M’Cheyne Bible Reading Plan
13 Në vitin e njëzretetretë të Joasit, birit të Ashaziahut, mbret i Judës, Jehohazi, bir i Jehut, filloi të mbretërojë mbi Izrael në Samari, dhe mbretëroi shtatëmbëdhjetë vjet.
2 Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit dhe vijoi mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, me të cilët e kishte bërë Izraelin të kryente mëkate, dhe nuk u largua nga kjo rrugë.
3 Atëherë zemërimi i Zotit shpërtheu kundër Izraelit dhe i dorëzoi në duart e Hazaelit, mbretit të Sirisë, dhe në duart e Ben-Hadadit, birit të Hazaelit, për tërë atë kohë.
4 Por Jehohazi iu lut Zotit dhe Zoti e kënaqi, sepse pa shtypjen e Izraelit dhe se si mbreti i Sirisë i shtypte.
5 Prandaj Zoti i dha një çlirues Izraelit, dhe kështu banorët e tij mundën t’i shpëtojnë pushtetit të Sirëve; kështu bijtë e Izraelit mundën të banojnë në çadrat e tyre si në të kaluarën.
6 Megjithatë nuk u larguan nga mëkatet e shtëpisë së Jeroboamit me të cilat e kishin bërë të kryente mëkate Izraelin, por vazhduan në këtë rrugë; bile edhe Asherahu mbeti më këmbë në Samari.
7 Nga të gjitha trupat e Jehoahazit Zoti la vetëm pesëdhjetë kalorës, dhjetë qerre dhe dhjetë mijë këmbësorë, sepse mbreti i Sirisë i kishte shkatëruar dhe katandisur në pluhur për t’u shkelur.
8 Pjesa tjetër e bëmave të Jehoahazit, tërë atë që bëri dhe tërë trimëritë e tij a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit.
9 Kështu Jehoahazin e zuri gjumi me etërit e tij dhe u varros në Samari. Në vend të tij mbretëroi i biri, Joasi.
10 Në vitin e tridhjetë e shtatë të Joasit, mbretit të Judës, bir i Jehoahazit, filloi të mbretërojë mbi Izraelin në Samari, dhe mbretëroi gjashtëmbëdhjetë vjet.
11 Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit dhe nuk u largua nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, me të cilat e kishte bërë të kryente mëkate Izraelin, por vazhdoi në këtë rrugë.
12 Pjesa tjetër e bëmave të Joasit, tërë atë që bëri dhe trimëria me të cilën luftoi kundër Amatsiahut, mbretit të Judës, a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit?
13 Kështu Joasin e zuri gjumi me etërit e tij dhe Jeroboami u ul mbi fronin e tij. Pastaj Joasi u varros në Samari me mbretërit e Izraelit.
14 Eliseu u sëmur nga ajo sëmundje prej së cilës duhet të vdiste; prandaj Joasi, mbret i Izraelit, erdhi ta shohë dhe qau mbi të, duke thënë: "O ati im, o ati im, qerrja e Izraelit dhe kalorësia e tij!".
15 Atëherë Eliseu i tha: "Merr një hark dhe disa shigjeta," ai mori një hark dhe disa shigjeta.
16 Eliseu i tha pastaj mbretit të Izraelit: "Rroke harkun"; ai e rroku dhe Eliseu vuri duart e tij mbi duart e mbretit.
17 Pastaj tha: "Hape dritaren nga lindja!". Ai e hapi. Atëherë Eliseu tha: Gjuaj!!". Ai gjuajti. Pas kësaj Eliseu i tha: "Shigjeta e fitores së Zotit dhe shigjeta e fitores kundër Sirëve, sepse ti do t’i mundësh Sirët në Afek deri sa t’i shfarosësh".
18 Pastaj tha: "Merri shigjetat!," dhe ai i mori. Eliseu i tha pastaj mbretit të Izraelit: "Rrihe tokën"; ai e rrahu tri herë dhe pastaj u ndal.
19 Por njeriu i Perëndisë u zemërua me të dhe i tha "Duhet ta kishe rrahur pesë ose gjashtë herë; atëherë do t’i kishe mundur Sirët deri sa t’i zhdukje fare; tani përkundrazi do t’i mundësh Sirët vetëm tri herë".
20 Pastaj Eliseu vdiq dhe e varrosën. Në fillim të vitit vijues disa banda Moabitësh pushtuan vendin.
21 Por ndodhi që, ndërsa disa varrosnin një njeri, panë një bandë plaçkitësish; kështu e hodhën njeriun në varrin e Eliseut. Sa arriti ai të prekë kockat e Eliseut, u ringjall dhe u ngrit më këmbë.
22 Hazaeli, mbret i Sirisë, e shtypi Izraelin gjatë tërë jetës së Jehoahazit;
23 por Zoti i fali ata, i erdhi keq dhe u kthye me ta për shkak të besëlidhjes që kishte me Abrahamin, me Isakun dhe me Jakobin; dhe këtë radhë nuk deshi t’i shkatërrojë apo t’i largojë nga prania e tij.
24 Pastaj vdiq Hazaeli, mbret i Sirisë, dhe në vend të tij mbretëroi i biri, Ben-Hadadi.
25 Atëherë Joasi, bir i Jehoahazit rimori nga duart e Ben-Hadadit, birit të Hazaelit, qytetet që ai kishte marrë me luftë kundër Jehoahazit, atit të tij. Tri herë të mira Joasi e mundi dhe ripushtoi kështu qytetet e Izraelit.
3 Dhe dije këtë: në ditët e fundit do të vijnë kohë të vështira,
2 sepse njerëzit do të jenë egoistë, lakmues parash, mburravecë, krenarë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të paudhë,
3 të padhembshur, të papajtueshëm, shpifës, të papërmbajtur, mizorë, që s’e duan të mirën,
4 tradhtarë, kokëshkretë, fodullë, dëfrimdashës më fort se perëndidashës,
5 të perëndishëm në dukje, por mohues të fuqisë së saj; edhe nga këta largohu.
6 Sepse prej këtyre janë ata që futen nëpër shtëpi dhe i bëjnë për vete femrat e ngarkuara me mëkate, të sunduara nga pasione të ndryshme,
7 të cilat mësojnë gjithnjë dhe kurrë nuk mund të arrijnë në njohjen e plotë të së vërtetës.
8 Dhe sikurse Janesi dhe Jambresi i kundërshtuan Moisiut, po kështu edhe këta i kundërvihen së vërtetës; janë njerëz mendjeprishur, të neveritshëm në çështjen e besimit.
9 Por këta nuk do të shkojnë shumë përpara, sepse marrëzia e tyre do të dalë në shesh për të gjithë, ashtu sikurse u ngjau edhe atyre.
10 Dhe ti ndoqe nga afër mësimin tim, sjelljen, këshillat, besimin, durimin, dashurinë, ngulmin,
11 përndjekjet, vuajtjet që më ndodhën në Antioki, në Ikonio, dhe në Listra; ti e di çfarë përndjekjesh hoqa, por Perëndia më shpëtoi nga të gjitha.
12 Të gjithë ata që duan të rrojnë me perëndishmëri në Krishtin Jezus do të përndiqen,
13 por njerëzit e këqij dhe mashtrues do të shkojnë keq e më keq, duke gënjyer dhe duke u gënjyer vetë.
14 Por ti qëndro në ato që mësove dhe u binde plotësisht, duke e ditur prej kujt i mësove,
15 dhe se që nga fëmijëria i njeh Shkrimet e shenjta, të cilat mund të të bëjnë të ditur për shpëtimin me anë të besimit që është në Krishtin Jezus.
16 I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi,
17 që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.
5 "Dëgjoni këtë, o priftërinj, kushtojini kujdes ju të shtëpisë së Izraelit, vini veshin, o shtëpi e mbretit; sepse ky gjykim është kundër jush. Në fakt ju keni qenë një lak në Mitspah dhe një rrjetë e shtrirë mbi Tabor.
2 Ata që devijojnë kanë rënë thellë në masakër, por unë do t’i dënoj të gjithë.
3 Unë e njoh Efraimin, dhe për mua Izraeli nuk është aspak i panjohur; tani, o Efraim, ti je kurvëruar; Izraeli është ndotur.
4 Veprimet e tyre nuk u lejojnë atyre të kthehen te Perëndia i tyre, sepse fryma e kurvërimit është në mes të tyre dhe nuk njohin Zotin.
5 Por kryelartësia e Izraelit dëshmon kundër tij; prandaj Izraeli dhe Efraimi do të bien për shkak të paudhësisë së tyre, dhe bashkë me ta do të bjerë edhe Juda.
6 Me kopetë e tyre dhe me tufat e tyre do të shkojnë në kërkim të Zotit, por nuk do ta gjejnë; ai është tërhequr prej tyre.
7 Kanë vepruar me mashtrim kundër Zotit, sepse kanë bërë fëmijë me shkelje të kurorës; tani një muaj i vetëm do t’i hajë ata dhe vendin e tyre.
8 I bini bririt në Gibeah, i bini borisë në Ramah, jepni alarmin në Beth-aven; armikun e ke prapa krahëve të tua, o Beniamin.
9 Efraimi do të shkretohet ditën e ndëshkimit; midis fiseve të Izraelit unë të bëj të ditur një gjë të sigurt.
10 Krerët e Judës janë si ata që zhvendosin kufijtë; unë do ta derdh zemërimin tim mbi ta si uji.
11 Efraimi është një shtypës dhe një shkelës i drejtësisë, sepse ka ndjekur me vendosmëri urdhrat njerëzore.
12 Prandaj unë do të jem për Efraimin si një tenjë dhe për shtëpinë e Judës si një karies.
13 Kur Efraimi pa sëmundjen e tij dhe Juda plagën e tij, Efraimi shkoi në Asiri dhe i dërgoi lajmëtarë mbretit Jareb; megjithatë ai nuk mund t’ju shërojë as t’ju mjekojë plagën.
14 Sepse unë do të jem për Efraimin si një luan dhe për shtëpinë e Judës si një luan i vogël; unë, unë vetë do ta shqyej dhe do të largohem; do të marr me vete prenë dhe askush nuk do të ma heqë.
15 Do të kthehem në vendin tim deri sa të njohin që janë fajtorë dhe do të kërkojnë me siguri fytyrën time; në mjerimin e tyre do të më kërkojnë me zell".
6 Ejani, të kthehemi tek Zoti, sepse ai na ka copëtuar, por do të na shërojë; na ka goditur, por do të na mbështjellë.
2 Mbas dy ditësh do të na japë përsëri jetë, ditën e tretë do të na ringjallë dhe ne do të jetojmë në prani të tij.
3 E njohim Zotin, të përpiqemi ta njohim më mirë; ardhja e tij është e sigurt si agimi. Ai do të na vijë si shiu, si shiu i fundit dhe i parë mbi tokë.
4 "Çfarë duhet të bëj me ty, o Efraim? Çfarë duhet të bëj me ty, o Judë? Dashuria juaj është si një re e mëngjesit, si vesa që në mëngjes zhduket shpejt.
5 Prandaj i kam prerë me anë të profetëve, i kam vrarë me fjalët e gojës sime dhe gjykimet e mia për ju janë si drita që lind.
6 Sepse unë dëshiroj mëshirë dhe jo flijimet, dhe njohjen e Perëndisë më shumë se olokaustet.
7 Por, si Adami, ata kanë shkelur besëlidhjen, kanë vepruar me mashtrim ndaj meje.
8 Galaadi është një qytet keqbërësish dhe i përlyer me gjak.
9 Ashtu si bandat e cubave rrinë në pritë për një njeri, kështu një turmë priftërinjsh masakron në rrugën e Sikemit, kryen gjëra të kobshme.
10 Në shtëpinë e Izraelit pashë diçka të neveritshme: atje kurvërohet Efraimi, atje ndotet Izraeli.
11 Edhe për ty, o Judë, është rezervuar një korrje, kur do ta kthej popullin tim nga robëria".
145 Unë bërtas me gjithë zemër; përgjigjmu, o Zot, dhe unë do të respektoj statutet e tua.
146 Unë të kërkoj; shpëtomë, dhe do të respektoj porositë e tua.
147 Unë zgjohem para agimit dhe bërtas; unë kam shpresë te fjala jote.
148 Sytë e mi paraprijnë natën për të menduar thellë fjalën tënde.
149 Dëgjo zërin tim sipas mirësisë sate; o Zot, gjallëromë sipas dekretit tënd të drejtë.
150 Kam afër vetes ata që ndjekin të keqen, por ata janë larg ligjit tënd.
151 Ti je afër, o Zot, dhe të gjitha urdhërimet e tua janë të vërteta.
152 Prej shumë kohe kam mësuar urdhërimet e tua, të cilat i ke vendosur përjetë.
153 Merr parasysh pikëllimin tim dhe më çliro, sepse nuk e kam harruar ligjin tënd.
154 Mbro çështjen time dhe më shpengo; më gjallëro sipas fjalës sate.
155 Shpëtimi është larg nga të pabesët, sepse ata nuk kërkojnë statutet e tua.
156 Dhemshuritë e tua janë të mëdha, o Zot; më gjallëro sipas dekreteve të tua të drejta.
157 Persekutuesit e mi dhe armiqtë e mi janë të shumtë; por unë nuk largohem nga porositë e tua.
158 I pashë të pabesët dhe i urrej, sepse nuk respektojnë fjalën tënde.
159 Ki parasysh sa i dua urdhërimet e tua! O Zot, gjallëromë sipas mirësisë sate.
160 Shuma e fjalës sate është e vërteta; dhe të gjitha dekretet e tua të drejta qëndrojnë përjetë.
161 Princat më përndjekin pa arësye, por zemra ime ka shumë frikë nga fjala jote.
162 Unë ndjej një gëzim të madh në fjalën tënde, ashtu si ai që gjen një plaçkë të madhe.
163 Urrej dhe s’e shoh dot me sy gënjeshtrën, por e dua ligjin tënd.
164 Të lëvdoj shtatë herë në ditë për dekretet e tua të drejta.
165 Paqe të madhe kanë ata që e duan ligjin tënd, dhe nuk ka asgjë që mund t’i rrëzojë.
166 O Zot, unë shpresoj në shpëtimin tënd dhe i zbatoj në praktikë urdhërimet e tua.
167 Unë kam respektuar porositë e tua dhe i dua me të madhe.
168 Kam respektuar urdhërimet e tua dhe porositë e tua, sepse të gjitha rrugët janë para teje.
169 Le të arrijë deri te ti britma ime, o Zot; me jep mendja sipas fjalës sate.
170 Le të arrijë deri te ti lutja ime, çliromë sipas fjalës sate.
171 Buzët e mia do të përhapin lavde, me qëllim që ti të më mësosh statutet e tua.
172 Gjuha ime do të shpallë fjalën tënde, sepse tërë urdhërimet e tua janë të drejta.
173 Dora jote më ndihmoftë, sepse unë kam zgjedhur urdhërimet e tua.
174 Unë dëshiroj me zjarr shpëtimin tënd, o Zot, dhe ligji yt është gëzimi im.
175 Le të kem mundësi të jetoj që të të lëvdoj, dhe le të më ndihmojnë dekretet e tua.
176 Unë po endem si një dele e humbur. Kërko shërbëtorin tënd, sepse unë nuk i harroi urdhërimet e tua.