Old/New Testament
27 Davidi tha në zemër të tij: "Një ditë ose një tjetër unë do të vritem nga dora e Saulit; prandaj nuk ka asgjë më të mirë për mua se sa të shpëtoj kokën në vendin e Filistejve; kështu Sauli do të heqë dorë të më kërkojë akoma në të gjithë territorin e Izraelit; kështu do të shpëtoj nga duart e tij".
2 Prandaj Davidi u ngrit dhe shkoi, bashkë me gjashtëqind njerëzit që kishte me vete, te Akishi, bir i Maokut, mbret i Gathit.
3 Kështru Davidi qëndroi me Akishin në Gath, ai vetë dhe njerëzit e tij, secili me familjen e vet; Davidi me dy bashkëshortet e tij: Jezreelitja Ahinoama dhe Karmelitja Abigail, që kishte qenë gruaja e Nabalit.
4 Pastaj i njoftuan Saulit që Davidi kishte ikur në Gath, dhe ai nuk e kërkoi më.
5 Davidi i tha Akishit: "Në rast se gëzoj hirin tënd, të më jepet një vend në një qytet të fushës ku unë të mund të banoj. Pse duhet që shërbëtori yt të banojë me ty në qytetin mbretëror?".
6 Kështu atë ditë Akishi i dha Tsiklagun; për këtë arësye Tsiklagu u ka përkitur mbretërve të Judës deri ditën e sotme.
7 Davidi qëndroi në vendin e Filistejve një vit e katër muaj.
8 Davidi dhe njerëzit e tij niseshin dhe bënin plaçkitje në vendin e Geshuritëve, të Girzitëve dhe të Amalekitëve; këto popullata banonin prej kohëve të vjetra në këtë vend duke u shtrirë nga Shuri deri në vendin e Egjiptit.
9 Davidi e shkretonte vendin dhe nuk linte gjallë as burra as gra; pastaj merrte dele, lopë, gomarë, deve dhe rroba, dhe kthehej dhe shkonte tek Akishi.
10 Kur Akishi e pyeste: "Ku keni plaçkitur sot?," Davidi i përgjigjej: Kundër jugut të Judës, kundër jugut të Kenejvee".
11 Davidi nuk linte gjallë as burra as gra, sepse mund të çonin lajme, dhe thoshte: "Mund të japim njoftime mbi ne dhe të thonë: "Kështu ka bërë Davidi"". Kështu veproi ai gjatë gjithë kohës që qëndroi në vendin e Filistejve.
12 Kështu Akishi i besonte Davidit dhe thoshte: "Ai u bë i urrejtshëm nga populli i Izraelit dhe kështu do të jetë gjithmonë shërbëtori im".
28 Ato ditë Filistejtë mblodhën ushtrinë e tyre për të luftuar Izraelin. Atëherë Akishi i tha Davidit: "Dije mirë që duhet të dalësh të luftosh bashkë me mua, ti dhe njerëzit e tu".
2 Davidi iu përgjegj Akishit: "Ti me siguri ke për të parë atë që do të bëjë shërbëtori yt". Atëherë Akishi i tha Davidit: "Mirë, pra, unë do të të bëhem roje personale për gjithnjë".
3 Samueli kishte vdekur dhe gjithë Izraeli e kishte qarë, e kishin varrosur në Ramah, në qytetin e tij. Dhe Sauli kishte përzënë nga vendi mediumet dhe shortarët.
4 Kështu Filistejtë u mblodhën dhe erdhën të fushojnë në Shunem, ndërsa Sauli mblodhi tërë Izraelin dhe fushoi në Gilboa.
5 Kur Sauli pa ushtrinë e Filistejve pati frikë dhe zemra e tij u drodh fortë.
6 Kështu Sauli i kërkoi këshillë Zotit dhe Zoti nuk iu përgjegj as me anë të ëndrrave, as nëpërmjet Urimit dhe as me anë të profetëve.
7 Atëherë Sauli u tha shërbëtorëve të tij: "Më gjeni një grua që të jetë mediume, me qëllim që unë të mund të shkoj tek ajo për t’u këshilluar". Shërbëtorët e tij i thanë: "Ja, në En-Dor ka një grua që është mediume".
8 Kështu Sauli u vesh ndryshe për të mos u njohur dhe u nis me dy burra. Arritën tek ajo grua natën dhe Sauli i tha: "Bëj një shortari për mua, të lutem, me një seancë spiritizmi dhe më thirr atë që do të të them".
9 Gruaja iu përgjegj: "Ja, ti e di ç’ka bërë Sauli; ai i ka shfarosur nga vendi mediumet dhe shortarët. Pse i ngre një grackë jetës sime, për të shkaktuar vdekjen time?".
10 Atëherë Sauli iu betua në emër të Zotit, duke thënë: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, asnjë ndëshkim nuk do të kesh për këtë!".
11 Gruaja i tha: "Cilin duhet të të nxjerr?". Ai i tha: "Më nxirr Samuelin".
12 Kur pa Samuelin, gruaja bërtiti me zë të lartë; dhe gruaja i tha Saulit: "Pse më mashtrove? Ti je Sauli!".
13 Mbreti iu përgjegj: "Mos ki frikë; çfarë shikon?". Gruaja i tha Saulit: Shoh një qenie mbinjerëzore që ngrihet nga tokaa".
14 Ai e pyeti: "Ç’formë ka?". Ajo u përgjegj: "Éshtë një plak që po ngjitet dhe është mbështjellë me një mantel". Atëherë Sauli kuptoi se ishte Samueli, u përul me fytyrën për tokë dhe ra përmbys.
15 Samueli i tha Saulit: "Pse më shqetësove duke bërë që të dal?". Sauli iu përgjegj: "Ndodhem në një ankth të madh, sepse Filistejtë më luftojnë dhe Perëndia është larguar nga unë, dhe nuk më përgjigjet më as me anë të profetëve as me anë të ëndrrave; prandaj të thirra, që ti të më tregosh se çfarë duhet të bëj".
16 Samueli i tha: "Pse këshillohesh me mua, në qoftë se Zoti është larguar nga ti dhe është bërë armiku yt?
17 Zoti veproi ashtu siç kishte thënë nëpërmjet meje. Zoti e shkëputi mbretërinë nga duart e tua dhe ia dha një tjetri, Davidit,
18 sepse nuk iu binde zërit të Zotit dhe nuk zbatove në jetë zemërimin e thellë të tij kundër Amalekut; për këtë arsye Zoti të bëri sot këtë gjë.
19 Zoti do ta japë edhe Izraelin bashkë me ty në duart e Filistejve; nesër ti dhe bijtë e tu do të jeni me mua. Zoti do të japë gjithashtu ushtrinë e Izraelit në duart e Filistejve.
20 Atëherë Sauli ra menjëherë për së gjati për tokë, sepse ishte trembur shumë nga fjalët e Samuelit; ai kishte qenë edhe më parë pa fuqi, sepse nuk kishte ngrënë tërë atë ditë dhe tërë atë natë.
21 Gruaja iu afrua Saulit dhe duke e parë të tmerruar fare, i tha: "Ja, shërbëtorja jote iu bind zërit tënd; unë vura në rrezik jetën time për t’iu bindur fjalëve që më the.
22 Prandaj dëgjo edhe ti zërin e shërbëtores sate dhe lermë të vë para teje një copë buke; ha, sepse kështu do të marrësh fuqi për ta rifilluar rrugën".
23 Por ai refuzoi dhe tha: "Nuk do të ha". Por shërbëtorët e tij bashkë me gruan ngulën këmbë dhe ai i dëgjoi; kështu u ngrit nga toka dhe u ul në shtrat.
24 Gruaja kishte në shtëpi një viç të majmë; e theri shpejt e shpejt, pastaj mori miellin, gatoi brumin dhe përgatiti disa bukë pa maja.
25 I vuri këto ushqime Saulit dhe shërbëtorëve të tij, dhe ata i hëngrën; pastaj u ngritën dhe u nisën po atë natë.
29 Filistejtë i mblodhën tërë forcat e tyre në Afek, ndërsa Izralitët e ngritën kampin e tyre pranë burimit të Jezreelit.
2 Princat e Filistejve ecnin me qindëshet dhe mijëshet e tyre, ndërsa Davidi dhe njerëzit e tij ecnin në praparojë me Akishin.
3 Atëherë krerët e Filistejve thanë: "Çfarë po bëjnë kështu këta Hebrenj?". Akishi iu përgjegj krerëve të Filistejve: "A nuk është ky Davidi, shërbëtori i Saulit, i mbretit të Izraelit, që ka qenë me mua këto ditë o këto vite? Tek ai nuk kam gjetur asnjë të metë të madhe nga dita e dezertimit të tij e deri më sot!".
4 Por krerët e Filistejve u zemëruan me të dhe i thanë: "Ktheje prapa atë njeri me qëllim që të kthehet në vendin që i ke caktuar. Të mos vijë të luftojë me ne që të mos na bëhet armiku ynë gjatë betejës. Si mund ta rifitojë ai favorin e zotërisë së tij, veçse me kokën e këtyre njerëzve?
5 Nuk është ky Davidi për të cilin këndonin në kor në vallet, duke thënë: Sauli ka vrarë mijëshen e tij dhe Davidi dhjetë mijëshen e tij??"".
6 Atëherë Akishi thirri Davidin dhe i tha: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, ti je një njeri i drejtë dhe shoh me kënaqësi ecejakun tënd me mua në ushtri, sepse nuk kam gjetur asgjë të keqe që prej ditës që ti erdhe e deri më sot; por ty nuk të përlqejnë princat.
7 Prandaj kthehu prapa dhe shko në paqe, mos bëj asgjë që nuk u pëlqen princave të Filistejve.
8 Davidi i tha Akishit: "Çfarë kam bërë dhe çfarë ke gjetur te shërbëtori yt prej ditës që erdha me ty e deri më sot, që të më pengojnë të luftoj kundër armiqve të mbretit, zotërisë tim?".
9 Akishi iu përgjegj Davidit, duke thënë: "E kupton që për sytë e mi ti je i këndshëm si një engjëll i Perëndisë; por princat e Filistejve kanë thënë: Ai nuk duhet të marrë pjesë me ne në betejë!!".
10
11 Kështu Davidi dhe njerëzit e tij u ngritën herët në mëngjes për t’u nisur dhe për t’u kthyer në vendin e Filistejve. Filistejtë përkundrazi shkuan në Jezreel.
13 Pikërisht në atë kohë ishin aty disa që i treguan për ata Galileasve, gjakun e të cilëve Pilati e kishte përzier me flijimet e tyre.
2 Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, tha: “A mendoni ju se ata Galileas ishin më shumë mëkatarë nga gjithë Galileasit e tjerë, sepse vuajtën të tilla gjëra?
3 Unë po ju them: Jo! Por nëse ju nuk pendoheni, do të vdisni të gjithë me të njëjtën mënyrë.
4 Ose, a mendoni ju që ata të tetëmbëdhjetë, mbi të cilët ra kulla në Siloe dhe i vrau, ishin më shumë fajtorë se gjithë banorët e Jeruzalemit?
5 Unë po ju them: Jo! Por nëse ju nuk pendoheni, do të vdisni të gjithë me të njëjtën mënyrë.”
6 Atëherë ai tha këtë shëmbëlltyrë: “Një njeri kishte një fik të mbjellë në vreshtin e tij; ai erdhi e kërkoj fryte, por nuk gjeti.
7 Atëherë i tha vreshtarit: "Ja, u bënë tre vjet tashmë që unë vij e kërkoi frytin e këtij fiku dhe s’po gjej; preje; pse të zërë kot tokën?".
8 Por ai u përgjigj dhe tha: "Zot, lëre edhe këtë vit, që ta punoj përreth dhe t’i hedh pleh
9 dhe, po dha fryt, mirë; përndryshe, pastaj do ta presësh".” Shërimi i një gruaje të paralizuar
10 Një të shtunë Jezusi po mësonte në një sinagogë.
11 Dhe ja, ishte një grua, e cila prej tetëmbëdhjetë vjetësh kishte një frymë lëngate, dhe ajo ishte krejt e kërrusur dhe në asnjë mënyrë nuk drejtohej dot.
12 Dhe kur Jezusi e pa, e thirri pranë vetes dhe i tha: “O grua, ti je e liruar nga lëngata jote.”
13 Dhe i vuri duart mbi të dhe ajo u drejtua menjëherë, dhe përlëvdonte Perëndinë.
14 Por kryetari i sinagogës, i indinjuar sepse Jezusi kishte shëruar ditën e shtunë, iu drejtua turmës dhe i tha: “Gjashtë janë ditët kur duhet të punohet; ejani, pra, të shëroheni në ato ditë dhe jo ditën e shtunë.”
15 Atëherë Zoti u përgjigj dhe tha: “Hipokritë! A nuk e zgjidh secili nga ju të shtunave nga grazhdi kaun e vet, ose gomarin e ta çojë për të pirë?
16 A nuk duhej, pra, të zgjidhej nga këto pranga, ditën e shtunë, kjo që është bijë e Abrahamit dhe që Satani e mbajti lidhur prej tetëmbëdhjetë vjetësh?.”
17 Dhe, kur ai thoshte këto gjëra, të gjithë kundërshtarët e tij mbetën të turpëruar, ndërsa mbarë turma gëzohej për të gjitha veprat madhështore që ai kishte kryer.
18 Atëherë ai tha: “Kujt i përngjan mbretëria e Perëndisë, me se ta krahasoj?
19 I ngjan kokrrës së sinapit, që një njeri e mori dhe e hodhi në kopshtin e vet; pastaj u rrit dhe u bë një pemë e madhe, dhe zogjtë e qiellit erdhën e kërkuan strehë në degët e saj.”
20 Pastaj tha përsëri: “Me se ta krahasoj mbretërinë e Perëndisë?
21 Ajo i ngjan majasë që e merr një grua dhe e përzien me tri masa mielli deri sa të mbruhet i gjithë.”
22 Dhe ai kalonte nëpër qytete dhe fshatra duke mësuar, e kështu po i afrohej Jeruzalemit.