Book of Common Prayer
101 Unë do të këndoj mirësinë tënde dhe drejtësinë tënde; do të këndoj lavdet e tua, o Zot.
2 Do të kujdesem të bëj një jetë të ndershme. Kur do të vish tek unë? Do të ec me zemër të pastër brenda shtëpisë sime.
3 Nuk do të vë para syve të mi asgjë të keqe; unë e urrej sjelljen e atyre që dënojnë; nuk do lejoj të bëhem si ata.
4 Zemra e çoroditur do të largohet nga unë; nuk dua t’ia di për të keqen.
5 Do të shfaros atë që shpif tinëz kundër të afërmit; nuk do të duroj njeriun hundëpërpjetë dhe zemërkrenar.
6 Sytë e mi do të jenë mbi besnikët e vendit dhe do t’i mbaj afër vetes; ai që do të ecë me ndershmëri do të jetë shërbëtori im.
7 Kush vepron me mashtrim, nuk ka për të banuar në shtëpinë time; kush thotë gënjeshtra nuk do të qëndrojë para syve të mi.
8 Çdo mëngjes do të asgjesoj gjithë të pabesët e vendit, për të çrrënjosur nga qyteti i Zotit të gjithë ata që kryejnë paudhësi.
109 O Perëndi i lëvdimit tim, mos hesht,
2 sepse njerëz të pabesë dhe të pandershëm kanë hapur gojën e tyre kundër meje dhe kanë folur kundër meje me një gjuhë gënjeshtare;
3 më kanë sulmuar me fjalë urrejtjeje dhe më kanë luftuar pa shkak.
4 Në këmbim të dashurisë sime më akuzojnë, por unë i drejtohem lutjes.
5 Ata më kanë larë të mirën me të keqen dhe dashurinë time me urrejtje.
6 Vendos një njeri të keq mbi të dhe një akuzues le të jetë në të djathtë të tij.
7 Kur të gjykohet, bëj që të gjendet fajtor dhe lutja e tij të bëhet mëkat.
8 Qofshin të pakta ditët e tij dhe një tjetër zëntë vendin e tij.
9 Bijtë e tij mbetshin jetimë dhe gruaja e tij e ve.
10 U bëfshin endacakë dhe lypsarë bijtë e tij dhe e kërkofshin ushqimin larg shtëpive të tyre të rrënuara.
11 Fajdexhiu i marrtë të gjitha pasuritë e tij dhe të huajtë i vjedhshin frytin e mundit të tij.
12 Askush mos pastë mëshirë për të dhe askujt mos i ardhtë keq për jetimët e tij.
13 U shkatërrofshin pasardhësit e tij; në brezin e dytë emri i tyre u shoftë.
14 U kujtoftë para Zotit paudhësia e etërve të tij dhe mëkati i nënës së tij mos u shoftë.
15 U dalshin gjithnjë mëkatet e tyre para Zotit, me qëllim që ai të zhdukë nga toka kujtimin e tyre.
16 Sepse atij nuk i shkoi ndër mend të kishte dhemshuri, por e ka përndjekur të varfërin, nevojtarin dhe atë që ishte zemërthyer deri sa t’u shkaktonte vdekjen.
17 Mbasi e ka dashur mallkimin, rëntë ai mbi të; dhe mbasi nuk është kënaqur me bekimin, ky u largoftë prej tij.
18 Mbasi u mbulua me mallkim si me një rrobe, i hyftë ai si ujë në trupin e tij dhe si vaj në kockat e tij;
19 Qoftë për të si një rrobe që e mbulon dhe si një brez që e lidh përjetë.
20 Qoftë ky nga ana e Zotit shpërblimi për kundërshtarët e mi dhe për ata që flasin keq kundër meje.
21 Por ti, o Zot, o Zot, vepro në favorin tim për hir të emrit tënd, çliromë me dhemshurinë dhe mirësinë tënde,
22 sepse unë jam i varfër dhe nevojtar, dhe zemra ime është plagosur brenda meje.
23 Unë iki si një hije që zgjatet, jam i tronditur si një karkalec.
24 Gjunjët e mi dridhen nga të pangrënët dhe trupi im është dobësuar për mungesë të dhjamit.
25 Jam bërë një faqezi për ta; kur më shohin, tundin kokën.
26 Ndihmomë, o Zot, Perëndia im, shpëtomë për dhemshurinë tënde,
27 dhe ta dinë që kjo është vepër e duarve të tua, dhe që ti, o Zot, e ke bërë.
28 Ata do të mallkojnë, por ti do të bekosh; kur të ngrihen, do të mbeten të hutuar, por shërbëtori yt do të gëzohet.
29 U mbulofshin me turp kundërshtarët e mi dhe u mbështjellshin me turp si me mantel,
30 Unë do të kremtoj me të madhe Zotin me gojën time dhe do ta lëvdoj në mes të një turme të madhe,
121 Unë kam bërë atë që është e ndershme dhe e drejtë; mos më braktis në duart e shtypësve të mi.
122 Jepi siguri dhe mbarësi shërbëtorit tënd, dhe mos lejo që mëndjemëdhenjtë të më shtypin.
123 Sytë e mi dobësohen duke kërkuar shpëtimin tënd dhe fjalën e drejtësisë sate.
124 Kujdesu për shërbëtorin tënd sipas mirësisë sate dhe mësomë statutet e tua.
125 Unë jam shërbëtori yt; më jep mendje, që të mund të njoh porositë e tua.
126 Éshtë koha, o Zot, që të veprosh; ata kanë anuluar ligjin tënd.
127 Për këtë arësye unë i dua urdhërimet e tua më tepër se ari; po, më tepër se ari i kulluar.
128 Për këtë arësye i konsideroj të drejta urdhërimet e tua dhe urrej çdo shteg të gënjeshtrës.
129 Porositë e tua janë të mrekullueshme, prandaj shpirti im i respekton.
130 Zbulimi i fjalëve të tua ndriçon dhe u jep mendje njerëzve të thjeshtë.
131 Unë hap gojën time dhe psherëtij, nga dëshira e madhe e porosive të tua.
132 Kthehu nga unë dhe ki mëshirë për mua, ashtu si bën me ata që e duan emrin tënd.
133 Stabilizoi hapat e mia sipas fjalëve të tua dhe mos lejo që asnjë paudhësi të më sundojë.
134 Më çliro nga shtypja e njerëzve dhe unë do të respektoj urdhërimet e tua.
135 Bëj që të shkëlqejë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd dhe më mëso statutet e tua.
136 Rrëke lotësh zbresin nga sytë e mi, sepse nuk respektohet ligji yt.
137 Ti je i drejtë, o Zot, dhe dekretet e tua janë të drejta.
138 Ti i ke përcaktuar porositë e tua me drejtësi dhe me besnikëri të madhe.
139 Zelli im të tret, sepse armiqtë e mi kanë harruar fjalët e tua.
140 Fjala jote është e pastër nga çdo zgjyrë; prandaj shërbëtori yt e do.
141 Jam i vogël dhe i përbuzur, por nuk i harroi udhërimet e tua.
142 Drejtësia jote është një drejtësi e përjetshme dhe ligji yt është i vërtetë.
143 Ankthi dhe shqetësimi më kanë pushtuar, por urdhërimet e tua janë gëzimi im.
144 Porositë e tua janë të drejta përjetë; më jep mendje dhe unë do të jetoj.
15 Vëllezërit e Jozefit kur panë se ati i tyre vdiq, thanë: "Mos vallë Jozefi na mban inat dhe merr hak për tërë të keqen që i kemi bërë?".
16 Atëherë i çuan fjalë Jozefit: "Ati yt para se të vdiste dha këtë porosi duke thënë:
17 "Kështu do t’i thoni Jozefit: "Falu vëllezërve të tu të keqen që të kanë bërë, mëkatin e tyre, sepse të kanë bërë keq". Falu, pra, tani krimin shërbëtorëve të Perëndisë të atit tënd". Jozefi qau kur i folën kështu.
18 Pastaj erdhën edhe vëllezërit e tij dhe u shtrinë para tij, dhe i thanë: "Ja, ne jemi shërbëtorët e tu".
19 Jozefi u tha atyre: "Mos u trembni, se mos jam unë në vend të Perëndisë?.
20 Ju keni kurdisur të këqija kundër meje, por Perëndia ka dashur që t’i shërbejë së mirës, për të kryer atë që po ndodh sot: të mbash gjallë një popull të shumtë.
21 Tani, pra, mos kini frikë; unë do të siguroj ushqimin për ju dhe për bijtë tuaj". Kështu u dha zemër dhe i foli zemrës së tyre me ëmbëlsi.
22 Kështu Jozefi banoi në Egjipt, ai dhe shtëpia e të atit, dhe jetoi njëqind e dhjetë vjet.
23 Jozefi pa bijtë e Efraimit deri në brezninë e tretë; edhe bijtë e Makirit, bir i Manasit, lindën mbi gjunjët e tij.
24 Pastaj Jozefi u tha vëllezërve të tij: "Unë po vdes; por Perëndia do t’ju vizitojë me siguri dhe do t’ju çojë me siguri nga ky vend në vendin që i premtoi me betim Abrahamit, Isakut dhe Jakobit".
25 Pastaj Jozefi i vuri të betohen bijtë e Izraelit, duke thënë: "Perëndia me siguri do t’ju vizitojë; atëherë ju do t’i hiqni kockat e mia që këtej".
26 Pastaj Jozefi vdiq në moshën njëqind e dhjetë vjeç; e balsamosën dhe e futën në një arkivol në Egjipt.
12 Edhe për sa u përket dhuntive frymërore, o vëllezër, nuk dua të jeni të paditur.
2 Ju e dini se, kur ishit paganë, tërhiqeshit pas idhujve të pagojë, nën shtytje të çastit.
3 Prandaj ju bëj të ditur se askush që flet në Frymën e Shenjtë nuk thotë: “Mallkuar qoftë Jezusi!”; edhe asnjë nuk mund të thotë: “Jezusi është Zot,” veç se në Frymën e Shenjtë.
4 Ka larmi dhuntish, por i njëjti Frymë.
5 Ka edhe larmi shërbimësh, por i njëjti Zot.
6 Dhe ka larmi veprimtarish por është i njejti Perëndi i cili i bën të gjitha gjërat në të gjithë.
7 Dhe secilit i jepet shfaqja e Frymës për dobinë e përbashkët.
8 Dikujt, pra, i jepet, me anë të Frymës, fjalë diturie; një tjetri, sipas të po atij Frymë, fjalë njohurie;
9 një tjetri besim, nga po ai Frymë; një tjetri dhuntitë e shërimeve, nëpërmjet po atij Frymë; një tjetri pushtet për të kryer veprime të fuqishme; një tjetri profeci; një tjetri të dallojë frymërat;
10 një tjetri larmi gjuhësh; një tjetri interpretimi i gjuhëve.
11 Dhe të gjitha këto i bën i njëjti dhe i vetmi Frymë, duke i ndarë gjithsecilit dhunti veç e veç ashtu si do vetë.
11 Atëherë erdhën farisenjtë dhe nisën të diskutojnë me të, duke i kërkuar një shenjë nga qielli për ta vënë në provë.
12 Por ai, duke psherëtirë në frymë, tha: “Përse ky brez kërkon një shenjë? Në të vërtetë po ju them se këtij brezi nuk do t’i jepet asnjë shenjë.”
13 Atëherë i la, hipi përsëri në barkë dhe kaloi në bregun tjetër.
14 Tani dishepujt kishin harruar të marrin bukë me vete, dhe në barkë s’kishin asgjë përveç një buke.
15 Dhe Jezusi i qortoi duke thënë: “Kini kujdes, ruhuni nga majaja e farisenjve dhe nga majaja e Herodit!.”
16 Por ata diskutonin midis tyre duke thënë: “Nuk kemi bukë.”
17 Jezusi e vuri re dhe u tha: “Përse dis-kutoni që s’keni bukë? Ende nuk po e kuptoni e nuk e merrni vesh? Ende e keni zemrën të ngurtë?
18 Keni sy dhe nuk shihni, keni veshë dhe nuk dëgjoni? Dhe nuk po mbani mend?
19 Kur ndava të pesë bukët për të pesë mijtë, sa kosha plot me copa mblodhët?.” Ata thanë: “Dymbëdhjetë.”
20 “Po kur theva të shtatë bukët për të katër mijtët, sa shporta plot me bukë mblodhët?.” Dhe ata thanë: “Shtatë.”
21 Dhe ai u tha atyre: “Po si, ende nuk po kuptoni?.”
22 Pastaj arriti në Betsaida; dhe i prunë një të verbër e iu lutën ta prekte.
23 Atëherë e mori për dore të verbërin, e nxori jashtë fshatit dhe, pasi i pështyu në sy dhe vuri duart mbi të, e pyeti nëse shihte gjë.
24 Dhe ai, duke hapur sytë, tha: “Po shoh njerëz si pemë që ecin.”
25 Atëherë Jezusi i vuri përsëri duart mbi sytë dhe e bëri të shikojë lart; dhe atij iu kthye të parit dhe shikonte qartë gjithçka.
26 Dhe Jezusi e nisi të shkojë në shtëpinë e tij duke i thënë: “Mos hyr në fshat dhe mos ia trego askujt në fshat.”