New Testament in a Year
18 Mbasi i tha këto gjëra, Jezusi doli me dishepujt e vet dhe shkoi përtej përroit të Kedronit, ku ishte një kopsht, në të cilin hyri ai me dishepujt e tij.
2 Dhe Juda, i cili po e tradhtonte, e njihte edhe ai atë vend, sepse shpesh herë Jezusi tërhiqej atje me dishepujt e tij.
3 Atëherë Juda mori një grup ushtarësh dhe rojat e dërguara nga krerët e priftërinjve dhe nga farisenjtë, erdhi atje me fenerë, pishtarë dhe me armë.
4 Atëherë Jezusi, duke ditur gjithçka që do t’i ndodhte, doli dhe i pyeti: “Kë kërkoni?.”
5 Ata iu përgjigjën: “Jezusin Nazareas.” Jezusi u tha atyre: “Unë jam!.” Por Juda, që po e tradhtonte, ishte edhe ai me ta.
6 Sapo ai u tha atyre: “Unë jam,” ata u zmbrapsën dhe ranë për dhe.
7 Atëherë Jezusi i pyeti përsëri: “Kë kërkoni?.” Ata thanë: “Jezusin Nazareas.”
8 Jezusi u përgjigj: “Ju kam thënë se unë jam; prandaj nëse më kërkoni mua, i lini këta të shkojnë”;
9 që të përmbushej fjala që kishte thënë: “Nuk kam humbur asnjë nga ata që më ke dhënë.”
10 Atëherë Simon Pjetri, që kishte një shpatë, e nxori, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin e djathtë; dhe ai shërbëtor quhej Malk.
11 Por Jezusi i tha Pjetrit: “Fute shpatën tënde në mill; a nuk do ta pi unë kupën që më ka dhënë Ati?.”
12 Atëherë grupi i ushtarëve, kapiteni dhe rojet e Judenjve e kapën Jezusin dhe e lidhën.
13 E çuan më parë te Ana, sepse ishte vjehrri i Kajafës, që ishte kryeprifti i atij viti.
14 Kajafa ishte ai që i kishte këshilluar Judenjtë se ishte e leverdishme që një njeri të vdiste për popullin.
15 Por Simon Pjetri dhe një dishepull tjetër ndiqnin Jezusit. Dhe ky dishepull ishte i njohur i kryepriftit; dhe hyri me Jezusin në oborrin e kryepriftit.
16 Por Pjetri mbeti përjashta te dera. Atëherë dishepulli tjetër, që ishte i njohur i kryepriftit, doli dhe i foli portieres dhe bëri të hyjë Pjetri.
17 Dhe shërbëtorja portiere i tha Pjetrit: “Mos je edhe ti nga dishepujt e atij njeriu?.” Ai u përgjigj: “Nuk jam.”
18 Ndërkaq shërbëtorët dhe rojat ndezën një zjarr me qymyr dhe qëndronin në këmbë e ngroheshin, sepse bënte ftohtë; edhe Pjetri qëndronte në këmbë me ta dhe ngrohej.