Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 119:1-24

119 Lum ata që kanë një rrugë pa njollë dhe që ecin me ligjin e Zotit.

Lum ata që respektojnë mësimet e tij, që e kërkojnë me gjithë zemër

dhe nuk kryejnë të keqen, por ecin në rrugët e tij.

Ti na ke urdhëruar të respektojmë urdhërimet e tua me kujdes.

Oh, rrugët e mia qofshin të qëndrueshme në respektimin e statuteve të tua.

Atëherë nuk do të turpërohem, kur të kem parasysh të gjitha urdhërimet e tua.

Do të të kremtoj me zemër të drejtë ndërsa mësoj dekretet e tua të drejta.

Do të respektoj statutet e tua, mos më braktis plotësisht.

Si mundet një i ri të bëjë rrugën e tij të pastër? Duke e ruajtur me fjalën tënde.

10 Të kam kërkuar me gjithë zemër; mos më lër të devijoj nga urdhërimet e tua.

11 E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje.

12 Ti je i bekuar, o Zot, më mëso statutet e tua.

13 Me buzët e mia kam numëruar të gjitha dekretet e gojës sate.

14 Gëzohem duke ndjekur porositë e tua, ashtu sikur të zotëroja tërë pasuritë.

15 Do të mendoj thellë mbi urdhërimet e tua dhe do të marrë në konsideratë shtigjet e tua.

16 Do të kënaqem me statutet e tua dhe nuk do ta harroj fjalën tënde.

17 Bëji të mirë shërbëtorit tënd, dhe unë do të jetoj dhe do të respektoj fjalën tënde.

18 Hapi sytë e mi dhe unë do të sodit mrekullitë e ligjit tënd.

19 Unë jam i huaji mbi dhe; mos m’i fshih urdhërimet e tua.

20 Shpirti im tretet nga dëshira e dekreteve të tua në çdo kohë.

21 Ti i qorton kryelartët, që janë të mallkuar, sepse largohen nga urdhërimet e tua.

22 Hiq prej meje turpin dhe përbuzjen, sepse unë i kam respektuar porositë e tua.

23 Edhe sikur princat të ulen dhe të flasin kundër teje, shërbëtori yt do të mendohet thellë mbi ligjet e tua.

24 Porositë e tua janë gëzimi im dhe këshilltarët e mi.

Psalmet 12-14

12 Na shpëto, o Zot, sepse njerëz të devotshëm ka më pak, dhe ata që thonë të vërtetën janë zhdukur në mes të bijve të njerëzve.

Secili gënjen të afërmin e tij dhe flet me buzë lajkatare dhe me zemër të zhdyzuar.

Zoti i preftë të gjitha buzët lajkatare dhe gjuhën që flet me krenari,

të atyre që thonë: "Me gjuhën tonë do të sundojmë; buzët tona na përkasin neve; kush është zot mbi ne?".

"Për shkak të shtypjes së të mjerëve dhe të britmës së nevojtarëve, tani do të çohem," thotë Zoti, "dhe do t’i shpëtoj nga ata që u zënë pusi".

Fjalët e Zotit janë fjalë të pastra, si argjend i rafinuar në një furrë prej dheu, i pastruar shtatë herë.

Ti, o Zot, do t’i mbrosh dhe do t’i ruash, duke filluar nga ky brez përjetë.

Të pabesët sillen pa u ndëshkuar kudo, kur midis bijve të njerëzve lavdërohet e keqja.

13 Deri kur do të më harrosh, o Zot? Vallë kështu do të jetë përjetë? Deri kur do të më fshehësh fytyrën tënde?

Deri kur do të marr vendime në shpirtin tim dhe do të kem pikëllim në zemrën time tërë ditën? Deri kur do të ngrihet armiku im mbi mua?

Shiko me vëmendje dhe përgjigjmu, o Zot, Perëndia im, ndriço sytë e mi, që të mos më zërë gjumi në gjumin e vdekjes,

dhe armiku im të mos thotë: "E munda," dhe armiqtë e mi të mos gëzohen kur unë lëkundem.

Por unë kam besim në mirësinë tënde dhe zemra ime do të ngazëllojë në çlirimin tënd;

unë do t’i këndoj Zotit, sepse ai më ka trajtuar me shumë shpirtmadhësi.

14 I pamendi ka thënë në zemër të tij: "Nuk ka Perëndi". Janë të korruptuar, bëjnë gjëra të neveritshme; nuk ka asnjë që të bëjë të mirën.

Zoti shikon nga qielli bijtë e njerëzve për të parë në se ndonjeri prej tyre ka arsye dhe kërkon Perëndinë.

Të gjithë kanë devijuar, janë korruptuar; asnjeri nuk bën të mirën, as edhe një.

Nuk kanë fare arsye të gjithë ata që kryejnë paudhësi, që hanë popullin tim si të hanin bukë dhe nuk kërkojnë ndihmën e Zotit?

Atje do t’i zërë një frikë e madhe, sepse Perëndia është me njerëzit e drejtë.

Ju kërkoni të prishni planet e të mjerit, sepse Zoti është streha e tij.

Oh! Le të vijë, pra, nga Sioni shpëtimi i Izraelit! Kur Zoti do ta kthejë popullin e tij nga robëria, Jakobi do të ngazëllojë, Izraeli do të gëzohet.

Jeremia 37:3-21

Mbreti Sedekia dërgoi Jehukalin, birin e Shelemiahut, dhe priftin Sofoni, birin e Maasejahut, te profeti Jeremia për t’i thënë: "Oh, lutju për ne Zotit, Perëndisë tonë".

Jeremia shkonte e vinte në popull, sepse akoma nuk e kishin shtënë në burg.

Ndërkohë ushtria e Faraonit kishte dalë nga Egjipti; sapo Kaldeasit që rrethonin Jeruzalemin e mësuan këtë lajm, u larguan nga Jeruzalemi.

Atëherë fjala e Zotit iu drejtua profetit Jeremia, duke thënë:

"Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: Do t’i thoni kështu mbretit të Judës që ju ka dërguar për t’u konsultuar me mua: Ja, ushtria e Faraonit, që kishte dalë për t’ju ndihmuar, do të kthehet në vendin e vet, në Egjipt.

Kaldeasit do të kthehen dhe do të luftojnë kundër këtij qyteti, do ta shtien në dorë dhe do ti vënë flakën".

Kështu thotë Zoti: "Mos gënjeni veten duke thënë: "Kaldeasit do të ikin me siguri nga ne," sepse nuk do të ikin.

10 Edhe sikur të arrini ta mundni tërë ushtrinë e Kaldeasve që luftojnë kundër jush dhe të mbeteshin vetëm disa të plagosur, këta do të ngriheshin secili në çadrën e vet dhe do t’i vinin flakën këtij qyteti".

11 Ndodhi që, kur ushtria e Kaldeasve u largua nga Jeruzalemi për shkak të ushtrisë së Faraonit,

12 Jeremia doli nga Jeruzalemi për të shkuar në vendin e Beniaminit për të marrë pjesën e tij të trashëgimisë në mes të popullit.

13 Por, kur arriti te porta e Beniaminit, ku ishte një kapiten roje që quhej Irijah, biri i Shelemiahut, bir i Hananiahut, ky e arrestoi profetin Jeremia, duke thënë: "Ti je bërë me Kaldeasit".

14 Jeremia u përgjigj "Nuk është e vërtetë, unë nuk po bëhem me Kaldeasit," por ai nuk ia vuri veshin. Kështu Irijahu e arrestoi Jeremian dhe e çoi te princat.

15 Princat u zemëruan me Jeremian, e rrahën dhe e futën në burg në shtëpinë e shkruesit Jonathan të cilën e kishin kthyer në burg.

16 Kur Jeremia hyri në shtëpinë e burgut të nëndheshëm, në qeli, mbeti aty shumë ditë.

17 Pastaj mbreti Sedekia dërgoi ta marrin, e pyeti fshehurazi në shtëpinë e tij dhe i tha: "A ka ndonjë fjalë nga ana e Zotit?". Jeremia u përgjigj: Po, kaa". Dhe shtoi: "Ti do të jepesh në dorë të mbretit të Babilonisë".

18 Përveç kësaj Jeremia i tha mbretit Sedekia: "Çfarë faji kam kryer kundër teje, kundër shërbëtorëve të tu ose kundër këtij populli, që më fute në burg?

19 Ku janë tani profetët tuaj që ju profetizonin duke thënë: "Mbreti i Babilonisë nuk do të vijë kundër jush as kundër këtij vendi"?

20 Tani dëgjo, të lutem, o mbret imzot, lutja ime të jetë e pëlqyer para teje dhe mos më kthe në shtëpinë e shkruesit Jonathan, që të mos vdes atje".

21 Atëherë mbreti Sedekia urdhëroi që Jeremia të ruhej në oborrin e burgut dhe t’i jepej çdo ditë një copë bukë nga rruga e furrtarëve, deri sa të mbarohej gjithë buka e qytetit. Kështu Jeremia mbeti në oborrin e burgut.

1 e Korintasve 14:13-25

13 Prandaj ai që flet një gjuhë tjetër, le të lutet që të mund ta interpretojë,

14 sepse, në qoftë se unë lutem në një gjuhë tjetër, fryma im lutet, por mendja ime është e pafrytshme.

15 Po atëherë? Do të lutem me frymën, por do ta bëj edhe me mendjen; do të këndoj me frymën, por do të këndoj edhe me mendjen.

16 Me fjalë të tjera, në qoftë se ti e lavdëron Perëndinë me frymën, ai që zë vendin e profanët, si do të thotë "amen" për falënderimin tënd, kur nuk merr vesh ç’po thua?

17 Sepse ti edhe mund të falënderosh mirë, por tjetri nuk ndërtohet.

18 Unë e falënderoj Perëndinë time, sepse flas më shumë në gjuhë se ju të gjithë.

19 Por në asamble parapëlqej të them pesë fjalë me mënçurinë time për mësimin e të tjerëve se dhjetë mijë fjalë në gjuhë tjetër.

20 Vëllezër, mos u bëni kalamaj nga mendja, por bëhuni foshnje për të ligën, dhe burra të pjekur nga mendja.

21 Në ligj është shkruar: “Unë do t’i flas këtij populli në gjuhë të huaja dhe me buzë të tjera, por as kështu nuk do të më dëgjojnë,” thotë Zoti.

22 Prandaj gjuhët janë një shenjë jo për ata që besojnë, por për jobesimtarë, kurse profecia nuk është për jobesimtarë, po për besimtarë.

23 Pra, në qoftë se, kur gjithë kisha është mbledhur në një vend, të gjithë flasin gjuhëra dhe hyjnë profanë ose jobesimtarë, a nuk do të thonë se ju kanë dalë mendtë?

24 Por, në qoftë se profetizojnë të gjithë dhe hyn një jobesimtar ose një profan, ai bindet nga të gjithë dhe gjykohet nga të gjithë.

25 Dhe kështu të fshehtat e zemrës së tij zbulohen; edhe kështu, duke rënë me faqe përmbys, do të adhurojë Perëndinë, duke deklaruar se Perëndia është me të vërtetë midis jush.

Mateu 10:24-33

24 Dishepulli nuk del mbi mësuesin, as shërbëtori mbi zotin e tij.

25 I mjafton dishepullit të bëhet si mësuesi i tij dhe shërbëtorit të bëhet si zotëria e tij. Në se të zotin e shtëpisë e quajtën Beelzebub, aq më tepër do t’i quajnë ashtu ata të shtëpisë së tij!

26 Mos ia kini frikën pra, sepse nuk ka gjë të fshehtë që të mos zbulohet dhe asnjë sekret që nuk do të nijhet.

27 Atë që unë ju them në terr, e thoni në dritë; dhe atë që dëgjoni të thënë në vesh, predikojeni mbi çatitë.

28 Dhe mos kini frikë nga ata që vrasin trupin, por nuk mund të vrasin shpirtin; kini frikë më tepër nga ai që mund t’ua humbë shpirtin dhe trupin në Gehena.

29 A nuk shiten vallë dy harabela për një aspër? Dhe, megjithatë asnjë prej tyre nuk bie për tokë pa dashjen e Atit tuaj.

30 Sa për ju, madje edhe të gjitha fijet e flokëve të kokës suaj janë të numëruara.

31 Mos kini frikë, pra; ju vleni më tepër se shumë harabela.

32 Prandaj kushdo që do të më rrëfenjë përpara njerëzve, dhe unë do ta rrëfejë përpara Atit tim që është në qiej.

33 Por kushdo që do të më mohojë përpara njerëzve, edhe unë do ta mohoj përpara Atit tim që është në qiej.”