Book of Common Prayer
16 Më mbro, o Perëndi, sepse unë po kërkoj strehë te ti.
2 I thashë Zotit: "Ti je Zoti im; nuk kam asnjë të mirë veç teje".
3 Gjithë dashuria ime është vendosur te njerëzit e shenjtë dhe të nderuar që janë mbi tokë.
4 Dhembjet e atyre që turren pas perëndive të tjera do të shumëzohen; unë nuk do t’i derdh libacionet e tyre të gjakut dhe nuk do të shqiptoj me buzët e mia emrat e tyre.
5 Zoti është pjesa ime nga trashëgimia dhe kupa ime; ti, o Zot, ruaje fort atë që më ka rënë në short.
6 Mua fati më ka rënë në vende të këndshme; po, një trashëgimi e bukur më ka rënë.
7 Unë do të bekoj Zotin që më këshillon; zemra ime më mëson edhe natën.
8 Unë e kam vënë vazhdimisht Zotin përpara syve të mi; duke qenë se ai rri në të djathtën time, unë nuk do të hiqem kurrë nga vendi.
9 Prandaj zemra ime gëzohet dhe shpirti im ngazëllon për lavdinë e trashëgimisë sime; edhe mishi im do të qëndrojë tërë besim dhe në siguri,
10 sepse ti nuk do ta lësh shpirtin tim në Sheol dhe nuk do të lejosh që i Shenjti yt të shohë korruptimin.
11 Ti do të më tregosh shtegun e jetës; ka shumë gëzim në praninë tënde; në të djathtën tënde ka kënaqësi në përjetësi.
17 O Zot, dëgjo një çështje të drejtë, dëgjo me vëmendej britmën time, dëgjo lutjen time, që nuk vjen nga buzë mashtruese.
2 Ardhtë mbrojtja ime nga prania jote; sytë e tu pafshin atë që është e drejtë.
3 Ti e ke hetuar zemrën time, e ke vizituar natën; më ke vënë në provë dhe nuk ke gjetur asgjë; kam vendosur të mos mëkatoj me gojën time.
4 Përsa u përket veprave të njerëzve, për fjalën e buzëve të tua, jam ruajtur nga rrugët e njerëzve të furishëm.
5 Hapat e mia kanë qëndruar të sigurt në shtigjet e tua dhe këmbët e mia nuk janë lëkundur.
6 Unë të drejtohem ty, o Perëndi, sepse ti m’i plotëson, zgjat veshët e tu ndaj meje, dëgjo fjalët e mia.
7 Tregomë mirësinë tënde të mrekullueshme, ti, që me të djathtën tënde i shpëton nga kundërshtarët e tyre ata që gjejnë strehë pranë teje.
8 Më ruaj si beben e syrit; më mbulo, nën hijen e krahëve të tu,
9 nga të pabesët që më shtypin dhe nga armiqtë për vdekje që më rrethojnë.
10 Zemrat e tyre janë fortësuar, goja e tyre flet me arrogancë.
11 Tani në kanë rrethuar, ndjekin hapat tona; na ngulin sytë e tyre për të na rrëzuar.
12 Armiku im i përngjan një luani që digjet nga dëshira që të shqyejë, dhe të një luani të vogël që rri në pritë në vënde të fshehta.
13 Çohu, o Zot, përballoje, rrëzoje; çliro shpirtin tim nga i pabesi me shpatën tënde.
14 O Zot, më çliro me dorën tënde nga njerëzit, nga njerëzit e kësaj bote që bën pjesë në këtë jetë, dhe barkun e të cilëve ti e mbush me thesaret e tua të fshehta; bijtë e tyre ngopen dhe u lënë fëmijëve të tyre ato që mbetet nga pasuritë e tyre.
15 Sa për mua, për hir të drejtësisë do të shoh fytyrën tënde; do të ngopem nga prania jote kur të zgjohem.
22 Perëndia im, Perëndia im, pse më ke braktisur? Pse më rri kaq larg dhe nuk vjen të më çlirosh, duke dëgjuar fjalët e ofshamës sime?
2 O Perëndia im, unë bërtas ditën, por ti nuk përgjigjesh, edhe natën unë nuk rri në heshtje.
3 Megjithatë ti je i Shenjti, që banon në lëvdimet e Izraelit.
4 Etërit tonë kanë pasur besim te ti; kanë pasur besim te ti dhe ti i ke çliruar.
5 Të klithën ty dhe u çliruan; patën besim te ti dhe nuk u zhgënjyen.
6 Por unë jam një krimb dhe jo një njeri; turpi i njerëzve dhe përçmimi i popullit.
7 Tërë ata që më shohin më përqeshin, zgjatin buzën dhe tundin kokën,
8 duke thënë: "Ai i ka besuar Zotiit; le ta çlirojë, pra, ta ndihmojë, mbasi e do".
9 Me siguri ti je ai që më nxori nga barku i nënes; bëre që të kem besim te ti qysh nga koha kur pushoja mbi sisët e nënes sime.
10 Unë u braktisa te ti qysh nga lindja ime; ti je Perëndia im qysh nga barku i nënes sime.
11 Mos u largo nga unë, sepse ankthi është i afërt, dhe nuk ka asnjë që të më ndihmojë.
12 Dema të mëdhenj më kanë rrethuar, dema të fuqishëm të Bashanit më rrinë përqark;
13 ata hapin gojën e tyre kundër meje, si një luan grabitqar që vrumbullit.
14 Më derdhin si ujë dhe tërë kockat e mia janë të ndrydhura; zemra ime është si dylli që shkrihet në mes të zorrëve të mia.
15 Forca ime është tharë si një enë balte dhe gjuha ime është ngjitur te qiellza; ti më ke vënë në pluhurin e vdekjes.
16 Sepse qentë më kanë rrethuar, një grup keqbërësish më rri rrotull; më kanë shpuar duart dhe këmbët.
17 Unë mund t’i numëroj gjithë kockat e mia; ato më shikojnë dhe më këqyrin.
18 Ndajnë midis tyre rrobat e mia dhe hedhin në short tunikën time.
19 Por ti, o Zot, mos u largo; ti që je forca ime, nxito të më ndihmosh.
20 Çliroje jetën time nga shpata, jetën time të vetme nga këmba e qenit.
21 Shpëtomë nga gryka e luanit dhe nga brirët e buajve. Ti m’u përgjigje.
22 Unë do t’u njoftoj emrin tënd vëllezërve të mi, do të të lëvdoj në mes të kuvendit.
23 Ju që keni frikë nga Zoti, lëvdojeni; dhe ju të gjithë, pasardhës të Jakobit, përlëvdojeni; dhe ju të gjithë, o fis i Izraelit, kini frikë nga ai.
24 Sepse ai nuk ka përçmuar as nuk ka hedhur poshtë vuajtjen e të pikëlluarit, dhe nuk i ka fshehur fytyrën e tij; por kur i ka klithur atij, ai e ka kënaqur.
25 Shkaku i lëvdimit tim në kuvendin e madh je ti; unë do t’i plotësoj zotimet e mia në prani të të gjithë atyre që kanë frikë nga ti.
26 Nevojtarët do të hanë dhe do të ngopen; ata që kërkojnë Zotin do ta lëvdojnë; zemra juaj do të jetojë përjetë.
27 Të gjitha skajet e tokës do ta mbajnë mend Zotin dhe do të kthehen tek ai; dhe të gjitha familjet e kombeve do të adhurojnë përpara teje.
28 Sepse Zotit i përket mbretëria dhe ai sundon mbi kombet.
29 Gjithë të pasurit e dheut do të hanë dhe do të të adhurojnë; të gjithë ata që zbresin në pluhur dhe që nuk arrijnë të mbahen gjallë do të përkulen para teje.
30 Pasardhësit do t’i shërbejnë; do t’i flitet për Zotin brezit të ardhshëm.
31 Ata do të vijnë dhe do t’i shpallin drejtësinë e tij një populli që nuk ka lindur akoma, dhe që ai vetë e ka krijuar.
14 Atëherë mbreti Sedekia dërgoi të marrin profetin Jeremia dhe e bëri të vijë në hyrjen e tretë të shtëpisë të Zotit. Mbreti i tha Jeremias: "Të kërkoj një gjë; mos më fshih asgjë".
15 Jeremia iu përgjigj Sedekias: "Po të ta them, me siguri nuk do të bësh që të vdes? Dhe në qoftë se pastaj të jap një këshillë, nuk do të ma dëgjosh".
16 Kështu mbreti Sedekia iu betua fshehurazi Jeremias, duke thënë: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, që na ka dhënë këtë jetë, nuk do të bëj të vdesësh dhe nuk do të dorëzoj në dorën e këtyre njerëzve që kërkojnë jetën tënde".
17 Atëherë Jeremia i tha Sedekias: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Në rast se u dorëzohesh princave të mbretit të Babilonisë, do të shpëtosh jetën tënde; ky qytet nuk do të digjet dhe ti do të jetosh me shtëpinë tënde;
18 por në rast se nuk do t’u dorëzohesh princave të mbretit të Babilonisë, ky qytet do t’u lihet në dorë Kaldeasve që do t’i vënë flakën, dhe ti nuk do të shpëtosh nga duart e tyre".
19 Mbreti Sedekia i tha Jeremias: "Kam frikë nga Judejtë që kaluan nga ana e Kaldeasve, kam frikë se mos më japin në duart e tyre dhe të më keqtrajtojnë".
20 Por Jeremia iu përgjigj: "Nuk do të të dorëzojnë në duart e tyre. Oh, dëgjo zërin e Zotit në atë që të them; kështu do të të ecë mbarë dhe do të jetosh.
21 Por në rast se ti refuzon të dalësh, kjo është ajo që Zoti më ka treguar:
22 Ja, të gjitha gratë që kanë mbetur në shtëpinë e mbretit të Judës do të çohen te princat e mbretit të Babilonisë dhe do të thonë: "Miqtë e tu të ngushtë të kanë bërë për vete dhe kanë sunduar mbi ty; këmbët e tua janë fundosur në baltë dhe ata të kanë kthyer kurrizin".
23 Të gjitha bashkëshortet e tua dhe bijtë e tu do të çohen te Kaldeasit dhe ti nuk do të shpëtosh nga duart e tyre, por do të të zënë dhe do të të dorëzojnë në duart e mbretit të Babilonisë dhe këtij qyteti do t’i vihet zjarri".
24 Sedekia i tha Jeremias: Askush të mos i dijë këto fjalë dhe ti nuk ke për të vdekur.
25 Por në rast se princat do të mësojnë që kam folur me ty dhe do të vijnë te ti për të të thënë: "Na njofto çfarë i ke thënë mbretit dhe atë që mbreti të ka thënë ty, mos na fshih asgjë dhe nuk do të të bëjmë të vdesësh,"
26 do t’u përgjigjesh atyre: "I paraqita kërkesën time mbretit, që të mos më kthente në shtëpinë e Jonathanit për të vdekur"".
27 Tërë princat erdhën te Jeremia dhe e morën në pyetje, por ai u përgjigj duke iu përmbajtur tërë fjalëve që mbreti kishte urdhëruar; prandaj e lanë të qetë, nuk mësuan asgjë nga biseda.
28 Kështu Jeremia mbeti në oborrin e burgut deri ditën që u pushtua Jeruzalemi. Dhe ai ishte atje kur u shti në dorë Jeruzalemi.
15 Tani, o vëllezër, po ju deklaroj ungjillin që ju kam shpallur dhe që ju e keni marrë dhe mbi të cilin ju qëndroni,
2 dhe me anë të të cilit ju jeni shpëtuar, nëse do ta mbani fjalën që ju kanë predikuar, veç nëse besuat kot.
3 Sepse unë ju kam transmetuar para së gjithash ato që edhe unë vetë i kam marrë, se Krishti vdiq për mëkatet tona sipas Shkrimeve,
4 se u varros dhe u ringjall të tretën ditë, sipas Shkrimeve,
5 edhe se iu shfaq Kefës dhe pastaj të dymbëdhjetëve.
6 Pastaj iu shfaq një herë të vetme më shumë se pesëqind vëllezërve, prej të cilëve më të shumtët rrojnë edhe sot, kurse disa kanë rënë në gjumë.
7 Më pas iu shfaq Jakobit dhe pastaj të gjithë apostujve.
8 Më së fundi m’u shfaq edhe mua, si në dështimit.
9 Sepse unë jam më i vogli i apostujve dhe as nuk jam i denjë të quhem apostull, sepse e kam përndjekur kishën e Perëndisë.
10 Por me hirin e Perëndisë jam ai që jam; dhe hiri i tij ndaj meje nuk qe i kotë, madje jam munduar më shumë se gjithë të tjerët, jo unë, por hiri i Perëndisë që është me mua.
11 Pra, si unë, ashtu edhe ata kështu predikojmë dhe ju kështu besuat.
11 Mbasi Jezusi përfundoi dhënien e porosive të tij dymbëdhjetë dishepujve të vet, u largua nga ai vend, për të mësuar dhe për të predikuar në qytetet e tyre.
2 Por Gjoni, që kishte dëgjuar në burg të flitej për veprat e Krishtit, dërgoi dy nga dishepujt e vet për t’i thënë:
3 “A je ti ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?”
4 Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Shkoni dhe i tregoni Gjonit gjërat që dëgjoni dhe shikoni:
5 Të verbërit po shohin, të çalët po ecin, lebrozët janë pastruar dhe të shurdhërit po dëgjojnë; të vdekurit po ngjallen dhe ungjilli po u predikohet të varfërve.
6 Lum ai që nuk do të skandalizohet nga unë!.”