Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 148-150

148 Aleluja. Lëvdoni Zotin nga qiejtë, lëvdojeni në vendet shumë të larta.

Lëvdojeni, ju të gjithë engjëjt e tij, lëvdojeni ju mbarë ushtritë e tij.

Lëvdojeni, o diell dhe hënë, lëvdojeni, ju mbarë yje të ndritshme.

Lëvdojeni, ju qiej të qiejve, dhe ju ujëra përmbi qiejtë.

Tërë këto gjëra le të lëvdojnë emrin e Zotit, sepse ai dha urdhër dhe ato u krijuan.

Ai i ka vendosur përjetë, në përjetësi; por ka bërë një statut që nuk do të kalojë kurrë.

Lëvdojeni Zotin nga toka, ju përbindësh të detit dhe mbarë oqeane,

zjarr dhe breshër, borë dhe re, ajër i shtrëngatës që zbaton urdhërat e tij,

mbarë male dhe kodra, mbarë dru frutorë dhe kedra;

10 ju mbarë kafshë të egra dhe shtëpiake, rrëshqanorë dhe zogj me krahë;

11 ju mbretër të dheut dhe mbarë popuj, princa dhe gjyqtarë të tokës;

12 të rinj dhe vajza, pleq dhe fëmijë.

13 Le të lëvdojnë emrin e Zotit, sepse vetëm emri i tij përlëvdohet. Lavdia e tij qëndron përmbi tokën dhe qiejtë.

14 Ai e ka rritur forcën e popullit të tij, një arsye kjo lëvdimi për të gjithë shenjtorët e tij, për bijtë e Izraelit, një popull i afërt për të. Aleluja.

149 Aleluja. Këndojini Zotit një këngë të re, këndoni lavdinë e tij në kuvendin e shenjtorëve.

Le të ngazëllohet Izraeli tek ai që e ka bërë, le të ngazëllohen bijtë e Sionit te Mbreti i tyre.

Le të lëvdojnë emrin e tij me valle, të këndojnë lavdet e tij me dajre dhe me qeste,

sepse Zoti kënaqet me popullin e tij; ai i kurorëzon me shpëtim njerëzit e përulur.

Le të ngazëllohen shenjtorët në lavdi, le të këndojnë nga gëzimi mbi shtretërit e tyre.

Le të kenë në gojën e tyre lavdet e Perëndisë dhe në dorën e tyre një shpatë që pret nga të dy anët;

për t’u hakmarrë me kombet dhe për t’u dhënë ndëshkime popujve,

për t’i lidhur mbretërit e tyre me zinxhirë dhe fisnikët e tyre me pranga hekuri,

për të zbatuar mbi ta gjykimin e shkruar. Ky është nderi që u rezervohet mbarë shenjtorëve të tij. Aleluja.

150 Aleluja, lëvdoni Perëndinë në shenjtoren e tij, lëvdojeni në kupën qiellore të pushtetit të tij.

Lëvdojeni për mrekullitë e tij, lëvdojeni sipas madhështisë e tij.

Lëvdojeni me tingullin e burive, lëvdojeni me tingullin e harpës dhe me qeste.

Lëvdojeni me dajre dhe me valle, lëvdojeni me vegla me tela dhe me frymë.

Lëvdojeni me cembale tingëlluese, lëvdojeni me cembale kumbuese.

Çdo gjë që merr frymë le të lëvdojë Zotin. Aleluja.

Psalmet 114-115

114 Kur Izraeli doli nga Egjipti dhe shtëpia e Jakobit nga një popull që fliste një gjuhë të huaj,

Juda u bë shenjtorja e tij dhe Izraeli zotërimi i tij.

Deti e pa dhe iku, Jordani u kthye prapa.

Malet u hodhën si desh dhe kodrat si qengja.

Ç’pate ti, o det, që ike, dhe ti, o Jordan, që u ktheve prapa?

Dhe ju, o male, që u hodhët si desh, dhe ju, o kodra, si qengja?

Dridhu, o tokë, në prani të Zotit, në prani të Perëndisë të Jakobit,

që e shndërroi shkëmbin në liqen, shkrepin në një burim uji.

115 Jo neve, o Zot, jo neve, por emrit tënd jepi lavdi, për mirësinë tënde dhe për besnikërinë tënde.

Sepse do të thonë kombet: "Ku është tani Perëndia i tyre?".

Por Perëndia ynë është në qiejtë dhe bën tërë atë që i pëlqejnë.

Idhujt e tyre janë argjend dhe ar, vepër e duarve të njeriut.

kanë gojë por nuk flasin, kanë sy por nuk shohin,

kanë veshë por nuk dëgjojnë, kanë hundë por nuk nuhasin,

kanë duar por nuk prekin, kanë këmbë por nuk ecin; me grykën e tyre nuk nxjerrin asnjë zë.

Njëlloj si ata janë ata që i bëjnë, tërë ata që u besojnë atyre.

O Izrael, ki besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.

10 O shtëpi e Aaronit, ki besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.

11 O ju që keni frikë nga Zoti; kini besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.

12 Zoti na kujtoi dhe do të na bekojë; po, ai do të bekojë shtëpinë e Izraelit dhe do të bekojë shtëpinë e Aaronit.

13 Ai do të bekojë ata që kanë frikë nga Zoti, të vegjël dhe të mëdhenj.

14 Zoti ju bëftë të rriteni, ju dhe bijtë tuaj.

15 Qofshin të bekuar nga Zoti, që ka bërë qiejtë dhe tokën.

16 Qiejtë janë qiejtë e Zotit, por tokën ai ua ka dhënë bijve të njerëzve.

17 Nuk janë të vdekurit ata që lëvdojnë të Zotin, as ata që zbresin në vendin e heshtjes.

18 Por ne do ta bekojmë Zotin, tani dhe përjetë. Aleluja.

Jeremia 29:1

29 Këto janë fjalët e letrës që profeti Jeremia i dërgoi nga Jeruzalemi pleqve që kishin mbetur në robëri, priftërinjve, profetëve dhe tërë popullit që Nebukadnetsari kishte çuar në robëri nga Jeruzalemi në Babiloni.

Jeremia 29:4-14

"Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit, tërë të internuarve që unë kam çuar në robëri nga Jeruzalemi në Babiloni:

Ndërtoni shtëpi dhe banoni në to, mbillni kopshte dhe hani frytet e tyre.

Merrni gra dhe bëni bij dhe bija, merrni gra për bijtë tuaj dhe martojini vajzat tuaja që të lindin bij dhe bija, me qëllim që atje të shumoheni dhe të mos pakësoheni.

Kërkoni të mirën e qytetit ku ju kam çuar në robëri dhe lutjuni Zotit për të, sepse mirëqenia juaj varet nga mirëqenia e tij.

Kështu thotë në të vërtetë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Të mos ju mashtrojnë profetët dhe shortarët tuaj që janë midis jush, mos merrni parasysh ëndrrat që shikoni.

Sepse ju profetizojnë në mënyrë të rreme në emrin tim; unë nuk i kam dërguar," thotë Zoti.

10 "Kështu thotë Zoti: Kur të mbushen shtatëdhjetë vjet për Babiloninë, unë do t’ju vizitoj dhe do ta realizoj fjalën time të mirë, duke bërë të riktheheni në këtë vend.

11 Sepse unë i njoh mendimet që kam për ju," thotë Zoti, "mendime paqeje dhe jo të së keqes, për t’ju dhënë një të ardhme dhe një shpresë.

12 Do të më kërkoni dhe do të vini të më luteni, dhe unë do t’ju kënaq.

13 Do të më kërkoni dhe do të më gjeni, sepse do të më kërkoni me gjithë zemrën tuaj.

14 Unë do të bëj që ju të më gjeni," thotë Zoti, "dhe do t’ju kthej nga robëria juaj; do t’ju mbledh nga të gjitha kombet dhe nga të gjitha vendet ku ju kam shpërndarë," thotë Zoti; "dhe do t’ju çoj përsëri në vendin prej të cilit ju çova në robëri.

Veprat e Apostujve 16:6-15

Kur ata po kalonin nëpër Frigji dhe në krahinën e Galatisë, u penguan nga Fryma e Shenjtë që të shpallin fjalën në Azi.

Si arritën në kufijtë e Misisë, ata kërkuan të shkojnë në Bitini, por Fryma nuk i lejoi.

Kështu, pasi e përshkuan Misinë, zbritën në Troas.

Gjatë natës Palit iu shfaq një vegim. I rrinte para një burrë Maqedonas, që i lutej dhe i thoshte: “Kalo në Maqedoni dhe na ndihmo.”

10 Mbasi e pa vegimin, kërkuam menjëherë të shkojmë në Maqedoni, të bindur se Zoti na kishte thirrur që t’ua shpallim atyre ungjillin.

11 Prandaj, duke lundruar nga Troasi, u drejtuam për në Samotrakë, dhe të nesërmen në Neapolis,

12 dhe prej andej në Filipi, që është qyteti i parë i asaj ane të Maqedonisë dhe koloni romake; dhe qëndruam disa ditë në atë qytet.

13 Ditën e së shtunës dolëm jashtë qytetit anës lumit, ku ishte vendi i zakonshëm për lutje; dhe, si u ulëm, u flisnim grave që ishin mbledhur atje.

14 Dhe një grua, me emër Lidia, që ishte tregtare të purpurtash, nga qyteti i Tiatirës dhe që e adhuronte Perëndinë, po dëgjonte. Dhe Zoti ia hapi zemrën për të dëgjuar gjërat që thoshte Pali.

15 Pasi ajo u pagëzua me familjen e saj, na u lut duke thënë: “Në qoftë se më keni gjykuar se jam besnike ndaj Zotit, hyni në shtëpinë time dhe rrini.” Dhe na detyroi të pranojmë.

Luka 10:1-12

10 Pastaj Zoti caktoi shtatëdhjetë të tjerë dhe i nisi dy nga dy përpara tij, në çdo qytet dhe vend, ku ai do të shkonte.

Dhe u thoshte atyre: “E korra është e madhe, kurse punëtorë janë pak; lutni Zotin e të korrës që të çojë punëtorë në të korrën e vet.

Shkoni; ja, unë ju dërgoj si qengja në mes të ujqërve.

Mos merrni me vete as çanta, as trasta, as sandale dhe mos përshëndetni asnjeri rrugës.

Dhe në cilëndo shtëpi ku të hyni, më përpara thoni: "Paqe në këtë shtëpi".

Dhe nëse është aty një bir i paqes, paqja juaj do të zbresë mbi të; nëse jo, do të kthehet tek ju.

Rrini, pra, në të njëjtën shtëpi, hani dhe pini atë që do t’ju japin, sepse punëtori meriton shpërblimin e vet. Mos kaloni nga një shtëpi në një tjetër.

Dhe në çdo qytet ku të hyni, nëse ju pranojnë, hani çfarë t’ju vënë përpara.

Dhe shëroni të sëmurit që do të jenë në të dhe u thoni atyre: "Mbretëria e Perëndisë ju është afruar".

10 Por në çdo qytet ku të hyni, nëse nuk ju pranojnë, dilni në rrugët e tij dhe thoni:

11 "Ne po shkundim kundër jush edhe pluhurin e qytetit tuaj që na u ngjit; veç ta dini se mbretëria e Perëndisë ju është afruar".

12 Unë ju them se atë ditë Sodoma do ta ketë më të lehtë sesa ai qytet.

Luka 10:17-20

17 Dhe të shtatëdhjetët u kthyen me gëzim dhe thanë: “Zot, edhe demonët na nënshtrohen në emrin tënd.”

18 Dhe ai u tha atyre: “Unë e shikoja Satanin që po binte nga qielli si një rrufe.

19 Ja, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj dhe akrepa, dhe mbi çdo pushtet të armikut; dhe asgjë nuk do të mund t’ju dëmtojë.

20 Megjithatë mos u gëzoni për faktin se po ju nënshtrohen frymërat, por gëzohuni më shumë se emrat tuaj janë shkruar në qiej.”