New Testament in a Year
14 Pastaj thirri gjithë turmën rreth vetes dhe i tha: “Më dëgjoni të gjithë dhe kuptoni:
15 Nuk ka asgjë jashtë njeriut që, duke hyrë në të, mund ta ndotë atë; përkundrazi janë ato gjëra që dalin prej tij që e ndotin.
16 Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!
17 Më pas, kur ai u kthye në shtëpi, larg turmës, dishepujt e vet e pyetën për kuptimin e shëmbëlltyrës.
18 Dhe ai u tha atyre: “Edhe ju qënkeni kaq të pamend? A nuk e kuptoni se çdo gjë që nga jashtë hyn te njeriu nuk mund ta ndotë,
19 sepse nuk i hyn në zemër, por në bark, dhe pastaj jashtëqitet në gjiriz?.” Duke folur kështu, ai i deklaroi të pastra të gjitha ushqimet.
20 Tha akoma: “Ajo që del nga njeriu, e bën atë të ndotur.
21 Sepse nga brenda, domethënë nga zemra e njeriut, dalin mendimet e mbrapshta, shkeljet e kurorës, kurvërimi, vrasjet,
22 vjedhjet, lakmitë, ligësitë, mashtrimet, pafytyrësia, smira, blasfemia, kryelartësia, budallallëku.
23 Të gjitha këto të mbrapshta dalin nga brenda dhe e ndotin njeriut.”
24 Pastaj u nis që andej dhe shkoi në krahinën e Tiros dhe të Sidonit; hyri në një shtëpi dhe donte që askush të mos e dinte, por nuk mundi të qëndrojë i fshehur.
25 Në fakt një grua, vajza e së cilës kishte një frymë e ndyrë, duke dëgjuar për Jezusin, erdhi dhe u hodh para këmbëve të tij.
26 Tani ajo grua ishte greke, me prejardhje sirofenikase; dhe iu lut që ta dëbonte demonin nga e bija;
27 por Jezusi i tha: “Lëri më parë fëmijët të ngopen, sepse nuk është mirë të merret buka e fëmijëve e t’u hidhet këlyshëve të qenve.”
28 Por ajo u përgjigj dhe i tha: “Mirë po flet, o Zot, por edhe këlyshët nën tryezë hanë thërimet e fëmijëve!”
29 Atëherë ai i tha: “Për këtë fjalën tënde, shko; demoni doli nga vajza jote!.”
30 Dhe ajo, kur u kthye në shtëpinë e vet, e gjeti të bijën në shtrat, dhe demoni i kishte dalë.
31 Mbasi u nis përsëri nga krahina e Tiros dhe e Sidonit, Jezusi arriti te deti i Galilesë, në mes të krahinës së Dekapolit.
32 Dhe i paraqitën një të shurdhët që mezi fliste, dhe iu lutën t’i vërë duart mbi të.
33 Si e mori veçmas, larg turmës, ia shtiu gishtrinjtë në vesh dhe mbasi e pështyu ia preku gjuhën.
34 Pastaj i drejtoi sytë nga qielli, psherëtiu dhe i tha: “Effatha,” që do të thotë: “Hapu!.”
35 Dhe menjëherë iu hapën veshët, iu zgjidh nyja e gjuhës dhe foli rrjedhshëm.
36 Dhe Jezusi i urdhëroi ata që të mos i tregojnë askujt; por sa më tepër ua ndalonte, aq më tepër ata e përhapnin.
37 Dhe, të habitur shumë, thonin: “Ai çdo gjë e ka bërë mirë: ai i bën që të shurdhët të dëgjojnë dhe memecët të flasin!.”