Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

New Testament in a Year

Read the New Testament from start to finish, from Matthew to Revelation.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Luka 1:57-80

57 Dhe Elizabetës i erdhi koha që të lindë dhe të nxjerrë në dritë një djalë.

58 Fqinjët e saj dhe të afërmit, kur dëgjuan se Zoti kishte treguar mëshirë të madhe ndaj saj, u gëzuan me të.

59 Dhe ndodhi që të tetën ditë erdhën për ta rrethprerë djalin, dhe donin t’ia quanin Zakaria, me emrin e atit të tij;

60 por e ëma ndërhyri dhe tha: “Jo, por përkundrazi do të quhet Gjon.”

61 Dhe ata i thanë: “S’ka njeri në fisin tënd që të quhet me këtë emër.”

62 Kështu me shenja e pyetën të atin, si donte që t’i quhej.

63 Ai atëherë kërkoi një tabelë shkrimi dhe shkroi mbi të: “Emri i tij është Gjon.” Dhe të gjithë u mrrekulluan.

64 Në atë çast goja e tij u hap dhe gjuha e tij u zgjidh, dhe fliste duke bekuar Perëndinë.

65 Dhe të gjithë fqinjëve të tyre u hyri druajtja, dhe të gjitha këto gjëra u përhapën nëpër krejt krahinën malore të Judesë.

66 Të gjitha ata që i dëgjuan, i vunë në zemrën e tyre duke thënë: “Vallë kush do të jetë ky fëmijë?.” Dhe dora e Zotit ishte me të.

67 Dhe Zakaria, ati i tij, u mbush me Frymën e Shenjtë dhe profetizoi, duke thënë:

68 Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, sepse e ka vizituar dhe e kreu çlirimin e popullit të vet;

69 dhe na ngriti një shpëtim të pushtetshëm në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,

70 ashtu si ai e kishte deklaruar nëpërmjet gojës së profetëve të tij të shenjtë që nga kohët e lashta, që ne të shpëtojmë

71 prej armiqve tanë dhe prej dorës së gjithë atyre që na urrejnë,

72 për të treguar mëshirë tek etërit tanë e për t’u kujtuar për besëlidhjen e tij të shenjtë,

73 betimin që i bëri Abrahamit, atit tonë,

74 për të na lejuar që, pasi të çlirohemi nga duart e armiqve tanë, të mund t’i shërbejmë pa frikë,

75 në shenjtëri e në drejtësi përpara atij, të gjitha ditët e jetës sonë.

76 Dhe ti, o fëmijë i vogël, do të quhesh profet nga Shumë i Larti, sepse ti do të shkosh përpara fytyrës së Zotit për të përgatitur udhët e tij,

77 për t’i dhënë popullit të tij njohjen e shpëtimit, në faljen e mëkateve të tyre;

78 për hir të thellësisë së mëshirës së Perëndisë sonë, për të cilën agimi nga lart na ka vizituar,

79 për të ndriçuar ata që dergjeshin në errësirë dhe në hijen e vdekjes, për të udhëhequr hapat tona në udhën e paqes.”

80 Ndërkaq fëmija rritej dhe forcohej në frymë: dhe qëndroi në shkretëtirë deri në atë ditë, kur ai duhej t’i zbulohej Izraelit.