Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

New Testament in a Year

Read the New Testament from start to finish, from Matthew to Revelation.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Veprat e Apostujve 2:1-21

Kur erdhi dita e Rrëshajëve, ata ishin të gjithë bashkë, në një mendje të vetme, në të njëjtin vend.

Dhe befas nga qielli erdhi një ushtimë, si ajo e një ere që fryn furishëm, dhe e mbushi gjithë shtëpinë ku ata po rrinin.

Dhe atyre u dukën gjuhë, si prej zjarri, të cilat ndaheshin dhe zinin vend mbi secilin prej tyre.

Kështu të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë dhe filluan të flasin në gjuhë të tjera, ashtu si Fryma e Shenjtë ua jepte të shpreheshin.

Por në Jeruzalem banonin disa Judenj, njerëz të perëndishëm, nga të gjitha kombet nën qiell.

Kur u dëgjua ajo ushtimë, turma u mblodh dhe u hutua, sepse secili nga ata i dëgjonte të flisnin në gjuhën e vet.

Dhe të gjithë habiteshin dhe mrekulloheshin dhe i thoshnin njëri-tjetrit: “Ja, a nuk janë të gjithë Galileas këta që flasin?

Si vallë secili nga ne i dëgjon të flasin në gjuhën e vet amtare?

Ne Partët, Medët, Elamitët dhe banorët e Mesopotamisë, të Judesë dhe të Kapadokisë, të Pontit dhe të Azisë,

10 të Frigjisë e të Pamfilisë, të Egjiptit dhe të pjesëve të Libisë përballë Kirenës, dhe ne të ardhur nga Roma, Judenj dhe prozelitë,

11 Kretas dhe Arabë, i dëgjojmë të flasin për gjërat e mëdha të Perëndisë në gjuhët tona!.”

12 Dhe të gjithë habiteshin dhe ishin hutuar dhe i thonin njëri-tjetrit: “Ç’do të thotë kjo?.”

13 Kurse të tjerë i përqeshnin dhe thonin: “Janë plot me verë të ëmbël!.”

14 Por Pjetri u çua në këmbë bashkë me të njëmbëdhjetët dhe u foli atyre me zë të lartë: “Judenj dhe ju të gjithë që banoni në Jeruzalem, merrni njoftim për këtë dhe dëgjoni me vëmendje fjalët e mia.

15 Këta nuk janë të dehur, siç po mendoni ju, sepse është vetëm ora e tretë e ditës.

16 Por kjo është ajo që ishte thënë nëpërmjet profetit Joel:

17 "Dhe në ditët e fundit do të ndodhë, thotë Perëndia, që unë do të përhap nga Fryma ime mbi çdo mish; dhe bijtë tuaj e bijat tuaja do të profetizojnë, të rinjtë tuaj do të shohin vegime dhe të moshuarit tuaj do të shohin ëndrra.

18 Në ato ditë do të përhap nga Fryma im mbi shërbëtorët e mi dhe mbi shërbëtoret e mia, dhe do të profetizojnë.

19 Dhe do të bëj mrekulli lart në qiell dhe shenja poshtë mbi tokë: gjak, zjarr e avull tymi.

20 Dielli do të kthehet në errësirë dhe hëna në gjak, para se të vijë dita e madhe dhe e lavdishme e Zotit.

21 Dhe do të ndodhë që kush ta ketë thirrur emrin e Zotit, do të shpëtohet".