Old/New Testament
3 Lufta midis shtëpisë së Saulit dhe shtëpisë së Davidit qe e gjatë. Davidi bëhej gjithnjë më i fortë, ndërsa shtëpia e Saulit dobësohej gjithnjë e më shumë.
2 Në Hebron Davidit i lindën disa djem. I parëlinduri i tij qe Amnoni, që ia lindi Jezreelitja Ahinoam;
3 i dyti qe Kileabi, ia lindi Karmelitja Abigail, dikur bashkëshorte e Nabalit; i treti qe Absalomi, bir i Maakahut, e bija e Talmait, mbret i Geshurit;
4 i katërti qe Adonijahu, bir i Hagithit; i pesti qe Shefatiahu, bir i Abitalit,
5 dhe i gjashti qe Ithreami, bir i Eglahit, bashkëshorte e Davidit. Këta fëmijë i lindën Davidit në Hebron.
6 Gjatë luftës midis shtëpisë së Davidit dhe shtëpisë së Saulit, Abneri qëndroi i lidhur fort me shtëpinë e Saulit.
7 Sauli kishte pasur një konkubinë të quajtur Ritspah, bijë e Ajahut; dhe Ish-Boshethi i tha Abnerit: "Pse ke hyrë te konkubina e atit tim?".
8 Abneri u zemërua shumë nga fjalët e Ish-Boshethit dhe iu përgjigj: "Mos vallë jam një kokë qeni i Judës? Deri më sot jam treguar besnik i shtëpisë së Saulit, atit tënd, i vëllezërve dhe i miqve të saj dhe nuk të kam dorëzuar në duart e Davidit, dhe pikërisht sot ti më qorton për fajin që kam kryer me këtë grua!
9 Perëndia t’i bëjë Abnerit këtë dhe më keq në rast se nuk i bëj Davidit atë që Zoti i është betuar:
10 ta kaloj mbretërinë nga shtëpia e Saulit dhe të vendosë fronin e Davidit mbi Izrael dhe mbi Judën, nga Dani deri në Beer-Sheba".
11 Ish-Boshethi nuk iu përgjigj dot as edhe me një fjalë të vetme Abnerit, sepse ia kishte frikën.
12 Atëherë Abneri i dërgoi në emër të tij lajmëtarë Davidit për t’i thënë: Kujt i përket vendi? Bëj aleancë me mua dhe dora ime do të jetë me ty përr të ta sjellë tërë Izraelin".
13 Davidi iu përgjigj: "Kam diçka për të të kërkuar: Unë do të bëj aleancë me ty, por ti nuk do të ma shohësh fytyrën po nuk më solle më parë Mikalin, bijën e Saulit, kur të vish të më shikosh".
14 Kështu Davidi i dërgoi lajmëtarë Ish-Boshethit, birit të Saulit, për t’i thënë: "Ma kthe bashkëshorten time Mikal, me të cilën u fejova për njëqind lafsha të Filistejve".
15 Ish-Boshethi dërgoi ta marrin te burri i saj Paltiel, bir i Laishit.
16 Burri i saj shkoi me të dhe e ndoqi duke qarë deri në Bahurim. Pastaj Abneri i tha: "Shko, kthehu prapa!". Dhe ai u kthye.
17 Pastaj Abneri u drejtoi fjalën pleqve të Izraelit, duke thënë: "Prej shumë kohe kërkoni Davidin si mbretin tuaj.
18 Tani erdhi koha të veprojmë, sepse Zoti ka folur për Davidin, duke thënë: "Me anë të Davidit, shërbëtorit tim, unë do të shpëtoj popullin tim të Izraelit nga duart e Filistejve dhe nga tërë armiqtë e tij".
19 Abneri foli edhe me ata të Beniaminit. Pastaj Abneri shkoi te Davidi në Hebron për t’i njoftuar tërë ato që iu dukën të mira Izraelit dhe gjithë shtëpisë së Beniaminit.
20 Kështu Abneri arriti te Davidi në Hebron me njëzet njerëz, dhe Davidi shtroi një banket për Abnerin dhe për njerëzit që ishin me të.
21 Pastaj Abneri i tha Davidit: "Unë do të ngrihem dhe do të shkoj të mbledh tërë Izraelin rreth mbretit, zotërisë tim, me qëllim që të lidhin aleancë me ty dhe ti të mund të mbretërosh mbi gjithçka dëshëron zemra jote". Pastaj Davidi u nda me Abnerin, që u largua në paqe.
22 Por ja, shërbëtorët e Davidit dhe Joabi po ktheheshin nga një plaçkitje, duke sjellë me vete një plaçkë të madhe; por Abneri nuk ishte më me Davidin në Hebron, sepse ky ishte ndarë me të dhe ai kishte ikur në paqe.
23 Kur mbërritën Joabi dhe tërë ushtarët që ishin me të, dikush ia tregoi ngjarjen Joabit, duke thënë: "Erdhi Abneri, bir i Nerit, te mbreti; ky u nda me të dhe ai iku në paqe".
24 Atëherë Joabi shkoi te mbreti dhe i tha: "Ç’bëre ashtu? Ja, Abneri të erdhi; pse u ndave me të dhe ai u largua?
25 Ti e di që Abneri, bir i Nerit, erdhi që të të mashtrojë, që të njohë lëvizjet e tua dhe për të mësuar tërë ato që bën ti".
26 Pasi u largua nga Davidi, Joabi dërgoi lajmëtarë pas Abnerit, të cilët e kthyen prapa nga hauzi i Sirahut pa e ditur Davidi.
27 Kur Abneri u kthye në Hebron, Joabi e mori mënjanë në mes të portës, gjoja për t’i folur fshehtazi, dhe këtu e goditi në bark dhe e vrau për të marrë hakun e gjakut të Asahelit, vëllait të tij.
28 Më vonë Davidi e mësoi këtë ngjarje dhe tha: "Unë dhe mbretëria ime jemi përjetë të pafajshëm përpara Zotit për gjakun e Abnerit, birit të Nerit.
29 Ky gjak rëntë mbi kryet e Joabit dhe mbi tërë shtëpinë e atit të tij; mos iu ndafshin kurrë shtëpisë së Joabit ata që vuajnë nga fluksi apo nga lebra, ata që duhet të mbështeten me shkop, që vdesin nga shpata o që janë pa bukë!".
30 Kështu Joabi dhe Abishai, vëllai i tij, vranë Abnerin, sepse ky kishte vrarë Asahelin, vëllanë e tyre në Gabaon gjatë betejës.
31 Pastaj Davidi i tha Joabit dhe tërë popullit që ishte me të: "Grisni rrobat e trupit, mbështilluni me thasë dhe mbani zi për vdekjen e Abnerit!". Edhe mbreti David shkoi pas arkivolit.
32 Kështu e varrosën Abnerin në Hebron, dhe mbreti ngriti zërin dhe qau përpara varrit të Abnerit; edhe tërë populli qau.
33 Mbreti ia mori një vajtimi për Abnerin dhe tha: "A duhet të vdiste Abneri si vdes një budalla?
34 Duart e tua nuk ishin të lidhura, as këmbët e tua nuk ishin të shtrënguara me zinxhirë prej bronzi! Ti re para keqbërësve".
35 Pastaj tërë populli erdhi për të ftuar Davidin që të hante, sa ishte akoma ditë; por Davidi u betua duke thënë: "Kështu ma bëftë Perëndia madje më keq, po futa në gojë bukë apo ndonjë gjë tjetër para se të perëndojë dielli".
36 Tërë populli e kuptoi dhe e miratoi këtë gjë; çdo gjë që bënte mbreti miratohej nga tërë populli.
37 Kështu tërë populli dhe tërë Izraeli e kuptuan që qëllimi i mbretit nuk ishte aspak ta vriste atë ditë Abnerin, birin e Nerit.
38 Pastaj mbreti u tha shërbëtorëve të tij: "Nuk e dini që një princ dhe një njeri i madh humbi sot jetën në Izrael?
39 Megjithëse jam vajosur mbret, unë jam ende i dobët, ndërsa këta njerëz, bijtë e Tserajahut, janë shumë më të fortë se unë. E shpagoftë Zoti keqbërësin simbas të këqijave që ka bërë".
4 Kur Ish-Boshethi, bir i Saulit, mësoi që Abneri kishte vdekur në Hebron, i ranë krahët dhe i tërë Izraeli u trondit rëndë.
2 I biri i Saulit kishte dy njerëz që ishin udhëheqës ushtarakë; njeri quhej Baanah dhe tjetri Rekab; ishin bij të Rimonit prej Beerothit, nga fisi i Beniaminit. (Sepse edhe Beerothi konsiderohet si pjesë e Beniaminit,
3 megjithëse Beerothitët kanë mërguar në Gitthaim, ku kanë qëndruar deri ditën e sotme).
4 Por Jonathani, bir i Saulit, kishte një djalë sakat nga këmbët; ai ishte pesë vjeç kur erdhi nga Jezreeli lajmi i vdekjes së Saulit dhe të Jonathanit. Taja e tij e mori dhe ikën, por, duke ikur me nxitim, fëmija u rrëzua dhe mbeti i çalë. Emri i tij ishte Mefibosheth.
5 Bijtë e Rimon Beerothitit, Rekabi dhe Baanahu, u nisën dhe arritën në kohë të zhegut në shtëpinë e Ish-Boshethit, ndërsa ai po bënte pushimin e tij të mbasditës.
6 Hynë brenda shtëpisë sikur do të merrnin grurë dhe e goditën në bark. Pastaj Rekabi dhe vëllai i tij Baanahu ua mbathën këmbëve.
7 Kur hynë në shtëpi, Ish-Boshethi rrinte shtrirë në shtrat në dhomën e tij; e goditën, e vranë dhe i prenë kokën; pastaj pasi e morën kokën, ecën tërë natën duke ndjekur rrugën në drejtim të Arabahut.
8 Kështu ia çuan kokën e Ish-Boshethit Davidit në Hebron dhe i thanë mbretit: "Ja koka e Ish-Boshethit, birit të Saulit, i cili kërkonte jetën tënde; sot Zoti i ka dhënë mbretit zotërisë tim, hakmarrjen mbi Saulin dhe mbi pasardhësit e tij".
9 Por Davidi iu përgjigj Rekabit dhe Baanahut, vëllait të tij, bij të Rimon Beerothitit, dhe u tha atyre: "Ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti, i cili më ka liruar nga çdo fatkeqësi,
10 në rast se kam kapur dhe kam bërë që të vritet në Tsiklag atë që solli lajmin: "Ja, Sauli vdiq," megjithëse ai pandehte se më kishte sjellë një lajm të mirë dhe priste të merrte një shpërblim,
11 aq më tepër tani që disa kriminelë kanë vrarë një njeri të drejtë në shtëpinë e tij, në shtratin e tij, a nuk duhet t’ju kërkoj llogari për gjakun e tij nga duart tuaja dhe t’ju zhduk nga faqja e dheut?".
12 Kështu Davidi u dha urdhër të rinjve të tij dhe këta i vranë; ua prenë duart dhe këmbët, pastaj i varën pranë hauzit të Hebronit. Pas kësaj morën kokën e Ish-Boshethit dhe e varrosën në Hebron.
5 Atëherë tërë fiset e Izraelit erdhën te Davidi në Hebron dhe i thanë: "Ne jemi kocka dhe mishi yt.
2 Edhe në të kaluarën, kur Sauli mbretëronte mbi ne, ishe ti që udhëhiqje dhe e çoje në rrugë të drejtë Izraelin. Zoti të ka thënë: "Ti do të ushqesh popullin tim, Izraelin, ti do të jesh princ që do të sundojë mbi Izraelin"".
3 Kështu tërë pleqtë e Izraelit erdhën te mbreti në Hebron dhe mbreti David lidhi një aleancë me ta në Hebron para Zotit, dhe ata e vajosën Davidin mbret të Izraelit.
4 Davidi ishte tridhjetë vjeç kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi dyzet vjet.
5 Në Hebron mbretëroi shtatë vjet e gjashtë muaj mbi Judën; dhe në Jeruzalem mbretëroi tridhjetë e tre vjet mbi gjithë Izraelin dhe Judën.
6 Mbreti me njerëzit e tij u nis në drejtim të Jeruzalemit kundër Jebusejve, që banonin në atë vend. Këta i thanë Davidit: Nuk do të hysh këtu, sepse të verbërit dhe çalamanët do të të sprapsin!," duke dashur të thonë: "Davidi nuk ka për të hyrë kurrë këtu".
7 Por Davidi e pushtoi qytetin e fortifikuar të Sionit (që është qyteti i Davidit).
8 Davidi tha atë ditë: "Kushdo që i mund Jebusejtë, të arrijë deri në kanal dhe t’i zmprapsë çalamanët dhe të verbërit që i urren Davidi". Prandaj thonë: "I verbri dhe çalamani nuk do të hyjnë në Shtëpi".
9 Kështu Davidi u vendos në qytetin e fortifikuar dhe e quajti Qyteti i Davidit. Pastaj Davidi filloi të ndërtojë rreth e qark duke nisur nga Milo dhe në drejtim të pjesës së brëndshme.
10 Davidi bëhej gjithnjë më i madh Dhezoti, Perëndia i ushtrive, ishte me të.
11 Pastaj Hirami, mbret i Tiros, i dërgoi Davidit lajmëtarë, dru kedri, zdrukthtarë dhe muratorë, që i ndërtuan një shtëpi Davidit.
12 Atëherë Davidi u bind se Zoti po e vendoste si mbret të Izraelit dhe e lartësonte mbretërinë e tij për dashurinë që kishte për popullin e Izraelit.
13 Pas arritjes së tij nga Hebroni, Davidi mori konkubina dhe bashkëshorte të tjera nga Jeruzalemi dhe kështu i lindën bij dhe bija të tjera.
14 Këta janë emrat e bijve që i lindën në Jeruzalem: Shamua, Shobab, Nathan, Salomon,
15 Ibhar, Elishua, Nefeg, Jafia,
16 Elishama, Eliada, Elifelet.
17 Kur Filistejtë mësuan që Davidi ishte vajosur mbret i Izraelit, tërë Filistejtë dolën në kërkim të Davidit. Sa e mësoi këtë, Davidi zbriti në qytetin e fortifikuar.
18 Filistejtë arritën dhe u përhapën në luginën e Refaimit.
19 Atëherë Davidi u këshillua me Zotin duke i thënë: "A duhet të dal kundër Filistejve? A do m’i lësh në duart e mia? Zoti i dha këtë përgjigje Davidit: Dil, sepse pa tjetër do t’i lë Filistejtë në duart e tuaa".
20 Kështu Davidi shkoi në Baal-Peratsim, ku i mundi, dhe tha: "Zoti ka krijuar një të çarë midis armiqve të mi përpara meje, si një e çarë e hapur nga ujërat".
21 Filistejtë i braktisën atje idhujt e tyre dhe Davidi dhe njerëzit e tij i morën me vete.
22 Më vonë Filistejtë dolën përsëri dhe u përhapën në luginën e Refaimëve.
23 Kur Davidi u këshillua me Zotin, ai i tha: "Mos u dil përballë; merrua krahët, hidhu mbi ta përballë Balsamit.
24 Kur të dëgjosh një zhurmë hapash në majat e Balsamit, hidhu menjëherë në sulm, sepse atëherë Zoti do të dalë para teje për të mundur ushtrinë e Filistejve".
25 Davidi veproi pikërisht ashtu si kishte urdhëruar Zoti dhe i mundi Filistejtë që nga Geba deri në Gezer
25 Dhe turma të mëdha shkonin me të. Ai u kthye nga ata dhe tha:
26 “Nëse ndokush vjen tek unë dhe nuk urren babanë e vet dhe nënën e vet, gruan dhe fëmijët, vëllezërit dhe motrat, madje edhe jetën e vet, nuk mund të jetë dishepulli im.
27 Dhe kush nuk e mbart kryqin e vet dhe nuk më ndjek, nuk mund të jetë dishepulli im.
28 Kush nga ju, pra, kur do të ndërtojë një kullë, nuk ulet më parë të llogaritë shpenzimet, për të parë nëse ka mjaftueshëm për ta mbaruar?
29 Që atëherë, kur t’i ketë hedhur themelet e të mos mundë ta përfundojë, të gjithë ata që e shohin, të mos fillojnë e të tallen,
30 duke thënë: "Ky njeri filloi të ndërtojë e nuk mundi ta përfundojë".
31 Ose cili mbret, kur niset të luftojë kundër një mbreti tjetër, nuk ulet më parë të gjykojë në se mund ta përballojë me dhjetë mijë atë që po i vjen kundër me njëzet mijë?
32 Në mos, ndërsa ai është ende larg, i dërgon një delegacion për të biseduar për paqe.
33 Kështu, pra, secili nga ju që nuk heq dorë nga të gjitha ato që ka, nuk mund të jetë dishepulli im.
34 Kripa është e mirë, por nëse kripa bëhët e amësht, me se do të mund t’i kthehet shija?
35 Ajo nuk vlen as për tokë, as për pleh, por hidhet tutje. Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.”