M’Cheyne Bible Reading Plan
13 Dhe ja, një njeri i Perëndisë arriti nga Juda në Bethel me urdhër të Zotit, ndërsa Jeroboami qëndronte pranë altarit për të djegur temjan.
2 Me urdhër të Zotit klithi kundër altarit dhe tha: "Altar, altar, kështu thotë Zoti: "Ja, në shtëpinë e Davidit do të lindë një djalë, i quajtur Jozia, i cili ka për të flijuar mbi ty priftërinjtë e vendeve të larta dhe do të djegë mbi ty kocka njerëzore"".
3 Po atë ditë dha një shenjë të mrekullueshme, duke thënë: "Kjo është shenja për të cilën foli Zoti; ja, altari do të çahet dhe hiri që është mbi të do të shpërndahet".
4 Kur mbreti Jeroboam dëgjoi fjalët që njeriu i Perëndisë kishte shqiptuar kundër altarit në Bethel, shtriu dorën nga altari dhe tha: "Kapeni!". Por dora që Jeroboami kishte shtrirë kundër tij u tha dhe nuk mundi më ta tërheqë.
5 Përveç kësaj, altari u ça dhe hiri i tij u shpërnda, sipas shenjës që njeriu i Perëndisë kishte dhënë me urdhër të Zotit.
6 Atëherë mbreti iu drejtua njeriut të Zotit dhe i tha: Oh, lutju shumë Zotit, Perëndisë tënd, dhe lutu për mua, deri sa të më ripërtërihet dora". Njeriu i Perëndisë iu lut shumë Zotit dhe mbretit iu ripërtëri dora, ashtu siç ishte më parë.
7 Atëherë mbreti i tha njeriut të Perëndisë: "Eja në shtëpi bashkë me mua që ta marrësh veten; do të të bëj edhe një dhuratë".
8 Por njeriu i Perëndisë iu përgjigj mbretit: "Edhe sikur të më jepje gjysmën e shtëpisë sate, unë nuk do të vija me ty dhe as do të haja bukë e as do të pija ujë në këtë vend,
9 sepse kështu më ka urdhëruar Zoti: "Ti nuk do të hash bukë as do të pish ujë dhe nuk do të kthehesh nga rruga që ke përshkuar kur shkove".
10 Kështu ai shkoi nëpër një rrugë tjetër dhe nuk u kthye nëpër rrugën që kishte përshkuar kur vajti në Bethel.
11 Në Bethel banonte një profet plak; bijtë e tij shkuan e treguan tërë atë që njeriu i Perëndisë kishte bërë atë ditë në Bethel dhe i treguan atit të tyre fjalët që ai i kishte thënë mbretit.
12 I ati i pyeti ata: "Nëpër çfarë rruge iku?". Ç’është e vërteta, bijtë e tij e kishin parë nëpër çfarë rruge kishte shkuar njeriu i Perëndisë i ardhur nga Juda.
13 Atëherë ai u tha bijve të tij: "Më shaloni gomarin". I shaluan gomarin dhe ai hipi mbi të;
14 e ndoqi njeriun e Perëndisë dhe e gjeti ulur nën një lis dhe i tha: "A je ti njeriu i Perëndisë që ka ardhur nga Juda?". Ai iu përgjigj: "Jam unë".
15 Atëherë profeti plak i tha: "Eja në shtëpinë time për të ngrënë diçka".
16 Por ai u përgjigj: "Nuk mund të kthehem prapa as të vij me ty, nuk mund të ha bukë dhe të pi ujë me ty në këtë vend,
17 sepse Zoti më ka thënë: "Ti atje nuk do të hash bukë as do të pish ujë, dhe nuk do të kthehesh nëpër rrugën e përshkuar kur shkove".
18 Tjetri i tha: "Edhe unë jam profet si ti; dhe një engjëll më ka folur nga ana e Zotit, duke thënë: "Merre me vete në shtëpinë tënde që të hajë bukë dhe të pijë ujë"". Por ai gënjente.
19 Kështu njeriu i Perëndisë u kthye prapa bashkë me të dhe hëngri bukë në shtëpinë e atij dhe piu ujë.
20 Ndërsa ishin ulur në tryezë, fjala e Zotit iu drejtua profetit që e kishte kthyer prapa;
21 dhe ai i thirri njeriut të Perëndisë të ardhur nga Juda, duke thënë: Kështu flet Zoti: "Me qenë se nuk iu binde urdhërit të Zotit dhe nuk respektove porosinë e Zotit, Perëndisë tënd, që të kishte dhënë,
22 por u ktheve prapa dhe hëngre bukë e pive ujë në vendin që Zoti të pati thënë: "Mos ha bukë e mos pi ujë," kufoma jote nuk ka për të hyrë në varret e prindërve të tu".
23 Kur mbaroi së ngrëni dhe së piri, profeti që e kishte kthyer prapa i shaloi gomarin.
24 Kështu ai u nis, por një luan i doli rrugës dhe e vrau. Kufoma e tij u hodh në mes të rrugës, ndërsa gomari i qëndronte afër dhe vetë luani mbeti pranë kufomës.
25 Disa njerëz kaluan andej dhe panë kufomën të hedhur në rrugë dhe luanin që rrinte afër kufomës; ata shkuan dhe e treguan këtë gjë në qytetin ku banonte profeti plak.
26 Sa e dëgjoi profeti që e kishte kthyer prapa, ai tha: "Éshtë njeriu i Perëndisë, që nuk iu bind urdhërit të Zotit; për këtë arësye Zoti e ka lënë në kthetrat e një luani, që e ka shqyer dhe vrarë, sipas fjalës që kishte thënë Zoti".
27 Pastaj iu drejtua bijve të tij dhe u tha: "Më shaloni gomarin". Ata ia shaluan.
28 Kështu ai u nis dhe e gjeti kufomën të hedhur në mes të rrugës, ndërsa gomari dhe luani rrinin afër kufomës; luani nuk e kishte ngrënë kufomën as kishte shqyer gomarin.
29 Profeti mori kufomën e njeriut të Perëndisë, e ngarkoi mbi gomarin dhe u kthye; kështu profeti plak u kthye në qytet për ta vajtuar dhe për ta varrosur.
30 E vendosi kufomën në varrin e tij; dhe filluan ta qajnë, duke thënë: Oh, vëllai im!!".
31 Mbas varrimit, profeti plak u tha bijve të tij: "Kur të vdes unë, më varrosni në varrin e njeriut të Perëndisë; m’i vini kockat pranë kockave të tij.
32 Sepse me siguri do të vërtetohet fjala e thënë prej tij me urdhër të Zotit kundër altarit të Bethelit dhe kundër tërë shenjtërorëve të vendeve të larta në qytetet e Samarisë".
33 Mbas kësaj ngjarjeje, Jeroboami nuk u tërhoq nga rruga e tij e keqe, por bëri priftërinj të tjerë për vendet e larta, duke i marrë nga çdo shtresë personash; kushdo që e dëshironte, shenjtërohej prej tij dhe bëhej prift i vendeve të larta.
34 Ky qe mëkati i shtëpisë së Jeroboamit, që shkaktoi shkatërrimin e saj dhe shfarosjen e saj nga faqja e dheut.
4 Prandaj, o vëllezër të dashur dhe fort të dëshiruar, gëzimi dhe kurora ime, qëndroni kështu në Zotin, o shumë të dashur.
2 Bëj thirrje Evodisë, bëj thirrje gjithashtu Sintikës, të jenë të një mendje në Zotin.
3 Të lutem edhe ty, shok i vërtetë, ndihmoji ato, që kanë luftuar me mua në ungjill, edhe me Klementin dhe me bashkëpunëtorët e mi të tjerë, emrat e të cilëve janë në librin e jetës.
4 Gëzohuni gjithnjë në Zotin; po jua them përsëri: Gëzohuni!
5 Zemërbutësia juaj le të njihet nga të gjithë njerëzit; Zoti është afër.
6 Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim.
7 Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarësie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus.
8 Së fundi, vëllezër, të gjitha gjërat që janë të vërteta, të gjitha gjërat që janë të ndershme, të gjitha gjërat që janë të drejta, të gjitha gjërat që janë të pastra, të gjitha gjërat që janë të dashura, të gjitha gjërat që janë me famë të mirë, nëse ka ndonjë virtyt dhe nëse ka ndonjë lëvdim, këto mendoni.
9 Ato gjëra që keni mësuar, marrë dhe dëgjuar nga mua dhe patë në mua, i bëni, dhe Perëndia i paqes do të jetë me ju.
10 Dhe u gëzova shumë në Zotin, sepse më në fund kujdesi juaj për mua u rigjallërua; në realitet ju edhe e kishit në mendje, por nuk kishit rast.
11 Nuk e them këtë se jam në nevojë, sepse unë jam mësuar të kënaqem në gjëndjen që jam.
12 Unë di të jem i përunjur dhe di të jetoj edhe në bollëk; në çdo vend dhe për çdo gjë jam mësuar të nginjem dhe të kem uri, të kem me tepri dhe të vuaj në ngushticë.
13 Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon.
14 Po ju bëtë mirë që morët pjesë në pikëllimin tim.
15 Edhe ju, o Filipianë, e dini se, në fillim të predikimit të ungjillit, kur u nisa nga Maqedonia, asnjë kishë nuk ndau me mua gjë për të dhënë a për të marrë, veç jush,
16 sepse edhe në Thesaloniki më dërguat jo vetëm një herë por dy, përkujdesje kur isha në nevojë.
17 Jo se unë po kërkoj dhurata, por kërkoj fryt që tepron për dobinë tuaj.
18 Tani i kam të gjitha dhe më teprojnë; jam përplot, mbasi mora nga Epafroditi atë që më ishte dërguar nga ju, një parfum erëmirë, një fli i pranueshëm, i pëlqyeshëm nga Perëndia.
19 Dhe Perëndia im do të plotësojë të gjitha nevojat tuaja sipas pasurisë së tij në lavdi, në Jezu Krisht.
20 Perëndisë tonë e Atit tonë lavdi në shekuj të shekujve. Amen.
21 Përshëndetni të gjithë shenjtorët në Jezu Krishtin.
22 Vëllezërit që janë me mua ju përshëndesin; të gjithë shenjtorët ju përshëndesin, sidomos ata të shtëpisë së Cezarit.
23 Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju të gjithë. Amen.
43 Pastaj më çoi te porta, te porta që shikon nga lindja.
2 Dhe ja, lavdia e Perëndisë të Izraelit vinte nga lindja. Zëri i tij ishte si zhurma e shumë ujërave dhe toka shkëlqente nga lavdia e tij.
3 Vegimi që pashë në dukje ishte i ngjashëm me vegimin që pata kur shkova për të shkatërruar qytetin, vegimi ishte i ngjashëm me vegimet që pata pranë lumit Kebar; unë rashë me fytyrë.
4 Dhe lavdia e Zotit hyri në tempull nga porta që shikon nga lindja.
5 Pastaj Fryma më ngriti lart dhe më çoi në oborrin e brendshëm; dhe ja, lavdia e Zotit mbushte tempullin.
6 Atëherë dëgjova dikë që më fliste nga tempulli, ndërsa një burrë rrinte më këmbë pranë meje;
7 dhe ai më tha: "Bir njeriu, ky është vendi i fronit tim dhe vendi ku vë këmbët e mia, ku do të banoj në mes të bijve të Izraelit përjetë. Dhe shtëpia e Izraelit nuk do ta ndotë më emrin tim të shenjtë, as ata as mbretërit e tyre, me kurvërimet e tyre dhe me kufomat e mbretërve të tyre mbi vendet e tyre të larta,
8 duke vënë pragun e tyre afër pragut tim dhe shtalkat e tyre afër shtalkave të mia duke pasur vetëm një ndarëse midis meje dhe atyre, duke e ndotur kështu emrin tim të shenjtë me veprimet e neveritshme që kryenin; prandaj në zemërimin tim i shkatërrova.
9 Tani do të largojnë nga unë kurvërimet e tyre dhe kufomat e mbretërve të tyre, dhe unë do të banoj në mes të tyre përjetë.
10 Ti, bir njeriu, përshkruaja tempullin shtëpisë së Izraelit, që të kenë turp për paudhësinë e tyre. Le të masin përmasat e tij,
11 dhe, në se kanë turp për të gjitha ato që kanë bërë, ti u bëj të njohur atyre modelin e tempullit dhe vendosjen e tij, daljet e tij dhe hyrjet e tij, gjithë modelin e tij dhe të gjithë statutet e tij, gjithë format e tij dhe të gjitha ligjet e tij; vëri të shkruara para syve të tyre me qëllim që të shikojnë tërë modelin e tij, tërë statutet e tij dhe t’i zbatojnë në praktikë.
12 Ky është ligji i tempullit. Gjithë territori që është rreth majës së malit do të jetë shumë i shenjtë. Ja, ky është ligji i tempullit.
13 Këto janë përmasat e altarit në kubitë (kubiti është një kubit plus një pëllëmbë): baza ka një kubit lartësi dhe një kubit largësi, me një buzë prej një pëllëmbë në gjithë gjatësinë. Kjo është lartësia e altarit;
14 nga baza në tokë deri në platformën e poshtme ka dy kubitë; platforma është një kubit e gjërë; nga plaftorma më e vogël deri në platformën më të madhe ka katër kubitë; platforma është një kubit e gjërë.
15 Vatra e altarit është katër kubitë e lartë, dhe nga vatra e altarit ngrihen katër brirë.
16 Vatra e altarit është e gjatë dymbëdhjetë kubitë dhe e gjërë dymbëdhjetë kubitë, domethënë një katror i përsosur.
17 Platforma e sipërme në të katër anët e saj është e gjatë katërmbëdhjetë kubitë dhe po aq e gjërë, me një buzë rreth e qark prej gjysmë kubiti; shkallaret e veta shikojnë nga lindja".
18 Pastaj më tha: "Bir njeriu, kështu thotë Zoti, Zoti: Këto janë statutet për altarin kur të ndërtohet për të ofruar olokaustet dhe për ta spërkatur sipër me gjak.
19 Priftërinjtë levitikë që vjnë nga fisi i Tsadokut, të cilët më afrohen për të më shërbyer," thotë Zoti, Zoti, "ti do t’u japësh një dem të ri për flijimin e mëkatit.
20 Do të marrësh pak gjak prej tij dhe do ta vësh mbi katër brirët e altarit, mbi katër qoshet e platformës dhe rreth e qark buzës; kështu do ta pastrosh dhe do të kryesh shlyerjen për të.
21 Pastaj do të marrësh demin e ri të flijimit të mëkatit dhe do ta djegësh në një vend të caktuar të tempullit, jashtë shenjtërores.
22 Ditën e dytë do të ofrosh si flijim për mëkatin një cjap pa të meta dhe me të do të pastrohet altari siç u pastrua me demin e ri.
23 Me të përfunduar pastrimin e tij, do të ofrosh një dem të ri pa të meta dhe një dash të kopesë pa të meta.
24 Do t’i paraqesësh përpara Zotit, dhe priftërinjtë do të hedhin mbi ta kripë dhe do t’ia ofrojnë si olokaust Zotit.
25 Shtatë ditë do të ofrosh një cjap si flijim për mëkatin; do të ofrosh gjithashtu një dem të ri dhe një dash të kopesë, të dy pa të meta.
26 Shtatë ditë do të bëhet shlyerja për altarin, do të pastrohet dhe do të shenjtërohet.
27 Me të mbaruar këto ditë, nga dita e tetë e tutje priftërinjtë do të ofrojnë mbi altar olokaustet tuaja dhe flijimet tuaja të falenderimit, dhe unë do t’ju pëlqej," thotë Zoti, Zoti.
95 Ejani, t’i këndojmë me gëzim Zotit; t’i dërgojmë britma gëzimi kalasë së shpëtimit tonë.
2 Le të shkojmë në prani të tij me lavde, ta kremtojmë me këngë.
3 Sepse Zoti është një Perëndi i madh dhe një Mbret i madh mbi gjithë perënditë.
4 Në duart e tij janë thellësitë e tokës dhe të tijat janë majat e larta të maleve.
5 I tij është deti, sepse ai e ka bërë, dhe dheu i thatë që duart e tij kanë modeluar.
6 Ejani, të adhurojmë dhe të përkulemi; të gjunjëzohemi përpara Zotit që na ka bërë.
7 Sepse ai është Perëndia ynë dhe ne jemi populli i kullotës së tij dhe kopeja për të cilën ai kujdeset. Sot, po të jetë se dëgjoni zërin e tij,
8 "mos e fortësoni zemrën tuaj si në Meriba, si ditën e Masas në shkretëtirë,
9 ku etërit tuaj më tunduan dhe më vunë në provë, edhe pse i kishin parë veprat e mia.
10 Për dyzet vjet e pata neveri atë brez dhe thashë: "Janë një popull me zemër të përdalë dhe nuk i njohin rrugët e mia.
11 Prandaj u betova në zemërimin tim: Nuk do të hyjnë në prehjen time".
96 Këndojini Zotit një këngë të re, këndojini Zotit, o banorë të të gjithë tokës!
2 Këndojini Zotit, bekoni emin e tij; lajmëroni çdo ditë shpëtimin e tij.
3 Shpallni lavdinë e tij midis kombeve dhe mekullitë e tij midis tërë popujve.
4 Sepse Zoti është i madh dhe i denjë për lëvdimin më të lartë; nga ai duhet të kemi frikë përmbi gjithë perënditë e tjera.
5 Sepse gjithë perënditë e kombeve janë idhuj, por Zoti ka bërë qiejtë.
6 Shkëlqimi dhe madhështia janë para tij, forca dhe bukuria janë në shenjtëroren e tij.
7 Jepini Zotit, o familje të popujve, jepini Zotit lavdi dhe forcë.
8 Jepini Zotit lavdinë që i takon emrit të tij, çojini oferta dhe ejani në oborret e tij.
9 Bini përmbys përpara Zotit në shkëlqimin e shenjtërisë së tij, dridhuni para tij, o banorë të të gjithë tokës.
10 U thoni gjithë kombeve: "Zoti mbretëron; bota është vendosur mirë dhe nuk do të luajë nga vendi; ai do t’i gjykojë popujt me drejtësi".
11 Le të gëzohen qiejtë dhe të gëzohet toka; le të zhurmojë deti dhe gjithçka gjindet në të.
12 Le të ngazëllohet fusha dhe gjithçka gjindet në të. Atëherë tërë drurët e pyllit do të lëshojnë britma gëzimi përpara Zotit,
13 sepse ai vjen, vjen për të gjykuar tokën. Ai do ta gjykojë botën me drejtësi dhe popujt në besnikërinë e tij.