New Testament in a Year
10 Por në Cezare ishte njëfarë njeriu me emër Kornel, centurion i kohortës, që quhej Italik;
2 ai ishte njeri i perëndishëm dhe që e druante Perëndinë me gjithë shtëpinë e tij; i jepte shumë lëmoshë popullit dhe vazhdimisht i lutej Perëndisë.
3 Ai pa qartë në një vegim, aty nga ora e nëntë e ditës, një engjëll të Perëndisë që hyri tek ai dhe i tha: “Kornel!.”
4 dhe ai, duke ia ngulur sytë dhe shumë i trembur, i tha: “Ç’është, Zot?.” Atëherë engjëlli i tha: “Lutjet e tua dhe lëmoshat e tua, janë ngjitur para Perëndisë, si një kujtesë;
5 tani, pra, dërgo disa njerëz në Jopë dhe thirre Simonin, që e thërrasin Pjetër.
6 Ai gjendet pranë njëfarë Simoni, regjës lëkurësh, që e ka shtëpinë afër detit; ai do të të thotë çfarë duhet të bësh.”
7 Sapo u largua engjëlli që i foli, Korneli thirri dy nga shërbëtorët e tij dhe një ushtar besnik, nga ata që ishin në shërbimin e tij personal,
8 u tregoi çdo gjë dhe i nisi për në Jope.
9 Të nesërmen, ndërsa ata po udhëtonin dhe po i afroheshin qytetit, Pjetri u ngjit në tarracë, rreth orës së gjashtë për t’u lutur.
10 E mori uria dhe donte të hante; dhe, ndërsa ata të shtëpisë po i përgatitnin ushqimin, u rrëmbye në ekstazë;
11 dhe pa qiellin e hapur dhe një send që i përngjante një çarçafi të madh që po zbriste drejt tij; ishte lidhur në të katër cepat dhe kishte zbritur në tokë,
12 dhe brenda tij ishin të gjitha llojet e katërkëmbësheve, bisha, zvarranikë të tokës dhe shpendë qielli.
13 Dhe një zë i tha: “Pjetër, çohu, ther dhe ha!.”
14 Por Pjetri u përgjigj: “Kurrsesi, o Zot, sepse unë nuk kam ngrënë kurrë asgjë të papastër ose të ndotur!.”
15 Dhe zëri i tha për të dytën herë: “Gjërat që Perëndia i ka pastruar, ti mos i bëj të papastra.”
16 Kjo ndodhi tri herë; pastaj ai send u ngrit sërish në qiell.
17 Dhe ndërsa Pjetri po mendohej me mëdyshje ç’kuptim mund të kishte vegimi që kishte parë, ja që njerëzit e dërguar nga Korneli, mbasi pyetën për shtëpinë e Simonit, u paraqitën te dera.
18 Dhe thirrën e pyetën nëse Simoni, i mbiquajtur Pjetër, ndodhej aty.
19 Ndërsa Pjetri po mendohej lidhur me vegimin, Fryma i tha: “Ja, po të kërkojnë tre burra.
20 Çohu, pra, zbrit e shko me ta pa asnjë ngurrim, sepse unë jam ai që t’i kam dërguar.”
21 Atëherë Pjetri zbriti te njerëzit që i ishin dërguar nga Korneli dhe u tha atyre: “Ja, unë jam ai që kërkoni; cila është arsyeja për të cilën jeni këtu?.”
22 Dhe ata i thanë: “Centurioni Kornel, njeri i drejtë dhe që e druan Perëndinë, për të cilin gjithë kombi i Judenjve dëshmon, është lajmëruar në mënyrë hyjnore nga një engjëll i shenjtë të të thërrasë ty në shtëpinë e tij për të dëgjuar fjalët që ke për t’i thënë.”
23 Atëherë Pjetri i ftoi të hyjnë dhe i përbujti; pastaj, të nesërmen, shkoi me ta; dhe disa nga vëllezërit e Jopes e shoqëruan.