New Testament in a Year
9 Pastaj u tha atyre: “Në të vërtetë ju them se midis jush që jeni këtu ka disa që nuk do ta shijojnë vdekjen para se të shohin të vijë me fuqi mbretëria e Perëndisë.”
2 Mbas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin dhe i çoi në vetmi, vetëm ata, mbi një mal të lartë; dhe u shpërfytyrua përpara tyre.
3 Dhe rrobat e tij u bënë të shndritshme dhe krejt të bardha, si bora, më të bardha nga sa nuk mund t’i zbardhojë asnjë rrobalarës mbi tokë.
4 Dhe atyre iu shfaqën Elia me Moisiun, që po bisedonin me Jezusin.
5 Atëherë Pjetri e mori fjalën dhe i tha Jezusit: “Mësues, për ne është mirë të jemi këtu; bëjmë, pra, tri çadra: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elian!.”
6 Në fakt ai nuk dinte çfarë thoshte, sepse ata ishin të trembur.
7 Pastaj erdhi një re dhe i mbuloi me hijen e vet; dhe nga reja doli një zë që tha: “Ky është Biri im i dashur; dëgjojeni!.”
8 Dhe menjëherë ata shikuan rreth e qark, por nuk panë më asnjëri, përveçse Jezusi fill i vetëm me ta.
9 Tani kur po zbrisnin nga mali, Jezusi i urdhëroi të mos i tregojnë askujt gjërat që kishin parë, derisa i Biri i njeriut të ringjallej prej së vdekuri.
10 Ata e mbajtën porosinë dhe diskutonin mes tyre se ç’do të thoshte të ringjallesh prej së vdekuri.
11 Pastaj e pyetën duke thënë: “Përse skribët thonë se më parë duhet të vijë Elia?.”
12 Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Elia me të vërtetë duhet të vijë më parë dhe të rivendosë çdo gjë; por, ashtu siç është shkruar për Birin e njeriut, ai duhet të vuajë shumë gjëra dhe të përçmohet.
13 Por unë po ju them se Elia erdhi dhe me të bënë ç’deshën, ashtu siç është shkruar për të.”
14 Mbasi u kthye te dishepujt, pa një turmë të madhe rreth tyre dhe disa skribë që po grindeshin me ta.
15 Dhe menjëherë e gjithë turma, kur e pa, u habit dhe erdhi me vrap për ta përshëndetur.
16 Atëherë ai i pyeti skribët: “Për çfarë po diskutoni me ta?.”
17 Dhe dikush nga turma, duke u përgjigjur, tha: “Mësues, të prura djalin tim që ka një frymë memece,
18 dhe e kap kudo, e përplas dhe ai shkumon, kërcëllon dhëmbët dhe i ngrijnë gjymtyrët. Dhe u thashë dishepujve të tu ta dëbojnë, por ata s’e bënë dot.
19 Dhe ai duke u përgjigjur tha: “O brez që s’beson, deri kur do të jem me ju? Deri kur do t’ju duroj? Ma sillni këtu!.”
20 Dhe ata ia prunë. Por, sapo e pa, fryma e përplasi me forcë dhe fëmija, që kishte rënë përtokë, rrokullisej duke shkumuar.
21 Dhe Jezusi e pyeti babanë e atij: “Sa kohë ka që i ndodh kështu?.” Dhe ai tha: “Që në fëmijëri.
22 Shpesh e ka hedhur në zjarr dhe në ujë për ta shkatërruar por, nëse mund të bësh diçka, ki mëshirë për ne dhe na ndihmo!.”
23 Dhe Jezusi i tha: “Nëse ti mund të besosh, çdo gjë është e mundshme për atë që beson.”
24 Menjëherë babai i fëmijës, duke bërtitur me lot, tha: “Unë besoj, o Zot, ndihmo mosbesimin tim.”
25 Atëherë Jezusi, duke parë se po vinte turma me vrap, e qortoi frymën e ndyrë duke thënë: “O frymë memece dhe e shurdhët, unë po të urdhëroj, dil prej tij dhe mos hyr më kurrë tek ai!.”
26 Dhe demoni, duke bërtitur dhe duke e sfilitur fort, doli prej tij. Dhe fëmija mbeti si i vdekur, saqë shumë njerëz thoshin: “Ka vdekur.”
27 Por Jezusi e zuri për dore, e ngriti dhe ai u çua në këmbë.
28 Kur Jezusi hyri në shtëpi, dishepujt e vet e pyetën veçmas: “Përse ne nuk mundëm ta dëbojmë?.”
29 dhe ai u tha atyre: “Ky lloj frymërash nuk mund të dëbohet ndryshe, përveç, se me lutje dhe agjërim.”