Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 5-6

Vëru veshin fjalëve të mia, o Zot; dëgjo me vëmendje ankimin tim.

Dëgjo zërin e britmës sime, o mbreti im dhe Perëndia im, sepse ty të drejtoj lutjen time.

O Zot, ti në mëngjes dëgjon zërin tim; në mëngjes do ta lartoj drejt teje lutjen time dhe do të pres,

sepse ti nuk je një Perëndi që kënaqet në pabesinë; te ti nuk mund të zërë vend e keqja.

Ata që lëvdojnë vetveten, nuk do të mund të qëndrojnë para syve të tua; ti i urren të gjithë ata që kryejnë padrejtësi.

Ti do të zhdukësh gjithë ata që thonë gënjeshtra; Zoti urren njerëzit gjakatarë dhe mashtrues.

Por unë, për shkak të mirësisë sate të madhe, do të hyj në shtëpinë tënde dhe do të adhuroj me frikë të madhe, duke u drejtuar në tempullin tënd të shenjtë.

O Zot, më udhëhiq për drejtësinë tënde, për shkak të armiqve të mi; bëje të drejtë para meje rrugën tënde,

sepse në gojën e tyre nuk ka asnjë drejtësi; zemra e tyre nuk mendon gjë tjetër veç shkatërrimit; gryka e tyre është një varr i hapur; me gjuhën e tyre bëjnë lajka.

10 Dënoji ata, o Perëndi; mos u realizofshin synimet e tyre; përsëri për të këqijat e shumta që kanë kryer sepse kanë ngritur krye kundër teje.

11 Por le të gëzohen tërë ata që kanë strehë te ti, le të nxjerrin klithma gëzimi përjetë, sepse ti i mbron; le të ngazëllohen ata që duan emrin tënd,

12 sepse ti, o Zot, do të bekosh të drejtin; do ta rrethosh me hirin tënd si me mburojë.

O Zot, mos më ndreq në zemërimin tënd dhe mos më dëno në zjarrin e indinjatës sate.

Ki mëshirë për mua, o Zot; sepse jam i sfilitur nga e keqja; shëromë, o Zot, sepse kockat e mia po vuajnë.

Edhe shpirti im po vuan shumë; po ti, o Zot, deri kur?

Sillu nga unë, o Zot, çliroje shpirtin tim; shpëtomë, për hir të mirësisë sate.

Sepse në vdekje nuk do të kujtoj njeri; kush do të të kremtojë në Sheol?

Unë jam sfilitur duke psherëtirë; çdo natë e lag shtratin me vajin tim dhe bëj që të rrjedhin lotë mbi shtrojen time.

Syri im ligështohet nga dhembja dhe plaket për shkak të tërë armiqve të mi.

Largohuni nga unë, ju të gjithë shkaktarë të padrejtësisë, sepse Zoti ka dëgjuar zërin e vajit tim.

Zoti ka dëgjuar lutjen time; Zoti e ka pranuar lutjen time.

10 Tërë armiqtë e mi do të shushaten dhe do të hutohen; do të kthejnë krahët dhe do të shushaten në çast.

Psalmet 10-11

10 O Zot, pse qëndron larg? Pse fshihesh në kohë fatkeqësish?

I pabesi me kryelartësinë e tij ndjek me dhunë të mjerin; ata do të kapen nga vetë kurthet që ata kanë kurdisur,

sepse i pabesi mburret me dëshirat e shpirtit të tij, bekon grabitqarin dhe përbuz Zotin.

I pabesi, me arrogancën e fytyrës së tij, nuk e kërkon Zotin; tërë mendimet e tij janë: "Perëndia nuk ekziston".

Rrugët e tij lulëzojnë në çdo kohë; gjykimet e tua për të janë shumë të larta, larg kuptimit të tyre nga ana e tij; ai përqesh gjithë armiqtë e tij.

Ai thotë në zemër të tij: "Mua askush nuk më tund dot kurrë; nuk do të më ndodhë kurrë ndonjë e keqe".

Goja e tij është plot mallkime, hile dhe mashtrime; nën gjuhën e tij ka ligësi dhe paudhësi.

Ai rri në pritë në fshatra, vret të pafajshmin në vende të fshehta; sytë e tij përgjojnë fatkeqin.

Ai rri në pritë në vende të fshehta si luani në strofkën e tij; rri në pritë për të kapur të mjerin; ai e rrëmben të mjerin duke e tërhequr në rrjetën e tij.

10 Ai rri i strukur dhe i mbledhur, dhe fatzinjtë mposhten para forcës së tij.

11 Ai thotë në zemër të tij: "Perëndia harron, fsheh fytyrën e tij, nuk do ta shohë kurrë".

12 Çohu, o Zot; o Perëndi, ngre dorën tënde; mos i harro të mjerët.

13 Pse i pabesi përçmon Perëndinë? Ai thotë në zemër të tij: "Ti nuk do t’i kërkosh llogari".

14 Por ti e ke parë, sepse ti vëren me kujdes ligësinë dhe pikëllimin, për ta larë më pas me dorën tënde; fatkeqi i ka shpresat te ti; ti je ai që ndihmon jetimin.

15 Thyeja krahun të pabesit dhe të ligut; në rast se ti do të kërkosh ligësinë e tij, nuk do ta gjesh më.

16 Zoti është mbret përjetë; kombet janë zhdukur nga toka e tij.

17 O Zot, ti dëgjon dëshirën e njerëzve të përulur; ti e fortëson zemrën e tyre, veshët e tu janë të vëmendshëm,

18 për t’i dhënë të drejtë jetimit dhe të pikëlluarit, me qëllim që njeriu i krijuar nga dheu të mos kallë më tmerr.

11 Unë gjej strehë te Zoti; si mund t’i thoni shpirtit tim: "Ik në malin tënd, si një zog i vogël"?

Sepse ja, të pabesët nderin harkun e tyre, rregullojnë shigjetat mbi kordhëz, për t’i gjuajtur në errësirë kundër atyre që kanë të drejtë nga zemra.

Kur themelet janë shkatërruar, çfarë mund të bëjë i drejti?

Zoti është në tempullin e tij të shenjtë; Zoti ka fronin e tij në qiejtë; sytë e tij shohin, qepallat e tij vëzhgojnë bijtë e njerëzve,

Zoti vë në provë të drejtin, por shpirti i tij urren të pabesin dhe atë që do dhunën.

Ai do të bëjë që të bien mbi të pabesët leqe, zjarr, squfur dhe erëra zhuritëse; kjo do të jetë pjesa nga kupa e tyre.

Sepse Zoti është i drejtë; ai e do drejtësinë; njerëzit e drejtë do të sodisin fytyrën e tij.

Jeremia 36:27-37:2

27 Mbasi mbreti dogji rrotullën dhe fjalët që Baruku kishte shkruar nën diktimin e Jeremias, fjala e Zotit iu drejtua Jeremias, duke thënë:

28 "Merr përsëri një rrotull tjetër dhe shkruaj mbi të tërë fjalët e mëparshme, që ishin në rrotullën e parë të djegur nga Jehojakimi, mbreti i Judës.

29 Dhe Jehojakimit, mbretit të Judës, do t’i thuash: Kështu thotë Zoti: Ti ke djegur këtë rrotull, duke thënë: "Pse ke shkruar në të që mbreti i Babilonisë do të vijë me siguri dhe do ta shkatërrojë këtë vend, duke bërë të zhduken prej tij njerëz dhe kafshë?".

30 Prandaj kështu thotë Zoti për Jehojakimin, mbretin e Judës: Ai nuk do të ketë njeri që të ulet mbi fronin e Davidit dhe kufoma e tij do të hidhet jashtë dhe do të ekspozohet në vapën e ditës dhe në ngricën e natës.

31 Unë do ta dënoj atë, pasardhësit e tij dhe shërbëtorët e tij për paudhësinë e tyre dhe do të sjell mbi ta, mbi banorët e Jeruzalemit dhe mbi njerëzit e Judës tërë të keqen që kam shqiptuar kundër tyre, sepse nuk më dëgjuan".

32 Jeremia pra mori një rrotull tjetër dhe ia dha Barukut, birit të Neriahut, shkruesit, i cili shkroi mbi të, nën diktimin e Jeremias, të gjitha fjalët e librit që Jehojakimi, mbreti i Judës, kishte djegur në zjarr; u shtuan gjithashtu shumë fjalë të tjera të ngjashme me to.

37 Mbreti Sedekia, bir i Josias, që Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë, e kishte bërë mbret në vendin e Judës, mbretëroi në vend të Koniahut, birit të Jehojakimit.

Por as ai, as shërbëtorët e tij, as populli i vendit nuk i dëgjuan fjalët që Zoti kishte shqiptuar me anë të profetit Jeremia.

1 e Korintasve 14:1-12

14 Kërkoni dashurinë dhe lypni me zemër të zjarrtë dhuntitë frymërore, por sidomos që të mund të profetizoni,

sepse ai që flet një gjuhë tjetër nuk u flet njerëzve, por Perëndisë; sepse askush nuk e kupton, por ai në frymë flet mistere.

Kurse ai që profetizon, u flet njerëzve për ndërtim, për nxitje e përdëllim.

Ai që flet një gjuhë tjetër ndërton veten e tij, por ai që profetizon, ndërton kishën.

Unë dua që të gjithë ju të flisnit gjuhëra, por më tepër të profetizonit, sepse ai që profetizon është më i madh nga ai që flet gjuhëra, veçse në interpretoftë, që të marrë ndërtim kisha.

Dhe tani, o vëllezër, po të vija e t’ju flisja në gjuhë, ç’dobi do të kishit, po të mos ju flisja me anë të zbulesës, a me njohuri, a me profeci, a me mësim?

Edhe gjërat që nuk kanë shpirt dhe nxjerrin zë, fyelli ose qestja, po të mos japin zë të dallueshëm, si do të njihet të rënit e fyellit ose e qestes?

Sepse, po të japë buria një tingull të panjohur, kush do të përgatitet për betejë?

Kështu edhe ju, në qoftë se me gjuhën tuaj nuk flisni fjalë të kuptueshme, si do të kuptohet çfarë u tha? Sepse do të flisnit në erë.

10 Ka nuk e di se sa lloje zërash në botë, dhe asnjë prej tyre nuk është pa kuptim.

11 Pra, në qoftë se unë nuk e marr vesh kuptimin e zërit, do të jem si një i huaj për atë që flet, dhe ai që flet do të jetë një i huaj për mua.

12 Kështu edhe ju, mbasi doni fort të keni dhunti frymërore, kërkoni që t’i keni të bollshme për ndërtimin e kishës.

Mateu 10:16-23

16 Ja, unë po ju dërgoj si dele në mes të ujqërve; jini, pra, të mënçur si gjarpërinjtë dhe të pastër si pëllumbat.

17 Por ruhuni nga njerëzit, sepse do t’ju zvarrisin përpara sinedrave të tyre dhe do t’ju fshikullojnë në sinagogat e tyre.

18 Dhe do t’ju çojnë përpara guvernatorëve dhe përpara mbretërve për shkakun tim, për të dëshmuar para tyre dhe para johebrenjve.

19 Dhe, kur t’ju dorëzojnë në duart e tyre, mos u shqetësoni se çfarë dhe si do të flisni; sepse në atë çast do t’ju jepet se çfarë duhet të thoni;

20 sepse nuk do të jeni ju që do të flisni, por Fryma e Atit tuaj që do të flasë në ju.

21 Tani vëllai do të dorëzojë vëllanë në vdekje dhe ati të birin; dhe bijtë do të çohen kundër prindërve dhe do t’i vrasin.

22 Dhe të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim; por ai që do të qëndrojë deri në fund, do të shpëtojë.

23 Por kur do t’ju përndjekin në një qytet, ikni në një tjetër, sepse në të vërtetë ju them se nuk do të përfundoni së përshkuari qytetet e Izraelit, para se të vijë Biri i njeriut.