Old/New Testament
21 Në kohën e Davidit pati zi buke për tre vjet me radhë; Davidi kërkoi fytyrën e Zotit dhe Zoti i tha: "Kjo ndodh për shkak të Saulit dhe të shtëpisë së tij gjakatare, sepse ai i ka bërë të vdesin Gabaonitët".
2 Atëherë mbreti thirri Gabaonitët dhe u foli atyre. (Gabaonitët nuk u përkisnin bijve të Izraelit, por ishin mbeturina të Amorejve; bijtë e Izraelit ishin betuar se do t’i kursenin, por Sauli, në zellin e tij të madh për bijtë e Izraelit dhe të Judës, ishte orvatur t’i shfaroste).
3 Atherë Davidi u tha Gabaonitëve: "Çfarë duhet të bëj për ju dhe në ç’mënyrë duhet të veproj për të ndrequr gabimin e bërë, me qëllim që ju të bekoni trashëgiminë e Zotit?".
4 Gabaonitët u përgjigjën: "Ne nuk na intereson të kemi ar apo argjend nga Sauli apo nga shtëpia e tij, as duhet të vrisni për ne ndonjë njeri në Izrael". Mbreti tha: "Atë që kërkoni, unë do ta bëj për ju".
5 Ata iu përgjigjën mbretit: "Për njeriun që na ka konsumuar dhe që ka menduar të na shfarosë për të na zhdukur nga tërë territori i Izraelit,
6 të na dorëzohen shtatë burra nga trashëgimtarët e tij dhe ne do t’i varim përpara Zotit në Gibeah të Saulit, që është i zgjedhuri i Zotit". Mbreti tha: "Do t’jua dorëzoj".
7 Mbreti e kurseu Mefoboshethin, birin e Jonatanit, bir të Saulit, për shkak të betimit të Zotit që ekzistonte midis tyre, midis Davidit dhe Jonathanit, birit të Saulit.
8 Por mbreti mori dy bijtë që Ritspah, bija e Ajahut, i kishte lindur Saulit, Armonin dhe Mefibeshethin, dhe pesë bijtë që Mikal, e bija e Saulit, i kishte lindur Adrielit nga Mehola, birit të Barzilait,
9 dhe ua dorëzoi Gabaonitëve, që i varën në mal, përpara Zotit. Kështu u vranë në ditët e para të korrjeve, kur filloi korrja e elbit.
10 Ritspah, e bija e Ajahut, mori një mbulesë të ashpër dhe e shtriu mbi shkëmb, duke qendruar aty nga fillimi i korrjes deri sa mbi ta ra shi nga qielli. Ajo nuk i lejoi shpendët e qiellit të zbrisnin mbi ta gjatë ditës dhe egërsirat e fushave të afroheshin natën.
11 Kur i treguan Davidit atë që kishte bërë Ritspah, bija e Ajahut, konkubinë e Saulit,
12 Davidi shkoi të marrë eshtrat e Saulit dhe ato të Jonathanit, birit të tij, nga banorët e Jabeshit të Galaadit, që i kishin marrë me vete nga sheshi i Beth-Shanit, ku Filistejt i kishin varur kur kishin mundur Saulin në Gilboa.
13 Ai solli që andej eshtrat e Saulit dhe ato të birit të tij, Jonatanit, dhe u mblodhën edhe eshtrat e atyre që ishin varur.
14 Eshtrat e Saulit dhe të Jonatanit, birit të tij, u varrosën në vendin e Beniaminit, në Tselah, në varret e Kishit, atit të Saulit. Kështu bënë të gjitha ato që mbreti kishte urdhëruar. Pas kësaj Perëndia dëgjoi lutjen që u bë për vendin.
15 Filistejtë i shpallën përsëri luftë Izraelit dhe Davidi zbriti me gjithë shërbëtorët e tij për të luftuar kundër Filistejve; dhe Davidi u lodh;
16 Ishbi-Benobi, një nga pasardhësit e gjigantëve që kishte një shtizë që peshonte treqind sikla bronzi dhe mbante në brez një shpatë të re, kishte ndër mend të vriste Davidin;
17 por Abishai, bir i Tserujahut, shkoi në ndihmë të mbretit, goditi Filisteun dhe e vrau. Atëherë njerëzit e Davidit u betuan: "Ti nuk do të dalësh më me ne për të luftuar dhe nuk do ta shuash llambën e Izraelit".
18 Pas kësaj u bë një betejë tjetër me Filistejtë në Gob; atëherë Hushathiti Sibekai vrau Safin, një nga pasardhësit e gjigantëve.
19 U bë një betejë tjetër me Filistejtë në Gob; dhe Elhanani, bir i Jaare-Oregimit nga Betlemi, vrau vëllanë e Goliathit nga Gathi; shkopi i shtizës së tij ishte shuli i vegjës së endësit.
20 U bë një betejë tjetër në Gath, ku ishte një njeri me shtat të lartë, i cili kishte gjashtë gishtërinj në çdo dorë dhe gjashtë gishtërinj në çdo këmbë, gjithsej njëzet e katër gishtërinj; edhe ai ishte një pasardhës i gjigantëve.
21 Ai e fyu Izraelin, por Jonathani, bir i Shimeahut, vëlla i Davidit, e vrau.
22 Këta të katër ishin pasardhësit e gjigantëve në Gath. Ata u vranë nga dora e Davidit dhe e shërbëtorëve të tij.
22 Davidi i drejtoi Zotit fjalët e këtij kantiku ditën që Zoti e çliroi nga duart e të gjithë armiqve të tij dhe nga dora e Saulit. Ai tha:
2 "Zoti është fortesa ime, kalaja ime dhe çlirimtari im,
3 Perëndia im, shkëmbi në të cilin strehohem, mburoja ime, fuqia e shpëtimit tim, strehimi im i lartë, streha ime. O shpëtimtari im, ti më shpëton nga dhuna!
4 Unë i kërkoj ndihmë Zotit që meriton të lavdërohet, dhe kështu më shpëtoi nga duart e armiqve të mi.
5 Valët e vdekjes më kishin rrethuar dhe përrenjtë e shkatërrimit më kishin tmerruar.
6 Dhimbjet e Sheolit më kishin zënë dhe lakun e vdekjes e kisha para syve.
7 Në ankthin tim i kërkova ndihmë Zotit dhe i klitha Perëndisë tim. Ai e dëgjoi zërin tim nga tempulli ku ndodhej dhe klithma ime arriti në veshët e tij.
8 Atëherë toka u trondit dhe u drodh, themelet e qiejve u lëkundën dhe u shkundën, sepse ai ishte tërë zemërim.
9 Një tym ngjitej nga fejzat e hundës së tij dhe një zjarr përvëlues i dilte nga goja; prej tij dilnin thëngjij.
10 Ai i uli qiejtë dhe zbriti me një mjegull të dendur poshtë këmbëve të tij.
11 Ai rrinte kaluar mbi një kerubin, fluturonte dhe dukej mbi flatrat e erës.
12 Si shatorre rreth vetes kishte vënë terrin, errësirën e ujërave dhe retë e dendura të qiellit.
13 Nga shkëlqimi që i priste dilnin thëngjij.
14 Zoti gjëmoi në qiejt dhe Më i Larti bëri të dëgjohet zëri i tij.
15 Hodhi shigjeta dhe shpërndau armiqtë, hodhi shigjetat e tij dhe i shpërndau.
16 Atëherë doli shtrati i detit dhe themelet e botës u zbuluan, me qortimin e Zotit, me erën që shfrynë, fejzat e hundës së tij.
17 Ai nga lart shtriu dorën dhe më kapi, më nxori nga ujërat e mëdha.
18 Më çliroi nga armiku im i fuqishëm dhe nga ata që më urrenin, sepse ishin më të fortë se unë
19 Ata ishin ngritur kundër meje ditën e mjerimit tim, por Zoti qe përkrahësi im,
20 ai më çoi larg tyre; ai më shpëtoi sepse i pëlqej.
21 Zoti më ka shpërblyer simbas së drejtës sime dhe më ka dhënë simbas pastërtisë së duarve të mia,
22 sepse kam ndjekur rrugët e Zotit dhe nuk jam larguar pabesisht nga Perëndia im.
23 Sepse kam mbajtur para vetes të gjitha ligjet e tij dhe nuk jam larguar nga statutet e tij.
24 Kam qenë i ndershëm me të dhe i jam ruajtur paudhësisë.
25 Prandaj Zoti më ka dhënë simbas së drejtës sime, simbas pastërtisë sime përpara syve të tij.
26 Ti tregohesh i mëshirshëm me njeriun e përshpirtshëm dhe i drejtë me njeriun e drejtë;
27 ti tregohesh i pastër me njeriun e pastër dhe dinak me njeriun e çoroditur.
28 Ti shpëton njerëzit e hidhëruar, por shikimi yt ndalet mbi kryelartët për t’i ulur.
29 Po, ti je drita ime, o Zot; Zoti ndriçon terrin tim.
30 Me ty mund të sulmoj një grup, me Perëndinë tim mund të kapërcej një mur.
31 Rruga e Zotit është e përsosur; fjala e Zotit është purifikuar me zjarrin. Ai është mburoja e të gjithë atyre që kanë shpresë tek ai.
32 Në fakt kush është Perëndi përveç Zotit? Dhe kush është Kalaja përveç Perëndisë tonë?
33 Zoti është kalaja ime e fuqishme, ai e bën të përsosur rrugën time.
34 Ai i bën këmbët e mia si ato të drerit dhe më bën të mbahem mirë në vendet e mia të larta.
35 Ai i mëson duart e mia për betejë dhe krahët e mia mund të tendosin një hark prej bronzi.
36 Ti më ke dhënë edhe mburojën e shpëtimit tënd dhe mirësia jote më ka bërë të madh.
37 Ti i ke zgjedhur hapat e mia dhe këmbët e mia nuk kanë ngurruar në këtë rast.
38 Unë i kam ndjekur armiqtë e mi dhe i kam shkatërruar, nuk jam kthyer prapa para se t’i shfarosja.
39 I kam shkatërruar dhe shtypur, dhe ata nuk kanë mundur më të ngrihen kundër meje; ata kanë rënë nën këmbët e mia.
40 Ti më ke dhënë forcë në betejë, dhe bëre që të më përulen ata që ngriheshin kundër meje;
41 bëre që të më kthenin kurrizin armiqtë e mi përpara meje, dhe unë zhduka ata që më urrenin.
42 Ata shikuan, por nuk pati njeri që t’i shpëtonte; i klithën Zotit, por ai nuk iu përgjigj atyre.
43 Unë i thërmova si pluhuri i tokës, i copëtova dhe i shkela si balta e rrugëve.
44 Ti më ke çliruar nga mosmarrëveshjet e popullit tim, më ke ruajtur si udhëheqës i kombeve; një popull që nuk e njihja më ka shërbyer.
45 Bijtë e të huajve më nënshtrohen mua; sa më dëgjojnë, më binden.
46 Bijtë e të huajve kanë humbur guximin, kanë dalë duke u dridhur nga fortesat e tyre.
47 Rroftë Zoti! Qoftë e bekuar Fortesa ime! U lartësoftë në qiell Perëndia, Fortesa e shpëtimit tim!
48 Éshtë Perëndia që hakmerret për mua, që më nënshtron popujt,
49 dhe më liron nga armiqtë e mi. Ti më larton mbi ata që ngrihen kundër meje dhe më çliron nga njeriu i furishëm.
50 Prandaj, o Zot, do të të kremtoj midis kombeve dhe do të këndojë lavdinë e emrit tënd.
51 Lirime të mëdha i siguron mbretit të tij, sillet dashamirës me të vajosurin, me Davidin dhe me pasardhësit e tij përjetë".
24 Atëherë Jezusi, kur pa se ai ishte trishtuar shumë, tha: “Sa është e vështirë për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!
25 Sepse është më lehtë që një deve të kalojë nëpër vrimën e gjilpërës, sesa i pasuri të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.”
26 Dhe ata që e dëgjonin thanë: “Po kush, pra, mund të shpëtohet?.”
27 Por ai tha: “Gjëra të pamundshme për njerëzit janë të mundshme për Perëndinë.”
28 Pastaj Pjetri tha: “Ja, ne kemi lënë çdo gjë dhe të kemi ndjekur.”
29 Dhe ai u tha atyre: “Në të vërtetë po ju them se nuk ka asnjë që të ketë lënë shtëpinë ose prindërit, ose vëllezërit, ose gruan ose fëmijët, për mbretërinë e Perëndisë,
30 që të mos marrë shumëfish në këtë kohë, dhe në kohën e ardhshme jetën e përjetshme.”
31 Pastaj i mori me vete të dymbëdhjetët dhe u tha atyre: “Ja, ne po ngjitemi në Jeruzalem dhe të gjitha ato që shkruan profetët për Birin e njeriut do të përmbushen.
32 Ai, pra, do t’u dorëzohet paganëve, do të fyhet e do të poshtërohet dhe do ta pështyjnë.
33 Dhe, pasi ta fshikullojnë, do ta vrasin, por ai do të ringjallet të tretën ditë.”
34 Por ata nuk morën vesh asgjë nga të gjitha këto: këto fjalë për ta ishin fshehtësi dhe ata nuk kuptonin ato që u ishin thënë.
35 Tani ndërsa ai po i afrohej Jerikos, një i verbër ishte ulur përgjatë rrugës dhe po lypte;
36 dhe kur dëgjoi se po kalonte turma, pyeti çfarë ishte;
37 iu përgjigjën se po kalonte Jezusi nga Nazareti.
38 Atëherë ai bërtiti duke thënë: “O Jezus, Bir i Davidit, ki mëshirë për mua.”
39 Ata që ecnin përpara i bërtitën të heshtte, por ai bërtiste edhe më fort: “O Bir i Davidit: ki mëshirë për mua.”
40 Atëherë Jezusi ndaloi dhe urdheroi t’ia sillnin dhe, kur ai iu afrua, e pyeti
41 duke thëne: “Çfarë dëshiron të bëj për ty?.” Dhe ai tha: “Zot, të rimarr dritën e syve.”
42 Dhe Jezusi i tha: “Rimerr dritën e syve, Besimi yt të shëroi.”
43 Në çast rimori dritën e syve dhe e ndiqte duke përlëvduar Perëndinë; dhe gjithë populli, kur pa këtë, i dha lavdi Perëndisë.