunës.

13 Dhe, si u kthyen në qytet, u ngjitën në sallën e sipërme, ku rrinin Pjetri dhe Jakobi, Gjoni dhe Andrea, Filipi dhe Thomai, Bartolomeu dhe Mateu, Jakobi i Alfeut dhe Simon Zellshmi, dhe Juda i Jakobit.

14 Të gjithë këta ngulmonin me një mendje të vetme në lutje dhe përgjërim së bashku me gratë, me Marinë, nënën e Jezusit, dhe me vëllezërit e tij.

15 Në ato ditë Pjetri u çua në mes të dishepujve (dhe numri i emrave të mbledhur ishte rreth njëqind e njëzet) dhe tha:

16 “Vëllezër, ishte e nevojshme që të përmbushej ky Shkrim, të cilin Fryma e Shenjtë e parafoli me anë të gojës së Davidit në lidhje me Judën, i cili u bë prijës i atyre që e kapën Jezusin.

17 Sepse ai ishte i numëruar bashkë me ne dhe kishte pjesë në këtë shërbesë.

18 Ai, pra, fitoi një arë, me shpërblimin e paudhësisë, dhe duke rënë kokëposhtë, plasi në mes dhe të gjitha të brendshmet e tij iu derdhën.

19 Kjo iu bë e njohur të gjithë banorëve të Jeruzalemit, sa që ajo arë në dialektin e tyre është quajtur Akeldama, që do të thotë: "Ara e gjakut".

20 Në fakt, në librin e Psalmeve, është shkruar: “Shtëpia e tij u bëftë e shkretë dhe askush mos banoftë në të!,” dhe: “Tjetërkush e zëntë detyrën e tij!.”

21 Duhet, pra, që ndër burrat që kanë qenë në shoqërinë tonë gjithë kohën në të cilën Zoti Jezus ka hyrë dhe ka dalë midis nesh,

22 duke filluar që nga pagëzimi i Gjonit e deri në atë ditë kur u muarr në qiell nga mesi ynë, një prej tyre të bëhet dëshmitar me ne, i ringjalljes së tij.”

23 Dhe u paraqitën dy: Jozefi, i quajtur Barsaba, që ishte i mbiquajtur Just, dhe Matia.

24 Dhe, duke u lutur, thanë: “Ti, o Zot, që i njeh zemrat e të gjithëve, trego cilin nga këta të dy ke zgjedhur,

25 për të marrë shortin e kësaj shërbese dhe apostullimin, nga i cili Juda u largua për të shkuar në vendin e tij.”

26 Atëherë hodhën short, dhe shorti ra mbi Matian; dhe ai iu shtua të njëmbëdhjetë apostujve.