Book of Common Prayer
45 Më burojnë nga zemra fjalë shumë të ëmbla; unë i këndoj mbretit poemën time. Gjuha ime do të jetë si pena e një shkruesi të shpejtë.
2 Ti je shumë i bukur ndër të gjithë bijtë e njerëzve; buzët e tua janë plot nur, prandaj Perëndia të ka bekuar në përjetësi.
3 Ngjeshe shpatën në brezin tënd, o trim, i rrethuar nga shkëlqimi yt dhe nga madhështia jote,
4 dhe në madhështinë tënde shko përpara mbi qerren fitimtare për çështjen e së vërtetës, të shpirtmadhësisë dhe të drejtësisë, dhe dora jote e djathtë do të të tregojë vepra të tmerrshme.
5 Shigjetat e tua janë të mprehta; popujt do të bien poshtë teje; ato do të hyjnë në zemërën e armiqve të mbretit.
6 Froni yt, o Perëndi, vazhdon në përjetësi; skeptri i mbretërisë sate është një skeptër drejtësie.
7 Ti e do drejtësinë dhe urren mbrapshtinë; prandaj Perëndia, Perëndia yt, të ka vajosur me vaj gëzimi përmbi shokët e tu.
8 Tërë rrobat e tua mbajnë erë mirre, aloe dhe kasie; nga pallatet e fildishta veglat muzikore me tela të gëzojnë.
9 Midis zonjave të nderit që të rrethojnë ka bija mbretërish; në të djathtën tënde është mbretëresha, e zbukuruar me ar Ofiri.
10 Dëgjo, vashë, shiko dhe vër veshin; harro populin tënd dhe shtëpinë e atit tënd,
11 dhe mbreti do të dëshirojë me të madhe bukurinë tënde; bjer përmbys para tij, sepse ai është Zoti yt.
12 Bija e Tiros do të të sjellë disa dhurata dhe të pasurit e popullit do të kërkojnë favoret e tua.
13 Tërë shkëlqim është brenda e bija e mbretit; rrobat e saj janë të qëndisura me ar.
14 Atë do ta çojnë te mbreti me rroba të qëndisura, të shoqëruar nga virgjëresha shoqe të saj, që do të të paraqiten ty.
15 Ato do t’i çojnë me gëzim dhe hare dhe do të hyjnë në pallatin e mbretit.
16 Bijtë e tu do të zënë vendin e etërve të tu; ti do t’i bësh princa për tërë tokën.
17 Unë do të shpall kujtimin e emrit tënd për të gjitha brezat; prandaj popujt do të të kremtojnë në përjetësim, përjetë.
47 Duartrokisni, o popuj; kremtojeni Perëndinë me britma triumfi.
2 Sepse Zoti, Shumë i Larti, është i tmerrshëm, një mbret i madh mbi gjithë dheun.
3 Ai do të na nënshtrojë popujt dhe kombet do t’i vërë nën këmbët tona.
4 Ai do të zgjedhë për ne trashëgiminë tonë, lavdinë e Jakobit që ai e do. (Sela)
5 Perëndia është ngritur në mes brohoritjesh gëzimi, Zoti me tingujt e borive.
6 Këndojini lavde Perëndisë tonë, këndojini lavde! Këndojini lavde mbretit tonë, këndojini lavde!
7 Sepse Perëndia është mbreti i gjithë dheut, këndojini lavde me zotësi.
8 Perëndia mbretëron mbi kombet; Perëndia ulet mbi fronin e tij të shenjtë.
9 Princat e popujve, populli i Perëndisë të Abrahamit, janë mbledhur bashkë; sepse Perëndisë i përkasin mburojat e tokës; atë e lëvdojnë me të madhe.
48 I madh është Zoti dhe meriton të lëvdohet në kulm në qytetin e Perëndisë tonë, në malin e tij të shenjtë.
2 I bukur për nga lartësia e tij, gëzimi i gjithë dheut është mali i Sionit, nga ana e veriut, qyteti i Mbretit të madh.
3 Në pallatet e tij Perëndia u bë i njohur si një kala e papushtueshme.
4 Ja, mbretërit ishin mbledhur dhe shikonin përpara bashkarisht,
5 por sa e panë, mbetën të shushatur dhe ikën të tmerruar.
6 Atje i zunë drithmat dhe si të prerat e lindjes,
7 në të njëjtën mënyrë si era e lindjes që i bën copë-copë anijet e Tarshishit.
8 Siç e kishim dëgjuar, ashtu pamë në qytetin e Zotit disa ushtri, në qytetin e Perëndisë tonë; Perëndia do ta bëjë të qëndrueshëm përjetë.
9 Në tempullin tënd, o Perëndi, ne kemi rënë në mendime mbi mirësinë tënde.
10 Ashtu si emri yt, o Perëndi, kështu lëvdimi yt arrin deri në skajet e tokës; dora jote e djathtë është tërë drejtësi.
11 Le të gëzohet mali Sion, le të ngazëllojnë vajzat e Judës për gjykimet e tua.
12 I bini rrotull Sionit, vizitojeni, numëroni kullat e tij,
13 këqyrni fortesat e tij, admironi pallatet e tij, me qëllim që të mund t’ia tregoni brezave që do të vijnë.
14 Sepse ky Perëndi është Perëndia ynë në përjetësi, përjetë, gjithnjë; ai do të jetë udhëheqësi ynë deri në vdekje.
5 Por profetët Axhe dhe Zakaria, bir i Idos, u profetizuan Judejve që ishin në Judë dhe në Jeruzalem në emër të Perëndisë të Izraelit që ishte mbi ta.
2 Atëherë Zorobabeli, bir i Shealtielit, dhe Jeshua, bir i Jotsadakut, u ngritën dhe nisën të ndërtojnë shtëpinë e Perëndisë në Jeruzalem; dhe me ta ishin profetët e Perëndisë, që i ndihmonin.
3 Në atë kohë erdhën tek ata Tatenai, qeveritar i krahinës matanë Lumit, Shethar-Boznai dhe kolegët e tyre dhe u folën kështu: "Kush ju dha urdhër të ndërtoni këtë tempull dhe të rindërtoni këto mure?".
4 Pastaj ne u treguam atyre emrat e njerëzve që ndërtonin këtë godinë.
5 Por pleqtë e Judejve i ruante syri i Perëndisë të tyre; dhe ata nuk mundën t’i bëjnë të ndërprisnin punën deri sa t’i dërgohej një raport Darit dhe të vinte një përgjigje për këtë çështje.
6 Kjo është një kopje e letrës që iu dërgua mbretit Dari nga Tatenai, qeveritar i krahinës matanë Lumit, nga Shethar-Boznai dhe nga kolegët e tij, Afarsekitët, që ishin matanë Lumit.
7 I dërguan një letër të shkruar në këtë mënyrë: "Mbretit Dari, shëndet të plotë!
8 I bëjmë të njohur mbretit që ne kemi vajtur në krahinën e Judës, në tempullin e Perëndisë të madh. Ai po ndërtohet me gurë të mëdhenj dhe po vihet lëndë druri për ndarëset e tij. Kjo punë po kryhet me kujdes dhe po ecën mirë në duart e tyre.
9 Ne kemi pyetur ata pleq dhe u kemi folur kështu: "Kush ju ka dhënë urdhër të ndërtoni këtë tempull dhe të ndërtoni këto mure?".
10 U kemi kërkuar edhe emrat e tyre, me qëllim që të vinim me shkrim emrat e njerëzve që janë në krye të tyre, dhe pastaj të t’i bënim të njohur.
11 Dhe ata na janë përgjigjur kështu, duke thënë: "Ne jemi shërbëtorët e Perëndisë të qiellit dhe të dheut dhe rindërtojmë tempullin që ishte ndërtuar shumë vjet më parë; një mbret i madh i Izraelit e kishte ndërtuar dhe mbaruar.
12 Duke qenë se etërit tanë kanë provokuar zemërimin e Perëndisë të qiellit, ai i dha në duart e Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, Kaldeasit, i cili e shkatërroi këtë tempull dhe e internoi popullin në Babiloni.
13 Por në vitin e parë të Kirit, mbretit të Babilonisë, mbreti Kir dha urdhër t’i ndërtohej kjo shtëpi Perëndisë.
14 Përveç kësaj mbreti Kir nxori jashtë nga tempulli i Babilonisë përdorëset prej ari dhe argjendi të shtëpisë së Perëndisë, që Nebukadnetsari kishte hequr nga tempulli i Jeruzalemit dhe i kishte çuar në tempullin e Babilonisë, dhe ia dorëzoi njërit që quhej Sheshbatsar, që ai e kishte bërë qeveritar,
15 duke i thënë: "Merri këto veglat dhe shko t’i vësh përsëri në tempullin që është në Jeruzalem; dhe shtëpia e Perëndisë të rindërtohet në vendin e saj.
16 Atëherë vetë Sheshbatsari erdhi dhe hodhi themelet e shtëpisë së Perëndisë që është në Jeruzalem; që nga kjo kohë e deri më sot ajo është në ndërtim, dhe nuk ka mbaruar akoma".
17 Prandaj tani, në rast se kjo i pëlqen mbretit, të bëhen kërkime në shtëpinë e thesareve të mbretit që është në Babiloni, për të parë nëse mbreti Kir ka dhënë me të vërtetë një urdhër për të ndërtuar këtë shtëpi të Perëndisë në Jeruzalem; dhe mbreti të na çojë vendimin e tij lidhur me këtë gjë".
4 Pas këtyre gjërave, pashë dhe ja, një derë u hap në qiell dhe zëri i parë që kisha dëgjuar të fliste me mua si bori, tha: “Ngjitu këtu dhe do të të tregoj gjërat që duhet të ndodhin pas këtyre gjërave.”
2 Dhe menjëherë erdha në frymë; dhe ja, një fron ishte në qiell dhe mbi fron rrinte një i ulur.
3 Dhe ai që ishte ulur nga pamja i ngjante një guri diaspri dhe sardi; dhe rreth fronit ishte një ylber që i ngjante smeraldit.
4 Dhe rreth e qark fronit ishin njëzet e katër frone, dhe mbi frone pashë ndenjur njëzet e katër pleq të veshur me petka të bardha; dhe mbi kryet e tyre kishin kurora:
5 dhe nga froni shpërthenin vetëtima, bubullima dhe zëra; dhe përpara fronit ishin shtatë llamba të ndezura, që janë të shtatë Frymërat e Perëndisë.
6 Dhe përpara fronit ishte si një det i qelqtë që i ngjante kristalit, dhe në mes të fronit dhe përreth fronit katër kafshë, që ishin plot me sy përpara dhe prapa.
7 Qenia e parë e gjallë ishte e ngjashme me një luan, edhe qenia e dytë e gjallë e ngjashme me një viç, edhe qenia e tretë e gjallë kishte fytyrë si të njeriut, edhe e katërta ishte e ngjashme me një shqiponjë në fluturim.
8 Edhe të katër qeniet e gjalla kishin secila nga gjashtë krahë përqark, edhe përbrenda ishin plot me sy; dhe nuk pushojnë kurrë, as ditë as natë, duke thënë: “I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti Perëndi, i Plotfuqishmi, që ishte, që është dhe që do të vijë!.”
9 Sa herë që qeniet e gjalla i japin lavdi, nder e të falenderim atij që rri ulur mbi fron, atij që rron në shekuj të shekujve,
10 të njëzet e katër pleq bien përmbys përpara atij që rri mbi fron dhe adhurojnë atë që jeton në shekuj të shekujve dhe i hedhin kurorat e tyre përpara fronit, duke thënë:
11 “Ti je i denjë, o Zot, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti i krijove të gjitha gjëra, dhe nëpërmjet vullnetit tënd ekzistojnë dhe u krijuan.”
13 Tani po atë ditë, Jezusi doli nga shtëpia dhe u ul në breg të detit.
2 Turma të mëdha u mblodhën rreth tij kështu që ai hipi mbi një barkë dhe u ul; dhe gjithë populli rrinte në këmbë në breg.
3 Dhe ai u paraqiti shumë gjëra në shëmbëlltyrë, duke thënë: “Ja, një mbjellës doli për të mbjellë.
4 Ndërsa po mbillte, një pjesë e farës ra përgjatë rrugës; dhe zogjtë erdhën dhe e hëngrën.
5 Një pjesë tjetër ra në gurishte, ku nuk kishte shumë tokë, dhe mbiu shpejt sepse terreni nuk ishte i thellë;
6 por kur doli dielli u fishk dhe u tha sepse s’kishte rrënjë.
7 Një pjesë tjetër ra midis ferrave dhe ferrat u rritën dhe ia zunë frymën.
8 Një tjetër ra në tokë të mirë dhe dha fryt duke dhënë njëra njëqindfish, tjetra gjashtëdhjetëfish dhe tjetra tridhjetëfish.
9 Kush ka vesh për të dëgjuar, le të dëgjojë!.”